Zhgënjimi i Anës

Nga Mira Kazhani January 21, 2015 00:36

Zhgënjimi i Anës

Nuk është një fjalë goje të shkosh e të intervistosh një 15 vjeçare që ja kanë vrarë babain me duar në xhepa në një ditë Janari. Për më tepër kur vrasja është filmuar nga kamerat dhe skena e krimit regjistrohet përjetë në shpirtin e një bije. Nuk është asnjë grimë e lehtë të pyesësh një minorene se çfarë bën tani? Kush ishte i miri dhe i ligu?

Qe ndoshta nga bisedat e mia më të sikletshme deri më sot, ajo me Anën, ose siç e njohin të gjithë vajzën e 21 Janarit! Ana Veizi është vajza e njërit nga 4 viktimat e qëlluara për vdekje në nga një plumb i Gardës në 21 Janar 2011 në bulevardin Dëshmorët e Kombit në Tiranë. Kanë kaluar 4 vjet që atëherë. Arsyet e protestës bashkë me frymëzuesit e saj sot janë në pushtet bashkërisht. Shkaktarët e 4 varreve të hapur janë të lirë. Urdhëruesit duket se edhe ata janë të bashkuar. Asnjë i ndëshkuar nga drejtësia. Gjallë është vetëm një premtim që dikush ja ka bërë Anës po në një ditë Janari, mes karafilash e lotësh dhe që nga viti në vit zvarritet e shuhet dalëngadalë. Një premtim i pambajtur deri më sot dhe i përligjur me disa ndihma spontane financiare për Anën, vëllanë dhe nënën e saj. Po, është e vërtetë, qeveria e sotme dhe vetë kryeministri Rama ka ofruar bursa studimi për fëmijët e Ziver Veizit dhe një punë në bashkinë e Fierit për nënën e saj Almën. Vëllai i Anës studion në Turqi, në një Akademi Ushtarake, ndërsa Ana ka siguruar një bursë në një kolegj turk në Durrës. Nëna e Anës e cila ka qenë e divorcuar më herët me viktimën Ziver Veizi, tregon se e bija përjeton ditë trishtimi, ndoshta ndonjë depresion, sa herë që vjen Janari. Ajo është e kursyer kur flet për drejtësinë dhe ngjarjen në fjalë, ndoshta pak më pragmatike për arsye të imagjinueshme. Jashtë kameras, thotë shpesh se financat nuk i mjaftojnë. Lekët dhe humori i Anës duket të jenë për të shqetësimi kryesor. Por ndryshe nga nëna e saj, Ana vetë reagon si një bijë që edhe pse 15 vjeçe, me fjalë të zgjedhura me kujdes siç një zemër e lënduar nuk e ka të lehtë të bjerë në kompromis. Ana flet me një zë të ulët dhe sytë e thellë jeshilë të ftojnë në një botë me trishtim. Ajo druhet se tashmë askush nuk ka interes të kthejë kokën pas. Për këtë ka vendosur që të rritet sa më shpejt të jetë e mundur. Të studiojë drejtësi dhe ndoshta atëherë do ja dalë e vetme. Një gjë është e sigurt. Ana i ka bërë një premtim vetes; për t’i shkuar në fund, qoftë edhe me vonesë, por shpreson që një ditë do të udhëtojë e qeshur drejt Gjirokastrës për t’i treguar babit se e drejta vonoi. Por nuk harroi!

 

Mira Kazhani: Ana, më bëri përshtypje që më the para se të nisnim intervistën, se këtë vit nuk do të merrni pjesë në homazhet e 21 Janarit. Pse?

Ana Veizi: Mendoj se përgjigja mund të kuptohet nga të gjithë, për arsyen se kanë kaluar 4 vjet tashmë dhe në këto 4 vjet nuk kemi bërë gjë tjetër veç homazheve. 4 vjet kemi bërë veç një shëtitje në bulevard duke mos dalë e drejta. Nuk kam arsye pse t’i bashkohem përsëri asaj shëtitjeje, asaj xhiroje që mund të bëhet aty, duke mos patur arsye e duke mos qenë e lumtur që nuk është bërë ende drejtësi.

 

Mira Kazhani: Çfarë keni pritur nga qeveria e tanishme?

Ana Veizi: Mendova që me t’u zgjedhur PS në pushtet, 21 janari do të ishte një nga çështjet më kyçe të kësaj qeverie, të këtij shteti. Nuk ndodhi ashtu! Besova se do rregullohej, se do mbaronte shpejt si temë dhe nuk ndodhi ashtu. Le të themi që jam paksa e zhgënjyer, se tani mund të them që shpresa ime po shuhet siç po mbyllet edhe çështja.

 

Mira Kazhani: Ana, ti je 15 vjeç tani, je ende minorene, por besoj e di që gjykatat kanë një lloj pavarësie edhe pse shënjestrohen shpesh si të lidhura me politikën. A mendon se kjo qeveri e ka vullnetin, por thjesht nuk ja ka dalë për shumë arsye, të sistemit e të tjera si këto? Ku mendon se çalon kjo histori? Pse sipas teje nuk ka mundur të fitojë e drejta?

Ana Veizi: Unë nuk e di arsyen e vërtetë, por mendimi im është se duan ta mbyllin si temë. Nuk duan të nxjerrin fajtorët. Për mendimin tim, thjesht nuk kanë për qëllim të nxjerrin fajtorët. Duan ta mbyllin këtu, me kaq. Ndoshta fajtorët mund të jenë…. Çdokush? Ata mund të kenë folur me gjykatat personalisht dhe ta kenë zgjidhur mbylljen e kësaj çështjeje.

 

Mira Kazhani: Ti vetë kujt do ja kërkoje drejtësinë? Nga kush pret? Nëse ka mbetur një fije shpresë, tek kush i ke varur ato?

Ana Veizi: Shpresat janë shumë të pakta! Pothuajse zero mundësi. Por nëse do kërkoja diçka, dhe e kam fjalën për premtimin që më kanë bërë dhe premtimi ka qenë se kjo çështje nuk do të vonojë. Dhe në fakt, kjo çështje po mbyllet.

 

Mira Kazhani: Kush jua ka bërë këtë premtim?

Ana Veizi: Premtimin ma ka bërë kryeministri i Shqipërisë!

 

Mira Kazhani: Kur ta ka bërë? Ta ka thënë personalisht apo e ke fjalën për deklaratat e tij kështu në përgjithësi…?

Ana Veizi: Ma ka bërë personalisht!

 

Mira Kazhani: Kur?

Ana Veizi: Ma ka bërë në 28 Janar 2011, ditën e homazheve.

 

Mira Kazhani: Kanë kaluar 4 vite dhe gjatë kësaj kohe vonese, a je përpjekur të komunikosh. Ndoshta t’i çosh një email kryeministrit për t’ja kujtuar premtimin?

Ana Veizi: Me kryeministrin kam patur disa herë kontakte dhe gjithmonë më ka dhënë të njëjtin premtim: “Drejtësia nuk do vonojë”.

 

Mira Kazhani: Ju e keni besuar?
Ana Veizi: Nuk e di, por besoj që jo. Kanë kaluar 4 vjet dhe personat që janë të dyshuar janë të lirë. Ka shumë pak shpresë….

 

Mira Kazhani: Ti Ana, kë do doje të shikoje pas prangave për këtë krim. Pra ti vetë personalisht kë quan fajtor. T’i lëmë pas ato çka thuhen në media. Ti vetë me veten tënde, çfarë mendon?

Ana Veizi: Në fakt kam disa fajtorë në mendje. Fajtorë janë personat që dhanë urdhrin të qëllonin. Dhe fajtorë janë personat që qëlluan.

 

Ana Veizi duke folur për DITA

Ana Veizi duke folur për DITA

Mira Kazhani: Kush e dha urdhrin sipas teje? Përtej atyre që thuhen në media. Ti me veten tënde çfarë mendon?

Ana Veizi: Shumë persona kanë folur fjalë të ndryshme. Shumë njerëz thonë që ishte personi që ishte në pushtet, të tjerë thonë për kryetarin e policisë (ashtu quan kreun e Gardës). Nuk e di, nuk jam shumë e qartë në këtë pjesë, por më mjafton thjesht mendimi për personin që e qëlloi, atë e kam të qartë! Sepse kur e mendoj se urdhri mund të jetë dhënë për të qëlluar mbi persona… mund të jetë dhënë për të qëlluar në ajër.. dhe ajo ideja që mund të bënin çdo gjë me këdo, sesi më vjen….

 

Mira Kazhani: Nëse do përballeshe me njërin nga fajtorët, si do reagoje? Mund të ndodhë. Jeta është e gjatë dhe Shqipëria është e vogël…

Ana Veizi: Nuk e di si do reagoja, por e sigurt që nuk do ishte diçka pozitive.

 

Mira Kazhani: Po sikur babi të ishte gjallë. Duke parë këtë që ndodhi e ndodh me politikën në Shqipëri, do ta pengoje të shkonte në protesta?

Ana Veizi: Po. Me këtë që po ndodh, kam kuptuar se çdokush që është në pushtet mendon vetëm për veten e tij dhe jo për qytetarët dhe për arsyet pse ata ju shkojnë pas… Do ta ndaloja (psherëtin)!

 

Mira Kazhani: E mendon politikën? Psh, të pëlqen të bëhesh politikane? Ndoshta të përfshihesh një ditë.

Ana Veizi: Dëshira ime është të studioj në drejtësi, për arsye se nuk dua që si jam unë tani, të përfundojnë dhe shumë fëmijë të tjerë. Besoj që politika nuk do përfshihet në qëllimet e mia.

 

Mira Kazhani: Por ama, siç e the dhe vetë, politika e ka në dorë të bëjë drejtësi ose jo.

Ana Veizi: Thashë që këtë drejtësi e pres nga politika, sepse për arsye politike ndodhi. Ndodhi për politikë dhe mendoj se politika duhet t’i japë zgjidhje. Ajo duhet të bëjë hapa në këtë drejtim.

 

Mira Kazhani: Thjesht mendova se duke qenë në politikë, mbase i gjendet zgjidhja jo duke qenë një avokate, juriste, gjyqtare e ndershme!

Ana Veizi: Jo, nuk e mendoj politikën. Të jesh pjesë e saj do të thotë të bëhesh pjesë e këtyre lojërave. Nuk dua! Sepse mund të jem unë që ta mendoj mire, por ke shumë të tjerë kundër e nuk të lënë.

 

Mira Kazhani: Ke ndonjë politikan që të pëlqen?

Ana Veizi: Kam disa. Me ministrin Sajmir Tahiri kam biseduar dhe më ka qëndruar pranë duke më ofruar mbështetje. Më ka thënë, për çfarëdo që të kem nevojë… Deputetja Arta Dade, Mimi Kodheli. Unë u jam mirënjohëse që sado që nuk po ndodh asgjë, ata janë treguar të mirë me mua. E di që mbështetjen e tyre e kam dhe e di që nuk do më lënë vetëm.

 

Mira Kazhani: E ke ndarë mendjen, do studiosh në Drejtësi. Në Shqipëri apo jashtë do doje?

Ana Veizi: Shkollën e mesme do e bëj këtu, sigurisht, por do më pëlqente që studimet universitare t’i bëja ose në Gjermani, ose në Zvicër. Atje më kanë thënë që ka shkolla të mira për Drejtësinë.

 

Mira Kazhani: Në kolegjin ku je ti, ke fituar një bursë. Ja ke dalë vetë apo të kanë ndihmuar?

Ana Veizi: Jo, fillimisht më kanë ndihmuar. Por tani studioj vetë që të mbaj bursën.

 

Mira Kazhani: Në cilën lëndë shkëlqen Ana?

Ana Veizi: Lënda ime e preferuar është Letërsia. Është bota ime.

 

Mira Kazhani: Po me letërsinë mund të bëhesh edhe gazetare shumë e mirë. Apo nuk të pëlqen gazetaria… Meqë ra fjala, si të duken gazetarët dhe media në mënyrën si e kanë ndjekur 21 janarin?

Ana Veizi: Mendoj që gazetarët kanë qenë të përqëndruar te rasti. Hera-herës kam vënë re teprime, por në përgjithësi ata janë treguar këmbëngulës.

 

Mira Kazhani: Babi yt ishte një hero?

Ana Veizi: Babi im është hero!

 

Mira Kazhani: Çfarë të mungon më shumë?

Ana Veizi: Më mungojnë këshillat e tij. Në çdo hap që bëja, kisha një fjali që më shoqëronte.

 

Mira Kazhani: Por ai jeton. Jeton me këshillat e tij. Psh do më thuash një nga ato më të çmuarat…?

Ana Veizi: Askush nuk i meriton lotët e tu. prandaj vazhdo buzëqesh gjithmonë.

 

Mira Kazhani: Por ti nuk e ndjek shumë këtë këshillë. Qesh shumë pak. Kur të takova, u përlota, në foto të kujtojmë me lotin në sy.

Ana Veizi: Gjithsesi, sa herë e kujtoj, qesh.

 

Mira Kazhani: Si e kalon kohën e lirë?

Ana Veizi: Merrem me sport, ndonjëherë shkoj në librari. Dal me shoqërinë. Nuk jam asnjëherë vetëm dhe kjo më inkurajon.

Mira Kazhani: Më the në fillim të bisedës, që nuk do marrësh pjesë në homazhet e 21 Janarit. Po ku do shkosh atë ditë?

Ana Veizi: Besoj se do të jem në Gjirokastër, tek varri i babit.

 

Mira Kazhani: E di që nuk ke një lajm të mirë për të, por çfarë do urosh atë ditë?

Ana Veizi: Do lutesha që një ditë të shkoja duke buzëqeshur tek ai varr, për drejtësinë që do jetë vënë në vend.

Nga Mira Kazhani January 21, 2015 00:36
Komento

6 Komente

  1. preng pjetri January 21, 03:23

    heshtje heshtje mos ndofta nenqeshje..! Fleni ju zoteri te drejtesis mbi dosjet e merzis….

    Reply to this comment
  2. DRENICA E KUQE January 21, 08:31

    Berisha ne burg!…

    DRENICA E KUQE

    Reply to this comment
  3. drejtesi January 21, 09:11

    Shqiperia ka kaluar shum pushtus ne historin e saj Por pushtus me i ndyr dhe me i pa bes ka qen Sali Berisha .Per popullin ton aij ka qen fatkeqsi dhe humbje kohe me kete njeri i pa bes ,spiun .tralltar .psikopat .Ky njeri cfar do denimi qe te mari sikur dhe me pushkatim esht shum pak si pika uj ne mes te nje oqeani me ato deme qe i ka sjell popullit ton .Prandaj aij esht shum e veshtir qe te denohet per arsye qe aji i ka pergjuar cdo njeri dhe ju a di sekretet cdo njeriut dhe me keto ky sali berisha ju ben presjon qe mos ta cojn ne burg po aron nje gje se aji mund dhe mos te denohet po femit e tij da ta pagojn shum keq bashk me lirin se tani jan ne brojtje te sali serbit familja e tij dhe nuk kapet me dor po ata nuk do shpetojn na hakmarja e njezeve qe saliu ju ka ber keq ose i ka vrar kjo esht shum e sigurt se istorikisht keshtu ka dollur me kriminelat qe kan qen ne pushtet cdo gje e ka pagur familja e diktatorit

    Reply to this comment
  4. AI... January 21, 14:04

    NUK KA DREJTESI SE RAMA BERI MARREVESHJE ME DJALLIN,ME METEN.GJITHE KAUZA E 21 JANARIT BIJE ME FIRMEN E 1 PRILLIT.RAMA E SHITI DHE SHKELI MBI GJAKUN E TE PAFAJSHMEVE.EDHE KJO DOSJE,SI TE TJERAT DO TI MBETET LIBRAVE HISTORIKE.

    Reply to this comment
  5. Tomorri January 21, 16:58

    Shoke e shoqe te kopese se saliereve: Gospodin Berishoviçi duhet mbrojtur sepse eshte kreu i kopese tone.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Click here to cancel reply.

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*