20 ‘ushtarët’ e Berishës që mbajnë peng reformën në drejtësi

June 15, 2016 13:11

20 ‘ushtarët’ e Berishës që mbajnë peng reformën në drejtësi

Jemi në ditë të vështira dhe jetike për fatin e vendit! Bëhet fjalë për mbylljen e një procesi mbi 18 mujor i cili duhet të konkludojë në votimin e reformës në drejtësi. Reformë e cila është gjithëpranuar sidomos nga publiku, që është një nevojë imediate për qytetarët, por gjithashtu për çeljen e një epoke të re mes Shqipërisë dhe BE-së.

Sot ka patur deklarata të ashpra nga dy kampet politike që ishin diametralisht të kundërta në substancë, ndaj ka nevojë për një sintetizim të situatës dhe fakteve. Kush ka të drejtë për mënyrën e funksionimit të drejtësisë sot? Edi Rama, SHBA-të, BE-ja, apo Berisha, Basha, opozita? Qasja politike e ditës së sotme tregoi edhe njëhërë në fakt filozofinë e dy kampeve se si duhet të funksionojë drejtësia, por tregoi edhe më qartë se kush e ka çuar drejtësinë në këtë derexhe.

Por le të ndalemi te qëndrimet duke përmbledhur thelbin në mënyrë të thjeshtëzuar e të kuptueshme për këdo. SHBA, mazhoranca dhe BE janë të pozicionuar nga njëra anë dhe kanë propozuar e votuar që politika t’i mbajë duart larg nga emërimi i krerëve të drejtësisë. Sipas tyre, i gjithë procesi duhet të kalojë larg politikës dhe pas krehjes që do i bëhet çdo gjyqtari/prokurori, do vendosin mekanizmat se cili do kualifikohet dhe në fund do kalojnë për votim në parlament. Pra, individët nuk do të kalojnë si individë politikë në këtë proces, por si profesionistë. Ndërsa PD kërkon që pas këtij procesi, i cili siç thamë është tërësisht JOpolitik, profesionistët të ndahen në parcelat e politikës. Këtë PD-ja e quan mekanizëm për të mos kapur drejtësinë politika, kur në fakt është krejt e kundërta. Është politizimi i profesionistëve të cilët hyjnë si Jopolitikë dhe dalin të detyruar si politikë.

Sa më lart, kuptohet se SHBA dhe BE janë të qartë se PD kërkon një “status quo” për reformën dhe jo reformë reale. Një skemë e tillë do e linte drejtësinë në gjendjen që është e s’ka pse bëhet asnjë formalitet më tutje.

Për ta kuptuar në fakt se çfarë “humbet” PD-ja mjaftojnë disa shifra emërimesh në gjykata që PD ka bërë gjatë viteve në pushtet dhe që natyrisht nuk do t’i heqë. Është fakt që 8/9 anëtarët e Gjykatës Kushtetuese i ka emëruar Partia Demokratike. Gjithashtu 12/17 anëtarët e Gjykatës së Lartë janë zgjedhur nga PD. Përpos këtij uzurpimi politik, këto janë zgjedhur me më pak se 78 vota, pra as me 3/5-tat, jo më me 2/3-tat që propozohet sot.

Pra “Ushtria” e Berishës është aty. Nga nesër, sipas reformës së mbështetut nga SHBA e BE këta gjyqtarë nëse kalojnë sitën e pastërtisë profesionale nuk do jenë më ushtarë, por profesionistë. Nëse jo, do jenë në dorë të profesionistëve, bashkë me politikanët.

Sepse e gjithë masakra në drejtësi është veçse vepër e politikës, që e ka katandisur sistemin e drejtësisë në një bandë grabitëse e cila sot po bën çmos që të mos çmontohet. Lufta që PD po bën për të mbajtur “ushtarët” në llogore është ajo që e ka bërë SHBA-në dhe BE-në të jenë kaq të drejtpërdrejtë dhe kaq të palëkundur e jodiplomatë në gjuhën e tyre. Masakra e shifrave të emërimeve tregon edhe njëherë se PD e ka kapur sot drejtësinë dhe nuk po e lëshon me gjithë presionin e popullit, SHBA-ve dhe BE-së.

Ora e reformës ka ardhur e po ikën. PD ka pak ditë për marrëveshje, nëse nuk do që të delegjitimohet tërësisht në syrin e partnerëve strategjikë dhe popullit shqiptar. /Lexo.al

June 15, 2016 13:11
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*