2015, OSSHE grumbulloi 98 mln USD detyrime të prapambetura për 2007-2014

April 26, 2016 10:52

2015, OSSHE grumbulloi 98 mln USD detyrime të prapambetura për 2007-2014

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë ka arkëtuar gjatë vitit të kaluar 12,2 miliardë lekë në formën e detyrimeve të prapambetura të energjisë, shumë kjo ekuivalente me 98 milionë dollarë. Shifra është publikuar nga Enti Rregullator i Energjisë në një raport të posaçëm për Kuvendin.

Sipas të dhënave të Entit Rregullator në total OSSHE ka arkëtuar gjatë vitit që shkoi 60.7 miliardë lekë nga të cilat 48.4 miliardë lekë kanë qenë nga faturat e koherente të vitit 2015 dhe pjesa tjetër mbi 12.2 miliardë lekë detyrimet e prapambetura, të cilat zunë 19 për qind të arkëtimeve të OSSHE për vitin në fjalë.

Ne total numri i klientëve te furnizuar nga shoqëria “OSHEE” sh.a është rreth 1.2 milionë, nga të cilët rreth 1.04 milion janë familjar, 153 mijë privat dhe 11 mijë bëjnë pjesë në kategoritë buxhetore dhe jobuxhetore.

ERE vë në dukje se në lidhje me analizimin e shpenzimeve dhe “cash flow” u konstatua se gjendja ekonomiko financiare e shoqërisë OSHEE sh.a është përmirësuar. Ky përmirësim vjen kryesisht si rezultat i aksionit për arkëtimin e faturave korente dhe detyrimeve të prapambetura.

Për pasojë trendi i pagesave te kryera ndaj palëve të treta (kryesisht KESH sh.a dhe OST sh.a) është rritur krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2014 si pasojë e rritjes së arkëtimeve nga ana e shoqërisë.

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) konstaton një numër në rritje të abonentëve jo familjar/biznes që po bëhen pjesë e skemave lehtësuese të shlyerjes së borxheve të prapambetura. Që kur filloi zbatimi i skemës së re, janë 2097 subjekte biznesi që kanë firmosur aktmarrëveshjet me kompaninë. Prej tyre, 1459 biznese kanë përfituar reduktimin e vlerës së kamatë vonesës në masën 50% duke paguar plotësisht detyrimin e mbetur.

Ndërkaq, abonentët familjarë vazhdojnë të shfrytëzojnë mundësinë e futjes në skema të shlyerjes me këste të borxheve të prapambetura. Në një muaj janë firmosur 8025 aktmarrëveshje prej abonentëve familjarë./MONITOR

April 26, 2016 10:52