2015, viti i transformimeve shtrënguese

December 26, 2015 16:29

2015, viti i transformimeve shtrënguese

Si rrallëherë ky vit e përballi Evropën me një sërë sfidash. Terrorizmi, kriza e migrimit, kriza greke, ngjitja e radikalizmit, kriza britanike, autoritarizëm në Hungari, luhatje në Poloni, krizë ndaj respektit të të drejtave të njeriut, krizë e Shengenit. Kriza të shumëfishta që në përpjekje për të gjetur një zgjidhje ndaj tyre, ekspozuan një sërë problematikash, thyerje dhe çarje mes tendencave kombëtare për zgjidhje dhe politikave të përbashkëta evropiane. Por, një rëndësi të veçantë mori lufta ndaj terrorizmit, duke u shoqëruar me një sërë ndryshimesh të ndjeshme në nivel evropian.

Regjistrim i të dhënave të pasagjerëve ajrorë (PNR) 

Sulmet terroriste të janarit në Paris, rishfaqën domosdoshmërinë për të avancuar në bashkëpunimin në nivel evropian. Reagimi i parë, erdhi menjëherë me mbledhjen e gjithë Ministrave të Brendshëm të BE-së, në praninë edhe të Sekretarit amerikan të Shtetit, Eric Holder. Objektivat në fokus: detektimi i “luftëtarëve të huaj” dhe masa konkrete kundër propagandës terroriste në internet. Miratimi i PNR u shfaq si domosdoshmëri absolute. Projekt, që deri në momentin e ngjarjeve kishte hasur në një lloj rezistence, kryesisht në Komisionin e Lirive Civile në Parlamentin Evropian, pasi vlerësohej se binte ndesh me të drejtat themelore të qytetarëve dhe sundimin e ligjit, cenonte të drejtën për privatësi si edhe ruajtjen e të dhënave private.

Por, sistemi i PNR-së, pritet të shërbejë si një mekanizëm që do të detektojë, parandalojë dhe luftojë fenomenin e “luftëtarëve të huaj”.  Një regjistër unik, ku do të figurojnë të regjistruar automatikisht, çdo fluturim ajror i rezervuar, të dhënat e personit, nr. e telefonit, të kartës së kreditit, adresën e postës elektronike, vendin ku janë rezervuar hotelet, etj. Pra, një detajim të pronotimit, rezervimit dhe lëvizjeve të çdo personi dhe mjeteve me të cilat ai ka kryer këto veprime.

Ndonëse po avancohej gradualisht në këtë dosje, sulmet e nëntorit në Paris imponuan një përshpejtim, pavarësisht pasojave apo efekteve, që do të ketë mbi të drejtën për jetë private, dhe mbrojtjes së të dhënave. Marrëveshja paraprake mes negociatorëve të PE-së dhe të Këshillit në fillim të muajit dhjetor mbi PNR, u miratua nga Komisioni i Lirive Civile dhe pret kalimin për miratim në seancë plenare, në fillim të vitit 2016. 

Shengen 

Menjëherë pas sulmeve të Parisit, Ministrat e Brendshëm të Drejtësisë dhe të Punëve të Brendshme të vendeve anëtare, ranë dakord të përdornin në mënyrë më efikase bazën e të dhënave të Shengenit dhe të Interpolit për të gjurmuar radikalët e identifikuar si edhe kriminelët. Një sërë ankesash adresoheshin drejt faktit se, vendet anëtare nuk e përdornin fare këtë bazë të dhënash, dhe se kjo bazë të dhënash furnizohej vetëm nga pesë vende anëtare, duke kërkuar që shërbimet e vendeve të ndryshme anëtare të bashkëpunojnë më tepër në këtë drejtim.

Por, ministrat arritën të bien dakord se, për të identifikuar “luftëtarët e huaj”, që hyjnë në Union është i nevojshëm kontrollimi i të gjithë qytetarëve të Unionit, pasi rëndom kjo kategori zotëron ose një shtetësi të dyfishtë, ose janë shtetas të vendeve të Unionit. Masë e cila presupozohej të parandalonte njëkohësisht edhe efektin e padëshiruar të vendosjes së kontrolleve kufitare, në disa vende të Unionit për të bërë të mundur identifikimin e kësaj kategorie.

Përtej iniciativës për të kontrolluar gjithë shtetasit e BE-së kur hyjnë në Union, interesant është shfaqur edhe propozimi i fundit i Komisionit Junker. Në kuadrin e gjetjes së zgjidhjes mbi krizën e migrimit dhe kontrollit të përforcuar të kufijve të jashtëm të Unionit, ky propozim i një platforme të gjerë, që prekte edhe kodin e hapësirës Shengen, sugjeron ndër të tjera kontrollin e nevojshëm të shtetasve të vendeve të treta, jo vetëm kur hyjnë, por edhe kur dalin nga Unioni.

Një shërbim sekret i përbashkët

Dështimet serioze në bashkëpunimin e shërbimeve sekrete, shpërndarjes së të dhënave të grumbulluara dhe të analizuara mes tyre, u shoqëruan me shfaqjen e idesë për të krijuar një strukturë të përbashkët inteligjence në nivel evropian. Kërkesa e ardhur nga Belgjika, u krye në një sfond, ku shkëmbimet mes strukturave inteligjente, kryhen vetëm në një platformë dypalëshe. Propozim që u theksua edhe nga Komisioneri Evropian i ngarkuar për çështjet e brendshme Dimitris Avramopoulos, përgjatë mbledhjes së pas atentateve të nëntorit në Paris të Ministrave të Punëve të Brendshme dhe të Drejtësisë së vendeve anëtare (JAI).

Por, pavarësisht propozimeve dhe iniciativave, rezistenca e vendeve anëtare është e fortë (Paris-Berlin) duke kërkuar më shumë që fokusi të shkojë drejt përmirësimit të shkëmbimit të informacioneve mbi institucionet ekzistuese. Kjo kompetencë kombëtare, gjen rezistencë për t’u integruar në një mekanizëm të vërtetë evropian dhe kjo kryesisht nën logjikën se një mekanizëm kaq i gjerë, nuk mund kurrsesi të jetë efikas dhe puna nuk mund të jetë cilësore për sa kohë shtrirja e kësaj strukture është e gjerë nga ku dhe rrjedhjet bëhen edhe më të pakontrollueshme. Duket se avancimi është përqendruar vetëm në përmirësimin e shkëmbimit të informacioneve në nivelin ekzistues, duke marrë parasysh se G6 ekziston në mënyrë perfekte në fushën e sigurisë, ku Franca, Gjermania, Britania e Madhe, Italia, Spanja dhe Polonia kanë një shkëmbim të mirë të të dhënave të orientuara kryesisht në fushën e terrorizmit, krimit të organizuar dhe imigracionit të paligjshëm.

Mbrojtje reciproke

Por, këto sulme terroriste, angazhuan për herë të parë në historikun e Unionit, mekanizmin e klauzolës së mbrojtjes reciproke (neni 42§7, Traktati i Lisbonës). Angazhim unanim i shteteve anëtare të BE-së, për të ofruar ndihmë dhe asistencë me të gjithë mjetet në dispozicion, duke përfshirë edhe ato ushtarake. Ndonëse, u konsiderua si një avancim në fushën e mbrojtjes evropiane dhe pikë kthese në kuadrin e politikave të mbrojtjes së BE-së, mekanizmi angazhues nuk përmbante një karakter të qartë imponues juridik, duke lënë një fushë të lirë mbi “detyrimin për ndihmë dhe asistencë nga të gjithë vendet anëtare”.

Gjithsesi, vlera e kësaj iniciative kishte më shumë rëndësinë e një force simbolike.

Për një avancim real në fushën e mbrojtjes evropiane, mund të flitej në rast se Franca do të kërkonte angazhimin e nenit 222 të Traktatit të Funksionimit të Unionit Evropian, që hap mundësinë për angazhim të trupave ushtarake në terren, që i janë vënë në dispozicion Unionit nga Shtetet Anëtare. Nen, i cili nuk është aktivizuar dhe nuk është kërkuar ndonjëherë për t’u aktivizuar.

Ndonëse Unioni dhe vendet e tij anëtare, i kanë tashmë mekanizmat, që shërbejnë për pasjen e një roli aktiv në fushën e politikës së sigurisë së përbashkët dhe politikave të mbrojtjes, ato shfaqen hezituese për të demonstruar një fuqi evropiane, në rang ndërkombëtar. Hezitimet vijnë sa nga refuzimet e disa vendeve anëtare, si Britania e Madhe, apo Gjermania, por edhe nga mungesa e dëshirës për të pasur vija të qarta reflektimi gjeopolitik.

Në kuadrin e luftës ndaj terrorizmit dhe parandalimit të tij, një sërë ndryshimesh kanë prekur Evropën, në harkun njëvjeçar. Regjistrimi aq i debatuar mbi grumbullimin në masë të të dhënave të pasagjerëve ajrorë, tashmë po konkretizohet duke shkuar drejt fazës përfundimtare të miratimit të tij. Pavarësisht kostove, që ai paraqet ndaj cenimit të lirive civile dhe të drejtës për jetë private dhe pavarësisht rezervave të ekspertëve, se kjo iniciativë është e vështirë të parandalojë aktet terroriste. Por, këto ndryshime prekën edhe kontrollin sistematik të të gjithë qytetarëve të BE-së që hyjnë në Union dhe pritet të shkojnë edhe drejt miratimit për kontroll edhe në dalje të Unionit, për shtetasit e vendeve të treta. Këto ndryshime në nivelin e sigurisë dhe të parandalimit të terrorizmit kanë një karakter shumë herë më të fortë në nivel kombëtar, siç marrja e masave në Francë po dëshmon, duke mos anashkaluar edhe masat, që Belgjika ka ndërmarrë ndërkohë. Por, përtej modelimeve, që ka imponuar lufta ndaj terrorizmit në nivel evropian, sërish konstatohet një frenim për të avancuar realisht në kuadrin e politikave të mbrojtjes së përbashkët, por edhe në fushën e sigurisë dhe të shkëmbimeve të shërbimeve inteligjente, çka konfirmon një vullnet konstant për të ruajtur ekskluzivitetin e këtyre kompetencave në rang kombëtar.

 

 

December 26, 2015 16:29