1924, kur baballarët e kombit debatonin për sistemin

June 27, 2016 09:39

1924, kur baballarët e kombit debatonin për sistemin

 

Dr.Hasan Bello*

Ky artikull mbështetet mbi dy raportet e hartuara nga komisionet e deputetëve republikanë dhe monarkistë të parlamentit shqiptar. Ai synon të krahasojë argumentet dhe kundërargumentet themelore që këto dy grupime paraqitën pranë kryesisë së parlamentit lidhur me përcaktimin e formës së regjimit në statutin e ri të shtetit shqiptar. Ajo që të bie në sy është se ato reflektojnë një shkallë të lartë përgjegjshmërie, nivel intelektual dhe përgatitje juridiko-konstuticionale të deputetëve. Pavarësisht se si rrodhën zhvillimet politike, duhet theksuar se të gjithë përfaqësuesit e grupimeve në fjalë ishin të prirur ndaj gjetjes së formës më të përshtatshme të regjimit, i cili do t`i siguronte shtetit shqiptar stabilitet, prosperitet dhe demokraci të brendshme kushtetuese.

 

Argumentet themelore të republikanëve

Në hyrje të raportit justifikues komisioni republikan paraqeste si argument themelor për formën e regjimit të shtetit shqiptar arsyet historike. Sipas tyre, monarkitë kishin si bazë parimin teokratik, traditat e një familjeje mbretërore që kishte sunduar në të kaluarën, ose shkaqe historike. Ndërsa në Shqipëri nuk kishte asnjë familje mbretërore, që të kishte pretendime teokratike, nuk kishte as ndonjë dinasti kombëtare që të kishte të drejta historike. Pretendimet e Vidit mbi fronin e Shqipërisë, me të drejtë ky grupim i hidhte poshtë me argumentin se ai ishte larguar nga Shqipëria për të marrë pjesë në LPB nën flamurin e një kombi tjetër. Ky veprim kishte shkelur vendimet e Konferencës së Ambasadorëve, e cila kishte vendosur në akord me Fuqitë e Mëdha asnjëanësinë e Principatës Shqiptare. Ky argument përbënte një precedent të fortë juridik për të kundërshtuar pretendimet e Vidit dhe përkrahësve të regjimit monarkist. Kjo, sipas këtij grupimi kishte vërtetuar se shpëtimtarët e një kombi përherë kishin dalë nga gjiri i popullit dhe asnjëherë nuk kishin ardhur nga jashtë.

Një argument tjetër ishte se në periudhën bashkëkohore krijimi i dinastive të reja nuk ishte aspak në modë. Përkundrazi, një numër i konsiderueshëm i dinastive të vjetra, me rrënjë shekullore, ishte duke u zhdukur. Ky argument, i cili e lidhte formën e regjimit republikan me rrjedhat historike të qytetërimit tregon se elita politike shqiptare ishte nën influencën ideologjike të Revolucionit Borgjez Francez të 1789. Ai nuk ishte argument i qëndrueshëm për faktin se shtete dhe kombe si Britania, e cila ishte avangardë e zhvillimit ekonomik, industrial, shkencor e kulturor, megjithëse ishte monarki, nuk e kishte penguar të ishte model i parlamentarizmit. Këtu nuk duhet harruar se pjesa dërrmuese e shteteve evropiane, e sidomos fqinjët e Shqipërisë, ishin monarki. Megjithatë kjo nuk i pengoi përkrahësit e republikës të parashtronin se Shqipërisë i mungonte një dinasti vendase, se traditat e vjetra të racës shqiptare dhe gjendja historike, e çlironte vendin tonë nga barra e monarkisë. Ata theksonin se shqiptari në shpirt ishte demokrat. Kjo, sipas tyre, ishte konstatuar edhe në librat e udhëpërshkruesve të huaj. Ata shkruanin se as pushtimet e gjata paraosmane dhe as Perandoria Osmane nuk kishin mundur që të ç`rrënjosnin nga shpirti i shqiptarit bindjen e përjetshme që ai kishte ndaj Pleqësisë. Kjo tregonte se një sistem Pleqësimi, dmth Republikan ishte një sistem që buronte nga shpirti dhe jeta shoqërore e popullit shqiptar. Ndërsa monarkia ishte në kundërshtim të plotë me natyrën e tij. Gjendja shoqërore e Shqipërisë, sipas republikanëve, tregonte se e vetmja formë shtetërore që mund t`i përshtatej shqiptarit, ishte Republika.

Ky grupim propozoi një formë origjinale të drejtimit të Republikës, e cila konsistonte në drejtimin e saj nga katër përfaqësues (një mysliman, një ortodoks, një katolik, një bektashi). Ata duhet ta drejtonin Republikën në mënyrë kolegjiale, duke e kryesuar atë me rrotacion. Ky model, kishte rezultuar efikas në vitet 1920-1924 kur vendi drejtohej nga Këshilli i Naltë. Republika, sipas tyre, ishte një sistem që përputhej edhe me përbërjen religjoze të shtetit shqiptar.

gjedhja e një mbreti nuk mund të bëhej pa ndërhyrjen e Fuqive të Mëdha. Republikanët, sillnin shembullin e Vidit sundimi i të cilit kishte rezultuar fatal. Këtyre pikëpyetjeve i shtohej edhe mungesa e një personi, i cili mund të gëzonte aftësitë e duhura për t`u vendosur në krye të Shqipërisë. Sidoqoftë, republikanët i përmbaheshin bindjes se vendosja e një mbreti do të shkaktonte pakënaqësi si tek faktori i brendshëm ashtu edhe tek faktori i jashtëm. Me ndryshimin e rrethanave ndërkombëtare, vendosja e një mbreti të huaj, sipas tyre nuk përputhej më me interesat e shqiptarëve. Këto interesa parashtronin nevojën imediate që, Shqipëria të qeverisej si republikë.

Një argument tjetër ishte edhe mundësia e kufizuar financiare e shtetit shqiptar. Sipas tyre, me një buxhet prej 14 milion franga ari në vit Shqipëria nuk mund të mbante një oborr mbretëror. Ndërsa republika konsiderohej një sistem me kosto të vogël financiare, ajo “ka me qenë petka që i vjen trupit tonë”.

Argumentin e paraqitur nga monarkistët se “Mbreti ka me qenë i paanshëm dhe për mbi gjith partinat, në kohna të vështira bahet një fuqi paqtuese dhe gjith partinat mblidhen rreth mbretit”, ndonëse në pamje të parë dukej i arsyeshëm, republikanët e hidhnin poshtë duke sjellë si shembull historinë e mbretërive ballkanike. Republikanët bënin thirrje se forma e regjimit të shtetit shqiptar duhej sanksionuar një orë e më parë. Sipas tyre bota ndodhej para ngatërresave të ndryshme politike, të cilat do të interferonin herët ose vonë edhe në vendin tonë. Prandaj, zgjidhja e këtij problemi duhej bërë sa më shpejt. Kjo do të shmangte farën e kryengritjeve dhe vëllavrasjes ndërmjet popullit shqiptar.

Frikës së atyre që mendonin se nga republika mund të rridhte ndonjë diktaturë, ata i përgjigjeshin se ato ishin pjellë e rrethanave historike dhe se mund të lindnin edhe nga monarkitë e mëdha, por edhe nga republikat e vogla. Kjo mund të shmangej duke vendosur në statut garancira kushtetuese, të cilat do t`i prisnin rrugën vendosjes së diktaturës dhe do të garantonin sovranitetin e popullit.

Ky raport mban firmën e kryetarit të komisionit republikan, juristit dhe deputetit Petro Poga.

 

Argumentet themelore të deputetëve monarkistë

Në hyrje të raportit justifikues të komisionit monarkist artikulohej se shteti si produkt i ngjarjeve historike, si shfaqje e nevojave më të forta shoqërore, kishte si detyrë parësore:

  • Sigurimin e qetësisë së brendshme dhe të jashtme
  • Zhvillimin nga çdo pikëpamje e njerëzve që përfshinte në gjirin e vet

Sipas monarkistëve shtetet ballkanike, evropiane dhe të mbarë botës kishin forma të ndryshme politike. Por forma më e mirë ishte ajo e cila në përputhje me nivelin e zhvillimit dhe qytetërimit të një kombi i siguronte atij stabilitet; ajo formë e cila duke shmangur tronditjet politiko-sociale dhe cënimin e lirisë së popullit siguronte zhvillimin gradual, por të shpejtë të të gjitha fakulteteve mendore dhe shpirtërore të atij kombi. Këto cilësi të formës së një shteti i nevojiteshin edhe popullit shqiptar, i cili po hidhte hapat e para drejt qytetërimit dhe jetës politike. Sipas monarkistëve, lumturia, përparimi dhe liria e një populli nuk siguroheshin duke adaptuar formën më moderne dhe më liberale të imagjinuar në teori, por duke aplikuar atë sistem qeveritar i cili korrespondonte më mirë me nivelin e zhvillimit politiko-social. Sipas tyre, një formë shteti ultra-liberale për një popull të pazhvilluar, mund të kishte rezultat të kundërt. Ajo mund të krijonte premisa për të sjellë në fuqi, nën maskën e lirisë e të sovranitetit të popullit, diktatura dhe oligarkira parlamentare, të cilat do të shtypnin të drejtat më elementare të një kombi. Ky konkluzion, ishte frut i një vështrimi analitik i historisë së parlamentarizmit shqiptar në vitet 1920-1924. Ai ishte përfundim logjik i kaosit politik që kishte prodhuar brishtësia e demokracisë parlamentare në këtë periudhë.

Historikisht format e shtetit, sipas monarkistëve ndaheshin esencialisht nga pikëpamja e sovranitetit në dy kategori kryesore: Monarki ose Perandori absolute në të cilat fuqia sovrane rridhte nga lart poshtë, si një e drejtë trashëgimtare e dhuruar nga Zoti një familjeje mbretërore të sundoi e të drejtoi si Sovran një komb. Një shembull konkret sipas tyre ishte Perandoria Osmane në periudhën e Abdylhamidit II dhe Franca në periudhën Burbone. Një kategori e veçantë e këtyre formave ishin monarkitë kushtetuese, në të cilat familjet mbretërore, si rezultat i presionit nga populli detyroheshin të delegonin një pjesë së fuqisë së tyre. Kjo rregullohej me anë të statuteve ose kushtetutave. Një shembull i tillë ishte Rusia cariste pas krijimit të Dumës, Perandoria Austro-Hungareze, etj., të cilat konsideroheshin forma arkaike dhe të dala jasht mode.

Kategoria e dytë ishin demokracitë republikane ose monarkiste, në të cilat fuqia rridhte nga poshtë lart dhe fuqia sovrane qëndronte krejtësisht në popull. Ndërsa populli, sipas të drejtave të përcaktuara në statut, delegonte një pjesë të këtij sovraniteti tek mbreti. Ky i fundit gëzonte disa prerogativa, të cilat ishin të trashëgueshme. Një shembull tjetër ishin republikat aristokratike, tek të cilat sovraniteti qëndronte në duart e disa familjeve (Venediku). Por edhe kjo formë ishte démodé. Prandaj, format kryesore të periudhës bashkëkohore që rivalizonin me njëra-tjetrën ishin monarkitë parlamentare dhe republikat demokratike. Në gjykimin e monarkistëve, nga pikëpamja e sovranitetit të popullit këto dy forma nuk kishin asnjë ndryshim nga njëra-tjetra. I vetmi ndryshim ishte se ndërsa tek njëra formë kryetari i shtetit ishte i zgjedhur, tek tjetra ai ishte i trashëgueshëm. Sipas tyre, forma e regjimit nuk ishte tregues i shkallës së emancipimit dhe demokratizimit të një shoqërie. Ata e argumentonin këtë me rastin e popujve më të qytetëruar të botës siç ishin belgët, holandezët, skandinavët, të cilët megjithëse ishin monarki, nuk ishin më pak sovran se populli i Republikës së Meksikës. Sipas monarkistëve midis kushtetutës franceze dhe asaj britanike nuk kishte asnjë ndryshim nga pikëpamja e sovranitetit të popullit. Madje, kishte raste, siç ishte Presidenti i SHBA-së, që në bazë të kushtetutës gëzonte më shumë të drejta se sa Mbreti i Italisë. Për të përforcuar këtë pikëpamje monarkistët i referoheshin edhe përvojës ndërkombëtare. Ata e pranonin se pas përfundimit të LPB regjimi republikan për shumë vende ishte kthyer në modë. Por kjo, sipas tyre, ishte rezultat i ngjarjeve historike apo i zhvillimeve politike, që shpesh-herë nuk ishin produkt i dëshirës së përgjithshme të popullit për të aplikuar republikën. Si shembull ata merrnin SHBA-në, e cila ishte republika më demokratike dhe më funksionale e kohës. Sipas këtij modeli ishin themeluar edhe disa republika në Amerikën e Jugut. Por përveç SHBA-së, në të cilat, si kudo, instikti i racës anglo-saksone kishte treguar cilësi natyrale për rregullimin me liri të plotë sipas sistemit parlamentar, në shtetet e tjera forma republikane e regjimit nuk kishte dhënë prova të mira. Përkundrazi, në shumicën e rasteve atje kishin mbretëruar grushtet e shtetit dhe diktaturat e kryetarëve të republikës, të cilët me përkrahësit e tyre kishin rrëmbyer drejtimin e vendit. Modeli më negativ që ata sillnin ishte Republika e Meksikës. Më tej, ky grupim merrte në shqyrtim format e regjimit të disa kontinenteve: Australisë, ku edhe aty ku ekzistonte republika nuk mund të thuhej se kishte sovranitet të plotë pasi ajo varej nga Mbretëria e Anglisë. Azia ishte një mish-mash i vërtetë regjimesh, të cilat nuk shquheshin për shtete demokratike dhe funksionale, së bashku me Afrikën ajo ishte në shumicën e rasteve koloni e mbretërive perëndimore. Këtu një farë përjashtimi bënte Egjipti, i cili kishte një qytetërim e trashëgimi historike nga periudha e antikitetit. Por edhe ky ishte monarki. Modeli më i mirë për republikanët ishte kontinenti evropian, ose më saktë Franca. Kjo e fundit pas kryengritjesh të gjata, duke nisur që me Revolucionin e 1789 kishte derdhur gjak pa fund. Megjithatë ndryshimi i formës së regjimit në Francë kishte ndryshuar brenda 80 vjetësh nëntë herë: tre herë perandori, tre herë monarki dhe tre herë republikë. Kjo tregonte se ky shtet i njohur për shkallën e lartë të qytetërimit, kulturës dhe filozofisë kishte eksperimentuar periodikisht derisa kishte gjetur në mënyrë evolutive formën më të përshtatshme të regjimit. Pas Francës, një shtet tjetër evropian që kishte aplikuar republikën ishte Portugalia. Por ajo nuk përbënte një shtet model, sepse lëvizjet kryengritëse që shpërthenin herë pas here kishin krijuar një situatë të pastabilizuar. Ndërsa rasti i Zvicrës e ndarë në kantone ishte përjashtim, në përputhje me përbërjen etnike dhe sociale të këtij shteti.

Një shembull konkret i cili ishte më afër mentalitetit dhe kushteve social-politike të popullit shqiptar ishin shtetet ballkanike. Sipas monarkistëve pothuajse i gjith Ballkani ishte monarki. Kush mund t`i mohonte shërbimet që i kishte bërë Mbreti Karol Rumanisë? Ai kishte qenë faktor kryesor për zhvillimin dhe emancipimin e këtij kombi. Ferdinandi i Bullgarisë megjithëse ishte me origjinë gjermane dhe shkaktar kryesor në futjen e saj në luftë përkrah Antantës, kishte luajtur rol të pazëvendësueshëm. Madje, edhe pas lufte, kur në pushtet erdhi Stamboliski, nuk e ndryshoi dinastinë dhe si trashëgimtarë njohu të birin e Ferdinandit. Kjo, sipas monarkistëve, tregonte hapur se populli bullgarë e ndjente të nevojshme këtë formë regjimi. Një tjetër shtet, i cili duhet të ishte shembull për një popull me ndërgjegje kombëtare të pazhvilluar ishte Jugosllavia. Prandaj, ata e vinin theksin se populli shqiptarë kishte nevojë më tepër se kushdo për mbështetje morale tek një mbret. Ai, sipas tyre do të ishte personifikimi i bashkmit kombëtarë. Rasti i Greqisë, megjith problemet e viteve të fundit, në thelb ishte histori suksesi. Këtu, ata kishin parasysh kontributin historik të monarkisë për themelimin dhe konsolidimin e shtetit grek.

Një rast tipik ishte edhe Republika Turke e themeluar nga Mustafa Qemali. Ai ishte modeli që kishte ndikuar më shumë se kushdo tjetër tek elita politike shqiptare. Por, ky rast ishte produkt i zhvillimeve politike dhe historike që kishin ndodhur në Turqi. Mustafa Qemali e kishte shpëtuar atë nga copëtimi dhe pushtimi i forcave të huaja, kishte pas vetës ushtrinë dhe kishte abroguar Kalifatin. Ndërsa një kurorë mbretërore oksidentale, sipas monarkistëve, do të ishte burim i qytetërimit evropian. Për popullin shqiptar, argumentonin ata, një mbret evropian nuk ishte shenjë konservatorizmi. Përkundrazi, një provë liberalizmi.

Një arsye tjetër përse monarkistët e kundërshtonin republikën ishte se ata shihnin tek ajo burimin e anarkisë. Ndërsa monarkia, sipas tyre, do të krijonte kushtet e nevojshme për stabilitetin dhe zhvillimin e popullit shqiptar.

Monarkistët merrnin në shqyrtim edhe kritikat që ekzistonin lidhur me dobësitë e këtij sistemi, si:

  • Çështja e fesë.
  • Çështja e bejlerëve.
  • Çështja ekonomike.
  • Cënimi i lirisë dhe i sovranitetit të popullit.
  • Qënia në krye të shtetit të një të huaji dhe problemet e një krimi të një dinastie për brezat e ardhshëm.
  • Antagonizmi i mentalitetit të mbretit me gjendjen sociale të vendit.
  • Ngatërresat lidhur me gjetjen e mbretit.
  • Intrigat që mund të bënin të huajt me anë të mbretit.
  • Mbreti mund të ishte pengesë për zhvillimin e Shqipërisë.
  • Mbreti do të krijonte një militarizim të panevojshëm të Shqipërisë.

Lidhur me çështjen e fesë, republikanët mendonin se Shqipëria në të cilën ekzistonin katër religjone, nuk mund të bëhej monarki. Kjo bazohej në argumentin se përkatësia fetare e mbretit do të ngjallte pakënaqësinë e elementëve të ndryshëm. Me qëllim që mbreti të kishte influencë morale, ai duhej t`i përkiste fesë së popullit. Kjo ishte e sanksionuar edhe në kushtetutat e monarkive ballkanike.

Monarkistët preferonin që në krye të Shqipërisë të vendosej një mbret evropian. Kjo, do ta shpejtonte procesin e modernizimit dhe unifikimit të kombit shqiptar. Ai do të ndikonte në afrimin e të gjithë elementëve brenda vendit. Një mbret evropian do ta ndihmonte Shqipërinë edhe në arenën ndërkombëtare. Mendimi se një mbret i krishterë do të kundërshtohej nga myslimanët ishte frut i propagandës së huaj. Përkundrazi, një mbret i krishterë në një vend me shumicë myslimane, ishte tregues dhe një ndihmesë e madhe në politikën e jashtme.

Argumentin se mbretëria do të ishte një barrë për brezat e ardhshëm, duke i shtyrë që ta rrëzonin me kryengritje, monarkistët e kundërshtonin me faktin se nëse kjo do të ishte legjitime ishte plotësisht e drejtë. Por sipas tyre më mirë një kryengritje pas 50 apo më shumë viteve se sa shpërthimi i një kryengritjeje për çdo vit. Ata e konsideronin monarkinë si institucion i cili do të prodhonte stabilitet politik; si mjetin më efikas për ta futur vendin në rrugën e përparimit. Në mënyrë konsistente ata sillnin si shembull rastin e Britanisë, Holandës, Belgjikës dhe vendeve më të zhvilluara të Europës.

Një mbret i huaj qoftë edhe europian, sipas republikanëve do të binte në kundërshtim me mentalitetin dhe gjendjen sociale të popullit shqiptar. Ai mund të binte lehtësisht pre e intrigave të brendshme. Por ky argument hidhej poshtë nga monarkistët, të cilët ishin të mendimit se nuk ishin të rralla rastet kur shumë europianë brenda një kohe të shkurtër ishin bërë njohës të shkëlqyer të psikologjisë dhe problemeve të shqiptarëve. Një pjesë e tyre i frikësohej faktit se ardhja e një mbreti europian do të prishte zakonet dhe traditat e popullit. Kjo sipas monarkistëve ishte frikë e pajustifikuar e individëve që kërkonin të ruanin traditat orientale.

Argumentin se një mbret i huaj do të bëhej vegël politike e shtetit nga kishte ardhur, monarkistët e konsideronin të drejtë dhe parimisht korrekt. Po ata propozonin që mbreti të zgjidhej nga një shtet i cili nuk kishte interesa të drejtpërdrejta në Shqipëri.

Mbreti sipas republikanëve do të ishte pengesë e zhvillimit të vendit. Kjo tregon se republikanët e shihnin monarkinë si simbol të konservatorizmit dhe si institucion mesjetar. Ndërsa monarkistët ndanin mendim të kundërt, duke e konsideruar monarkinë dhe një mbret europian në krye të saj si mbështetësin kryesorë të elitës intelektuale. Ai, sipas tyre do të ishte shembulli më i mirë, influenca morale e të cilit do të ishte orientues për futjen e vendit në rrugën e oksidentalizimit.

Argumentin se mbreti do të krijonte një militarizim të panevojshëm, monarkistët e kundërshtonin duke theksuar se Shqipëria nuk ishte Zvicra, e cila gëzonte një neutralitet të garantuar. Vendi ynë ndodhej në zemër të Ballkanit, i rrethuar nga shtete të cilat aspironin ta aneksonin, të armatosur gjer në dhëmbë. Prandaj, sipas tyre, Shqipërisë i nevojitej një ushtri e vogël, në raport me mundësitë e vendit. Por ajo duhej të ishte e mirëorganizuar dhe e disiplinuar, nën komandën e mbretit europian. Në këtë mënyrë ushtria shqiptare do të bëhej garant për stabilitetin e brendshëm politik dhe për paqen ballkanike.

Një nga arsyet kryesore përse ky grupim përkrahte monarkinë ishte fakti se vetëm kështu do të shmangej ndikimi i ushtrisë në politikë. Kjo sipas tyre do të ishte siguria më e madhe drejt lumturisë dhe përparimit. Ky qëndrim është plotësisht i justifikueshëm po të kihet parasysh se nën shembullin e elitës politike xhonturke, si në Turqi ashtu edhe në vendin tonë, ushtria ishte përdorur si instrument për marrjen e pushtetit në mënyrë ilegjitime. Monarkistët aspironin se vetëm në këtë mënyrë ushtria do të vendosej në funksion të interesave kombëtare; se vetëm kështu ajo do të mbahej larg politikës e partive, të cilat luftonin për të ardhur në pushtet.

Arsyet përse monarkistët ishin kundër republikës ishin:

  • Ngatërresat që do të lindnin për zgjedhjen e kryetarit të shtetit
  • Mungesa e një vështrimi dhe veprimi të përbashkët
  • Mundësia për ndonjë grusht shteti dhe për diktatura për shkak se ende mungonte moraliteti politik dhe civil

Sipas monarkistëve arsye kryesore që ata ishin kundër republikës ishte se në vendin tonë kishte një mungesë të theksuar të personaliteteve që ishin të gatshëm për një detyrë kaq të lartë. Por edhe nëse kishte individë të zotë, korrentet e partive politike do të synonin që të zgjidhnin individë të cilët mund të përdoreshin lehtësisht si vegël e tyre. Nga ana tjetër opinioni publik ashtu si në vendet e qytetëruara do të trembej se mos njerëzit e zotë në krye të shtetit mund ta përdornin pushtetin për të shpallur diktaturën. Përvoja kishte treguar se në Shqipëri parlamentarizmi ishte kthyer në oligarki parlamentare. Në dukje vihej re një lloj lirie e popullit, ndërsa në thelb ishin shtypur dhe po nëpërkëmbeshin të drejtat më elementare. Prandaj, sipas monarkistëve nevojitej një organ bipartiak. Këtë nuk mund ta bënte as Këshilli i Naltë dhe as Kryetari i Republikës, të cilët të zgjedhur nga parlamenti do të ishin nën presionin dhe nën shërbim të oligarkisë parlamentare.

Zgjedhja e kryetarit të shtetit në një vend ku ndjenja fetare ishte më e fortë se ndjenja kombëtare ishte një problem më vete. Sipas monarkistëve nëse kryetari ishte mysliman do të ngjallte pakënaqësinë e të krishterëve dhe anasjelltas. Ky problem do të ripërsëritej sa herë që të kishte zgjedhje, duke shkaktuar përçarje në vend të bashkimit aq të nevojshëm për kombin shqiptar.

Zgjedhja e një kryetari kolegjial nën shembullin e Kongresit të Lushnjes, gjeneronte problemin nëse ai duhej zgjedhur nga parlamenti apo nga populli? Nëse zgjidheshin nga parlamenti katër përfaqësuesit e kryesisë së republikës do të ishin vegla të partive politike që i kishin zgjedhur. Nëse zgjidheshin nga populli duhej bërë votim i përgjithëm apo sipas përkatësisë fetare? Myslimanët duke qenë shumicë do të zgjidhnin ata të krishterë që nuk korrespondonin me dëshirën e të krishterëve. Kështu, në kryesi do të përfaqësoheshin fetë, por jo dëshirat e të krishterëve. Në këtë mënyrë kryesia e republikës në vend që të ishte një organ prestigjoz dhe kollonë e bashkimit kombëtar do kthehej në burim i përçarjes së elementëve fetarë. Me sistemin kolegjial mund të formohej një maxhorancë dhe një minorancë, e cila mund të ndryshonte vazhdmisht në varësi të rrethanave politike.

Arsyeja tjetër që monarkistët ishin kundër republikës ishte se popullit shqiptar i mungonte pjekuria dhe moraliteti politik. Në kushte të tilla, republika mund të bëhej terren i favorshëm për anarki ose diktaturë. Ata bënin thirrje se shqiptarët kishin nevojë më shumë se çdo gjë tjetër për stabilitet, e jo për aventura. Me dorë në zemër,-parashtronin monarkistët,-sado të forta që të ishin korrentet e idealizmës që i tërhiqnin drejt republikanizmit, ata nuk ishin për aplikimin e këtij sistemi në Shqipëri. Megjithatë ata nuk donin të mernin përgjegjësi as përpara historisë dhe as përpara mendimit të përgjithshëm. Prandaj, i bënin thirrje Asamblesë Kombëtare që para se të ndërmerrte një vendim kaq të rëndësishëm t`i drejtohej për plebishit popullit shqiptar. Ky raport mban firmën e kryetarit të komisionit monarkist, juristit dhe deputetit Milto Tutulani.

 

 

*Studiues-Instituti i Historisë, Tiranë

June 27, 2016 09:39
Komento

1 Koment

  1. Arber June 28, 00:37

    Shkrim mish-mash per te njoftuar miq e shoke se kam marre Graden e Perjetshme Doktor i Shkencave Historike dhe kam zene nje vend pellumbash ne Institutin e Historise te Qendres se Studimeve Albanologjike, sipas skemes se Sali Berishes, i cili ka dhene direktivat per ndryshimin e Historise se Shqiperise ne favor te Monarkise. soe

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*