20 vjet më pas / Rikthim në vitin ’97

January 6, 2017 15:35

20 vjet më pas / Rikthim në vitin ’97

 

Xhevdet Shehu

Një miku im nga Vlora, një lexues i përditshëm dhe i vëmendshëm i gazetës ‘DITA’ më telefonoi më 1 janar për të më uruar Vitin e Ri  dhe, ende pa mbaruar mirë urimin, shtoi: Ja hyri 2017-a. Urojmë dhe mezi presim që ‘DITA’ jonë të merret seriozisht me vitin ‘97. Kaluan 20 vjet dhe nuk kemi parë askënd të akuzohet e të dënohet për atë gjëmë që i ndodhi këtij vendi e këtij populli në atë vit të zi. Ne i njohim autorët e asaj gjëme, i shikojmë të enjteve të bilbilosen në parlament, por këtu nuk ka drejtësi. Edhe ai ligji për dekriminalizimin ka për të dështuar nëse nuk gjen fajtorët e 20 viteve më parë… Prandaj ju lutemi, merruni seriozisht me atë. E bekuar qoftë DITA!

Ky miku që më telefonoi ishte një nga pjesëtarët e të afërmve të atyre që u mbytën në kanalin e Otrantos më 28 mars 1997. Më kërkoi në mirëbesim të mos ia përmendja emrin, pasi ka shumë të tjerë më të pikëlluar se ai për tragjedinë e vitit ’97. Ai vetëm sa kërkoi që DITA të merret me vitin ’97…

I ngjante një amaneti kjo kërkesë. Dhe unë fillova të mendoj seriozisht për këtë temë qysh më 1 janar…

***

Përnjëherësh m’u ngjallën tmerret e vitit 1997. Krisma pambarim nga të gjitha anët, natën dhe ditën, të vrarët pambarim, komisariate policie dhe godina shtetërore në flakë, gjendja e jashtëzakonshme…

Në kushtet e memecërisë së gjendjes së jashtëzakonshme në pranverë të 1997-ës, kur shteti shqiptar u shthur totalisht dhe dukej se po ndodhte apokalipsi, përmes krismave, flakëve dhe shpërthimeve nga të gjitha anët, ndërsa kanali i vetëm i TV  i mbyllte emisionet e përnatshme me listat e gjata të të vrarëve apo të mbyturve, ishte e pamundur të mendoje qetësisht për atë që po ndodhte. Në këto kushte pra, në një anormalitet të përgjithshëm, kur çmimi i jetës kishte zbritur në nivele tepër të ulëta, të menduarit dukej gjëja më anormale.

E, megjithatë, pikërisht në këto kushte të armatosjes së ndërkryer të popullsisë, shumëkujt iu kujtua një akt i kundërt me atë që po ndodhte aktualisht: një aksion për çarmatosjen pesë vjet të shkuar… Një urdhëresë nga kreu i sapo zgjesdhur i shtetit, Sali Berisha, atëherë bëri që veteranët e Luftës Antifashiste të dorëzonin armët që mbanin si relike prej gjysmë shekulli. Pak më vonë u bë çarmatosja edhe e ushtarakëve. Ky akt u justifikua me reformat e shtetit të ri dhe ndërtimin e demokracisë, ndaj dhe, pavarësisht se nga armëmbajtësit e deriatëhershëm u quajt absurd, u krye thuajse qetësisht.

Në të kundërt, pesë vjet më pas, më 1997, hapja e depove ushtarake dhe armatosja e popullsisë u shoqërua me egërsi, me viktima të shumta dhe dëme të pallogaritshme…

Çuditërisht, edhe armatosja u bë në emër të mbrojtjes së demokracisë!

Sidoqoftë, të gjithë e pranuam se në Shqipëri ndodhi një mbrapshti e paparë, një krusmë, e cila nuk erdhi krejt papritur. Dhe sa më shumë largohemi prej asaj gjëme, aq më e tmerrshme na duket.

Analistët nga natyra janë të prirur të ajgëtojnë në thellësi, përtej së tashmes. Dhe ajo që ka mbetur pas, shërben shpesh si pretekst për të zbërthyer enigma të së tashmes dhe së ardhmes. 1997-ta pra nuk kishte ardhur rastësisht. Madje dukej sikur për të ishte punuar sistematikisht dhe këmbëngulshëm që të vinte me doemos. Falimentimi i piramidave të shumëpërfolura të fajdeve nuk ishte veçse maja e ajsbergut. Ishte pika që bëri të derdhej gota e mbushur…

Pikërisht atëherë, pra në pranverë të 1997-s gazetari Endrju Gambëll (Andrew Gumbel) në gazetën londineze The Independent do të shkruante se”Regjimi i Tiranës është një regjim gangsterësh”.

 ***

Më shumë se dhjetë vjet më parë, kam përkthyer në shqip librin e dy historianëve anglezë James Pettifer dhe Miranda Vickers. Për herë të parë po tregoj publikisht një detaj nga puna për përkthimin e këtij libri. Nga fundi i prillit 2006 ishin në Tiranë dy autorët, të cilët ma dorëzuan librin në një disketë dhe më kërkuan që askush në Shqipëri të mos e merrte vesh se ekzistonte një libër i tillë dhe se përkthimi duhej të ishte gati në shqip me rastin e Krishtlindjeve të atij viti. Ata, pra Xhejmsi dhe Miranda, e kishin menduar dhe e realizuan planin e tyre që libri të botohej në anglisht dhe në shqip njëherësh në Londër, Nju Jork dhe Tiranë në shkurt 2007, në 10-vjetorin e vitit të rebelimit shqiptar të vitit 1997…

Në ndarje të atij takimi, dy historianët anglezë më porositën: “Shiko, ky është një libër jo i zakonshëm. Që të mos kesh probleme, mos i trego kurrëkujt se po përkthen një libër të tillë”.

Kjo porosi më dogji, po përderisa nuk e kisha lexuar ende librin, nuk mund të flisja para kohe. Unë i njihja autorët, të cilëve u kisha përkthyer edhe libra të tjerë, ndërsa titulli i librit që sapo kisha marrë në dorë ishte intrigues: “The Albanian Question -Reshaping the Balkans”  (Çështja shqiptare – riformësimi i Ballkanit).

Kështuqë fillova ta përktheja menjëherë.

25-albania-19971-905x395Por qysh në faqet e para u trondita, pasi në të për herë të parë flitej troç dhe pa asnjë paragjykim apo prapagjykim për ngjarjet tragjike dhe ende të freskëta që ndodhën në vitin e zi 1997 në Shqipëri. Historia e vitit ‘97 zë gati gjysmën e atij libri prej rreth 600 faqesh. Mirëpo gjatë dhjetë vjetëve kishin rrjedhur shumë ujëra dhe Sali Berisha, ish-president i Shqipërisë në vitin 1997 dhe i akuzuar si autori kryesor i kësaj fatkeqësie kombëtare të shqiptarëve, tashmë ishte bërë Kryeministër i Shqipërisë prej dy vjetësh.

Ja pse më thanë anglezët të kisha kujdes… Ndaj dhe libri u konsiderua menjëherë, ende pa dalë në libraritë shqiptare si “Forbiden book” (Libri i ndaluar). Për të kuptuar se sa e vërtetë ishte kjo, pra ky emërtim për librin në fjalë dhe për rrezikshmërinë që paraqiste ky libër, mjafton të sjell këtë episod nga libri:

“…Pas luftës në Kroaci, disa rekrutë shqiptarë të Kosovës dezertuan nga ushtria jugosllave dhe filluan përgatitjen ushtarake në Shqipëri për të formuar një forcë të re ushtarake.

Në këtë etapë, vetëm shumë pak njerëz ishin përfshirë në këtë veprimtari, ndërsa emrat e komandantëve të ardhshëm si Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj, Agim Çeku dhe Adem Jashari ishin krejtësisht të panjohur. Ata vepronin me emra të ndryshuar në disa formacione të vogla, ku Lëvizja Popullore e Kosovës (LPK), Lëvizja Kombëtare për Çlirimin e Kosovës (LKÇK) dhe Lëvizja Popullore e Republikës së Kosovës (LPRK) ishin me më shumë ndikim. Por rrënjët e tyre shkonin thellë në historinë e vonë të Kosovës, që nga viti 1949 kur Enver Hoxha kishte kërkuar të krijoheshin grupe ilegale në Kosovë nën drejtimin e figurave legjendare si Xheladin Qira për të përgatitur terrenin për të luftuar kundër pushtetit të Beogradit. Kjo përpjekje më së shumti dështoi dhe e shkatërrua nga policia titiste. Nga pikëpamja ushtarake Shqipëria paraqiste mundësi të mëdha për radikalët e Kosovës pasi ajo ofronte një bazë të sigurt për veprimet përgatitëse dhe logjistike që mund të ndërmerreshin. Hapat e parë në këtë drejtim u hodhën në vitin 1991 kur një grup prej 54 kosovarësh filluan përgatitjen ushtarake në akademinë e Tiranës. Sapo kryeqytetet perëndimore morën njoftim për këto zhvillime, qeveria e Partisë Demokratike u vu nën një presion të madh, sidomos nga qeveria angleze, për t’i mbyllur këto kampe përgatitjeje dhe për të arrestuar personelin më të rëndësishëm. Mund të pohohet se qeveria e Partisë Demokratike e tradhtoi kombin duke iu nënshtruar këtyre presioneve dhe duke vepruar kundër UÇK-së së sapolindur.

Qeveria e Partisë Demokratike nuk i respektoi të drejtat njerëzore të veprimtarëve kosovarë kur ajo ishte në pushtet. Themeluesi i UÇK-së, Adem Jashari, i cili do të martirizohej në mars të 1998-ës në Prekaz të Drenicës (në Kosovën qendrore), ndërsa krejt familja e tij do të shndërrohej në një legjendë që në ditët e para të luftës së Kosovës, ishte arrestuar dhe burgosur në Tiranë në vitin 1993. Zëdhënësi politik i UÇK-së Hashim Thaçi u burgos më 1996 dhe më vonë i shpëtoi për fije vdekjes kur shoku i tij i dhomës, gazetari Hysni Vulaj u vra nga një grup kriminelësh me pagesë. Zahir Pajaziti, komandanti karizmatik i grupit të Llapit, i cili u vra nga policia serbe më 1997, ishte arrestuar nga qeveria e Berishës më 1995…”

Përkthimin e këtij libri, si për asnjë libër tjetër, unë e kam bërë në orët e vona të natës, zakonisht pas mesnate. Le ta quajmë në kushtet e një klandestiniteti. Sepse kështu ka ndodhur. Kur mbërrita në këtë pjesë të librit që përmenda më sipër, shtanga dhe u trondita jashtëzakonisht shumë, si kurrë ndonjëherë në jetën time. Sapo ishte çliruar Kosova dhe unë kisha vizituar Drenicën dhe kisha bërë homazhe në varrezat masive të Jasharajve në Skënderaj, isha përkulur para kujtimit të Zahir Pajazitit në memorialin e ngritur për nder të trij, ushqeja respekt në distancë, pa i njohur, për Hashim Thaçin e Ramush Haradinajn. Këto që po lexoja ishin përtej imagjinatës sime. Thjesht, nuk i dija këto fakte.

Të nesërmen, u shkruajta në email miqve të mi anglezë dhe u them se kam disa gjëra për të sqaruar…

Ata erdhën pas disa ditësh në Tiranë. Iu thashë se faktet që ju paraqisni në këtë libër janë shumë të rënda, madje të tmerrshme, sidomos kur kanë të bëjnë me atë që tashmë është kryeministri aktual i Shqipërisë, zotin Sali Berisha. Ne shqiptarët nuk i dimë këto fakte…

Përgjigja që më dhanë ishte pa ekuivoke:

Këto ngjarje kanë ndodhur kështu si i kemi përshkruar ne. Kemi dokumente të pakontestueshme. Mos u merakos për vërtetësinë e tyre…

Libri u botua ashtu sikurse ishtë planifikuar: në anglisht në Londër e Nju Jork dhe shqip në Tiranë në të njëjtën kohë.

Emërtimi ‘Libër i ndaluar” vetëm sa shtoi më shumë kureshtjen e lexuesve.

***

1997-prodi-albania1Kanë kaluar 10 vjet nga botimi i këtij libri dhe 20 vjet nga ngjarjet për të cilat ai bën fjalë. Nëse ka ndonjë ngjarje që na bën të trishtohemi në më shumë se 100 vjet të shtetit shqiptar, është pikërisht ajo e vitit 1997.

Nëse ka ndonjë gjë më të turpshme që na bën të jemi kokulur ne shqiptarëve është pikërisht ai: viti 1997.

Nëse ka ndonjë tragjedi që do të na mundojë për vite e vite me radhë është sërish pikërisht ai: viti 1997!

Por ai vit i zi nuk erdhi rastësisht. Ardhjen e tij e kishin paraprirë një mori ngjarjesh të tjera, të mbrapshta natyrisht. Më 26 maj 1996 kishte ndodhur manipulimi i llahtarshëm i votave të shqiptarëve dhe përgjakja e sheshit ‘Skënderbej’ më 28 maj. Nga vjeshta filloi t’u dalë erë skemave piramidale të fajdeve. Mirëpo, doli presidenti e tha se paratë e shqiptarëve janë më të pastrat në botë!

Kështu, me këto aspirina u shtynë pak muaj, derisa në janar plasi.

E para falimentoi Sudja. Mandej Vefa, Gjallica, Populli, Xhaferri… Falimentimi i skemave piramidale ishte pika që bëri të derdhej gota e zemërimit popullor në të gjithë vendin.

Se si shkuan punët më pas e dinë të gjithë shqiptarët: u hapën depot e armëve, u rrëmbyen armët dhe filloi një vëllavrasje e paparë. Disa dëshmojnë se presidenti dha urdhër të ngrihej veriu kundër jugut, pastaj u hapën burgjet, u shpërbë ushtria, ra shteti dhe pushtetin e morën bandat. Numri i të vrarëve ende nuk dihet saktësisht, por numri është i llahtarshëm dhe shkon në rreth 4 mijë…

Për të vendosur rendin erdhën ushtritë e huaja, si në vitin 1913. Erdhi ish-kancelari austriak Franc Vranicki dhe Romano Prodi. Shqipëria doli kryelajm në CNN, natyrisht për keq.

Izet Haxhia, ish-truproja e ish-presidentit Berisha në gazetën ‘DITA’ për më shumë se dy vjet ka treguar fakte tronditëse se si skenari për ngjarjet e vitit 1997 është gatuar në Presidencë dhe ideatori kryesor i kësaj tragjedie të shqiptarëve është pikërisht ai: Sali Berisha. Rrëfimi i tij i plotë është botuar vitin e kaluar në librin “Izet Haxhia përballë Sali Berishës” i cili i ngjan një dosjeje paditëse që duhet të merret seriozisht nga Prokuroria.

***

1997-a nuk erdhi rastësisht dhe nuk është një ngjarje e shkëputur në historinë tonë pas dhjetorit 1990. Ajo është e lidhur pazgjidhshmërisht me një mori ngjarjesh të tjera para dhe pas saj. Moszbardhja e asaj tragjedie deri tani është e pafalshme. Vazhdimi i mëtejshëm i një qëndrimi indiferent sikur s’ka ndodhur gjë do të jetë një krim i patolerueshëm. Një turp i yni ndaj pasardhëve që nuk e përjetuan atë tragjedi. Ky është tregues i shuarjes së kujtesës dhe ky fakt do të ishte një tragjedi më vete. Dhe arsyetimi në këtë rast është fare i thjeshtë.

sali_berisha_ansa_13_1996Pas disa ditësh mbushen 6 vjet nga vrasja e katër qytetarëve të pafajshëm në mes të Tiranës, një krim i pazbardhur ende ku i akuzuar kryesor është i njëjti autor i tragjedisë së vitit 97…

Më 2 mars do të na kujtohet vendosja e gjendjes së jashtëzakonshme, shtetrrethimi dhe zgjedhja e Berishës president për një mandat të dytë në një parlament të rrethuar më tanke.

Do të na kujtohet plani presidencial për luftë të veriut kundër jugut, hapja e depove të armëve dhe dalja e banditëve nga burgjet.

Do të na kujtohet marrëveshja e turpshme e 9 marsit dhe mbërritja e ushtrive të huaja për të na vënë rregull…

Në mars do të kujtojmë si çdo vit 20-vjetorin e tragjedisë në kanalin e Otrantos…

Në mars gjithashtu do të na kujtohet me doemos tragjedia e Gërdecit, ku lakohet sërish i njëjti autor, por për atë tragjedi nuk ka ende asnjë të dënuar…

Pra do të na kujtohen shumë gjëra. Dhe këto nuk do të mundet t’i kujtojë një njeri i vetëm. Me siguri në ‘DITA’ do të na shkruajnë dëshmitarë okularë të ngjarjeve, por edhe protagonistë të tyre, politikanë dhe analistë… Janë të mirëpritur!

January 6, 2017 15:35
Komento

3 Komente

  1. shqiperia e lir nga berisha January 6, 16:22

    1Ca prisni qe berisha te veje vete ne burge

    Reply to this comment
  2. petraq January 6, 23:12

    viti 97 nuk eshte viti i mbrapsht popr eshte viti i lumturise se popullit shqiptar qe rrezoi diktaturen e sali berishes perfaqesos i pinjollebver te nazi fashizmit.nentedhjete e shtata beri ate qe partia demokratike e sali berishes mos te kthehet me kurrene pushtet.demokratet e vertete duhet te votojne bamir topin i cili kur u be president tregoi me vepra qe ishte nje patriot shqiptart.populli nuk harron dhe ju kujton se fallangat e berishes nuk bejne dot 97.

    Reply to this comment
  3. Dhimbia e Madhe POPULL. January 7, 04:21

    E Enjtia e ka e-duhet ta thote fjalen e saj.
    Zgjithia eshte atje;ne KUVEND,..
    .
    Atje jane kokat e se keqes perjetuar ky popull, pas 90tes kujtoni C”PRISNIM,c’duhej te behej e c’u be?!.
    Ne fakt nisi 97ta,nisi shume me herret,…
    Shkrimi eshte nje paralajmerim per te hapur syte dhe veshet,sa kuvendi,me drejtesine te veprojne.
    Nuk eshte kaqe e lehte,po me tej nuk shkohet keshtu.
    Shkrimi juaj z.Xhevdet SHEHU eshte kushtrim.
    DREJT e keni qe “DITA” te behet zedhenesia e rugezgjidhjes,sa te tjera gazeta e R>Televizionet.
    Ata qe bene 97-ten, sot na krekosen akoma…
    ketu fajesojme qeverine e shumices qe po i perkedhel aktoret e sa keqes se vendit tone,tashme te njohur dhe bota e di.
    Ai liber eshte ndihma me e madhe qe i jepet shqiperise,per te shpetuar.
    Pa tjeter jo me rrugen qe zgjodhi –97ta te dhunes,
    po te DREJTESISE,
    Faleminderit Xhevdet Shehu-mese ATDHETAR- sa shkruani.
    Popull ! mendohu dhe hidh-hapin e shpetimit.
    Deputete;-VERTETE te POPULLIT dhe per POPULLIN mblidhni mente..Nuk mban me uje pilofi!
    Per Viktimat e rena dhe ATDHEUN.
    Dhimbia e Madhe POPULL !

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*