Ekskluzive/ “Pse nuk u realizua plani për vrasjen e Meksit”

April 19, 2016 02:14

Ekskluzive/ “Pse nuk u realizua plani për vrasjen e Meksit”

Pas rrëfimit të djeshëm për një plan të SHIK-ut për eliminimin e ish-Kryeministrit Aleksandër Meksi, ish- zyrtari i lartë i SHIK në gjysmën e parë të viteve ’90 Dimushi vijon të tregojë se si rrodhën më tej ngjarjet dhe pse nuk u realizua ai plan.

A ishte Bashkim Gazidede ideatori i këtij atentati apo kishte marrë urdhër nga dikush tjetër më lart në hierarkinë e shtetit? Cili ishte roli i Xhahit Xhaferit në këtë histori dhe pse u shpërblye më vonë duke u bërë komandant i Gardës së Republikës.

Masakra e Cerrikut në vitin 1997 dhe kush ishte përgjegjësi. Çfarë i bashkonte dhe çfarë i ndante Bujar Ramën me Gazidedenm sipas ish-shefit të SHIK-ut në Pogradec e Kavajë në ato vite të rënda për Shqipërinë, me të njëjtët protagonistë politikë të sotëm.

 

(Pjesën e parë e lexoni KETU)

– Si reaguat kur dëgjuat nga goja e Gazidedes porosinë për të vrarë Kryeministrin?

– Mu ngjeth trupi. Bashkimi ishte ngritur në këmbë dhe rrinte përballë dritares duke pirë me etje cigare. Xhahiti po paketonte armët, ndërsa A.Sh. nuk lëvizte nga vendi. Atë kohë Xhahiti ka qenë drejtor i drejtorisë të Katërt në SHIK, më vonë u shpërblye duke e bërë komandant të Gardës së Republikës, Unë vetë pak e kam njohur si person. Por njëherë gjatë shkuarjes në shtëpi kur punoja në Kavajë e shtëpinë e kisha në Pogradec, tek ura e Librazhdit, sa del nga qyteti, e gjeta me makinë të përmbysur në shtrat të lumit… Ishte në kthim nga Kapshtica.1

Si komandant garde mund të pohoj se ka qenë urdhëruesi i gardistëve drejt Cerrikut në vitin 1997, ku sikurse dihet u bë një masakër e vërtetë. Di që Bashkimi e mbante aq afër sa fjala e Xhahitit ishte ligj. Jo më kot e bënë dhe komandant garde. Unë vetëm 3-4 biseda kam me të përveç rastit që tregova. Nuk më pëlqente hiç si njeri dhe si karakter.

– Po Bujar Rama, ku ndryshonte dhe ku bashkohej me Bashkim Gazideden?

– Ishin si nata me ditën larg. Bujari i qetë,i drejtpërdrejtë, fjalëpak, por shumë  trim. Bashkimi i ashpër, dredharak, tmerrësisht nervoz dhe tinëzar.

– Sidoqoftë shumë punë i kanë bërë bashkë pasi të dy ishin në krye të SHIK-ut në ato vite…

– Sidoqoftë, Bujari ishte tjetër gjë… Atij i shkon shprehja “jam burrë i mirë, por kam punën e keqe”. E donin të gjithë dhe kishin besim tek ai, edhe unë dhe sot e kësaj dite, pavarësisht se kam objeksionet e mia për të.

Ai, po si unë, u tradhtua ngaqë besonte ndershmërisht. Bujari ka flakur teserën e PPSH-së në një miting publik, ku ka qenë dhe Azemi, në kohën kur mitingjet e Milloshit ishin në kulmin e tyre në fillim të vitit 1991. Bujari ishte demokrat i vërtetë në shpirt. Por e mbajtën në distancë meqë mbulonte ekonominë dhe e shfrytëzuan në vitin ’97.

Përfundimisht mund të them se Bujari ishte dhe është shpirtbardhë, kurse Bashkimi cinik dhe hakmarrës. Bujari është ndarë me Saliun e PD-në mbas 97-s, ndërsa Bashkimi mbeti si përfaqësues i linjës së ashpër deri në fund të jetës. Bashkimi kish një të mirë të vetme, të fortë… Nuk u përlye në korrupsion e vdiq fukara.

Andrea Dimushi

Andrea Dimushi

– Çfarë ju kujtohet tjetër nga ajo ditë në zyrën e Gazidedes kur morët porosinë apo detyrën për të vrarë Meksin?

– “Mendohu mirë para se të flasësh me ta”, tha Bashkimi. E bëri të sigurtë që duhej të flisja. “Do mendohem, por më duket e pamundur të bëhet kjo gjë”, i thashë. Nuk di nëse Kazazët mund ta merrnin përsipër atentatin, por në atë kohë Salën e kishin idhull. Të thashë dje që nuk di arsyen pse u zgjodhën Kazazët për atentatin kundër Meksit. Lami kishte miqësi me Meksin dhe e donte. “Ke një muaj kohë” më porositi me të butë si shprehje, por i vendosur për të patur një përgjigje pozitive nga unë!

– Mendoni se Bashkimi e bëri me kokën e tij këtë propozim?

– Për mua është Saliu dora vetë autori që ka urdhëruar. Nuk e bënte dot kurrë Bashkimi një veprim të tillë pa miratimin dhe lejen e Saliut.

– Pra ju e morët detyrën apo porosinë. Çfarë bëtë më tej?

– Në ato çaste, vetëtimthi m’u kujtua një moment kur Bujari pas një debati verbal në zyrën e Bashkimit, u nxeh aq shumë sa Bujari i tha Bashkimit se do e hidhte nga dritarja! Atë moment po e mendoja, ndërsa dola pa u përshëndetur. Ishte i dyti paralajmërim një mujor që më jepej. Njëri për trafikun e armëve dhe kjo që më jepej tani, dhe ishte tepër më i rëndë, pasi kërkonte jo vetëm kokë njeriu, por kokën e Kryeministrit të Shqipërisë. Një lojë e pistë deri në fund! E pistë dhe pabesë.

– A u morën masa për atentatin ndaj Meksit?

– Jo, asnjë masë. Sigurisht qe atentati nuk u realizua pasi unë nuk bëra asnjë përpjekje për t’i kontaktuar Kazazët për këtë problem, ndonëse Islamin e takoja thuajse çdo ditë, meqë e kisha vartës.

– Si kini pasur marrëdhëniet me Kazazët?

meksi-1– Lam Kazazin të thashë që e kisha në punë, por me Eqeremin kam patur një episod që më ka lënë mbresë. Në 6 qershor të vitit 1993, po udhëtonim me tragetin “La Vikinga” për në Itali për një kurs specializimi në Romë. Me atë traget udhëtonte dhe Eqeremi, i vëllai, por dhe të tjerë si Art Pagria, të cilit i thanë të kujdesej për mua pasi e kisha për herë të parë atë rrugë. Para se të ndaheshim, Eqeremi futi dorën në xhep dhe më dhuroi 20 mijë lireta… “Mbaji për kafe se e di që jini bosh”, më tha. E falënderova e nga ky xhest i tij dhe sot pas kaq vitesh ndjej falënderim dhe mirënjohje.

– Sidoqoftë, juve u ishte dhënë një detyrë jo e lehtë dhe me këta do ta kryenit…

– Kurrë nuk pata kurajo e as dëshirë të bisedoja me Kazazët për këtë problem. Sa herë më pyesnin në telefon nëse kishte gjë të re, i përgjigjesha: “Jo nuk ka e nuk mundem”. Por e nuhasja se për këtë problem duket që nuk po ndjeheshin mirë në Tiranë. Sidomos ishin në merak se mos i kisha treguar “Lomit”, për çfarë i kërkohej dhe u bë një inskenim i ndyrë.

– Çfarë inskenimi?

– Në kalim në Kavajë, ish shefi i antiterrorrit A.Sh., kish bërë fjalë me Lamin dhe ky i fundit i thotë se ishte punonjës i SHIK-ut. A.Sh. më vjen në zyrë dhe ankohet për sjelljen “vulgare” të Islamit. Meqë Islami ishte vëzhgues (pra punonjës jo legal), i thashë që e njoh si person, por nuk është punonjës në SHIK. Ai menjëherë këtë ia kish raportuar Bashkimit dhe i nxorën urdhrin e lirimit. Lami ishte nga pishtarët e parë të demokracisë dhe në atë kohë ishte vështirë t’i largoje nga puna, për të mos thënë e pamundur. Por urdhri ishte djallëzor. Prisnin që kur u bë takimi me Bashkimin, të mund të merrnin vesh në ishte në dijeni për çfarë do i kërkohej të bënte. Prisnin nëse do shfrynte që e liruan, meqë nuk pranoi atë detyrë që nuk iu dha asnjëherë nga unë. Kur kuptuan që nuk ishte në dijeni, e rimorën përsëri dhe Lami pas kësaj lëvizte me fenelinë ndezur në çdo vend ku kalonte me makinë.

– Nga gjithë kjo histori, kuptoj se në njëfarë mënyre ju e shpëtuat Meksin, apo shefat e tu hoqën dorë nga ai plan?

– Thashë, që nga zyra e Bashkimit atë ditë që më dhanë këtë mision dola pa e përshëndetur, por nga pas më erdhi zëri: “Këtu nuk është bërë kurrë kjo bisedë!”. Dhe në fakt atje mbeti! Për një muaj rresht, përditë më merrnin në telefon dhe më pyesnin në kishte gjë të re. Më pas heshtën. As unë nuk bëra ndonjë lëvizje, por edhe ata duket se hoqën dorë nga ai plan. Nuk e di përse. Nuk kemi diskutuar më tutje për këtë çështje. Meksi është shëndoshë e mirë, ndonëse të tjerë dinë edhe më shumë, që ai ishte vënë vërtet “NË SHËNJESTËR”.

 

April 19, 2016 02:14
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*