1976, si u shkatërrua ferma e Lazaretit me 268 kuaj race

February 24, 2019 19:34

1976, si u shkatërrua ferma e Lazaretit me 268 kuaj race

Doktor, As.Prof. Qemal Poçi, rrëfen se si u formua ferma e parë e njëthundrakëve në ushtri dhe si u shkatërrua ajo.

 

Qemal Poçi, i pari veteriner ushtarak, i cili është marrë me kuajt shtatlartë në ushtri, apo të cilësuar ndryshe si “njëthundrakët arabë”, rrëfen kalvarin e përmirësimit racor për kuajt që do të mbanin mbi shpinat e tyre, topat e mortajat në rast të një lufte frontale:

Kur do të realizohej ngritja e fermës së parë të njëthundrakëve, në ushtri?

Tanimë jam mjeku i vetëm veterinar ushtarak që kam ngelur, që kam kryer studime për veterinarinë ushtarake dhe i vetmi nga ata mjekë veteriner ushtarakë që rron akoma, që krahas disiplinave të tjera kam studiuar edhe shërbim veterinar ushtarak, edhe rolin e njëthundrakeve në ushtri, edhe hipizmin (si disiplina te veçanta) pasi kam mbaruar akademi ushtarake veterinare; duke qenë i pari që në fillim të vitit 1958 kam sjellë një thundrakët arabë në ushtri dhe jam marrë me trajtimin e tyre. Duke qenë i pari mjek veteriner ushtarak që ngrita fermën e parë të njëthundrakëve në Tiranë me 105 pela dhe një total njëthundrakësh prej 268 krerësh (këtu përfshihen edhe kuajt arab të moshave të ndryshme), për të cilën edhe jam dekoruar, e quaj të nevojshme dhe obligim të tregoj disa të vërteta që nuk njihen (apo mohohen) për fermat ushtarake të njëthundrakëve, sidomos për bërthamën racore arabe.

Qemal Poçi, mbi kalin e bardhë, Naklloni

Si ishte e organizuar trajtimi i kontingjenteve me kuaj në ushtri?

Deri në fillim të vitit 1960, ushtria jonë ishte ushtri kazerme me organikë të plotë të njëthundrakëve, si element i gatishmërisë luftarake dhe me një shërbim veterinar ushtarak të plotë nga baza në qendër. Nëpër divizione qe shefi i shërbimit veterinar të divizionit dhe mjeku veteriner i spitalit veterinar të divizionit (Lazareti), në brigada- shefi i veterinarisë së brigadës, kurse në qendër në Tiranë – Spitali Qendror Veterinar (Lazareti) me shefin e repartit dhe seksionin e mjekimeve me përgjegjësinë e vet. Duke qenë se ushtria qe e kompletuar 100% me kuaj për detyrat e veta, spitalet veterinare të divizioneve mjekonin kuaj me afat shtrimi deri në 15 ditë, kurse në Spitalin Qendror Veterinar vinin kuaj për mjekim stacionar me afat shtrimi pa kufizim.

Ju kur do të ishit i gatshëm të merrnit detyrën në ushtri?

Në korrik të vitit 1956 unë përfundova studimet për veterinari ushtarake në Fakultetin e Veterinarisë Ushtarake pranë Akademisë së Veterinarisë të Moskës. Këtu në vitin 1952 u titullova oficer, pasi vija nga shkolla civile. Po atë vit u ktheva edhe një herë në Moskë ku kreva një specializim 12-mujor për mbrojtjen e kafshëve nga arma kimike, pranë Laboratorit të Kërkimeve Shkencore Ushtarake në Akademinë e Veterinarisë të Moskës. Me kthimin në Shqipëri në nëntor të vitit 1957 u emërova zv/shef i Spitalit Qendror Veterinar në Tiranë dhe shef i seksionit të mjekimeve, i cili kishte të shtruar mesatarisht 20 njëthundrakë në ditë. Këtë detyrë para meje e kishte pasur majori Dr.vet.Vangjel Therecka, i cili, duke qenë edhe pedagog i jashtëm i fakultetit të veterinarisë për ekspertizën veterinare, doli në lirim dhe u sistemua definitivisht në fakultet. Shef i këtij spitali qe kolegu im i akademisë që kishte mbaruar dy vjet para meje, major Skënder Prifti, i cili edhe ky qe pedagog i jashtëm i fakultetit të veterinarisë për kirurgji.

Cilat ishin detyrat e këtij spitali?

Në Spitalin Qendror Veterinar, krahas kafshëve të shtruara, mjekoheshin në mënyrë ambulatore edhe kafshët e reparteve të garnizonit të Tiranës, si dhe kafshët e popullatës civile, sidomos të zonës së Priskës e Shish- Tufinë, të cilët mund të paraqisnin interes për ne. Spitali kishte në patronazh edhe shkollën e qenve të Ministrisë së Punëve të Brendshme, e cila në atë kohë nuk kishte mjek veterinar. Kështu që unë kisha mundësi të veja në jetë njohuritë e mia teorike duke mjekuar personalisht të paktën 10 kafshë në ditë. Pranë spitalit ishte depojaa qendrore veterinare e barnave, mbathtaria dhe kovaçhana si dhe dy hamshorë për Petrit Dumen të mbetur në Shqipëri mbas përfundimit të xhirimit të filmit “Skënderbeu“. Njëri prej këtyre hamshorëve qe Çarli, kali që i kishte hipur artisti sovjetik që luante rolin e Hamza Kastriotit. Hamshori tjetër qe Parku.

Ndërkohë në Shqipëri ende nuk kishte kuaj të racës. Kur do të vinin ata?

Me Vendim të Qeverisë, në fund të vitit 1957 erdhën në Shqipëri 14 njëthundrakë, 5 hamshorë dhe 9 pela të racës së pastër arabe. Këta njëthundrakë erdhën nga BS nga harasi i Terskut, një nga haraset më të dëgjuar të asaj kohe për racën arabe, i cili furnizonte edhe ushtrinë (kuadrin komandues) me kuaj të lehtë, të shpejte dhe të manovrueshëm kavalerie. Këtu në vitin 1954 koleget e mi para meje: S.Prifti, M.Uçi dhe T.Treska, kryen praktikën e tyre 4 -mujore në prodhim.

Kafshët, me Vendim të Qeverisë erdhën për përmirësimin racor të njëthundrakeve të vendit (jo të ushtrisë) dhe ju dorëzuan Stacionit Zooteknik të Shkodrës për ta zbatuar këtë detyrë: Grupi shoqërues sovjetik i kuajve arab solli me vete edhe një shalë sportive hipizmi të stolisur, të cilën ia dorëzoi me solemnitet udhëheqjes së Stacionit Zooteknik të Shkodrës të asaj kohe në një banket të organizuar me këtë rast në hotel “Vollga” në Durrës. Drejtor i stacionit në atë kohë ishte kandidati i Shkencave Zooteknike edhe kandidati i Komitetit Qendror të PPSH, Tare Çelo. Pra kuajt nuk erdhën për ushtrinë, as për kavaleri, as për hipizëm. Ata erdhën me vendim të Qeverisë, me një detyrë të caktuar pranë Stacionit Zooteknik të Shkodrës: për përmirësimin racor të kafshëve të vendit. Edhe më vonë, kur kafshët arabe i mori ushtria, edhe kur u formua ferma e parë e njëthundrakëve në ushtri, ushtria dhe Ministria e Mbrojtjes hipizmin nuk e ka pasur si detyre prioritare. Detyra kryesore që: Shtimi i njëthundrakëve arab në vetvete dhe përmirësimi i kuajve të vendit me gjak arab. Personi që përmendet në artikull si adhurues i hipizmit dhe njohës i kalit (gjë që është e vërtetë) ka punuar pranë Spitalit Qendror Veterinar dhe fermës së një thundrakëve (sikurse e thotë edhe vetë) prej marsit të vitit 1972 deri në fillim të vitit 1975, d.m.th 14 – 17 vjet pas ardhjes së kuajve arab në ushtri (ata erdhën në fillim të vitit 1958). Që kuajt nuk erdhën për hipizëm, por për përmirësimin racor, e vërtetojnë edhe dy fakte domethënëse. Vite më vonë, pasardhësi im, solli nga jashtë shtetit hamshorë të racës “Haflinger”, kuaj të rëndë për artilerinë malore. Më përpara kishin ardhur edhe dy gomare të racës Martina Franka për prodhimin e mushkave. Si kuajt, ashtu edhe gomarët erdhën për përmirësim racor e jo për hipizëm. Por, për rezultatet e arritura me ta nuk dimë asgjë. Unë do ta quaja lajthitje dhe jo punë me paramendim mospërdorimin e kuajve të racës për destinacionin që erdhën – për përmirësimin racor, dhe përdorimin e tyre për hipizëm. Pasi këto kuaj të kryenin detyrën që ju që caktuar, edhe mund t’ju hipej, por gjithmonë pa dëmtuar destinacionin e tyre.

Pse ishin kaq të nevojshëm kuajt në një ushtri që po modernizohej?

Në retrospektivë po ju them se në vitin 1957 erdhi për një vizitë në Shqipëri ish-ministri i Mbrojtjes së asaj kohe i BS-së, heroi i Luftës II Botërore, tre herë hero i Bashkimit Sovjetik, mareshali Zhukov. Veç të tjerave, Zhukovi, gjatë kohës që vizitoi Shqipërinë, asistoi edhe në një stërvitje të madhe komplekse gjitharmëshe, ku krahas përdorimit të teknikës luftarake në mase, u përdorën gjerësisht edhe një thundraket e ushtrisë si element i gatishmërisë luftarake. Në këtë stërvitje kuajt luajtën rolin kryesor në transportimin e artilerisë malore, sidomos kalibrave të ndryshëm të mortajave e mitralozëve të rëndë, municioneve dhe enteve të ndryshme të prapavijës. Në këtë stërvitje me terren të theksuar malor me mungesën e plotë të infrastrukturës rrugore dhe në kushte të vështira atmosferike nuk munguan edhe aksidentet fatale si në kuaj (më shumë), ashtu edhe në njerëz. Në analizën që u bë në fund të stërvitjes, Zhukovi, midis të tjerave, hodhi edhe tezen, se në një luftë të ardhshme kali nuk do të luaj më atë rol që ka luajtur në dy luftërat botërore, qoftë edhe në Shqipëri, ku relievi është malor me mungesën totale të rrugëve në këto rajone. E ardhmja, – tha Zhukovi – i përket helikopterit.

Kaprolli, kali i filmit “Pylli i lirisë”

Nga Shkodra, kuajt e racës u zhvendosën në Lazaret. Si ndodhi…?

Në një plenum të K.Q. të P.P.SH. në dhjetor të viti 1957, në pushimin midis seancave, Tare Çelo, drejtori i Stacionit Zooteknik të Shkodrës informon Petrit Dumen për kuajt arab të ardhur nga B.S. dhe për shalën sportive. Atje ata ranë dakord së Petrit Dumja do të merrte nga kjo bërthamë racore një hamshor dhe një pelë arabe si dhe shalën sportive. Duke qenë vizitor i rregullt i Lazaretit, pasi atje kishte edhe kuajt e tij, Petrit Dumja në fillim të vitit 1958 erdhi tek ne dhe në prani të shefit tim Skënder Priftit, më urdhëroi të shkoj në Shkodër dhe sipas bisedës që kishte bërë Petriti me Tare Çelon, të merrja dy kuajt e racës arabe si dhe shalën sportive. Në dispozicionin tim për kryerjen e kësaj detyre u vunë dhe 4 ushtarë nga batalioni i sigurimit të MMP të komanduar nga Diko Zeqo, si dhe dy kamionë tip “ZIS” me supersponde nga batalioni automobilistik i MMP. Në Stacionin Zooteknik të Shkodrës takova drejtorin, Tare Çelon me stafin e vet, si dhe këshilltarin sovjetik, zooteknik. Midis të tjerëve atje qenë edhe dy kolege te mi: Paulin Kiri dhe Fejzi Llazani, ish mjek veteriner ushtarak. Mbas kërkesës time për tërheqjen e dy kuajve për Petrit Dumen, Tare Çelo me stafin e vet organizuan një konsultë, ku rolin kryesor e luante këshilltari sovjetik. Ne jemi mësuar me këshilltarë të huaj: jugosllavë, sovjetik, kinezë e së fundi të tjerë. Ka ndodhur, por edhe tani ndodh që këshilltarët nuk këshillojnë por urdhërojnë dhe funksionari shqiptar (në rastin konkret drejtori) nuk është drejtor por vartës dhe zbatues i urdhrave të këshilltarit. Kështu ndodhi edhe në Shkodër. Në përfundim të konsultës Tare Çelo me komunikoi: “Zona e Shkodrës është zonë e namun (e mallkuar) dhe e prekur nga plasja (antraksi) dhe piroplazmoza (sëmundje e ngjashme me malarien e njeriut, nga e cila kishte ngordhur dhe një kalë që kishte xhiruar në filmin “Skënderbeu”). Prandaj – vazhdoi drejtori, ne nuk mund t’i mbajmë kuajt arab në Shkodër, ose merrini të gjithë, ose asnjërin. Unë ju përgjigja se unë jam një vartës që zbatoj urdhrin e shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, – të tërheq vetëm dy kuaj. Nuk është në kompetencat e mia të marr të gjithë kuajt arab. Po të jetë për mua, vazhdova unë, nuk do t’i jepja ushtrisë as një kalë, sepse ato me vendim të qeverisë kanë ardhur për ju, për përmirësimin racor të kafshëve të vendit. Por çdo bisedë qe e kotë dhe unë u ktheva në Tiranë pa kuajt. Dua të theksoj se, nga gjithë stafi vetëm dy persona me përkrahën dhe ata qenë Paulin Kiri dhe Fejzi Llazani. Për rezultatet e vajtjes time në Shkodër informova Petrit Dumen në prani të Skënder Priftit. Petriti, mbasi u mendua pak na tha: “Më sa duket shokët e Shkodrës kanë ndërmend t’i shfarosin kuajt arab, duke i lënë në mëshirë të fatit. Merrni masat, krijoni kushtet dhe tërhiqni në Lazarat të gjithë kuajt arab nga Shkodra dhe me këtë pune të merremi ne”. Më këtë mënyrë: Udhëheqja e Stacionit zooteknik të Shkodrës, e komanduar nga këshilltari sovjetik kreu një krim të rëndë: braktisi kuajt, i hoqi qafe dhe as denjoi të njoftonte eproret e vet për këtë veprim”.

A ishte Petrit Dume ai që shpëtoi bërthamën racore arabe?

Është meritë e padiskutueshme e Petrit Dumes që e shpëtoi bërthamën racore arabe, e mbajti dhe e zhvilloi atë deri sa ai jetoi. Qëndron mendimi se me pushkatimin e Petrit Dumes vdiqën edhe kuajt arab të ardhur nga BS, si dhe të gjithë kuajt e tjerë të ushtrisë, pasi në atë kohë hoqën nga ushtria (sidomos nga ferma e njëthundrakëve në Tiranë) të gjithë kuajt. Mbas ardhjes se kuajve arab në Lazaret (Tiranë), ai u kthye në qendër pelegrinazhi: atje Petrit Dumja pjesë-pjesë solli gati gjithë efektivin madhor të MMP për t’i parë këta kuaj, kurse Skënder Prifti duke qenë edhe pedagog i jashtëm i fakultetit të veterinarisë, solli dhe mjekë të njohur të gardës së vjetër veterinare të vendit si edhe zooteknike, midis të cilëve edhe Vasfi Samim Visokën. Midis tyre mund të përmendim: Spase Gusho, ish-shefi i asaj kohe i degës së veterinarisë, Vangjel Therecka, Stavri Gjollma, Myslim Selenica, Vasfi Samimi Visoka, Mas’har Dervishi, Naim Vreto, Ahmet Çela (ish-drejtor i N.Z.Sh. Tiranë), Jakov Mile etj. Po ashtu nga divizionet erdhën mjeket veterinerë -ushtarakë. Të gjithë këto që përmenda nuk erdhën vetëm për të admiruar kuajt, por dhanë edhe mendime të vlefshme dhe sugjerime konkrete për të ardhmen e kuajve arabe. Shtoj se në atë kohë në ushtri shërbenin 6 mjekë veterinerë ushtarake që kishin mbaruar studimet për veterinarinë ushtarake në Moske dhe që kishin njohuri të plota dhe të freskëta për shërbimin veterinar ushtarak.

Kur do të merrnit drejtimin e Spitalit Qendror Veteriner?

Më 25 korrik të vitit 1966 me urdhrin personal (firmën) e Beqir Ballukut unë u rithirra në ushtri si shef i Spitalit Qendror Veteriner. Në bazë të urdhrit, unë duhet të filloja detyrën ne 1 gusht, por për arsye objektive detyrën e fillova më 8 gusht të vitit 1966. Ramadan Kaduku u emërua si shef i shërbimit veterinar të korpusit të Shkodrës. Në Lazaret unë gjeta një staf të përgatitur, një spital të kompletuar, një organikë lufte të përsosur. Detyra ime qe që këtë punë të filluar ta çoja më tej. Krahas gjithë efektivit në periudhën fillestare kam pasur fatin të bashkëpunoj edhe me tre persona: 1) Dr. Abedin Dashiu, i cili qe zëvendësi im, dikur ish- mjek veterinar ushtarak; 2) Oficer Zenel Merjo, të cilit i besova të gjithë punën me ushtarët dhe përgatitjen ushtarake të efektivit rezervist dhe 3) ish-ushtari bellogardist rus Georgij Zhivçenko (Xha Jorgua, siç e thërritnim ne). Xha Jorgua, gjatë revolucionit të Tetorit 1917 luftoi në kavaleri kundër Ushtrisë së Kuqe, u plagos dhe pësoi një kontrakturë të pariparueshme për kohën në dorën e djathtë dhe erdhi dhe u vendos në Shqipëri për t’i shpëtuar vdekjes nga Ushtria e Kuqe. Unë nuk e di ku e kishte gjetur Ramadani këtë njeri, por ai që një njohës i shkëlqyer i kuajve. Petrit Dumja e veshi Georgij Zhivçenkon kapter. Xha Jorgua ishte martuar me një grua nga Shkodra, e cila kishte lindur një vajze që quhej Silva. Ajo ishte martuar me një oficer italian gjatë okupacionit fashist dhe bashkë me të kish shkuar në Itali. Në kujtim të vajzës së vet, xha Jorgua, njërit nga mezat e parë arab, me baba Naklonin, ja vuri emrin Silva.

Filmi “Vdekja e kalit”

Si do të vijonte më pas puna për krijimin e fermës ushtarake me njëthundrakë?

Kuajt i tërhoqa nga Shkodra pa asnjë urdhër zyrtar nga asnjë instancë shtetërore. Ata u sistemuan në Spitalin Qendror Veterinar. Duhet theksuar se “Stacioni Zooteknik i Shkodrës për gati 20 vjet, prej vitit 1958 deri ne vitin 1977 nuk ka pasur asnjë kafshe arabe, as edhe një mëz. Ata qëndruan në ushtri deri në vitin 1976, kur u transferuan në Durrës. Prandaj nuk qëndron mendimi (për mos thënë që është hipokrizi) që shokët e institutit Zooteknik të Shkodrës (ish-Stacioni zooteknik) kanë bërë një punë të lavdërueshme me kuajt arabë. E theksoj këtu se, ata erdhën në Shqipëri në moshën 2-3 vjeçare, pra kishin lindur në vitet 1954 – 1955. Kuajt e syrgjynosur në Durrës pas pushkatimit të Petrit Dumes erdhën (ata që ngelën) në Shkodër në moshën 22- vjeçare. Kështu që Naklloni me shokë për te cilin është xhiruar edhe filmi “Vdekja e Kalit” praktikisht qenë të ngordhur (për nga mosha) kështu që bërthama racore arabe e ardhur ne vitit 1957 nga BS. nuk kishte asnjë aftësi riprodhuese ose hipike. Kuajt që solla nga Shkodra qenë të pajisur me certifikata gjenealogjike, ku tregoheshin edhe paraardhësit e tyre në 2 breza. Kuajt qenë të moshës 2-3 vjeçare dhe para nisjes kishin marrë pjesë në gara, disa prej të cilëve kishin fituar edhe çmime.

Kur do të fillonte goditja për kuajt e racës?

Në fakt që në fund të vitit 1959 kali në ushtri dhe shërbimi veterinar ushtarak pësuan një goditje fatale. Me urdhër nga lart kuajt me ngarkesa luftarake të ushtrisë u larguan nga ushtria dhe armët që mbanin ata u konservuan. Me mijëra kuaj ushtarakë u shpartalluan, ku rolin kryesor e luajtën xhambazët dhe matrapazët. Vlera e kalit ushtarak të rritur me aq mundim e sakrifica arriti deri në 3000 lekë. Shumica e tyre u shitën jashtë shtetit, morën rrugën e Italisë “për sallam” siç flitej. Të paktën këta kuaj t’i faleshin ekonomive bujqësore ose t’ju shiteshin me një çmim të ulet. Goditja e njëthundrakëve në ushtri u pasua me reduktimin drastik të shërbimit veterinar ushtarak. Spitalet veterinare u kthyen në infermieri veterinare. U ç’mobilizuan mjekët veterinarë të brigadave të këmbësorisë që dikur kishin pasur kuaj. Vullnetarisht u larguan disa kuadro kryesore veterinare nga ushtria. U konservua depo qendrore veterinare e barnave duke mbetur vetëm farmacia. Skënder Prifti doli në lirim dhe u bë pedagog definitiv në Fakultetin e Veterinarisë. Këtë punë bëri pak më vonë edhe ish-shefi i degës së veterinarisë së MMP n/kolonel Spase Gusho, i cili u emërua pedagog definitiv në fakultetin e veterinarisë për lëndën e zoohigjenës. Spitali Qendror Veterinar e shkriu veprimtarinë e vet kurative (seksioni i mjekimeve u mbyll), në vend të tij u krijua infermieria veterinare, e cila së bashku me mbathtarinë dhe kovaçhanën u transferua afër fabrikës së shkrepëseve pranë fushës së aviacionit. Infermierisë Veterinare ju bashkuan edhe 4 kuaj për Petrit Dumen; 2 të parët dhe dy hamshorë të kuajve arab; Naklloni dhe Filantropi.

Do të merreshin masa për të shpëtuar një bërthamë të kuajve të racës?

Me urdhër të Petrit Dumes, bërthama racore arabe së bashku me disa mëza të lindur në vend (po të racës arabe), për t’i ruajtur ato nga shpartallimi i plotë, u shpërnda nëpër divizione: Shkodër, Tiranë, Fier, Gjirokastër, Korçë, Përmet, Burrel etj., dhe u vendosën pranë infermierive veterinare. Këto kuaj u vunë në dispozicion të kuadrit komandues të divizioneve. Për t’ju shërbyer atyre u caktuan ushtarë të posaçëm. Mua m’u propozua të qëndroja shef i infermierisë veterinare, por e refuzova. Si oficer me akademi me propozuan dy poste pranë dy drejtorive në MMP që nuk kishin të bënin me profilin tim, por edhe ato i refuzova dhe kërkova daljen time në lirim. Me daljen në lirim shkova vullnetarisht kryeveteriner i N.B. “29 Nëntori”, Lushnjë dhe më vonë me këtë detyre u transferova në N.B “Skënderbej” Thumanë ku punova rreth 7 vjet.

Kur do të fillonte riformimi i fermës?

Mbas prishjes së marrëdhënieve me B.S, në ushtrinë tonë u kryen ndryshime të mëdha. Ushtria, nga ushtri kazermë u kthye në ushtri territoriale, ku rreth 20% qenë forca aktive dhe pjesa tjetër forcë territoriale (rezerviste të moshës deri në 50 vjeç për femra dhe deri në 55 vjeç për meshkuj). Divizionet u kthyen në Korpuse pranë, të cilave infermieritë veterinare u kthyen në spitale veterinare, ashtu sikurse edhe në Tiranë infermieria u kthye në spital qendror veterinar duke hapur edhe seksionin e mjekimeve. Por tanimë ushtria nuk kishte më kuaj në organike. Brigadat e reja të këmbësorisë në organikën e re të luftës u kompletuan me një kompani transporti me 120 kafshë të cilat në kohën e stërvitjeve (zboreve) do të kompletoheshin me kuaj nga populli bashkë me pronarin e kafshëve. Në brigadat e këmbësorisë u rivendosen mjekët veterinere por tanimë pa kafshë organike dhe pa qendër mjekimi. Në këtë riorganizim për Tiranën Ramadan Kaduku kreu një punë të lavdërueshme: transferoi infermierinë te Rrapi i Treshit dhe riorganizoi seksionin e mjekimeve; krijoi organikën e kohës se paqes të Spitalit Qendror Veterinar me rreth 14 vetë; krijoi organikën e kohës së luftës me rreth 116 vetë. Por një nga punët kryesore që bëri Ramadan Kaduku, që qe me urdhër të Petrit Dumes, grumbulloi në Tiranë të gjithë njëthundrakët arabe nga korpuset, të cilët në vitin 1966 arritën në 30 krerë (ish-bërthama racore e ardhur nga BS, dhe mëzat e pastër arab të lindur nëpër reparte).

Sa efektiv rezultoi të ishte organizimi i ri?

Në fillim të vitit 1966 Këshilli i Mbrojtjes mori në analizë punën e kryer për organizimin e ri. Veç të tjerave këtu doli se vendi nuk ka resurse për të kompletuar më nga 120 kafshë të gjitha kompanitë e transportit të të gjitha brigadave të këmbësorisë. Nga një analizë e bërë në Ministrinë e Bujqësisë me Ministër Pirro Dodbibën, ku në grupin e punës bëja pjesë edhe unë, rezultoi se në vend kishte një rënie drastike të njëthundrakëve dhe ndër faktorët kryesorë të kësaj rënie dy qenë kryesorët: shpërbërja totale e kuajve të ushtrisë dhe mekanizmi i ndërmarrjeve (sidomos) dhe kooperativave bujqësore. Ato kishin vetëm një sasi të kufizuar njëthundrakësh, vetëm për transportin e brendshëm (pjesërisht edhe ky) të blegtorisë. Në këto kushte, Këshilli i Mbrojtjes vendosi që ushtria të plotësojë vetë nevojat e veta për kafshe duke krijuar 10 ferma të njëthundrakeve. Kam bindjen se në këtë vendim nismëtar ka qenë Petrit Dumja, i cili qe i vetmi nga kuadrot e larta ushtarake që e vlerësonte kalin si domosdoshmëri për ushtrinë, si element i gatishmërisë luftarake.

Me çfarë ushqeheshin këta kuaj race, kishin trajtim të veçantë?

Gjatë vitit 1967 – fillim i vitit 1968 në fermë u bë një punë e madhe tekniko-organizative. Me dr.Abedin Dashin dhe kapter Georgij Zivçenkon (Xha Jorgon) u vendosën përfundimisht racionet e ushqimeve sipas rregulloreve për një thundraket, në racionin ushqimor të hamshorëve të destinuar për riprodhim u fut qumështi, vezët dhe tagjia e mbirë e pasuruar me vitamina. Këtë detyrë e kryente me përsosmëri xha Jorgua. Në materialet e atëhershme të partisë, kur flitej për kastën, thuhej se kuajt e Beqir Ballukut dhe Petrit Dumes ushqehen me qumësht e vezë.

Dua të theksoj se Beqir Balluku nuk ka hipur asnjë herë në kuaj.

Pas kësaj filloi riprodhimi i organizuar (ndërzimi) i pelave në përgjithësi dhe sidomos i pelave arabe; filloi stërvitja e organizuar e mëzave arab në rritje; filloi përgatitja e ushtareve – kalorës; disa prej të cilëve kohë mbas kohe shoqëronin Petrit Dumen me kuaj. U plotësua organika e paqes, e cila nga 14 vetë arriti në 34 vetë. U plotësua organika e luftës deri në 137 vetë. Për shërbimin e kafshëve u mobilizuan mjaft ndihmës-mjek veterinerë të rinj.

 

Urdhri i Shefit të Shtabit

“Të krijohet ferma me 100 pela”

Mbas fillim të detyrës, në Lazaret erdhi Petrit Dumja dhe më urdhëroi që brenda vitit 1966 të krijohet ferma me 100 krerë pela, përfshi këtu edhe pelat arabe, përveç skortos (mëzave të moshave të ndryshme). Me urdhër të Petritit drejtoria e prapavijave vuri në dispozicion fondet për blerjen e pelave; drejtoria e xhenjos dhe ajo e MCR-se liruan menjëherë stallat që i kishin thyer në depo; ndërmarrja e kazermimit ushtarak ripërtërinë stallat duke ndërtuar edhe bokset e reja (dhomëzat) për kuajt arabë, baza e furnizimit ushtarak e Tiranës siguruan rezervat e bazës ushqimore për fermën e ardhshme në sasi të konsiderueshme. Ne fund të vitit 1966 i raportuam Petrit Dumes se në fermë janë grumbulluar 105 krerë pela, ndërsa sasia totale e njëthundrakeve arrinte në 160 – 170 krerë. Krahas kësaj, në konsultim me Drejtorinë e prapavijave, degën e veterinarisë, degën e ndërmarrjeve bujqësore ushtarake, duke u konsultuar edhe me komandot e korpuseve (sigurisht pa përjashtuar Petrit Dumen), u caktuan si vende të fermave të ardhshme (dhe filloi puna me forcat e vet korpuseve dhe NBU-ve): Shkodra në fillim Aliaj, pastaj Velipoja, sektori Tale i NBU Lezhë, Korpusi i Fierit, FUD-i në Vlorë, Korpuset e Gjirokastrës, Përmetit, Korçës, Burrelit. Bazat e armatës së Beratit (sidomos) dhe Elbasanit. Në disa nga këto ekonomi ndihma jonë qe konsultative, drejtuesit e tyre mund të vinin në Tiranë për të marrë përvojë: Në këto ekonomi unë kisha shkuar disa herë (Aliaj, Velipojë, Tale, Orikum, Gjirokastër, Përmet, Baza e Beratit etj.)

 

Sherri me zv/ministrin e Mbrojtjes

Vajguri i avionëve të kthehet në tagji për kuajt

Në kulmin e punës së suksesshme në fermën e kuajve, në pranverën e vitit 1968, 5 muaj mbas kompletimit te fermës, erdhi për herë të parë në Lazaret zv/ministri i MMP për problemet ekonomike. Kur pa gjithë ata kuaj, në vend që të entuziazmohej, ai u skandalizua duke kërkuar llogari: kush i ka sjellë, ç’na duhen këta kuaj, me se do t’i ushqejmë, nga dalin këto shpenzime, kur këta (një thundrakët) nuk na sjellin asnjë dobi. Në përfundim të kësaj ligjërate ai urdhëroi; nga 100 pela të mbani vetëm 30. Në proporcion me pelat të ulej edhe numri i skortos (meza të moshave të ndryshme). Në atë kohë ne kishim rreth 260 njëthundrakë. Unë u përpoqa ta sqaroje zv/ministrin, se këto kafshë janë blerë me urdhër të Petrit Dumes. Në bazë të atij urdhri ju keni vënë në dispozicion fondet për blerjen e pelave, keni ngarkuar kazermimin ushtarak për rregullimin e stallave, keni urdhëruar Bazën e Furnizimit të Armatës për furnizimin e fermës me bazë ushqimore, keni bërë kompletimin e repartit me ushtarët e nevojshëm që ju shërbejnë kuajve. Përsa i përket harxhimeve – vazhdova unë, ato dalin nga ai fond që mban nëndetëset, raketat, avionët dhe armatimet e tjera, pasi edhe kali është element i gatishmërisë luftarake. Pas bisedës time, zv/ministri ma preu shkurt: “Si shumë i mençur qenke ti Poçi; të mbash 30 pela dhe pikë”. Pas kësaj i hipi makinës dhe iku pa u përshëndetur. U desh ndërhyrja e Petrit Dumes që ky urdhër absurd të anulohej dhe në ferme të kishte jo me pak se 100 pela veç mëzave të moshave të ndryshme.

 

Shpërbërja

Si vdiqën kuajt pas pushkatimit të Gjeneralit

Në vitin 1976 fermat e kuajve u shpërbënë, kuajt arabë morën arratinë jashtë shtetit (megjithë kundërshtimin e veterinarëve ushtarakë) Ata vdiqën me pushkatimin e të zotit të vet. Dhe i zoti i tyre qe Petrit Dumja. Mbas pushkatimit të Petrit Dumes, të gjithë njëthundrakët e fermës sonë në Tiranë, duke përfshirë dhe bërthamën racore arabe, u dërguan në Durrës. Një pjesë e njëthundrakëve të kësaj ekonomie të shpartalluar i tërhoqi (në vitin ‘77-‘78) Instituti Zooteknik, Shkodër. Se çfarë kuajsh mori ky institut dhe sa kuaj arab mori nga ferma e shpartalluar e Durrësit, këtë e vërteton më së miri një film i shfaqur disa herë në TV, ku një punonjës i devotshëm i grumbulloi disa prej kuajve arab, duke i hequr nga karrocat për t’i ruajtur deri në fund nga rrëmbimi dhe shitja e tyre jashtë shtetit. Mendoj, se kur flasim për kuajt e ushtrisë, nuk duhet të flasim vetëm për bërthamën racore arabe, por për të gjithë kuajt ushtarak dhe ata të fermave të ngritur me mundim. Ata qenë me qindra dhe pësuan fatin e bërthamës racore arabe.

 

Intervistoi: Leonard Veizi/ DITA

 

v.l/ Dita

February 24, 2019 19:34
Komento

6 Komente

  1. Lisi February 24, 20:20

    Unë nuk e njoh Qemal Poçin , por, e falënderoj që duke folë për kuajt e ushtrisë evidenton edhe punën e ndershme te kuadrove kryesore të ushtrisë , sidomos të Petrit Dumes që e deshën aq shumë ushtrinë e u bënë copë për të , në gjithë jetën e tyre të shkurtër .
    Qemal Poçi , bravo të qoftë !
    Besoj se je vëllai i gjeneral Dilaver Poçit i cili ka qenë një burrë i shkëlqyer , nga më të mirët gjeneralët tanë ?!
    E lexova materialin me shumë kënaqësi , ju falënderoj , megjithse zanati im ka qenë shumë larg kavalerisë !

    Reply to this comment
  2. Tartufi February 24, 22:47

    I mjeri nje thundrak kapter Poci ,qe I ka ngele koqorija tek
    kuajte dhe gomaret e ushtrise se mjerimit !!! Relikija i mbetur gjalle si kapter I bunkerit nuk kuptoje kurre dhe pas 80 vjetesh se ajo qeverisje nuk mbushi barkun me buke te miletit njeri e jo te kishte luksin te mbante nje thundraket e ketij kapteri te dorres se fundit te ushtrise !!!!! Si te gjitha marezite ,qe bente marezija e madhe o kapteri I bunkerit dhe kjo e ketyre nje thundrakeve ka qene njera prej atyre marezive,, lexo,,,

    Miresh me shume me kuaj dhe gomare se sa me popullin e mjere ,,, lexo ,,, me pas I prishte kuajt dhe gomaret dhe fillonte me tunelet dhe bunkeret dhe haronte ku ronte populli I mjere shqiptar !! Kapteri tim ,,,, Ai popull qe nuk ndrishon [ mendjen ] ai popull nuk ndrishon kurre nga mjerimet qe e ndjekin.
    Perpara se te ushqehen mire nje thundraket,,,duhet te ushqehet mire populli qe ti sherbeje ketyre kafsheve .
    Kali qe ja hipte [ pisi I pisave ] [ qen bir qeni ] [ qelbesire e qelbesirave ] [ llumi I llumit ] Petrit Dume trajtohesh 1000 here mire se nje fshatar I Lazaratit dhi I

    Kurveleshit ne koperativat e mjerimit me buken e misrit hibrit dhe hiren qe e zbuste kete buke ,,se nuk shtihesh.
    Si gjithmone per tu tallur me dorren e fundit te ketij mileti ,qe e mbulon hajvanerija deri ne var ……

    Reply to this comment
  3. Alidemsi vjeter February 25, 08:51

    Faleminderit Dr.Qemali per historikun e Lazaretit dhe punen e palodhur te kuadrit teknik….por Tartufi me siper shan e vjell per punen tuaj sepse Tartufi harron se e nuhasin dhe e dhjesin qente e pyllit…

    Reply to this comment
  4. Laberia February 25, 11:21

    Respekt per Qemal Pocin dhe brezin e tij, per punen dhe perkushtimin e tyre ne kryerjen e detyres ne sherbim te Atdheut. Po ashtu turpi dhe mortja i hengert tartufet me shoke , si pjelle e keqe e ketij vendi.

    Reply to this comment
  5. demo February 25, 14:36

    Prish bucela,bej kenace.
    Nje hap para,dy hapa prapa.
    Nderto ferma,prish ferma.
    Nderto Metalurgji,prish metalurgji.
    Pastaj shkruajme Bota i ka Universitetet 1000 vjecare,Bota i ruan keshtjellat dhe i restauron,bota i ruan rracat e kafsheve autoktone
    .Kali arab eshte nje pasuri rracore,qe edhe sot vlen sa nje tank modern.
    Ketu eshte zhdukur delja rude,dhia Dukatit,kali i eger i Divjakes,Demi i eger i Divjakes,Qeni i famshem Mollos,
    Dhia eger e malit,gjeli i eger i Alpeve,vetem miu i haleve,rraca e hajduteve nuk zhduken kurre ne kete vend.Keta nuk i kap as plumbi,as bomba atomike,as epidemia gripit te derrit.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*