Berisha si rrezik për shqiptarët dhe ndërkombëtarët

Nga BLEDAR H.PRIFTI February 25, 2013 16:04

Berisha si rrezik për shqiptarët dhe ndërkombëtarët

Sali Berisha nuk është vetëm problem i Shqiptarëve. Tashmë ai është shndërruar në një problem kryesor edhe i Bashkimit Europian (BE) dhe Shteteve të Bashkuara (SHBA). Sot Berisha konsiderohet si rreziku numër një i interesave rajonale të Shqipërisë, BE, dhe SHBA. Për këtë arsye, si BE ashtu edhe SHBA, brenda një kohë shumë të shkurtër, vendosën të izolonin
qeverinë e Tiranës në një tentativë për të reduktuar në maksimum pasojat negative të retorikës nacionaliste. Vizitat dhe mesazhet politike e Zëvendësndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Philip Reeker, dhe e Ministrit të Jashtëm i Sllovakisë, Mirosllav Lajçak, tregojnë më së miri seriozitetin dhe rrezikshmërinë që paraqet politikani Sali Berisha dhe propaganda e tij nacionaliste. Ndërsa BE dhe SHBA janë tejet të predispozuar ta izolojnë me cdo kusht Sali Berishën, Shqiptarëve iu ngelet barra kryesore për ta delegjitimuar dhe larguar nga pushteti këtë satrap i cili për interesat e tij politike është i gatshëm të sakrifikojë jetë shqiptarësh, sigurinë kombëtare të Shqipërisë dhe të ardhmen e shtetit të ri të Kosovës.

Por a është nacionalist Sali Berisha? Që dikush të jetë nacionalist, dikushi duhet të jetë pikë së pari një patriot, një njëri që ta dojë atdheun dhe bashkatdhetarët e tij dhe të punojë me mish e shpirt për ta begatuar atë. Ndaj, më sakt mund të pyesim: A është patriot Sali Berisha? A mund të konsiderohet patriot Sali Berisha në një kohë kur ai në mënyrë sistematike furnizonte me karburant makinën e luftës anti-kosovare të Milloshevicit? A mund të quhet patriot Sali Berisha në një kohë kur ai në mënyrë sistematike sabotonte veprimtarinë dhe persekutonte pjestarët e UCK-së, përfshirë këtu edhe heroin legjendar Adem Jasharin? A mund të quhet patriot Sali Berisha në një kohë kur ai kundërshtonte publikisht Marveshjen e Rambujesë, marveshje e cila i siguroi Kosovës rrugën drejt pavarësisë? A mund të konsiderohet patriot Sali Berisha në një kohë kur ky njëri për interesat e tij politike vrau mijëra shqiptarë të pafajshëm dhe shkatërroi nga themelet ekonominë dhe shtetin shqiptarë në vitin 1997? A mund të konsiderohet patriot Sali Berisha në një kohë kur në “rrugën e kombit” mund të lëvizin lirshëm miqt e Fazllicit por jo tregtarët e Kosovës?

A mund të konsiderohet patriot Sali Berisha në një kohë kur Gërdecarët i masakroi, protestuesit e pafajshëm i egzekutoi sikur të ishin armiq, dhe të përndjekurit politik në grevën e urisë i degjeneroi deri në atë pikë sa ata i vunë flakën vetes? A mund të quhet patriot Sali Berisha në një kohë kur ai është i gatshëm të dialogojë dhe negociojë më Greqin sovranitetin
tonë territorial por nuk është i gatshëm të dialogojë dhe negociojë me Shqiptarët e tij? A mund të quhet patriot Sali Berisha në një kohë kur Shqipërinë e ka vënë në shitje për një euro tek klanet mafioze të familjes? A mund të quhet patriot Sali Berisha në një kohë kur në kulmin e bisedimeve Kosovë-Serbi ai befas promovon një retorikë nacionaliste të paparë më parë? A mos vallë është retorika nacionaliste e sotme një deja vu e qëndrimit berishian mbi Marveshjen e Rambujesë? Dhe së fundi, sa është probabiliteti që të gjitha ndodhitë e mësipërme të jenë fryt i rastësisë? Sa është probabiliteti që Sali Berisha mund të jetë patriot ose që mund të jetë një  politikan i papërgjegjshëm apo i djallëzuar?

Personalisht mendoj se në variantin më të mirë, Sali Berisha është një politikan i sëmurë dhe i papërgjegjshëm, kurse në variantin më të keq, ai është një politikan i djallëzuar dhe vetdijshëm për pasojat që kanë politikat e tij në lidhje me interesat kombëtare. Një gjë është e sigurt: Sali Berisha nuk ka as lidhjen më të vogël me patriotizmin ose nacionalizmin. Ai është i lidhur vetëm me pushtetin absolut, me atë pushtet për të cilin ai është i gatshëm të cnderojë, vrasë dhe vjedh Shqiptarët dhe të shkatërrojë aleancat strategjike që lidhen direkt me sigurinë kombëtare dhe të ardhmen e Kosovës. Jam i bindur se BE dhe SHBA i kanë marrë masat për të mbrojtur interesat e tyre në rajon, dhe izolimi i Berishës dhe heqja e cdo lloj legjitimiteti në arenën ndërkombëtare është hapi i tyre i parë në këtë proces. Por rreziku do të jetë ngahera prezent derisa Berisha të gëzojë pushtet dhe legjitimitet në politikën shqiptare.

Në këtë situatë, interesat e Shqipërisë, BE, dhe SHBA konvergojnë në një pikë të rëndësishme: në domosdoshmërinë për të larguar nga pushteti dhe skena politike Sali Berishën, domosdoshmëria për ta zhveshur nga cdo lloj pushteti dhe legjitimiteti këtë specie politike të paparashikueshme, të pabesë, dhe barbare. BE dhe SHBA kërkojnë një partner shqiptar të besueshëm, të qëndryeshëm, dhe patriot në aspektin që dëshirat personale për pushtet kurrë të mos cënojnë interesat e përbashkëta strategjike në rajon. Pushteti personal kurrë nuk mund të shihet nga Perëndimorët si një justifikim për kërcënimin e interesave të përbashkëta. Deklarata e kreut të grupit parlamentar të majtë në Parlamentin Europian, Hans Svoboda, se Sali Berisha duhet të largohet nga pushteti nuk është e rastësishme por rrezultat i një konsensensusi të gjërë
brënda diplomacisë Perëndimore. Delegjitimimi ndërkombëtar i Berishës duhet të shihet si zhvillim i rëndësishëm të cilin opozita socialiste duhet ta përdori për të inkurajuar votuesit dhe për të rritur mbështetjen popullore për largimin përfundmtar të tij nga pushteti dhe politika. Delegjitimimi ndërkombëtar i Berishës duhet të pasohet nga delegjitimimi kombëtar dhe shndërrimi i tij në një dordolec të politikës shqiptare.

 

Nga BLEDAR H.PRIFTI February 25, 2013 16:04
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*