Dëshmia në dosjen Ksera: Trafik vizash amerikane

October 20, 2013 01:34

Dëshmia në dosjen Ksera: Trafik vizash amerikane

Aida Nako

Hetimet për grupin e zyrtarëve të ish-Ministrisë së Punës kanë nxjerrë në sipërfaqe akuza të reja për abuzimet në këtë ministri. Nuk është ministria e vetme e përfshirë në krime, por me sa duket, këta kanë shkelur edhe atje ku nuk duhet të shkelnin.

 

Deri në 10 mijë euro personi!

Një nga dëshmitë e dhëna në kuadër të këtyre hetimeve ka qenë veçanërisht me interes për hetuesit. Dëshmia në fjalë nga një zyrtar i lartë i Ministrisë sugjeron që gjatë fundit të vitit 2010, por edhe në vazhdim, mësohet se me nota verbale të Ministrit të Punës, janë dërguar në SHBA persona të cilët nuk ishin zyrtarë të kësaj ministrie.

Në notat verbale të përgatitura nga Drejtoria e Marrëdhënieve me Jashtë, përfshiheshin përkundrejt pagesës që u jepej zyrtarëve të kësaj ministrie (hetuesit po hetojnë lidhjet me vetë Ministrin)  persona të cilët nuk kishin asnjë lidhje me Ministrinë e Punës.

Këta persona sipas dëshmisë në fjalë, paguanin deri në 10 mijë euro personi, për t’u trafikuar drejt SHBA-ve.

Vetëm në fund të tetorit 2010, dy persona (një vajzë e re rreth 27 vjeç nga Elbasani dhe një djalë i ri) kanë marrë vizë ne ambasadën amerikane, sikur të ishin punonjës të ministrisë, gjasme me qëllim pjesmarrjen në një aktivitet që zhvillohej në SHBA.

 

Si niste trafiku

Gjetja e aktiviteteve që zhvilloheshin në SHBA bëhej nëpërmjet internetit nga Drejtoria e Marrëdhënieve me Jashtë, dhe prej këtij momenti fillonte skema e gjetjes së personave përgatitja e notave verbale, dërgimi në ambasadë si punonjës të Ministrisë etj, pra shitja e vizave amerikane për qëllime përfitimi.

Burime nga Ministria e Punës, tregojnë se këto nota verbale nuk rregjistroheshin me një numër të caktuar në protokollin e Ministrisë (në to bëhej shënimi me numër ekstra), madje në protokoll nuk depozitohej dhe ruhej asnjë kopje e tyre. Gjithë kjo me qëllim që zyrtarët të mos kishin asnjë gjurmë për përfshirjen e tyre në këtë trafik vizash (pasi rregulli kërkon që nëse një shkresë ruhet në protokoll, ajo duhet të jetë e sigluar nga punonjësit që e kanë përgatitur atë). Madje për këta persona janë shpenzuar fonde për udhëtimin, qëndrimin apo ditetat nga buxheti i shtetit, sikur ata të ishin zyrtarë të atij institucioni. Kjo do të thotë që “grupi” i Ministrisë, përveç pagesës për vizën, ka vjedhur edhe fondet e buxhetit të shtetit që janë dhënë me urdhër shërbimet për këta persona.

Personat jo zyrtarë të kësaj ministrie, të dërguar në SHBA me nota verbale të Ministrisë së Punës, mësohet se nuk janë kthyer më në Shqipëri, çfarë provon ekzistencën e këtij aktiviteti të paligjshëm ndërmjet zyrtarëve të saj.

 

Pikëpyetjet e hetuesve

Nëse zyrtarët e kësaj ministrie pretendojnë se janë “të pastër” pasi nuk kanë firma që provojnë se janë të përfshirë në këtë proces apo të tjerë (siç mund të pretendojë ndonjëri prej tyre) apo këmbëngulin se personat e dërguar në SHBA ishin punonjës të ministrisë, si shpjegohet që ata që kanë vendosur me “dorë të hekurt” për të gjitha udhëtimet në këtë ministri, në këto raste nuk kanë qenë të përfshirë? Apo nëse ata kanë patur dijeni mbi këto nota verbale, si shpjegohet që megjithëse i njihnin mirë gjithë punonjësit e ministrisë, kanë përfshirë në to persona që askush nuk i njihte? Po personat që mund të kenë udhëtuar bashkë me ta (pasi në grupet e udhëtimit ka patur edhe persona që ishin pjesë e ministrisë) si shpjegohet që nuk çuditeshin nga këta “udhëtarë të rastësishëm” që i shoqëronin?

 

Dietat, qershi mbi tortë

Lidhur me abuzimet për dieta jashtë vendit, gjetja e aktiviteteve në vende të ndryshme të Europës apo të botës, bëhej në të njëjtën mënyrë. Pra, Drejtoria e Integrimit dhe Marrëdhënieve me Jashtë gjente aktivitetin në internet, dhe më tej përgatiste aktet për urdhër shërbimet duke përfshirë në to punonjës të ministrisë, të cilët nuk kanë shkuar kurrë në to.

Ajo që ndoshta duhet të bëjë ministri i ri është të verifikojë në sistemin TIMS, nëse personat që janë përfshirë në gjithë urdhër shërbimet prej vitit 2010, rezultojnë të kenë dalë jashtë vendit dhe të kenë shkuar në këto shtete. Një tjetër verfikim që duhet bërë, është edhe komunikimi që është bërë nga Drejtoria e Integrimit dhe Marrëdhënieve me Jashtë, me organizatorët e aktiviteteve si dhe regjistrimet që janë bërë për këto aktivitete ndërkombëtare. Te gjithë e dinë, që për të marrë pjesë në një aktivitet ndërkombëtar, duhet të ketë një rregjistrim paraprak të pjesmarrësve në to si dhe një ftesë të dërguar nga organizatorët. Nëse nuk ka të tilla prova, kuptohet që kjo ka qenë një skemë e pastër me qëllim përfitimi, vjedhjeje të buxhetit të shtetit, të fondeve të udhëtimit, qëndrimit dhe dietave për personat që “dërgoheshin dhe shkonin” në këto aktivitete.

Po kështu për të gjitha këto udhëtime, në Drejtorinë e sipërcituar të Ministrisë, duhet të kishte raporte nga pjesmarrësit në këto aktivitete, lidhur me çështjet e diskutuara, rekomandimet, zhvillimet për çështje të ndryshme etj. Sipas burimeve nga Ministria e Punës, mungojnë tërësisht këto raporte, pasi nuk e kanë fare idenë se çfarë është diskutuar në to.

 

8 persona ndanin tortën

Shpërdorimet dhe vjedhjet e fondeve në Ministrinë e Punës, kanë qenë të konsiderueshme edhe për dietat brenda vendit. Mësohet se për një vit, 95% e fondit të Ministrisë i përcaktuar për këtë shpenzim, është përfituar nga vetëm 8 persona, pjesë e “grupit” të z.Ksera. Këta persona kanë shkuar me shërbim brenda vendit, edhe pse pozicioni i tyre nuk kishte asnjë çështje që të justifikonte udhëtimin e tyre në një zyrë vendore në varësi të Ministrisë.

A ishte ministry që i shpërblente pjestarët e grupit me dieta për shërbime brenda vendit, për punët, firmat që ata hidhnin për llogari të tij? Kjo do dalë nga hetimet, por dëshmia nxjerr që ka nga ata punonjës që plot 20 ditë të muajit (!) kanë qenë me shërbim nëpër rrethe të ndryshme të vendit, dhe përveç pagës mujore përfitonin në këtë mënyrë edhe një rrogë të dytë. Thuhet gjithashtu se edhe faturat që provojnë shpenzimin e kryer për fjetje apo udhëtim për udhëtime brenda vendit janë të falsifikuara.

Për këtë do ketë një kontroll të dyanshëm tek subjektet që pretendohet se kanë lëshuar këto fatura, si nga vetë auditi i Ministrisë, ashtu edhe nga organet e tatim taksave, për të provuar origjinalitetin e tyre si dhe që shpenzimi është kryer realisht.”

Kleves Bistro, person në kërkim, por shkruan në Facebook

Ish-shefi i kabinetit të Ministrisë së Punës, Kleves Bitro, prej disa ditësh person në kërkim, reagon herë pas herë ndaj shkrimeve që bëhen për të në media. Ai akuzohet nga Prokuroria për shpërdorim detyre dhe abuzim me fondet e tenderave. Nga një vendndodhje e paidentifikuar, Bitro ka shkruar në faqen e tij në Facebook se akuzat që i bëhen janë të motivuara politikisht dhe personalisht. Dhe ja si e nis ai postimin e datës 8 tetor: “Të nderuar miq, falenderoj mbështetësit dhe fansat e mi. Në mënyrë të veçantë falenderoj dashamirësit mediatikë që ndihmuan të përçoj tek lexuesi anën tjetër të historisë që pushtoi faqet e para të gazetave dhe në disa raste edhe edicionet informative..”, dhe komenti vazhdon. Arratia dhe burgu ka të keqen e vetë po ka edhe të mira. Se kështu bëhesh edhe i famshëm, ke pas vetes edhe fansa…

 

 

 Nëpunësit civil dhe lakuriqët e natës

Nga Genc Melonashi

 Një nga krijesat më të çuditëshme që ka prodhuar shoqëria njerëzore është pa dyshim, ajo që në shqip është emërtuar nëpunësi civil. Një shartim i pazakontë i një fjale “shqip” me një fjalë latine. Nuk e di se kush e ka futur në gjuhën shqipe fjalën nëpunës. Ka mundësi të jetë një përshtatje prej njërës nga gjuhët e grupit neolatin (impiegato, employé, …). Nga konsultimi me disa fjalorë, gjen shumë kuptime. Më i qenësishmi duhet të jetë punonjës zyre ose zyrtar, me sa duket për ta dalluar nga punëtorët e krahut. Por përshtatësi ynë ka sajuar një fjalë, që fillimisht të ngjall humor dhe papritmas të bën serioz. Të ngjall humor nga vet rrënjët e kësaj fjale: dhe punë. Populli përdor një shprehje: Për t’u gjendur Kola në punë. Pra, në plan të parë ka qenë problemi që dikujt t’i gjendet një vend “pune”, mandej… mandej nëse ka punë në atë vend “pune” apo jo dhe punon apo s’punon ky dikushi, kjo nuk ka rëndësi. Po përse të bën serioz? Të bën serioz kur merr vesh se kjo sajesë është futur në gjuhën zyrtare shqipe në vitet e para të marrjes së pushtetit nga Partia Komuniste. Me sa duket, përshtatësi ynë, jo vetëm e ka njohur në themel sistemin socialist, por edhe e ka parashikuar të ardhmen e tij. Ai e ka ditur se këto vende “pune”, me kohën, jo gjithmonë dhe kudo do të ishin vende ku do punohej, ku do t’i shërbehej shtetit dhe popullit, por vende ku do paguheshin dhe shpërbleheshin të gjithë ata që do të kontribuonin për mbajtjen e pushtetit. E pra, do të ishin ata, që edhe sot quhen, militantë dhe besnikë të partisë. Mbase kjo duhet të jetë edhe arsyeja e vërtetë përse shumë shpejtë, Partia Komuniste ndëroi emrin dhe u quajt Partia e Punës… Ju kujtohen besoj ushtarët e asaj kohe, që kur liroheshin, ngjireshin duke gërthitur “Parti e punës, Parti e punës,…”. Por nejse.

Kaluan vitet dhe erdhi një ditë kur Partia e Punës bëri sikur ra. Bëri sikur ra se Katovica nuk është më teori konspirative. Tashmë “petët e lakrorit u hapën” dhe shqiptarët i kanë sytë në ballë. Regjizori i fundit që vazhdoi të vinte në skenë dramën më tronditëse që u luajt në kurriz të shqiptarëve, për dyzetepesë vite rresht, që të mos hante plumbin si kolegu i tij ballkanik, Çaushevski, e mblodhi mendjen. Njëri nga dy kryeregjizorët e politikës globale botërore i kishte dërguar atij udhëzime përkatëse për një skenar të ri. Subjekti i dramës do të mbetej po ai, veçse në mënyrë sezonale, një herë në çdo 4 + vite, do të ndryshonte personazhi kryesor. E pra, çveshur nga alegoritë, Partia e Punës do të “coptohej”… Do të lindnin bijat e saj, dy favorite dhe të tjerat garniturë, të cilat do të pagëzoheshin, sigurisht nga i njëjti regjisor, me ca emra të bukur ala europianë. Me fjalë të tjera, nuk do të kishte më një trup me një kokë të vetme, por një trup me disa koka. U tha, u bë. Të gjithë shqiptarët, të majtë e të djathë, “ish” dhe jo “ish” e “shijuan” këtë dramë-makth për 23 vite rresht. Por në mënyrën më tragjikomike e shijuan atë, të ashtuquajturit nëpunësa civil.

Kjo kategori punonjësish e trashëguar nga epoka socialiste, me kohën, do të merrte edhe dy tipare të reja, që do ta largonin me vite drite nga kuptimi fillestar i krijimit të saj. Së pari, në të u përfshinë të gjithë punonjësit që i shërbejnë shtetit, të mendjes apo të krahut, të zyrës apo terenit, të fshatit apo qytetit…. Së dyti ajo u nda në dy “korparmata” me në krye dy kokat e të njëjtit trup, që do të ishin në “luftë” të pandërprerë, për t’i zënë vendin njëri-tjetrit. Kështu morri formën e plotë ai lloj “nëpunësi civil”, që më shumë do të mbahej “në punë” dhe paguhej, jo për shërbime ndaj shtetit dhe popullit, por për shërbime ndaj partisë. Brenda këtyre “korparmatave”, me kohën, u veçuan tre shtresëzime:

– Një shtresë idealistësh, në gadishmëri të përherëshme për t’u hedhur në luftë “për idealin e partisë”.

– Një shtresë, që ka përbërë shumicën, të cilët nuk e duruan këtë shpërfytyrim të personalitetit, këtë zgjedhë shpirtërore. Dhe fati i tyre dihet. Një pjesë braktisi atdheun, një pjesë jeton në zgrip, jeton fatin e njerëzve me dinjitet.

– Një shtresë e tretë, ajo më tragjikomikja, e cila, mjerisht, për të mbajtur me bukë veten dhe familjen, ose u skllavërua pas idealesh që as i njihte e as i kuptonte dhe jo rrallë, nuk i donte, ose detyrohej të shitej majtas-djathtas, haptas apo fshehtas.

Ishin këto formacione që, për gati një çerek shekulli morrën pjesë në betejat që u zhvilluan çdo katër vite, por edhe më shpesh. Sa për “shtabet” drejtuese, ata kanë bërë sikur luftonin. Kanë bërë sikur luftonin pasi, si do që të përfundonte beteja, ata e kishin dhe e kanë statusin e haxhillëkut që i madhi Ataturk e shfuqizoi pasi erdhi në fuqi… (A do ta kemi edhe ne një të Ataturk…?).

Në njërën nga mbrëmjet e këtyre ditëve, ndërsa futesha në një bar, pash të ulur në njërën nga tavolinat, me një gotë fërnet përpara, një mikun tim rreth të gjashtëdhjetave. U ula pranë tij dhe porosita një kafe. Është inxhiner elektrik dhe ka rreth njëzetë vite që punon pranë dikastereve qëndrore për mirëmbajtjen e paisjesh ajërkondicionuse. M’u duk shumë i mërzitur. E pyeta:

– Ç’kemi andej nga puna?

– Lëre, -më tha, nuk durohet më. Ka pesëmbëdhjetë ditë që vuaj një torturë që se kam përjetuar në jetën time. Shefi i ri i personelit as më flet e as më sheh në sy. Punonjësit për rreth shohin me frikë njëri-tjetrin. Flasin me zë të ulët ose se hapin gojën fare. Ndihem si në një burg shurdhë-memecësh. Një pritje në tmerr, të cilës unë ia di fundin. E di se një ditë, ai bukuroshi-shef personeli do na mbledhi dhe do të na përsërisi të njëjtën fjali që këtë vit mbushi 23 vjeç:

“Pas një jave do largoheni. Mund të zgjidhni ose dorëheqje ose largimin… me penalitete.”

Për një moment heshti, rrëkëlleu një gllënjkë fërnet dhe ia nisi përsëri:

– Miku im! Ne, dmth lloji im, të ashtuquajturit punonjës të shtetit, jemi katandisur si ajo tufa e gjelave të detit. Si ajo tufa, që dy-tre ditë para vitit të ri, i shkon për “vizitë” shefi i ri i… kotecit dhe i mallëngjyer e me lotë në sy, i thotë: “Bukuroshat e mi! Ju du fortë. Por ja që erdhi kjo ditë kur duhet të ndahemi. Unë nuk jam aq mizor sa dukem. Një dëshirë, para ndarjes do t’jua plotësoj: Keni të drejtën të zgjidhni garniturën me të cilën do të servireni në tavolinë”.

Psherëtiu dhe tha:

– Ti i di peripecitë që kam hequr për të mbajtur atë vend pune pas monizmit. E di gjithashtu që kam qenë anëtar partie. “Papritur” zbulova se një xhaxhai im paskësh qenë me ballin, gjë që ne si familje e kishim mbajtur të fshehur për disa dekada. Kisha në dorë një kartabjankë, një fletë-hyrje. S’prita fare. Me një herë u konvertova. Nga komunist u bëra demokrat. E mbajta goxha kohë vendin e punës. Por ujrat e politikës, këtu në atdheun tim të dashur, nuk rreshtin së turbulluari. Ndërsa unë, avazin. Isha bërë mjeshtër. E gjeja gjithmonë një marifet. Bëra dhe konvertimin e fundit që më mbajti zvarrë deri sot në këtë vend pune. Sa herë që bëja këto marifete, kthehesha në shtëpi i gëzuar, ndërsa gruaja duke më parë ashtu, më pyeste me ankth:

– Hë si vajti?

Dhe unë i përgjigjesha si zakonisht me të njëjtën formulë:

– “Shyqyr o zot që s’jemi kristian!”

E kuptonte metaforën dhe i qeshte fytyra. Ishte një kod i yni, që rikujtonte një copëz nga historia. Ishte koha pas Skënderbeut, kur turqit, krahas pushtimit, bënin dhe konvertimin e popullsisë nga kristianë në fenë e tyre. Sa herë që në ndonjë fshat apo krahinë shfaqej ushtria turke, luhej e njëjta skenë tragjikomike: Kristianët fshiheshin dhe s’gjenin vrimë ku të futeshin, ndërsa të konvertuarit dilnin, pa ia bërë syri tër, duke përsëritur me vete: “Shyqyr o Zot që s’jemi kristian!”…

Por si do që pas këtyre marifeteve përjetoja një qetësi familjare, që vajza do të vazhdonte studimet e larta dhe buka e gojës nuk do të na mungonte, thellë në ndërgjegje më kapte një makth që sa vinte e shtohej. E ndjeja se nuk do të mund ta duroja gjatë këtë sjellje hipokrite ndaj shpirtit tim, këtë ecje kundra vetes. Por tani arriti kulmin. Sot më shkoi mendja të marrë një radio dore, ta vë tek Radio Tirana me gjithë volumin dhe të vrapoj ku sytë këmbët, për të ndalur atje ku ky zë të mos dëgjohet më. Nuk e di, nuk e di ç’po ndodh dhe ç’do të ndodh me mua dhe familjen time..!

Këtu e ndërpreu ligjeratën dhe pa pritur ndonjë fjalë nga unë, porositi një fërnet tjetër. E piu me gëlldup dhe u ngrit duke ma bërë me dorë që të çohesha. U çova dhe unë. Pagoi edhe kafen time dhe dolëm. Kishte rënë nata. Ecëm pa folur disa metra. Mandej më përshëndeti me dorë duke më uruar natën e mirë. E ndoqa një copë herë në errësirë. Kishte një lëkundje disi të pazakontë. Mbase nga pija, mbase nga dëshpërimi ose nga të dyja bashkë. Ashtu në errësirë m’u duk si një lakuriq nate… Lakuriqët e natës…! Nuk e di pse më shkon mëndja për një analogji midis shtresës së tretë të nëpunësit civil të sipërpërmendur, me lakuriqët e natës.

Lakuriqi i natës është i vetmi sisor që fluturon. Ky lloj sisori fluturak me trup miu ka ardhur në këtë botë shumë kohë pas shpendëve dhe minjëve. Nuk dihen arsyet e vërteta përse Zoti sajoi një krijesë kaq të panatyrshme. Legjendat na thonë se shkaku ka qenë ushqimi. Një specie zogjësh, për të ngrënë nga të dy krahët, i tregonte minjëve ku fshiheshin rezervat ushqimore të shpendëve. Plasi kështu një luftë shfarosëse midis shpendëve dhe minjëve. Dhe Zoti që sheh gjthëçka, vuri dorë. I ndëshkoi këta zogj plangprishës duke i shndruar në lakuriq nate.. Që nga ajo kohë kjo specje e çuditshme nuk gjeti më prehje. Sa herë që binin në hall fluturonin për ndihmë, herë tek zogjtë e herë tek minjtë. Por të dy palët i dëbonin duke i thënë: shkoni tek minjtë, ose shkoni tek zogjtë. Kjo bëri që lakuriqi i natës të mbarsej me një urrejtje të madhe për të gjitha gjallesat e kësaj bote, duke kaluar në një depresion të thellë. Zoti mëshirmadh, për t’ia lehtësuar sadopak dhimbjen, i hoqi shikimin dhe e pajisi me një mekanizëm tip radari për të lëvizur vetëm natën. Dhe ai, siç dihet, edhe sonte e kësaj nate, fluturon vetëm natën, me një ecejakje kuturu si një kafshë e bërë tapë. Jo vetëm kaq, por Ai e përshtati të jetoj nëpër guva apo shpella me kokë poshtë; me sa duket për t’i mundësuar rrjedhjen pika-pika të dëshpërimit të grumbulluar në kokën si të miut…

Këto ishin lajmet e këqia që na vinë nga legjendat. Por biologët na japin një lajm të mirë: Lakuriqët e natës janë një specie në zhdukje……

Që nga 23 Qershori i këtij viti, Shqipëria është përfshirë nga një stuhi e fuqishme. Nuk i dihet sa do të zgjasë kjo stuhi. E sigurt është që ajo, veç dëmeve, sjell edhe mbarësira. Unë jam optimist. Jam optimist, jo nga natyra, por për rastin konkret. Gjasat janë se më të shumta do të jenë mbarësitë se sa dëmet. Por një dilemë e kam: A do të vazhdojë të mbijetojë kjo specie e panatyrshme e nëpunësit civil e formatuar gjatë këtyre 23 viteve rrumpallë të politikës shqiptare? Dhe akoma, a do të vazhdojnë punonjësit e administratës së sotme shqiptare të enden si lakuriqi i natës, sa herë që bythët në kolltuqet e qeverisë zëvendësohen nga të majtët apo të djathtët…?

Dymasi do t’i përgjigjej vetëm me tre fjalë të thurrura bukur:

“Prisni dhe shpresoni!”

 

October 20, 2013 01:34
Komento

5 Komente

  1. antigreku October 20, 02:32

    ky greku i salliut te mallkuar paske qene nder me skandalozet e pakices greke ne Shqiperi.

    Ej Llala cfare pret veri prangat ketij kafshe e drejt ne kopshin zoologjik te Tiranes, atje me arushen te bejne seks.

    Ne ate Ministri nuk behej asnje verpim pa dijenine e ketij palacos – behet nje palaco minister vetem ne Shqiperi ndodh.

    Reply to this comment
  2. ardi October 20, 09:48

    Greku eshte i grekut.Nje prenoncim i liderit te PD-se,jovetem per kete por per te ghithe te korruptuarit do te perbente lajm per sovranin.

    Reply to this comment
  3. LORA October 20, 11:47

    Per mua arbirtraritetet dhe kusarite e s.kseres jane vetem nje pike uji ne oqeanin e kusarive te qeveritareve te tjere te dr.dhjeramanit.
    Kete nuk e them per te relativizuar zullumin e kseres(absolutisht jo) qe e ka vetem ne burg vendin.
    Kete e them se pres qe te denoncohen juridikisht dhe ligjerisht kokat e fundosjes ne gremine te financave publike shqiptare.Nuk e llogaris dot edhe sa do te pres,por nuk me genjen dot kush me “peshkun e vogel” ,grekun s.ksera. TUNG.

    Reply to this comment
  4. Mimoza October 20, 14:22

    C”BEN LLALLA, APO KA FRIKE NGA GREKET. SE DUHET MARRE EDHE ME KSEREN.

    Reply to this comment
  5. MARKO October 20, 23:12

    Llalla eshte bere hirre fare, sa per gjize nuk behet fjale.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*