“Kinezët mbi 50 vjeç më pyesin: Si janë punët në Shqipëri?”… Ç’mendon një gazetar komunist për Alinë, Berishën, Ramën

November 19, 2015 06:45

“Kinezët mbi 50 vjeç më pyesin: Si janë punët në Shqipëri?”… Ç’mendon një gazetar komunist për Alinë, Berishën, Ramën

Nga shumëkush njihet me një emër të shqiptarizuar: Vani. Aq shumë është familjarizuar ai më këtë emër, sa kur ndokush e thërret me emrin origjinal Uang, i duket çudi.

Është rikthyer në Tiranë pas 10 vitesh.

Wang Hongçi është ish-korrespondent i agjencisë kineze të lajmeve HSINHUA dhe ka qenë shef i saj për Shqipërinë dhe rajonin e Ballkanit për mbi 20 vjet.

“Kam qenë për herë të parë në Shqipëri në vitin 1969 si përkthyes i një delegacioni zyrtar qeveritar kinez. Pastaj kam ardhur si gazetar i agjencisë së lajmeve HSINHUA dhe me ndonjë ndërprerje, kam shërbyer për 22 vjet në Shqipëri. Prandaj dhe pretendoj se e njoh shumë mirë Shqipërinë dhe shqiptarët” – thotë ai për DITA.

Flet shumë mirë shqip. E ka mësuar në Pekin dhe e ka perfeksionuar në Tiranë.

Mund të konsiderohet, bashkë me përkthyesin e madh të letërsisë shqipe në gjuhën kineze, Çen En Bo, si një nga kontribuesit e rëndësishëm për ruajtjen e urave të miqësisë midis dy vendeve.

Ndonëse është tërhequr nga gazetaria aktive, vazhdon të bashkëpunojë intensivisht me Qendrën e Hsinhua-së për Studimin e Çështjeve Ndërkombëtare si dhe me Institutin e Kërkimeve për zhvillimin shoqëror Euro-Aziatik.

Kjo bisedë që Uang Hongçi bën me gazetën DITA është krejtësisht miqësore.

Biseda u zhvillua pardje në kafe-librari Agolli në qendër të Tiranës:

“Më merr malli për Shqipërinë. Këtu kam kaluar vitet më të bukura të jetës sime si gazetar. Kam shumë kujtime. Ju mund të mos e besoni por çdo ditë pas daljes në pension jetoj me përshtypjet nga Shqipëria. Kam shkruar dy libra me kujtime nga Shqipëria. I pari është botuar në Pekin në vitin 2008 me titullin “Jeta ime në vendin e shqiponjave”, ndërsa i dyti është botuar në Taivan në vitin 2014 me titullin “Shqiponjë e rrokullisur – Rruga e rilindjes së Shqipërisë”. Unë ndihem i lumtur që në Shqipëri kam shumë miq dhe… asnjë armik” – thotë Vani për gazetarin Xhevdet Shehu.

1

Ish-korrespondent i agjencisë kineze të lajmeve HSINHUA, Wang Hongçi me gazetarin Xhevdet Shehu

E pyesim për përshtypjet e tij mbi ata që kanë drejtuar Shqipërinë gjatë kohës që ai ka raportuar nga Tirana:

“Ramiz Alia për mendimin tim ka qenë një burrë i mençur. E donte Kinën dhe popullin kinez. Me të mund të bisedoje si me një shok. Unë e kam intervistuar shumë herë atë, më ka dhuruar edhe disa libra të tij. Kam përshtypjen se shumica e shqiptarëve e çmojnë atë si figurë politike, pas Enver Hoxhës, sidomos për rolin që luajti në periudhën e kalimit të Shqipërisë nga socializmi në demokraci. Kam ndjekur gjyqin që u zhvillua kundër tij në gjysmën e parë të viteve ’90. Më është dukur një gjyq i montuar…”

Wang thotë për Berishën se pret ende që ai të realizojë premtimin për gjuhën kineze:

“E kam intervistuar edhe zotin Berisha kur ishte President. Ai ka qenë edhe në Kinë dhe në intervistat që i kam marrë ka vlerësuar fort përparimet e Kinës nën udhëheqjen e Partisë Komuniste Kineze. Ne, kinezët, u gëzuam shumë kur zoti Berisha premtoi para dy vjetësh se do ta bënte gjuhën kineze gjuhë të dytë në Shqipëri. Është i vetmi që e ka bërë këtë premtim…”

Ai ka përjetuar edhe kulmin e miqësisë së ngushtë shqiptaro-kineze në vitet ’60-‘70, edhe ndërprerjen e këtyre marrëdhënieve nga gjysma e dytë e viteve ‘70, edhe rivendosjen e tyre.

“Prishjen e marrëdhënieve e kam përjetuar me shumë dhimbje. Ishte një miqësi e sinqertë dhe kam vënë re se kjo ndjenjë miqësie ka lënë gjurmë që duken edhe sot e kësaj dite. Në kohën e revolucionit kulturor-proletar filmat shqiptar ishin të vetmit që lejoheshin të shfaqeshin në kinema apo TV…Unë i di përmendësh të gjithë ata filma… Ata që janë mbi 50 vjeç në Kinë kanë një interesim të veçantë për Shqipërinë dhe vazhdimisht më pyesin: Si venë punët në Shqipëri?”

(Këtu Vanit i ndrisin sytë dhe fillon të këndojë këngën e filmit “Ngadhënjim mbi vdekjen”: Kjo pranverë që po vjen, gjithë armiqtë tmerron,/ I tmerron ata rini’ e vendit tonë…)

“Ata bënin punën e tyre, por ishin njerëz të mirë…  – thotë gazetari komunist për njerëzit e Sigurimit të Shtetit që e ndiqnin pas prishjes së marrëdhënieve mes Tiranës dhe Pekinit.

Ai thotë se shqiptarët kanë sot nevojë për optimizëm. Dhe sheh mundësi tregtare që do ta forcojnë raportin mes dy vendeve:

“Ju duhet ta dini se Kina ka një strategji të marrëdhënieve dhe të bashkëpunimit me botën dhe sidomos me Europën. Kjo strategji e ka emrin “Rruga e mëndafshit”. Ju e dini se si u përhap në Europë mëndafshi. Janë shkruar shumë libra për këtë. Në këtë strategji po ecën Kina aktualisht. Në këtë strategji bën pjesë dhe Ballkani dhe Shqipëria, me projektet që pritet të materializohen në të ardhmen. Këto projekte mendoj se do të forcojnë miqësinë midis vendeve tona. Mua më vjen shumë mirë që Kryeministri Edi Rama ka një vëmendje të posaçme për marrëdhëniet me Kinën. Ai e ka vizituar disa herë Kinën. Në ditët e para të dhjetorit ne presim që zoti Rama të marrë pjesë në takimin e provincës Ciansu, ku do të marrinë pjesë udhëheqësit e 16+1 vendeve të Europës Qendrore dhe Lindore”. / Dita /

November 19, 2015 06:45
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*