20 vjet arnime! Manjani: Do të krijojmë një Kod të ri Penal

December 11, 2015 16:25

20 vjet arnime! Manjani: Do të krijojmë një Kod të ri Penal

Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani tha se do të përpilohet një Kod i ri Penal. Kodi aktual është “arnuar” prej vitesh, duke i hequr dhe duke i shtuar paragrafë për çështje të veçanta.

Kodi është hartuar në vitin 1995. Në përmbyllje të muajit të parë si ministër, Manjani bashkëbisedoi me gazetarë ku ka folur për një sërë çështjesh.

“Sot një që kapet me armë pa leje dënohet më shumë se një individ, që akuzohet për terrorizëm dhe kjo nuk është aspak e drejtë. Prandaj, duke nisur nga kjo, por jo vetëm nga rastet e tjera që kanë krijuar spekulime dhe kakofoni në debatin publik, ka ardhur momenti që të punohet per një Kod I ri Penal e për këtë kam marrë një angazhim individual, por do kërkoj mbështetjen e të gjitha palëve. Nuk mund të vijojmë çdo vit me ndryshime të ligjeve të Kodit Penal. Tashmë duhet një dokument i ri, një dokument i qartë jo vetëm për juristët, por dhe për qytetarët shqiptarë”, tha Manjani.

Duke folur për reformën në drejtësi, Manjani tha se ajo po vonohet, ndërsa i kërkoi prokurorisë që të marrë përgjegjësitë për të gjitha hetimet.

“Reforma në drejtësi në bazë duhet të ketë besimin që qytetarët duhet të kenë në këtë sistem. Gjithë problematika lind nga hetimet, të cilat nuk janë totalisht në dorën e prokurorit, pasi në mes hyn edhe hetimi policor dhe kur në mes janë kaq shumë hallka, dosja është vështirë të qepet siç duhet dhe më pas vendimet janë gjithnjë të dyshimta dhe lënë hapësirë për zhgënjim”, tha Manjani.

“Pra pikë së pari, duhet forcohet prokuroria dhe duhet jetë vetë prokurori zot i gjithë hetimit. Së dyti, për t’u realizuar kjo dhe të gjitha ndryshimet e tjera kushtetuese duhet bashkëpunimi me opozitën dhe të gjitha palët. Nuk është mirë që një proçes kaq delikat të vonohet kaq shumë dhe për më tepër të harxhohen kaq shumë energji në çështje jo relevante krahasuar me drejtësinë”, vijoi ai. /Dita/

December 11, 2015 16:25
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*