Burg për ortakun, karrierë për Gridën

Nga Elton Koka November 21, 2014 01:37

Burg për ortakun, karrierë për Gridën

Me një vendim të gjykatës së rrethit gjyqësor Tiranë, të 8 shtatorit të këtij viti, i është afruar fundit një histori ortakërie e denjë për romanet e Komedisë Njerëzore të Balzakut të madh. Personazhet janë Grida Duma dhe biznesmeni Roland Rexho, lindur në Vlorë në vitin 1958 dhe banues në Tiranë. Mediat kanë botuar disa herë historitë e kësaj ortakërie të çuditshme, që kanë patur në qendër ndërtimin e pallateve në Tiranë nga firma “Kristian Construction”, dhe më pas shitjen e të njëjtave apartamente, personave të ndryshëm. Publiciteti, i natyrshëm në raste analoge, ka ardhur nga fakti që ngritja e shpejtë e yllit politik të Dumës, ka rënë në kontrast të fortë me aferat “e rëndomta” të kryera vite më parë, që dora-dorës nisën të dalin në sipërfaqe. Sepse siç ndodh rëndom, e kaluara të ndjek gjithmonë dhe nuk mund t’i fshihesh, por vetëm mund të përpiqesh ta fshehësh.

Sipas dokumentave tatimorë, konkretisht ekstraktit historik në QKR për subjektin tregtar “Kristian Construction”, Grida Duma ka hyrë si aksionere ortake me 30% në këtë kompani ndërtuese, më 13 dhjetor 2002, në moshën 25 vjeçare, ku aksioneri kryesor ishte asokohe 44 vjeçari Roland Rexho. Më 28 shkurt 2008 ndodh një ndryshim “interesant”: Largohet aksionerja Grida Duma dhe vjen aksionarja Grida Shqina, në fakt i njëjti person por me mbiemrin e bashkëshortit. Më 29 janar 2010, aksionarja e pakicës largohet nga kjo kompani. Dhe siç dëshmohet më pas, nuk do kalojë shumë dhe për kompaninë në fjalë fillojnë problemet, me ortakun që zhytet gjithnjë e më shumë, sa më shumë që publicizohet emrin e Dumës në politikën e Partisë Demokratike.

Ka edhet një tjetër përkim interesant. Nëse në shtator 2011 Grida Duma do fillonte detyrën e re të zv.ministres së Integrimit, pikërisht këtë muaj, me diferencë ditësh, nisin kërkesat e para të përmbaruesve privatë ndaj “Kristian Construction”, për sekuestro konservative të aseteve deri në shlyerjen e plotë të detyrimeve të paditësve që kishin fituar gjyqet. Shoqëritë “Sherbimi Permbarimor ZIG”, “Poëer & Justice”, Zyra Permbarimore Kozeta Caka, “PETANI BAILIFF’S OFFICE” sh.p.k etj, nuk rreshtin që kërkuari sekuestro deri në fund të vitit 2013.

Gjatë kësaj kohe    

Do të mjaftonte një padi për mashtrim, pë të nxjerrë zinxhirin e historive të tjera të lidhura me znj. Duma. Ajo dhe partneri i saj në biznes u paditën muaj më parë më parë nga qytetari Albert Pali, 85 vjeç, për vjedhje dhe mashtrim. Të moshuarit pronar i një trualli ku Duma dhe partneri kanë ndërtuar një pallat, i ishin premtuar tri apartamente, të cilat nuk i janë dhënë. Pas 6 vitesh sorollatje, ku Duma e Rexho kanë ndërruar edhe celularët dhe adresën e selisë së firmës, Pali ka vendosur t’i drejtohet Prokurorisë. Një ditë pas publikimit të lajmit mbi padinë u mësua se Duma ka mashtruar edhe qytetarë të tjerë, pasi ka shitur të njëjtin apartament, tek dy klientë të ndryshëm. Dhe për më tepër e ka bërë në të njëjtën ditë. Kontratat e publikuara nga DITA, e provojnë këtë mashtrim, të certifikuar edhe nga një notere me emrin Luljeta Kongoli. Nga ana e saj,

Shoqëria përmbarimore private ZIG ka filluar ekzekutimin e një vendimi gjykate në shumën 140 mijë euro për një kredi të pashlyer të marrë nga Duma dhe partneri i saj. Përgjatë vitit 2013, Grida Duma ka paguar gjithë rrogën e saj në Ministri të Integrimit në favor të shoqërisë përmbaruese, duke iu lejuar vetëm shuma prej 8000 lekësh, që konsiderohet si minimum jetik. Ëshët e tepërt të thuhet se megjithëse të ardhurat e saj reale kanë qenë kaq të ulëta, Duma jeton në luks. Ndërkohë një shkresë e dytë zyrtare provon se është nxjerrë në ankand një apartament që gjendet në pallatin që Duma e Rexho kanë ndërtuar. Bëhet fjalë për një apartament në emër të saj në adresën rruga “Nikolla Tupe” me sipërfaqe 118 metra katrorë.

Sot

Por ndërsa Grida po shijon ashensorin ngjitës të karrierës politike, në datën 9 shtator 2014 trupi gjykues i Gjykatës së Tiranës drejtuar nga Kreshnik Omari dhe me anëtarë Albert Meçën dhe

Ardiana Berën, kanë vendosur dënimin me 2 vjet e gjashtë muaj burg të Roland Rexhos, me veprën penale të “Mashtrimit” parashikuar nga neni 143/1 i K.Penal. Këtë rradhë, mashtrimi i një natyre të ngjashme kishte për viktimë shtetasin Daver Çano, i cili kishte lëshuar truallin e një garazhi në proces legalizimi, për ndërtimin e një pallati nga Rexho, e në këmbim do të merrte një apartament. Kontrata është firmosur në 25 gusht 2008, (Duma ishte ende ortake). Në fakt më pas apartamenti me kontratë shitjeje të noterizuar iu dha Çanos (shtator 2011), i cili e mobiloi dhe kreu punime para se të largohej drejt SHBA. Por pas disa kohësh, nipi i tij shkon ta hapë apartamentin dhe zbulon se çelësi ishte ndërruar, ndërsa brenda po kryheshin rregullime nga dikush tjetër, konkretisht nga R.Mema, pronar trualli. Pretendimi i Rexhos ishte se me kontratë vërtetë apartamenti 70m2 iu dha Çanos, por me parakushtin në mirëbesim, që ai të sillte legalizimin e truallit të garazhdit të dikurshëm. Shkurt historia, ortaku dënohet me burg për mashtrim dhe nuk dimë nëse e ka apeluar këtë vendim.

 

Sherri brenda shtëpisë

Fjala e Grida Dumës në Kuvendin e PD-së në shtatorin që lamë pas, trazoi sërish gratë e Partisë Demokratike. Promovimi i Grida Dumës nga kreu i PD, Lulzim Basha, ka provokuar gratë demokrate brenda SHQUP, ku disa prej tyre publikisht dhe të tjera nën zë kanë, shpërthyer kundër drejtim të saj. Ish zëdhënësja e PD-së, Erla Mëhilli, ka reaguar nëpërmjet një postimi në Facebook pas fjalës së kandidatit për Këshillin Kombëtar, Dritan Shano. Shano u ngjit në skenë menjëherë pasi mbaroi fjalën e saj Koordinatorja për Marrëdhëniet me Publikun, Grida Duma. Përpara se të niste fjalën e tij, Shano u shpreh me humor se nuk është e lehtë të flasësh pas Grida Dumës, dhe ka qënë pikërisht kjo batutë që nuk i ka pëlqyer Erla Mëhillit. Erla duke shprehur habinë e saj për atë çfarë tha Shano, shkruan: “Pas fjalës së kujt ishte vështirë me fol?! Në fakt pas fjalës së Sali Berishës s’ia vlen të dëgjosh më asnjë fjalim”. Edhe deputetja demokrate Liljana Elmazi, në një prononcim të mëhershëm mediatik, pat akuzuar median se po promovon femra, që nuk përfaqësojnë asgjë në PD.

 

Përfolje postesh dhe kurim imazhi

Përgjatë këtyre muajve të “ngritjes” së yllit politik të Gridës, nuk kanë munguar zërat e herëpashershëm mbi kandidimin e saj këtu apo atje. Kështu, në prill të këtij viti dolën zëra se

Duma pritej të ishte kandidatja e opozitës për Bashkinë e Tiranës në zgjedhjet vendore të vitit 2015. Ish-zv.ministrja e Integrimit, aktualisht koordinatore e Marrëdhënieve me Publikun në PD përmes promovimit të telekomanduar në sferat e larta të partisë, ka provuar edhe daljet e shpeshta në konferenca shtypi për të denonuar “aferat” e mazhorancës, për të kultivuar imazhin si një garuese e mundshme e së djathtës në kryeqytet. Por shpesh efekti i arritur ka qenë i kundërt.

Ndërkaq, edhe pse së fundi janë kristalizuar si kandidatura për sekretar të përgjithshëm të PD-së emrat e Arben Ristanit dhe Eduard Selamit, nuk kanë munguar edhe thashethemet se një kandidate e mundshme për nënkryetare e PD-së do ishte Grida Duma. Vetë ajo e ka pranuar këtë dëshirë në një emision televiziv, sigurisht, duke e sjellë gjuhën rrotull me një fjali prej dhjetë rreshtash. Por mbledhja e Këshillit Kombëtar që nga rizgjedhja e emrave të rinj, ende nuk ka ndodhur. Mësohet se shtyrja e mbledhjes, ku pritet të ripërtërihet kupola drejtuese e PD-së është bërë nga Basha për shkak të mosmarrëveshjeve që ka ai me eksponentët e tjerë për çështjen e nënkryetarëve dhe emrat e drejtuesve të tjerë. Dhe pakënaqësia më e madhe është për Grida Dumën, emri i së cilës ka sjellë shumë reagime dhe presione pranë Bashës. Sipas statutit të ri, i takon kryetarit Basha të përcaktojë se sa nënkryetarë do të ketë PD-ja, e mbi çfarë kriteresh do të përzgjidhen ata. Ekzistojnë dy skema mes të cilave Basha duhet të zgjedhë. Mbajtja e dy nënkryetarëve. Kreun e grupit parlamentar Edi Paloka dhe nënkryetarin e Kuvendit Edmond Spaho. Ndërsa varianti i dytë, është ai i shtimit të nënkryetarëve duke e bërë PD-në me 5 nënkryetarë. Vetëm në këtë variant të fundit inflacionist, Basha mund të kënaqë disa interesa njëherësh, duke afruar njëkohësisht edhe Dumën.

Por nuk mungojnë në gjithë këtë histori, edhe aludimet se përfoljet për poste, qarkullohen qëllimisht për të shtuar xhirimin mediatik të emrit të Gridës. Dhe ajo që duket ashiqare, është një ofensivë e shfaqjeve të saj mediatike në çdo ekran, “të majtë” apo “të djathtë”, me një regji të përllogaritur për ta bërë imazhin e saj të kudondodhur. A do arrijë ta mbulojë ky kurim, historikun e ortakërive (jo dhe aq) të çuditshme në biznese të Gridës që në të njëzetat, me pikëpyetje të pandriçuara kurrë se me çfarë asetesh financiare është afruar ajo pranë një firme që ndërtoi disa pallate rresht, për të “merituar” 30% të aksioneve? Apo të shumë “ortakërive” të tjera që përfliten nëpër kryeqytet? Koha… dhe vota do ta tregojnë.

 Faksimile të ekstraktit dhe të vendimit i gjeni në versionin print të gazetës

Nga Elton Koka November 21, 2014 01:37
Komento

3 Komente

  1. Besi November 21, 16:54

    te doli ftyra e ndyr.

    Reply to this comment
  2. M A R K O November 21, 22:26

    Prostitute ne semafor te kishte punuar nuk besoj se do te kishte te tilla fitime 30% aksinore. kaq e pacipe te jete duke mashtruar qytetaret e saj.. nejse.. ajo e afte te beje gjithçka.. e nuk ka lene gje pa bere ne kete bote…sa ti ngulet nonje rrote…

    Reply to this comment
  3. AI... November 22, 16:39

    He moj DITA,pse nuk flet per protesten e sotme te PD.U tallet nje muaj me protesten,por sot e pat uraganin popullor qe pushtoj bulevardin para kryeministrise ,nga kryeministria te Skenderbeu,ku moren pjese te zhgenjyerit,te mashtruarit e kesaj pseudo-mazhorance.Rama ti vere gishtin kokes se po vazhdoj me arrogancen e kokefortesine do ta coje vendin ne revolucion.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Click here to cancel reply.

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*