12 përballjet

Erion Habilaj May 3, 2015 13:00

12 përballjet

Për herë të parë në një palë zgjedhje, partitë politike kanë vendosur që të bëjnë publikë kandidatët e tyre, shumë ditë para përfundimit të afatit zyrtar të vendosur nga KQZ. Kjo i ka dhënë mundësinë kandidatëve që të “fillojnë menjëherë punën” me takimet paraelektorale.

Gara

Vëmendja më e madhe e partive politike duket se është përqendruar në qendër qarqet, ku bashkitë me ndarjen e re do të jenë tepër të mëdha. Për pasojë, edhe rëndësia e tyre dhe motivimi i strukturave partiake nga të gjitha forcat politike duket se është më i madh. Në kryeqytet socialistët kanë nxjerrë ministrin Veliaj për ta kthyer të majtë bashkinë pas katër vitesh që drejtohet nga Lulzim Basha. Cilat janë shanset reale të Veliajt, cilat janë pikat e forta të tija dhe të mazhorancës qeverisëse? A do jetë sërish diferenca në Tiranë si në vitin 2013 apo do të ketë firo votash? Demokratët kanë nxjerrë një mjek të njohur që duhet të premtojë edhe punë që si ka bërë kryetari aktual. A do mundet Halim Kosova që të sfidojë të majtën në kryeqytet apo është thjesht një kandidat për të humbur? Të shkon në mendje kjo kur mëson se Majlinda Bregut (që doli e para në sondazhet e brendshme të PD-së) kreu Basha i ka thënë në konfidencë: Nuk të vumë ty sepse nuk duam të digjesh. Tirana është e humbur, ajo ka qenë gjithmonë një sfidë e kryeministrave. Në Durrës demokratët kanë nxjerrë Grida Dumën dhe shpresat e tyre janë të mëdha, pas konsumit që ka pësuar Vangjush Dako në dy mandate si kryebashkiak. Në Veri demokratët duket se kanë një avantazh, ndërsa në jug e majta ndihet më e sigurt. Në një numër kaq të vogël njësish vendore lufta do të bëhet në Shqipërinë e Mesme, ku veç Tiranës dhe Durrësit, garë interesante do të bëhet edhe në Elbasan dhe Korçë. DITA sjellë një përmbledhje të  pikave të forta dhe të dobëta të secilit kandidat në 12 bashkitë kryesore të vendit.

Tiranë, Veliaj vs Kosova

Nëse do të bëjmë një analizë me rezultatet e vitit 2013, e majta rezulton me një avantazh me rreth 95 mijë vota. Nëse rrimë te këto shifra kandidati i së majtës, Erion Veliaj ka një avantazh të rëndësishëm përballë atij të së djathtës, i cili vuan dhe keqqeverisjen e Bashës katër vitet e fundit. Kjo e fundit ishte edhe një nga arsyet se përse Basha zgjodhi të mos rikandidojë vetë, duke mos rrezikuar një humbje direkte që do ta dobësonte shumë pozitën e tij edhe kështu të lëkundur në krye të PD-së. Një tjetër avantazh i Veliajt është mbështetja nga ana e qeverisë. Megjithatë, ndryshe nga Veliaj, i cili ka qëndruar për dy vite në qeverinë “Rama’, Halim Kosova është një figurë jo e konsumuar. Edhe pse ka qenë ministër për gati 4 muaj në fund të qeverisë “Berisha”, emri i tij nuk është ndotur nga balta pafund politike e Tiranës. Në favor të tij dhe të kandidatëve të tjerë jashtë koalicioneve duket edhe pakënaqësia jo e vogël ndaj qeverisë Rama, veçanërisht konflikti i tij me vetë bazën e majtë thuajse tërësisht e zhgënjyer nga mospërfshirja në administratë.

Durrës, Dako vs Duma

Vangjush Dako dhe Grida Duma pritet që të kenë ndoshta garën më të fortë në zgjedhjet e 21 qershorit. Edhe kalkulimet e votave bazuar në rezultatin e zgjedhjeve të përgjithshme të 2013-s e tregojnë një fakt të tillë. Diferencat mes partive politike janë rreth 16 mijë vota në favor të së majtës. Ndërsa të pavendosurit, sepse siç emërtohen tani elektorati “gri”, arrin në rreth 40 mijë zgjedhës. Ky është një numër tepër i konsiderueshëm prej ku pritet që të vendoset edhe fati i fitores së njërit apo tjetrit kandidat. Vangjush Dako po kandidon tashmë për mandatin e tij të tretë, ndërsa Grida Duma do ta ketë përballjen e parë direkte në një garë. Dako është edhe anëtar i Kryesisë së PS-së dhe arriti të ruajë besimin e Ramës për të rikandiduar. Përvoja e deritanishme ka treguar se janë të pakta rastet kur një kandidat ka mundur të fitojë një mandat të tretë. Nga ana tjetër, Grida Duma është parë gjithmonë si njeriu i Bashës, por asnjëherë e propozuar si administratore. Gjithashtu, Grida Duma nuk ka pasur më parë një lidhje me strukturat e bazës, por si një e katapultuar prej Bashës. Kjo pritet që t’i ulë mjaft pikë asaj. Veç kësaj, Grida Duma jeton në Tiranë, ndërsa Dako vijon të jetë në Durrës.

Elbasan, Sejdini vs Turku

Së djathtës mund t’i nevojiten rreth 27 mijë vota nëse do të rimarrë Bashkinë e Elbasanit. Kryebashkiaku Qazim Sejdini është në përfundim të mandatit të tij të dytë në drejtimin e Bashkisë së Elbasanit, ndërkohë që Turku kërkon rikthimin në një pozicion që e ka mbajtur në vitet 2003-2007. Emri i Sejdinit kryesonte listën e propozimeve që strukturat e Partisë Socialiste në qytetin e Elbasanit dërguan në drejtim të kryesisë në Tiranë. Ndërsa deputeti demokrat në përfundim të mandatit të tij në Bashkinë e Elbasanit, zgjodhi të mos kandidonte ndërkohë që ish-kryeministri Berisha e emëroi si Ministër të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në 2009 dhe më pas nënkryetar të Parlamentit. Në qarkun e Elbasanit pritet të jetë një garë interesante edhe në Librazhd. Kryetari aktual i bashkisë, Shefki Çota ka vendosur të dalë jashtë dy koalicioneve të mëdha dhe do të jetë kandidat i Aleancës Popullore. Çota shihet si favorit për shkak të lidhjeve të forta me zonën dhe banorët, ndërkohë që pjesëmarrja e ulët në prezantimet e kandidatëve të majtë dhe të djathtë, mund të jetë një sinjal që jo bashki ndoshta do jetë e vetmja ndër 61 që mund t’i ikë kontrollit të fortë tradicional PD-PS.

Fier, Subashi vs Alibeaj

Vitet e fundit Fieri është kthyer në një nga qendrat më të rëndësishme të vendit, kjo edhe për shkak të peshës që ka marrë nafta dhe bujqësia. Të dy forcat politike kanë zgjedhur të kandidojnë figura të rëndësishme politike të tyre, të cilët kanë vite eksperiencë. Disavantazhi i tyre është mungesa e eksperiencës si drejtues vendorë. Gjithsesi, e majta pritet të ruajë avantazhin e saj prej rreth 36 mijë votash. Në Fier pritet me interes edhe garimi i ish deputetit Albert Çaçi, i cili do të garojë si i pavarur, por që mbështetet nga Dritan Prifti dhe Skënder Gjinushi. Efekti i tij elektoral mendohet se do të ndikojë tek e majta.

 

Lezhë, Tushaj vs Frrokaj

Në Lezhë e majta kandidon me Viktor Tushen të propozuar nga LSI. Ai pretendon për një mandat të tretë, ndërsa e djathta garon me Fran Frrokaj. Disavantazhi i Tushajt mund të jetë konsumimi në dy mandatet e para, ndërsa minimumi i kundërshtarit të tij është procedimi penal që ka nisur prokuroria. Jo më larg se 11 marsi i këtij viti, Policia e Lezhës, nëpërmjet Sektorit Kundër Krimit Ekonomik, në një deklaratë zyrtare për shtyp, njoftonte nisjen e procedimit penal edhe ndaj Fran Frrokajt, me akuzën “shpërdorim detyre” dhe dhënien e një leje ndërtimi të paligjshme në Shënkoll dhe dyshimet për një leje të dytë. Të dy kandidaturat erdhën pas kontestimeve të forta dhe rezultati është i vështirë të parashikohet.

 

Shkodër, Ademi vs Bazhdari

Në kryeqendrën e veriut pritet të jetë një nga garat më të bukura. Për herë të parë, për një bashki tejet të rëndësishme do të kandidojnë dy femra. Nisur nga zgjedhjet e kaluara, e majta ka një disavantazh fare të vogël prej 3 mijë votash. Gjithashtu, kandidatja Keti Bazhdari nuk ka një eksperiencë administrative në institucionet shtetërore, por këtë duket se e plotëson më së miri si administratore në sektorin privat. Nga ana tjetër, Voltana Ademi rrezikon që të vuajë konsumimin e saj si Prefekte e këtij qyteti. Shkodra ka vuajtur disa herë dhe nga përmbytjet, ku prefekti do të duhej të luante një rol kryesor, edhe pse në qeverinë Berisha nuk u shpërndanë dëmshpërblimet. Gjithsesi Ademi ka avantazhin që Shkodra është ende një “qytet i djathtë”.

Gjirokastër, Rami vs Kokalari

Edhe në Gjirokastër e majta ia ka besuar kandidaturës së propozuar nga LSI, Zamira Rami. Aktualisht ajo është Prefekte në këtë qark. Pakënaqësitë në radhët e votuesve të së majtës në zgjedhjet e 23 qershorit 2013 për hapjen e vendeve të reja të punës mund të jenë një disavantazh për kandidaten e së majtës. Gjithashtu, edhe konsumimi i Flamur Bimes, mund të bëjë që një pjesë e votave të kalojnë djathtas. Nga ana tjetër, Igli Kokalari është diplomuar për mjek kirurg në Universitetin e Tiranës. Është një prej studentëve të dhjetorit 1990. Po ashtu Kokalari është anëtar në Këshillin Bashkiak të Gjirokastrës. Ai tentoi edhe më parë të fitonte drejtimin e Bashkisë së Gjirokastrës, ndërsa shpreson që nga ajo humbje të ketë mësuar. E majta rezulton me 8 mijë vota në avantazh.

 

Vlorë, Leli vs Deromemaj

Fitorja e së majtës në Vlorë mund të jetë një formalitet, edhe pse jo aq e lehtë sa dikur. Kandidati tashmë i zyrtarizuar i së majtës për Vlorën, Leli, mposhti në sondazhet e PS prefekten e qarkut, Etjona Hoxha, dhe kryetarin e Dhomës së Tregtisë së Vlorës, Arben Breshani. Ai pritet të zëvendësojë në këtë detyrë Shpëtim Gjikën i cili konsumoi 2 mandate. Por mënyra e largimit të Gjikës mund të sjellë edhe një përçarje brenda strukturave. Gjithsesi, avantazhi i tij do të jenë investimet e qeverisë, ku edhe vetë kryeministri Edi Rama është deputet i Vlorës. Genc Deromemaj është zyrtarizuar si kandidat i PD-së për Bashkinë e Vlorës. Inxhinieri Genc Deromemaj është një ndër kandidatët më të rinj në moshë që aspirojnë kreun e Bashkisë së qytetit bregdetar. Ashtu sikurse mjeku Dritan Leli, edhe Genc Deromemaj nuk ka eksperiencë në administrim.

 

Berat, Sinaj vs Mahmutaj

Në Berat fitorja duket më e sigurt për të majtën. Janë rreth 17 mijë vota në avantazh të së majtës. Kasëm Mahmutaj është kandidati i cili do të garojë më 21 qershor në Bashkinë e Beratit, duke përfaqësuar forcën e djathtë. Ndërsa e majta kandidon me Petrit Sinaj, i cili aktualisht është Kryetar i qarkut të Beratit. Ai gëzon një mbështetje të madhe, veçanërisht në rrethinat që me reformën e re administrative- territoriale i janë bashkëngjitur Beratit. Disavantazh mund të jenë vetëm projektet e papërfunduara të nisura nga e majta, dhe ndonjë hatërmbetje midis strukturave të PS-së me ato të LSI-së, pasi Sinaj vjen nga radhët e LSI-së.

 

Dibër, Xhelili vs Krosi

E majta ka zgjedhur një kandidaturë të pakonsumuar në Dibër siç është ajo e Shukri Xhelilit. Ai aktualisht është Nënkryetar i PS-së në Dibër. Ndërsa e djathta rikandidon Ilir Krosin, i cili ka konsumimin e mandatit të parë. Kandidati i djathtë është nën procedim penal. Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ka vendosur të kallëzojë penalisht kryetarin e bashkisë Peshkopi, z.Ilir Krosi. Akuza për të është “shpërdorim detyre”. Përveç dy kandidatëve Xhelili dhe Krosi në garë është edhe Zaim Korsi, i cili garon për Aleancën Popullore të Artur Dojakës.

 

Korçë, Filo vs Mero

Në garë në siglën e PD-së në zgjedhjet vendore të 21 qershorit, në Korçë do të jetë rektori i Universitetit te këtij qyteti, Gjergji Mero, ndërsa e majta do të rikandidojë Sotiraq Filon. Filo mund të vuajë konsumimin e viteve të së majtës në krye të kësaj bashkie të rëndësishme për juglindjen, ndërsa Gjergji Mero nuk ka një eksperiencë në fushën e administrimit. Veç avantazhit prej 11 mijë votash. Filo ka edhe avantazhin e investimeve të qeverisë në këtë qytet, siç ka filluar tashmë projekti për restaurimin e Pazarit të Vjetër.

 

Kukës, Halili vs Shehu

Në Kukës e djathta ka një avantazh prej 2 mijë votash. E majta ka zgjedhur që të rikandidojë kryetarin aktual të Bashkisë Hasan Halili. Ky i fundit e fitoi mandatin nga ana e PD-së, por pas 2013-s vendosi të kalojë me LSInë. Konsumimi i dy mandateve të para mund të ndikojë në rizgjedhjen e tij, ndërsa i duhet të kapërcejë edhe avantazhin me vota që e ka e majta. E djathta kandidon me Bashkim Shehun. Në kohën e qeverisjes së djathtë ai ka qenë drejtor në SHKB, ndërsa aktualisht është edhe pjesë e Departamentit për Sigurinë në PD.

Erion Habilaj May 3, 2015 13:00
Komento

5 Komente

  1. Popull May 3, 14:50

    Genc Deromemaj ka pasur drejtime manaxhimi se ka punuar te firma ndertimi ndersa radiologu Leli do vere ne zbatim aftesite e Koco Kokedhimes se ai e solli ne Vlore per te mbyllur aferat e tij. Cmendoni ju se mbas 12 vjete katraure te Shpetim Gjikes do na heq per hundesh Dritsn Kokedhima? Sa per ate qe do perfitoj nga investimet e qeverise Vlora e pa kush eshte qeveria e Lungomares ose me mire e Kocimares. Populli i majte do bojkotoj mercenaret qe e kane shumefishuar celesin e zyres se bashkise dhe ju kane dhene nga nje kopjo te gjithe atyre qe e sollen ne Vlore. Nuk mashtrohet me Vlora me RiLINDAs te kllonuar.

    Reply to this comment
  2. Vlora-Kuci-Terbaci May 3, 15:07

    Erdhi dita qe Kuci te ngrihet ne lartesine e duhur. Mjafte 12 vjete roberi T(k)erbaci. Ketej e tutje do e marre vesh Vlora cdo te thote te te sundoj Kucioti. Do ja bej jeten me te zeze se Radiografia. Prisni o Vlonjate priftin me mjeker qe solli Koco Kokedhima ne Vlore.

    Reply to this comment
  3. Vlore May 3, 15:43

    Fitorja e së majtës në Vlorë mund të jetë një formalitet ???? A jeni te sigur ju te dites se ne Vlonjatet do te votojm perseri PS?
    Gjithsesi, avantazhi i tij do të jenë investimet e qeverisë, ku edhe vetë kryeministri Edi Rama është deputet i Vlorës????
    Kush jane investimet e qeveris ne Vlore se na habitet.
    Une qe po ju shkruaj jam ish antar i PS Vlore dhe po jua them se 1/2 e militantve te PS nuk do te votojn me PS ne keto zgjethje.

    Me 21 Qershor do ti rikujtojm Rames dhe kukulles se tij se nuk munde te tallet me Vlonjatet do i kujtojm Lungomaren, Bypassin, rrugen hyrse per ne Vlore, portin e Vlores, infrastukturen ne rruget e brendshme te qytetit, ujsjellsin qe sjell uji vetem 4 ore ne dite ne shtepit tona

    Reply to this comment
  4. Mjaft May 3, 17:18

    Niko Veizi ishte kryetar bashkie mjek qe i kishte futur gishtat kudo!!! Neki Dredha ishte mjek per femij dhe, sikur te mos i kishte provuar mjeket ne kuriz Vlora, Rama-Kokedhima dergojne nje Radiolog. Po per ke marrin per R.K. ata qe duan te bejne eksperimente me Vloren? Kokedhia i Qeparoit do te sjelle nje Cjap Kuci ne Vlore qe te bej nderzimin Grek ne kuriz te popullit te cfilitur mbas eksperimentit 12 vjecar te mesuesit te frengjishtes.MJAFT, por jo mjafti i Erionit se ai ishte mercenar. Mjaft me vote kunder ekspetimenteve.

    Reply to this comment
  5. dritan May 3, 21:45

    Pershendetje te gjithe komentuseve, keni te drejte mbi radilogun Leli
    Rama, akoma nuk e njeh Vloren mendon se e ka ne xhep fitoren, gabohet.
    Vlora nuk voton me per partine por per kanidatin,i cili do sjell risi, manaxhim, kontribut dhe jo nje kukull me kurdisje ne duart e Rames dhe Kocos. Rama eshte xheloz , i vogel ne shpirt , qe te dale ne Vlore qe ja po ndertoj une , po bej une projekte, po sjell une fonde pra une , une…..
    ja sa i vockel eshte solli nje te panjohur , pa kontribut ne ps, pa kontribut ne administrim , vec nje fotograf i cili di vetem te thote je semure.Ps ne Vlore do kete humbjen me te madhe gjate gjithe histrorise 25 vjecare.Pak djem e vajza kishte Vlora qe solli radiologun me koken si pule te rjepur, qe ne fb ka vendosur vetem 3 foto dhe na modelon si armani SI DO TA MANAZHOJ QYTETIN –, ku i ka projektet, por shkon tek ps ne tirane dhe kishte qare spo me ndihmon njeri, nga e prete ndihmen ????? prit te te kurdis rama qe te zgjodhi dhe mos haro te vesh prizen …. turp per ramen , se koco kanabis e njohim

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*