21 janari dhe përralla me rikoshetë

Ilir Metaj January 11, 2015 11:11

21 janari dhe përralla me rikoshetë

Janar 2015 / Shikoj kalendarin e vogël mbi tavolinë dhe mundohem të kujtoj datat e shënuara të vitit të ri, ndonjë ditëlindje, përvjetor, feste, vizite për tu bërë ( si shqiptar i mirë që jam )…

Por, ndërkohe që zhbiroj kalendarin, ngec tek muaji janar dhe instiktivisht numri 21 i tij më duket si i shkruar më fort se numrat e tjerë. Më duket “bold”. Shumë më i zi. Sterrë i zi.

Ka 4 vjet që rri aty çdo fillimviti si një prelud i dhimbshëm që ndjell veç dhimbje . Ky numër i zi i muajit janar do të zbehej disi nga kalendarët tanë sikur drejtësia të vendoset më në fund. Të lehtësonte shpirtrat tanë me peshoren e hekurt të supozuar në duart e saj.

Po drejtesia jonë nuk i ka nxjerrë ende duart nga xhepat e thellë për të balancuar atë peshore që ka ngecur e anuar për të keqen e ketij vendi. E në këtë anim theqafjeje, ajo nuk mund të prodhojë drejtësi, nga ai lloj që si melhem shërues do e zbehte disi 21 janarin – sterrë të zi. Në këtë theqafje ajo mund të prodhojë vetëm “fiction” me eksperte, si ai i vendimit të procesit dy vite pas 21 janarit të mallkuar; “plumb i paqëllimshëm që përplaset rikoshetë në një peme dhe më pas godet rastësisht protestuesin”.

Fiction-përrallë me ekspertë që do e kishte zili edhe Walt Disney

Kisha shpresuar një version ndryshe në këtë katër vjetor. Por në ekranin e TV-se shoh gruan me të zeza të Aleks Nikës që ka drejtuar sytë mbi ndërkombëtarët, si e vetmja shpresë për drejtësi.

Rreken t’ia kërkojnë Europës tashmë, sepse në Shqipëri drejtësia ka kohë që është larguar në drejtim të paditur… Në vend të drejtësisë ka mbetur vetëm eksperti që është ulur këmbëkryq mbi pjatën e peshores e nuk e lë atë të ngrihet.

Derisa drejtësia të nxjerrë duart nga xhepat ai do të rrijë i rehatuar aty, plumb mbi peshore. Ndërsa drejtësia e Aleks Nikës do qëndrojë pezull në ajër, në pritje të një dorë që do të ndreqë balancën. Deri atëhere, ne do të ripërtypim fantazinë e vjetër me ekspert, si një përrallë me baloza të zinj…. Ju kujtohet?

…………………………………………….

Eksperti është në hall. Eksperti nuk gjen rrugëdalje. Eksperti… Kush është ekspert, xhanëm? Unë nuk jam ekspert… U duk sikur e gjeti shpëtimin. Por jo, ai përballë tund kokën cinik e i thotë: Nuk je ekspert?! Po atëhere, çfare dreqin je, pse je këtu ?!

Dhe Eksperti mbeti në hall. Nuk ka dalje nga ky hall, ka vetëm zhytje më thellë hallit… Thirri në ndihmë fantazinë, (e cila ç’është e vërteta nuk i ishte përgjigjur asnjë herë më parë). Por tani duhet se s’bën. “Hajde, -i tha vetes, – përqëndrohu, sforcohu e marrtë djalli ! Le të përfytyrojmë një skenar dhe pastaj ta hedhim në letër”… Anon kokën mbrapa dhe mbyll sytë. Djersë të ftohta e mbulojnë. E con mendjen mbrapsh, sugjestionohet, ngadalëson sekuencat, fotografon surrealen. Ja çfarë del….

21 janar 2011, mbrëmje.

Pavarësisht se është janar, plumbi gati-gati po plas vape brenda krehërit, ajri sa vjen e bëhet më i nxehtë aty, i zë frymën… Nuk duron më, lëviz përpara dhe, pas një dialogu të shkurtër (por urdhërues ), e bind këmbezën të shkrepet vetë. Ja tek lëshohet më në fund në ajrin e ftohtë të mbrëmjes së janarit, i lirë, i freskët, i fuqishëm, fishkëllues… Për ku? E ç’rëndësi ka për ku? E ka veten në dorë të zgjedhë

Papritur dëgjon ta thërrasin. Një zë melodioz, fëshfëritës, tundues….Pema përballë ka ngritur dorën-lëvozhgë lozonjare dhe kërkon autostop. Hmmm, jo e keqe kjo pema… Pse jo? Një frenim i vrullshëm dhe ndalon përpara saj. Përkulet me finesë si një gentelplumb i vërtetë. Nxehtësia e buzëve të tij përfshin lozonjaren e flashkët teksa matej të pëshpëriste “oh, sa romantik”. Dhe e merr me vehte. Për ku? E c’rëndësi ka. “Sot do prekim lumturinë”, është mendimi i fundit që e gudulis.

Nisën fluturimthi rikoshet. Ai i nxehtë si ferri, ajo e freskët si parajsa.

“Take me down to the paradise city

Where the grass is green and the girls are pretty..” Guns N’Roses

(“Me merr me vete në qytetin e parajsës

Ku bari është jeshil dhe vajzat te mrekullueshme…”)

Po nuk e mbaron dot vargun. Diku përplaset gabimisht. Drita shuhet. Mish i fortë… det i kuq. Një njeri i del përpara dhe ja ndërpret atë pa mëshirë. Madje, i ndalon të dy, sëbashku me lëvozhgën e vogël, pa i lënë të fluturojnë në krahët e ëndrrës. Ç’kërkoi ky njeri që u zuri rrugën?! Ç’pati vallë që i ndërpreu romancën e jetës ?!

Eksperti hapi sytë i kënaqur. Këtë herë fantazia nuk e la në baltë. I ngazëllyer, i tha vetes se nëse një ditë do ta pushonin nga puna, mund të bëhej fare mirë shkrimtar i përrallave për fëmijët në djep. Po në djep ama, se po ishte mbi një vjec mund të fillojnë nga pyetjet. Dhe pyetjet nuk dihet se ku të cojnë rikoshet…


* Sipas ekspertit t
ë avokatit të gardistit, plumbi i dalë pa qëllim të keq nga arma, u përplas tek një pemë dhe pasi mori me vete një copë lëvozhgë shkoi rikoshet mbi protestuesin…

……………………………………………………

Humor i zi ? Mbase. Po çfarë shkon më shumë në këtë prag 21 janar ?!

Ilir Metaj January 11, 2015 11:11
Komento

7 Komente

  1. gita January 11, 11:17

    renqethese. vertete humor i zi. per nje realitet akoma me te zi. i harruan rilindasit . haruan gjakun e derdhur nga dora e sali kriminelit qe nuk u mjaftua qe i vrau njehere per se gjalli po edhe i talli ne gjyq per se vdekuri. tallu sali tallu akoma. te drejte ke.

    Reply to this comment
  2. Evis January 11, 11:22

    Keni stil te shkruari shume te vecante Ilir. Te le gjithmone mbresa.

    Reply to this comment
  3. info analitike January 11, 14:06

    Nuk ka nevoje per ekspert o Ilir per te kuptuar se kush jane shkaktaret e 21 janarit. Me kete insistim per te sulmuar vetem Berishen, duke lene qellimisht ne hije Ramen dhe Meten po e ktheni 21 janarin ne barcalete. Mjaft i perdoret ata 4 te gjore per interesa politike, lerini te qete sepse ju nuk doni drejtesi por nje pretekst per te sulmuar politikisht opoziten. Perndryshe nder fajtoret duhet rreshtoni pervec Berishes edhe Ramen me Meten, por me sa duket ju nuk do ta beni kurre kete sepse Rama e shfrytezoi si kapital politik per te zene kolltukun dhe nuk i intereson te vazhdoje me tej.
    Mos u lodhni te beni hartime gjimnazistesh per 21 janarin sepse vete menyra se si u organizua dhe u nxit, synonte pikerisht krijimin e nje situate per tu shfrytezuar kunder Berishes e per ti zene atij vendin. Nje loje e ndyre per pushtet ku fatkeqesisht 4 vete e paguan me jete cmendurine e Rames, i cili me pafytyresine me te madhe beri aleance pikerisht me personin qe u be shkak i asaj proteste.
    Nuk ka tallje me te madhe me protestuesit e 21 janarit se te shohin ne krye te Kuvendit Ilir Meten dhe ne krye te ministrise se drejtesise nje njeri te tij.
    Kur do ta hiqni masken e zeze te hipokrizise?
    Ne kete prag janari shkon me mire heshtja e politikes dhe e perfaqesuesve te saj!

    Reply to this comment
    • N.VJOSA January 11, 15:33

      TUNXH,…or BIR…!
      -Ne vend te Komentit –

      Me syte nga dera,
      Femijt e Aleksit presin,
      Presin femijt e Ziverit,
      Te vije Babai e ti perqafoje…
      Po troket prape ,
      Tek dera 21 Janari,
      Dhe prape dera s’hapet…
      E prape Babi do mungoje…

      97-te e Zeze,
      Me mijera te vrare,
      Hiroshim’ e Gerdecit,
      Ku gjaku akoma nuk eshte thare….
      Kosta Trebicka nuk kthehet me,
      Se e derguan per “gjah”…
      Remziu qe u vra ,
      E pa Varr u la….

      Fatmiri qe dha shpirt,
      Tek pragu i shtepise,
      Haklajt dhe Kulla e gurte,
      Qe u shua…
      Oh sa shume
      Keta martire te Demokracise,
      Oh sa shume martire,
      Të nje Populli Fukara!…

      Do perloten prape
      Syt e bukur te Anes,
      Se Babi prape do mungoje,
      Do i mungoje gruas burri,
      Djalit babai qe as varrin si di….
      Do mungoje,
      Ky ish Fati i tij i Zi…
      Por Drejtesia,
      Së paku le ti ngushelloje,
      Dhe Perbindshi Vrastar,
      Te mbyllet ne Qeli…

      Pushtetaret pertypen,
      Te dhjamosur dhe qeshin hazdisur,
      Fjale,premtime, grindje,
      Dhe pune pa bitisur…
      Genjeshtrat i kane
      si ujin e Detit
      E gjumi i zë,
      Mbi Torten 64 m2 te Pushtetit…

      Perpiqet Ed Rama
      Te beje drejtesi,
      Por rrugen ja pret
      President Sakati,
      (Kapteri qe as breket nuk ngre,
      Pa Balozin e Zi)
      A thua 21 Janari,
      Kaq e pati?!…
      Gjah’ i Fukaras destinuar qenka,
      Të behet fli?!….

      Tunxh,…or Bir…
      Nje zë si Termet therret,
      Nga Shkodra gjer ne Vlore…
      Bjeru …Kembanave dhe dil e fol,
      Zgjohu Sovran,
      E kerko Drejtesi e Shtet,
      Bjeru Kembanave,….
      Nga Vermoshi gjer ne Konispol!…

      Reply to this comment
  4. gjermani i fundit January 11, 16:37

    Sa here ndodh qe ceshtjet e medha falimentojne per nje difekt pambarimisht te vogel. Fjala i mbetet”ekspertit” qe .nga frika apo padija,apo dhe per hir te miqesise ose bakshishit mund te mbroje versionin e tij te plumbit te devijuar(rikoshete).Por keshtu jane ceshtjet gjyqesore, gjersa pala e demtuar nuk sjell elementet qe e kundershtojne.Per mua duket e pamundur qe ashkla ta shoqeroje plumbin duke kundershtuar forcen centrifuge te plumbit, nuk ka fizikan ne bote qe ta rrezoje kete perfundim.

    Reply to this comment
  5. miri January 11, 19:30

    Ilir,shkrim i mire.Por,ne shqipetaret duhet te kuptojme qeSali Berisha erdhi me nje misjon ne pushtet te shkaterroje themelet e strukturen e shoqerise shqipetare.Ai nxori slloganin LIRI E PA KUFIZUAR.Pra na ktheu ne komunitetin primitiv.Pra vidh cfare te duash zbrit nga fshati dhe zur toke ku te duash vra ke te duash shaj ke te duash edhe prinderit edhe vellane edhe motren pi cfare te duash ben sex me ke te duash edhe me nenen edhe me motren mos shko ne shkolle se ajo eshte per budallejte ,shko vetem ne disko dhe luaj kumar,ushqeu me pensionin e prinderve .PER kete ka ivestuar SERBI DHE GREKU .DHe ja ku jemi.Cfare do te kishte gjare ne se ne gjermani do vidheshin 240 miljone europre nje rruge do kishte gjare Gerdeci apo 21janari apo do shitej nje pjese e GJermanise .Ai qe mron KREMINELIN eshte kreminel Keta jemi ne qe pranojme keto pa drejtesi.

    Reply to this comment
  6. eri January 11, 21:02

    Kater protestuesit e 21 janarit, viktima te krimit makaber, te vrasjes me te pergjakshme te shekullit,nga Qeverija, barbare e Sli Berishes e L.Bashes ne mese te bulevardit krejt ne menyre te pafajshme,por hakmarrese, vtem hakmarrese .Te vrasesh njerez si vrasjet terroristeve ne France ,,ka nje ndryshim,se ajo vrasje u denua nga opinjoni botrore ,kurse kjo e 21 janarit 2011 ne Shqiperi nuk u vlersua perse , keta nuke jane njerez ???…u manipuluan provat ne menyre te shemtuar.Saliu, ky vrases shetit i lire, e shjon jeten i lumtur me femijte tije. Kurse viktimat e tije kalben ne toke, femijet e tyre jne jetime , jetojne ne mjerim te thelle,kjo eshte shoqri qe thuhet se jemi njerez ,mandeje jemi shoqri “moderne “ne fakt kjo eshte kafsheri,ky eshte emir reale. Kjo eshte drejtesia Prokurori+gjykata ,kjo kalbesia ne zemer te popullit ,qe po na kalbe tere Shqiprine.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*