Sot, eklipsi i pjesshëm diellor. I fundit eklips i plotë në Shqipëri ka ndodhur në 7 Shtator 1820

Redjan Shabani March 19, 2015 19:54

Sot, eklipsi i pjesshëm diellor. I fundit eklips i plotë në Shqipëri ka ndodhur në 7 Shtator 1820

Këtë të premte 20 Mars 2015 do të jemi dëshmitarë të një fenomeni natyror që përsëritet që kur Toka u bë nënë e satelitit të saj Hëna. Ky fenomen, qe merr emrin eklips diellor verifikohet atëherë kur Hëna pozicionet midis konit që bashkon perimetrat e Diellit me atë të Tokës [Foto poshtë].

Kjo bën që hija e Hënës të projektohet në sipërfaqen e Tokës.

Duke u parë nga pozitat e vëzhguesit tokësor, me terma të thjeshtë mund të themi se eklipsi diellor është dalja e Hënës përpara Diellit. Në fakt ky përkufizim nuk është i saktë pasi, në varësi të vendndodhjes në sipërfaqen e Tokës mund edhe të mos bëhemi dëshmitar të kësaj ngjarjeje.

E rëndësishme është që edhe Shqipëria do të jetë protagoniste e shfaqjes, ndonëse pjesërisht. Në fakt eklipsi i këtij 20 marsi do të mund të shihet vetëm në masën 50%. Gjithçka do të nisë në orën 09:35, do të arrijë pikun maksimal në orën 10:42 dhe do të përfundojë më 11:52.

Banorët e Evropës Veriore, ku eklipsi do të arrijë në masën 85%-95%, do të jenë të kënaqurit e vërtetë. Fasha mbi të cilën do të kalojë eklipsi shtrihet përgjatë detit të ngrirë të veriut dhe vetëm nga ndonjë anije do të mund të shihet në masën 100%. Eklipsi i pjesshëm diellor është fenomen relativisht i shpeshtë.

Janë eklipset e plota ato që janë objekt gjuetie i kuriozëve dhe jo vetëm.

Eklipsi i plotë është një rast i mirë për shkencëtarët që studiojnë impaktet ambientale që ka rreshtimi i tre trupave, Toka, Hëna dhe Dielli në një vijë. Për shembull, në Evropën Veriore, atje ku dhe eklipsi do të vëzhgohet më i plotë, parashikohet një rënie e ndjeshme e prodhimit të energjisë elektrike, kjo për shkak edhe të varësisë së tyre nga impiantet e prodhimit të energjisë nga drita e Diellit.

Ndoshta do të jetë një oportunitet për KESH për të gjetur ndonjë blerës tek miqtë tanë veriorë.

Për nga aspekti shkencor, eklipsi më i famshëm i të gjitha kohërave, është ai i 29 Majit 1919 i cili shërbeu si provë e tërthortë për të certifikuar Teorinë e Relativitetit te Ajnshtajnit. Përveç parashtrimit të Teorisë së tij, Ajnshtajni këshilloi që të përdorej eklipsi i asaj dite për të parë shtrembërimin që forca gravitacionale e Diellit i bënte trajektores së dritës së yjeve. Mbasi ç’do gjë ndodhi ashtu si Ajnshtajni e kishte parashikuar, dikush e pyeti se si do te kishte reaguar nëse do të ishte në gabim.

Me arrogancën beninje që e karakterizonte ai u përgjigj: “I vetmi që do binte në gabim do ishte Zoti”

Le të kthehemi në kohët tona. Eklipsi total është fenomen edhe më i rrallë për ne shqiptarët, duke marrë në konsideratë sipërfaqen territoriale që zotërojmë. Po të pozicionohemi si vëzhgues nga Tirana, kryeqendër e Shqipërisë dhe gjeografikisht, hera e fundit që është parë një eklips i plotë ka qenë më 7 Shtator të vitit 1820 dhe ka qenë i tipit unazor, që do të thotë se Hëna është pozicionuar para Diellit por sidoqoftë kurora diellore ka qenë e dukshme duke mos lejuar errësimin e plotë të ditës.

Do të duhet të shkojmë mbrapa në kohë në vitin 1386 për të gjetur një eklips diellor me gojën të plotë kur errësira ka mbizotëruar rreth dy minuta e gjysmë mesditën e datës 1 Janar. Në atë kohë Shqipëria sapo ishte vënë nën sundimin osman dhe ky eklips ndoshta vinte si një paralajmërim për errësirën që do të sundonte për 500 vitet e ardhshme. Brezi ynë nuk do të ketë kurrë fatin që të bëhet protagonist i një eklipsi të plotë.

Do të duhej të prisnim deri ne 1 Prillin e vitit 2136 (datë interesante 1 Prilli) për të parë një të tillë.

Megjithatë të mos ndihemi kaq të pafat pasi eklipsi i 2 Gushtit 2 Gushtit 2027 dhe më pas ai i 1 Qershorit 2030 do të jenë më të plotë se ky i kësaj të premteje të 20 Marsit, përkatësisht do të arrijnë magnitudën 75% dhe 87%.

Urojmë që në ato dy orë të errësuara nga dielli, të na gjejnë të ndritur si shoqëri dhe jo si eklipsi i nesërm që do zbehi Diellin por jo megafonat zhurmues të politikës.

unnamed2

Redjan Shabani March 19, 2015 19:54
Komento

2 Komente

  1. neco isufi March 20, 06:45

    Kete eklips e beri PD-ja per te kenaqur shqiptaret.

    Reply to this comment
  2. Lloji March 20, 07:02

    Sepse ne Shqiperi ka 25-vite qe eklipsi nuk ka ik. Jetojme ne eresire..

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*