Na premtoi Tramin…

August 20, 2014 01:33

Na premtoi Tramin…

Nga Alqi Koçiko

Mund të ketë ndodhur ndonjëherë, që një kandidat t’i ketë fituar me shumë vështirësi zgjedhjet, politike ose administrative, dhe gjatë detyrës të jetë dëshmuar një drejtues i denjë dhe në një lartësi të atillë, që ka bindur shumë prej skeptikëve të dikurshëm. Në rastin e Lulzim Bashës, duhet thënë se ato javë të ethshme maji e qershori të 2011-ës, kur rinumërimet, akuzat e kundërakuzat ndiqnin njëra-tjetrën, pati jo pak prej atyre që e ushqyen një iluzion të ngjashëm.

Jo dhe aq mes atyre që votuan kundërshtarin e tij, Edi Rama, dhe kremtuan një fitore të prerë në mes, por mes shumë prej njerëzve që çastin e fundit votuan Bashën, si dhe mes atyre që nuk u qasën fare në kutitë e votimit. Mund të thuhet pa doreza se endej në ajër përshtypja se Rama e kishte të tepërt kandidimin e katërt për bashkinë e Tiranës. Nga ana tjetër, fushata e butë dhe e “omël” e Bashës, plot respekt e ofshama për hallin e qytetarëve që po binin pre e politikës së ditës, madje e distancuar enkas nga kryeministri Berisha (i cili s’para u shfaq në fushatën e beniaminit të vet); ideja e njeriut të ri që pas kaq e kaq vitesh duhet të drejtojë kryeqytetin, përzier me dilemën edhe të mjaft simpatizantëve të majtë se çfarë do bëjë Rama me bashkinë nëse fiton zgjedhjet parlamentare 2013 etj etj, prodhuan tek e fundit njëfarë aureole sado të zbehtë shprese tek kryetari i ri.

Nuk do mend se kjo napë e hollë kishte filluar të grisej ende pa u endur, për meritë të performancës “Ristani” në krye të KQZ-së, që bëri magjinë e madhe dhe nxorri fletë votimesh nga mënga e zgjatur e Berishës. Por Basha sërish ruajti një cipë distancimi dhe retorike të esëllt, duke u frenuar t’u binte tamtameve të kësaj fitoreje të turpshme e qesharake.

Tre vjet më pas, ja ku jemi. Gjurmët e Lulzim Bashës në bashkinë e Tiranës mund t’i numërojë dhe lexojë çdo banor i kryeqytetit. Më saktë, mund të ngushëllohet me tabakët e letrave, maketet me shkumë deti dhe ekspozetë e power-point’it të projektuara mbi një copë beze në mur, të planeve dhe ëndrrave që ai ka thurrur për qytetin që drejton. Thënë ndryshe, pas tre vjetësh në krye të Tiranës, Basha ka ardhur para votuesve dhe jo-votuesve të tij me fletore vizatimi dhe lapsa me ngjyra, duke i thënë audiencës, “ja ç’dua të bëhem kur të rritem!” Vizatime për tregjet, për bulevardin, për stacionin multimodal, një vizatim për xhaminë e “biznesifikuar” me gjashtë minare, dhe tek-tuk ndonjë rrugë lagjeje e asfaltuar elektoralisht.

Nga ana tjetër, kryebashkiaku qytetar dhe bashkëpunues nuk ka ngurruar të bllokojë këshillin bashkiak kur ndërruan blloqet e aleancave politike, të mbyllë shpejt e shpejt Belle Air-in para se t’i kërkonin llogari, nuk ka harruar të mbledhë dhe kanalizojë favoret dhe përfitimet nga projektet dhe eventet e bashkisë në ullukun familjar, dhe sidomos, këtë vitin e fundit të gdhihet e të ngryset duke bërë deklarata politike si kryetar partie. Për të njëjtën gjë e akuzonte ai Edi Ramën kohë më parë, por me një ndryshim: Rama kishte lënë një zv.kryetar që merrej me kohë të plotë me qytetin, ndërsa Basha i ndërron rolet çdo gjysmë ore, e kur është nevoja edhe brenda të njëjtës fjali.

Pra, gjurmët e Bashës në këto tre vjet kryetar bashkie janë vizatimet dhe buzëqeshjet. Njeriu që do shkëputej nga politika për t’i kushtuar qytetit, në fakt nuk ka bërë as njërën dhe as tjetrën. Sepse si tek politika, ashtu dhe tek qyteti atë e kanë sjellë. Të kujton një skeç të 1990-ës, që tallej me lojën e dobët të teatrove amatore të klasës punëtore. Njëri prej demek-aktorëve ishte sëmurë dhe kishte dërguar të vëllanë t’i çonte raportin mjekësor përgjegjësit artistik të ndërmarrjes, e njëherësh të luante rolin që kishte byrazeri. Vëllai hyp në skenë, zë pozicionin e rolit dhe u pëshpërit aktorëve të tjerë: “Unë jam vëllai i Llambit, mirë jam këtu mo?” Në rastin e Bashës, perifrazimi do ishte ky: “Mua më ka dërguar Doktori se ishte pak pa qejf; mirë jam këtu në bashki o? Po në parti?”

Në këtë Zero të madhe me xhufkë të performancës Basha, së fundi vjen një mysafir i çuditshëm: Disa leje ndërtimi në zonën e digës së liqenit artificial të Tiranës, pesë të tilla, me struktura nga 20 kate secila. Se çfarë kanë thënë PD dhe vetë Basha për projektin e dikurshëm “Tirana Rock” që parashikonte gjithashtu ndërtime në këtë zonë, dhe çfarë akuzash janë bërë për Ramën si kryebashkiak, duhen faqe të tëra gazete. Tek e fundit, ishte vetëm një projekt. Por për lejet e sotme dhe ndërtimet që po fillojnë në terren, Basha ka mendim tjetër, madje akuzon kundërshtarët politikë se “pengojnë zhvillimin, frenojnë punësimin e qytetarëve”. Madje bën dhe një sqarim: Tokat ku do ndërtohet janë truall privat! Se mund të kishte gjasa që ai të jepte leje ndërtimi për pallate private edhe në tokë publike!

Basha është në vitin e fundit të mandatit të kryebashkiakut, dhe afërmendsh që buzëqeshjet nuk pijnë më ujë. Sot mbase nuk e mban mend se nëse fitoi si fitoi, në koshin e fletëvotimeve ka edhe nja njëmijë vota komunistësh, edhe pse kundërshtarët politikë i ngre dhe i ul neobllokmenë. Napa e hollë e ndonjë iluzioni tonit se ai do bënte diçka Të Vetën për Tiranën, është tretur e ka avulluar me kohë e me vakt; e ka kuptuar se e vetmja gjë që i mbetet, është të bëjë diçka “Për Vete”. E pret një dimër i gjatë opozitar dhe fletët e vizatimeve zverdhen shpejt. Mes tyre, diku figuron edhe një projekt që ishte kryefjalë e fushatës së tij “qytetare dhe apolitike”. Asokohe Luli na premtoi Tramin, ndërsa tani na ofron…

projekti

***

Pesë 20-katësh mbi digën e Liqenit Artificial të Tiranës

Erion Habilaj

Në më pak se 10 muaj nga fundi i mandatit, Lulzim Basha ka marrë një vendim të beftë për të lejuar ndërtimin e 5 kullave me nga 20 kate në zonën e digës të Liqenit Artificial. Bashkia e Tiranës e ka dhënë lejen për këto objekte më 1 gusht, siç tregon edhe tabela e punimeve. Do të jenë 5 struktura banimi dhe shërbime nga 1 deri në 17 kate, dhe 3 kate parkim nëntokë. Demokratët kishin akuzuar pak vite më parë Edi Ramën, atëherë kryetar i Bashkisë së Tiranës, se në këtë zonë kishte planifikuar të ndërtonte pallate 25 katëshe dhe do të përfitonte prej tyre 20 për qind të vlerës. Vetë kryetari i Bashkisë, Lulzim Basha, gjatë fushatës për Tiranën, kishte premtuar se në këtë zonë nuk lejonte ndërtime. Partia Socialiste ka reaguar duke kërkuar dorëheqjen e Bashës, jo vetëm për këtë rast, por sepse ai nuk po merret me punët e Bashkisë.

PS kërkon dorëheqjen e Bashës

Ervin Bushati, Sekretar për Çështjet Ekonomike në PS, njëkohësisht anëtar i Këshillit Bashkiak të Tiranës, për të dytën ditë radhazi denoncoi heshtjen e kryetarit të Bashkisë së kryeqytetit Lulzim Basha, për dhënien e lejes së ndërtimit të kullave 20 katëshe pranë Liqenit ArtificialAi i kërkoi kryebashkiakut që të mbajë premtimet e dhëna në fushatë elektorale, se ‘nuk do të merrej me politikë’ dhe se ‘do ishte një kryetar bashkie që do merrej vetëm me problemet e qytetarëve’. Bushati tha se Basha duhet të jap llogari për lejen që ka dhënë në një hapësirë të publike, siç është parku i liqenit. “Dje Kryetari i Bashkisë së Tiranës, nuk e mohoi në reagimin e tij lejen e betonizimit që ka dhënë në parkun e Tiranës. Dil o Lul sot dhe mohoje lejen, dil e na thuaj mos ke qenë në gjumë kur ke dhënë këtë leje dhe ke harruar premtimet që ke bërë, se nuk do ta betonizojç parkun? Apo ndoshta nuk ke qenë në gjumë, por ke marrë ryshfet të madh për të dhënë leje betoni në parkun e Tiranës? Apo ndoshta nuk ke qenë as në gjumë, as ke marrë ryshfet, por thjesht nuk të bie ndërmend se si jetojnë qytetarët e Tiranës dhe çfarë problemesh kanë ata, siç ke harruar në këto tre vite?” u shpreh këshilltari socialist. Më tej Bushati tha se Basha duhet të jap dorëheqjen. “Qoftë e para, e dyta, e treta, apo të tria bashkë, ka ardhur momenti që të largohesh nga Bashkia e Tiranës dhe të vazhdosh të shkatërrosh PD-në, bashkë me plakun e SHQUP-it. Sepse qytetarët e Tiranës nuk janë të interesuar se çfarë politike bënë ti, por se çfarë mund të bësh për qytetin e tyre. Nuk mund të vazhdosh me plakun që e ka në gen gënjeshtrën dhe shpifjen, të flasësh dhe të bësh pis televizionet dhe mediat shqiptare për ngjarjet në Shqipëri. Ka ardhur koha që të mbash ato premtime që ke dhënë në fushatë elektorale, se nuk do të merreshe me politikë, por do të ishe një Kryetar i Bashkisë së Tiranës, që do të merreshe vetëm me problemet e qytetarëve të Tiranës. Këtë gjë ti sot nuk po e bën”, u shpreh Bushati.

Reagimi i Bashkisë

Lidhur me akuzat e PS-së ka reaguar edhe bashkia e Tiranës. Bashkia reagoi përmes një deklarate, pa përmendur në asnjë rresht ndërtimin e 5 kullave deri në 17 kate dhe lejen e dhënë për ndërtimin e tyre më 1 gusht nga kryetari Basha, por tha se deklarata e Partisë Socialiste është në vazhdën e sulmeve dhe bllokimeve që po u bën punëve publike Kryeministri Rama. “Në lidhje me projektin zhvillimor në zonën 5/33, Bashkia Tiranë bën me dije se jo vetëm që nuk cenohet asnjë centimetër hapësirë publike, por me anë të formulës së menaxhimit të pronës, hapësirës publike i shtohen 2 mijë metra katrorë në zonën e pishinave, e cila po ashtu ruhet e paprekur. I paprekur ruhet edhe kompleksi i fushave sportive, ku me investimin e Bashkisë së Tiranës prej 35 milionë lekësh, u bë i mundur ndriçimi dhe rehabilitimi i fushave. Projekti zhvillimor kufizohet vetëm brenda pronës private dhe përbën një volum 4 herë më të vogël se projekti i babëzisë së Edi Ramës dhe sekserëve të tij. Ky projekt shfrytëzon vetëm 40 % të truallit privat dhe në përfundim të tij, qyteti do të përfitojë edhe 20 mijë metra katrorë hapësirë publike dhe gjelbërim. Plani urbanistik i qytetit të Tiranës i dha fund epokës së betonizimit korruptiv të kryeqytetit. Vetëm në 4 vitet e tij të fundit si kryetar bashkie, Edi Rama betonizoi apo shndërroi në sheshe ndërtimi mbi 65 mijë metra katrorë lulishte dhe hapësira të gjelbra në zemër të kryeqytetit”, thuhet në reagimin e bashkisë.

 40 leje për tetë muaj

Me miratimin e Planit Rregullues të Tiranës, kreu i bashkisë ka hedhur firmën për rreth 40 leje ndërtimi në zona të ndryshme të qytetit. Të gjitha këto leje janë dhënë nga janari e këtej, me një mesatare 5 leje çdo muaj. Gjatë kohës që ishte në opozitë në pushtetin lokal, Basha premtoi se do të zhbënte planet e Ramës për ndërtime me shumë kate, duke mos lejuar më shumë se 8-9 kate dhe do të bllokonte fare lejet për zonat e gjelbërta, siç është dhe pjesa e digës te Liqeni Artificial.

 

Një deklaratë e Bashës për “Tirana Rock”

Kreu i bashkisë së kryeqytetit ka qenë po vetë që në një intervistë televizive ishte shprehur kundër planit të paraardhësit të Tiranës në bashki, për të ndërtuar kulla në zonën e liqenit. I ftuar në emisionin “Fakt” të gazetarit Çim Peka, në dhjetor të vitit 2012, Basha është shprehur se kjo zonë do të jetë në shumicë e saj e mbrojtur. “Unë kam qenë që në fillim kundër projektit Tirana Rock, te diga e liqenit artificial, që parashikonte kthimin e zonës së pishinave tërësisht në një zonë të ndërtuar, ndërsa me planin e ri urbanistik, ¾ e kësaj zone kalon nën mbrojtje”, ka deklaruar Basha.

   

25 premtimet e Bashës që duhet të mbante në katër vjet si kryebashkiak

 1. 30 mijë vende pune. Vetëm Unaza e Madhe do të punësojë mbi 5800 persona

2. Kalimin e kompetencave tek minibashkitë për dhënien e lejeve për ndërtime të vogla

3. Linjë telefonike antikorrupsion në Bashkinë e Tiranës.

4. Dëgjimi i zërit të qytetarëve për shembjen e Piramidës

5. Premtoi se do të ulte çmimet e mallrave dhe ushqimeve

6. Hipotekimi i të gjitha apartamenteve

7. Ulja e taksave nga 2-5 herë

8. Heqja e 60 taksave

9. Ngritja e një task-force për punësimin e të rinjve

10. Financimi i stazhit për ata që mbarojnë universitetin nga Bashkia, 70 për qind e atyre që mbarojnë këtë stazh u ofrohet një vend pune

11. Ngritja e unazës së madhe të Tiranës, hapja e parkingjeve nëntokësore

12. Bashkia do të ndërtojë parqe të vogla dhe qendra argëtuese

13. Ndërtimi i një parku tjetër të madh për Tiranën

14. Çdo të premte orar pritjeje për të gjithë qytetarët për të dëgjuar hallet e tyre

15. Kartën e studentit

16. Zgjatjen e Bulevardit nga Stacioni i Trenit tek Bregu i Lumit (Deri tani ka prishur stacionin e trenit)

17. 70% e të rinjve të tyre do t’u ofrohet punësim i përhershëm në sektorin privat

18. Zhvillimi të 14 qendrave urbane dytësore, krijimi të 5 strehave.

19. Krijimin e Agjencisë Bashkiake te Mbrojtjes së Konsumatorit, që do të inspektojë, raportojë çdokënd që spekulon me çmimet.

20. Ndërtimi i një tramvaji në Kinostudio-Kombinat

21. Transport publik cilësor, të pakushtueshëm, falas për të moshuarit, fëmijët dhe personat në ndihmë sociale, të shtrirë në të gjithë qytetin.

22. Më pak se 30 nxënës nëpër klasa. Shkolla të mirëpajisura, internet falas për të rinj

23. Një Bibliotekë Universitare.

24. Heqje nga rruga e fëmijëve që lypin

25. Ndërtimin e një parku tjetër si dhe Korridori Rekreativ i Lumit të Tiranës

August 20, 2014 01:33
Komento

8 Komente

  1. ziko August 20, 01:40

    premtoi tramin po na le… Lul-in 🙂

    Reply to this comment
  2. kokpalari 21 janarit August 20, 01:41

    hahahaaaaa 🙂
    premtoi Tramin, po na le… Trapin

    hahahaaa si e paska rrok Lulja…Tramin hahahaaa 🙂

    Reply to this comment
  3. master August 20, 01:42

    ore se me ke me ngjan ky pallati 🙂

    Reply to this comment
  4. Emigrant USA August 20, 14:50

    Kudo qe ke qene vetem sherin te kane pare shqiptaret ne te gjithe ministrite I vetmi qe te ka pare hajrin ka qene familja Berisha sidomos e bija.

    Reply to this comment
  5. kalimtari August 20, 16:35

    Asokohe Luli na premtoi Tramin, ndërsa tani na ofron…k…rin.

    Reply to this comment
  6. LORA August 20, 19:32

    Karikatura e perkryer per lul-holandezin.Mirenjohje per karikaturistin.

    Reply to this comment
  7. M A R K O August 20, 22:00

    Nuk na e la ne, por e ka rujt per vehte ta fute na prapanice se bashku me premtimet.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*