Dy analiza pro dhe kundër për reformën në Arsimin e Lartë (FUGA vs TARIFA)

July 20, 2015 22:45

Dy analiza pro dhe kundër për reformën në Arsimin e Lartë (FUGA vs TARIFA)

Frikë nga marrëzia e madhështisë

Pak ditë më parë, në një postim në Facebook, Prof. Artan Fuga, një nga ithtarët më të flaktë kundër projektligjit për arsimin e lartë, arsyetonte pse është kundër këtij projektligji. Konkretisht, Fuga shkruante:

 Nga Prof. Artan Fuga

Nuk është ndonjë meritë të aprovosh një projektligj për arsimin e lartë duke përfituar nga fakti rastësor dhe i përkohshëm se ke pushtetin në dorë në një komision parlamentar dhe ke shumicën atje.

Mua më vjen vetëm keq për ata deputetë që ndryshe flasin kur janë në një lloj intimiteti personal miqsh dhe kolegësh dhe ndryshe votojnë apo flasin kur vjen çasti i vendimit.

Poqese këta të fundit do të kishin votuar në përputhje me mendimet e tyre të trembura, shumica do të ishte ndryshe në atë komision. Dhuna është ushtruar më së pari ndaj tyre.

Por, unë i mirëkuptoj, në fakt statusi i deputetit nuk është fatkeqësisht veçse një emër në listën qe vendos partia, ndonëse është vështirë të dish se çfarë është një parti sot. Partia të flak në kosh nëse e mërzit…

Të nxirrja emrat e atyre deputeteve që thonë një mijë e një kritika ndaj projektligjit që votuan të bindur si ushtarë në komision do të përbente një skandal.

Artan Fuga

Unë nuk do ta bej këtë në çastin e tanishëm sepse i respektoj dhe nuk e tradhëtoj mirebesimin e tyre. Duhet falur ai që është i dobët. Shpresa mbetet që një ditë dinjiteti i humbur do të kerkojë ta ngrejë kokën.

Por e di që ata ziejnë përbrenda sepse i kanë keqperdorur, ose sikurse thoshte me të drejte, z. Bashkim Fino, i kanë bërë budallenj për disa interesa që luhen pas kurrizit të studenteve dhe familjeve të tyre.

Numri nuk është kriter i së vërtetës, shpesh është e kundërta, shumica e errësuar nga forca e numrit bie në gabime njërit pas tjetrit.

Unë kam frikë sinqerisht nga marrëzia e madhështisë, sikurse shprehej Erazmi i Roterdamit.

Një perversitet nuk bëhet vlerë nga fakti se në një dhomë ka me shumë nga ata që detyrohen t’i thonë derrit dajë, sesa nga ata që e dallojnë derrin nga daja dhe dajën nga derri.

Intelektuali është mësuar të luftojë vetëm ose në pakicë ose të jetojë me humbjen që nuk ja lëkund as një fije idenë e së vërtetës. Merr kënaqësi nga humbja dhe moskuptimi që i bën pushteti politik, i parasë, apo autoriteti pa argumente.

Duket sikur është gjëja më e lehtë për t’a bërë të dhunosh mendimin intelektual. Duket sikur është gjeja më e lehtë që logjikën ta zëvendësosh me forcën. Nuk kam pasur kurrë asnjë iluzion për këtë.

Por filozofia dhe historia, morali, më kanë bërë të patundur në bindjen që logjika në fund fiton mbi dhunën,

Pasojat e projektligjit mbi arsimin e lartë do t’i vuajë mbi supe shoqëria, kombi, rinia, familja shqiptare që do të paguajnë për të blerë letra pa vlerë, paguar sa qimet e kokës, dhe bota shqipare që do të vazhdojë të zhytet thellë e më thellë në errësirën e padijes dhe të manipulimit ideologjik.

Politika në atë komision e mundi shkencën me forcën e dhunës ligjore.Ajo vërtetoi edhe një herë tjetër se vullneti politik dhe e vërteta nuk është kollaj të bejne shkesi. Kjo dihet.

E pastaj ??? Shkenca u duk se është mundur edhe atëhere kur i imponuan që të pohonte se ishte Dielli që rrotullohej rreth Tokës.

Por fundi dihet.

************

Marrëzia e madhështisë dhe frika nga e vërteta

(Përgjigje për shkrimin e z. Fuga “Frikë nga marrëzia e madhështisë”)

 

Nga Prof. Dr. Fatos Tarifa

Sot Kuvendi i Shqipërisë do të votojë projektligjin për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor. Ky projektligj, siç dihet, është hartuar mbi bazën e një platforme të gjerë e të detajuar, të përpunuar nga një grup profesorësh shqiptarë të universiteteve tona shtetërore e private. Ai është diskutuar gjerësisht në qarqet akademike të vendit dhe nga aktorë të interesuar, si dhe është konsultuar me ekspertë europianë të arsimit të lartë. Projektligji në fjalë ka disa muaj që diskutohet në Kuvend nga komisionet përkatëse. Në këto komisione janë ftuar të shprehin vlerësimet dhe sugjerimet e tyre mjaft drejtues universitetesh dhe, sidomos, përfaqësues të asaj pjese të profesoratit shqiptar që e ka kundërshtuar dhe e kundërshton këtë projektligj. Ndër ta bën pjesë edhe kolegu im, Prof. Artan Fuga.

Qysh një vit e gjysmë më parë, kur u publikua drafti fillestar i strategjisë për reformimin e arsimit të lartë, i cili shërbeu si bazë për hartimin e projektligjit në fjalë, z. Fuga ka qenë në krye të një grupi të vogël pedagogësh të Universitetit të Tiranës, i quajtur “Forumi për Liri Akademike”, që e kanë kundërshtuar atë. Ai s’ka lënë mënyrë dhe media (nga facebook-u, te gazetat dhe emisionet televizive) pa shprehur zemëratën, panikun dhe kundërshtimin e tij ndaj këtij projektligji, pa përgojuar e fyer personalitete të nderuara të kulturës e të jetës sonë akademike e publike, pa dezinformuar opinionin publik mbi motivet e vërteta të hartimit të këtij legjislacioni, pa shpifur e anatemuar qeverinë dhe atë ekip profesorësh që u morën me hartimin e tij. Shumë herë këto shpifje kanë qenë e janë absurde e qesharake për çdo njeri me dy para mend në kokë.

Fatos Tarifa

Disa nga argumentet kundërshtuese të z. Fuga ndaj projektligjit dhe reformës së arsimit të lartë, të shprehura publikisht prej tij, kanë qenë e janë këto: ligji i ri për arsimin e lartë, nëse projekti i tij miratohet, do t’i investojë fondet publike për arsimin e lartë tek universitet private; me sistemin e ri, studentët e varfër do të bëhen më të varfër, ndërsa të pasurit më të pasur; sistemi i ri do i detyrojë ata që s’kanë lekë t’i lënë përgjysmë studimet, ndërsa masterat dhe profesionet e mira do të jenë për ata që kanë mamin të pasur, ose babin pilot në Divjakë; me këtë reformë synohet të rikthehen në universitetet shqiptare “komisarët” e dikurshëm, çka do e bënte Shqipërinë një vend si Korea e Veriut, e të tjera marrëzi si këto.

Pasi z. Fuga dhe ata pak pedagogë të Universitetit të Tiranës që i kanë shkuar e i shkojnë pas në këtë përpjekje për ta penguar reformimin e sistemit tonë universitar i humbën të gjitha betejat akademike, publike e mediatike, ai provoi këto ditë një taktikë tjetër, atë të shantazhit ndaj anëtarëve të Kuvendit të Shqipërisë, të cilët sot do të votojnë projektligjin për arsimin e lartë. Ndryshe nga shumë prej miqve të mi, të cilët qëndrimi i fundit i Fugës i habiti edhe më shumë se deri më sot, për mua qëndrimi i tij nuk është aspak i papritur. Unë prisja, në fakt, që z. Fuga të reagonte në atë mënyrë, ose në një mënyrë të ngjashme. Nuk di të them nëse përsiatjet e fundit të z. Fuga janë ose jo pjesë e atij “food for thought” që ai u ofron me shumë zell ndjekësve të tij në Facebook; unë i lexova ato në gazetënRilindja Demokratike, nën titullin “Frikë nga marrëzia e madhështisë”. As nuk kuptoj se çfarë e lidh titullin e këtij shkrimi të z. Fuga me veprën e famshme të Erazmit të Roterdamit Marrëzia e madhështisë, së cilës ai i referohet fare pa vend. Kjo njëfarë “marrëzie” e njëfarë “madhështie” duket se është thjesht një “lidhje e shkurtër” në mendjen e z. Fuga, por s’ka të bëjë aspak me idetë e filozofit të madh humanist. Shkrimi në fjalë i z. Fuga përbën një tjetër rast tipik se deri ku mund të shkojnë mendimi dhe sjellja e një njeriu që, siç thotë ai vetë, përpiqet “të çlirohet nga egomania”. Duket se z. Fuga vuan nga një “delir madhështie” dhe, prandaj, e vuan shumë mospërfilljen ndaj “madhështisë” së tij.

Fuga është i dëshpëruar pa masë dhe i frustruar nga që anëtarët e Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, si dhe ata të Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, e kanë miratuar tashmë në parim projektligjin për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor, duke i hapur rrugë shqyrtimit dhe, eventualisht, miratimit të tij në seancën e sotme plenare në Kuvend. I dështuar në të gjitha përçapjet dhe përçartjet e tij për ta penguar këtë ditë, z. Fuga, siç thashë më sipër, provon një taktikë të fundit. Ai bën shantazh mbi anëtarët e Kuvendit (shumë prej të cilëve, sipas tij, “detyrohen t’i thonë derrit dajë”), dhe kërcënon se do t’i bëjë publikë emrat e atyre parlamentarëve, të cilët, edhe pse kanë “një mijë e një kritika ndaj projektligjit”, e votuan atë kundër ndërgjegjes e vullnetit të tyre, “të bindur si ushtarë”. Por, siguron z. Fuga, për shkak se i respekton ata (!) dhe nuk do që ta tradhtojë “mirëbesimin e tyre”, ai “nuk do ta bëj [këtë] në çastin e tanishëm”, por më vonë, kur të mos ketë më respekt për ta, dhe kur të mos ndihet më i detyruar ta respektojë mirëbesimin e tyre. Sepse, argumenton z. Fuga, edhe pse të veshur me pushtet, këta ligjvënës janë të dobët dhe “ai që është i dobët duhet falur”. Zeusi kërcënues zbutet papritur dhe bëhet një Budë që mëshiron e fal të dobëtit.

Artan Fuga mund të ketë të drejtë kur thotë se numri (i votave me të cilat pritet të miratohet sot ky projektligj) nuk është kriter i së vërtetës, dhe se “shpesh është e kundërta”. Por z. Fuga është i palëkundur në një gjë: si intelektual, ai “është mësuar të luftojë vetëm ose në pakicë, ose të jetojë me humbjen që nuk ia lëkund as një fije idenë e së vërtetës”. Idenë e tij mbi të vërtetën, por jo idenë time mbi të vërtetën, dhe as idenë mbi të vërtetën të atyre qindra e mijërave pedagogëve e studentëve shqiptarë që e mbështesin projektligjin që shqyrtohet sot në Kuvend. Z. Fuga shkon deri në atë pikë sa, gati-gati e krahason “dhunën ligjore” në komisionin e Kuvendit të Shqipërisë që mundi “të vërtetën” e tij, me dhunën e Inkuizicionit që iu imponua shkencës për të pohuar se është “Dielli ai që rrotullohej rreth Tokës” dhe jo e kundërta (!). I vetmi krahasim që ka mbetur pa bërë është ai mes z. Fuga dhe të madhit Galilei!

Fuga ndihet i poshtëruar nga fakti që “pushteti politik”, “pushteti i parasë” apo “autoriteti pa argument” e kanë dhunuar “mendimin intelektual” të tij dhe të atyre pak pedagogëve që i shkojnë pas. Në komisionin e Kuvendit të Shqipërisë që miratoi projektligjin për arsimin a lartë, thotë z. Fuga, “politika e mundi shkencën me forcën e dhunës ligjore”. Mundi shkencën e z. Fuga, por jo shkencën time dhe atë të shumë prej kolegëve tanë, as shkencën që dëshirojnë të mësojnë dhjetëra mijëra studentë shqiptarë në universitetet tona.

Sidoqoftë, edhe pse “i dhunuar” e i dëshpëruar, z. Fuga thotë se “filozofia, historia dhe morali” e kanë bërë “të patundur bindjen e tij se logjika në fund fiton mbi dhunën”. Unë do ta mbështesja në këtë pikë sepse ndaj të njëjtën bindje me të, por çështja është se, deri më sot, z. Fuga nuk ka ofruar asnjë argument, që do mund të quhej logjik, mbi reformën e arsimit të lartë, ose mbi këtë projektligj, përpos argumenteve alogjike,ab absurdum, me pilotë kaçatorrësh dhe fëmijë nënash të pasura, me komisarë politikë dhe me fantazmën e një Shqipërie që do i ngjante të vetmit vend komunist të globit në kohën tonë, Koresë së Veriut.

Një “logjikë” e tillë s’ka nevojë të rrëzohet “me dhunë”; ajo është kaq pranë absurdes, sa edhe një njeri më pak i lexuar e më pak i ditur se z. Fuga, me përjashtim, ndoshta, të znj. Topalli, do të refuzonte ta bënte të vetën. Nëse ka nga ata që e mbështesin “logjikën” e tij dhe i shkojnë pas, kjo, për mua, ka këtë shpjegim (që mund të mos jetë i vetmi): Z. Fuga dhe ndjekësit servilë të tij i tremb konkurrenca e ndershme akademike, i trembin dijet dhe aftësitë e brezave më të rinj të studiuesve shqiptarë, sepse ata kanë mbetur shumë prapa këtyre të fundit dhe, për këtë arsye, konkurrenca e dijeve dhe e vlerave, që projektligji për arsimin e lartë e mundëson dhe e inkurajon, i rrezikojnë autoritetin dhe pozitat e tyre. Në frymën dhe sanksionet e këtij ligji të ri, z. Fuga dhe kundërshtarët e tij shohin fundin e “madhështisë” e të rehatisë “akademike” të tyre.

Ka edhe një arsye tjetër që i tremb ata. Prof. Fuga matet me hijen e mëngjesit (që e tregon më të gjatë, lexo: më të ditur se ç’është), ndërsa disa prej individëve që i shkojnë pas, për shkak se nuk krijojnë dot hijen e tyre, as në mëngjes, as në drekë e as në darkë, fshihen pas hijes së të parit. Ëilliam Reich do i quante njerëz të tillë “little men”. Për ta, z. Fuga është profeti dhe, në emër të tyre, Fuga bën orakullin, duke paralajmëruar, nëse Kuvendi e miraton sot këtë projektligj, fundin e arsimit të lartë në Shqipëri. Ai shprehet: “Pasojat e projektligjit mbi arsimin e lartë do t’i vuajë mbi supe shoqëria, kombi, rinia, familja shqiptare që do të paguajnë për të blerë letra pa vlerë… dhe bota shqiptare do të vazhdojë të zhytet thellë e më thellë në errësirën e padijes e të manipulimit ideologjik”.

O tempora o mores! Duke u reformuar, siç parashikohet në këtë projektligj, arsimi i lartë në Shqipëri nuk mund të bëhet më keq se ç’ka qenë, më keq se ç’e kanë bërë shumë nga ata – pedagogë e politikanë – që e kundërshtojnë sot këtë projektligj, më keq se ai sistem arkaik dhe eklektik që vazhdojnë ta mbrojnë Fuga & Co. Duke u reformuar, arsimi i lartë do bëhet gjithnjë e më pak një barrë për shoqërinë, për kombin, për rininë dhe për familjet shqiptare; ai do të prodhojë gjithnjë e më pak diploma pa vlerë, ndër të tjera edhe duke mos lejuar që një profesor i vetëm të “udhëheqë” 30 e ca studentë doktorantë njëherësh, duke prodhuar inflacion e skarcitet.

Projektligji i arsimit të lartë, edhe pse nuk është e s’mund të jetë i përsosur, është shumë më i mirë se çdo ligj që kemi pasur deri më sot. Ki besim, z. Fuga, siç kam unë dhe shumë nga kolegët tanë, se bota shqiptare nuk do të zhytet më thellë në padituri dhe errësirë, as do të manipulohet ideologjikisht si në të kaluarën. Sot jetojmë në një kohë krejt të re. Le t’i shërbejmë asaj dhe brezave të rinj, sepse kjo është koha e tyre! Jo koha jote, z. Fuga, as koha ime.

Ti mund të duash edhe më tej të bësh kritizerin e çdo gjëje, mund të duash të mbetesh e të luftosh i vetëm, siç thua se je mësuar, mund të pëlqesh, madje, të vazhdosh të bësh intelektualin ekzibicionist, që flet për një “Tiranë halé” dhe një “politikë kurvë”, por kjo nuk i shërben askujt – as ty vetë, as studentëve shqiptarë, as shoqërisë sonë. Me aq sa dimë ti dhe unë, dhe me dituritë e përpjekjet e përbashkëta të mijëra të tjerëve, le të themi e të mbështesim jo atë që na intereson neve, si individë, por atë që është e vërtetë dhe e dobishme për një pjesë të madhe të shoqërisë. Le t’i shërbejmë jo egos sonë, por kombit tonë, jo vetëm mirëqenies individuale, por edhe mirëqenies kolektive dhe së mirës publike. Ky projektligj synon pikërisht këtë. Dhe unë jam i mbushur me besim se përfaqësuesit e popullit në Kuvend sot do ta votojnë atë. Me ndërgjegjen dhe me vullnetin e tyre të lirë.

July 20, 2015 22:45
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*