Kosova, festime dhe homazhe me rastin e 5-vjetorit të pavarësisë

February 17, 2013 15:06

Kosova, festime dhe homazhe me rastin e 5-vjetorit të pavarësisë

 

Më 17 shkurt Kosova shënon vitin e pestë të pavarësisë së saj. Të shtunën drejtuesit e shtetit të Kosovës bënë homazhe në varrin e heroit Adem Jashari dhe familjes së tij në Prekaz, si dhe në varrezat e dëshmorëve në Klinë, Pejë, Gllogjan, Landovicë dhe Reçak. Parada e Forcave të Sigurisë së Kosovës pritet të zhvillohet të dielën në sheshin qendror të Prishtinës

 

Kosova feston të dielën pesëvjetorin e pavarësisë së saj. Të shtunën, një ditë para festës zyrtare drejtuesit e lartë të shtetit: Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, kryeministri Hashim Thaçi, nënkryetarët e Kuvendit, krerët e partive politike kosovare dhe drejtues të institucioneve vendore dhe lokale bënë homazheve në varreza dhe monumentet e dëshmorëve të lirisë. Ata i filluan nderimet shtetërore në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve të Kombit në Prekaz, në varrin e heroit kosovar, Adem Jashari dhe të anëtarëve të tjerë të familjes së tij, që sakrifikuan jetën në emër të lirisë së Kosovës. “Jemi sot këtu, të gjithë së bashku, për të nderuar veprën dhe jetën e komandantit legjendar Adem Jashari, sakrificën e familjes Jashari, sakrificën e të gjithë dëshmorëve të UÇK-së, veteranëve invalidë, sakrificën e të gjithë qytetarëve të vendit. Jemi sot të gjithë së bashku, të bëjmë nderime shtetërore, për këtë sakrificë të madhe, sakrificë të unitetit dhe bashkimit të gjithë shqiptarëve, të çlirimit të Kosovës. Por në të njëjtën kohë, jemi këtu të gjithë së bashku që të marrim energji dhe përkushtim për angazhimin tonë të ardhshëm për integrimin e shtetit të Kosovës në strukturat e NATO-së dhe BE-së “, u shpreh në fjalën e tij kryeministri Thaçi.

Homazhet e presidentes Atifete Jahjaga dhe shtetarëve të tjerë vijuan në varrezat e dëshmorëve në Klinë, Pejë, Gllogjan, Landovicë dhe Reçak. “Liria dhe pavarësia e Republikës së Kosovës, themelet i ka pikërisht në punën dhe veprimtarinë e këtyre kolosëve, të cilët nuk kursyen asgjë, duke bërë dhe sakrificën më sublime për shtetin e Kosovës, që të jetë një shtet i lirë dhe sovran. Një shtet që ka të ardhme të sigurt, drejt anëtarësimit në BE dhe në miqësi të përjetshme me SHBA-në. Lavdi të përjetshme për të gjithë dëshmorët. Veprimtaria e tyre do të jetë udhërrëfyes për të gjithë gjeneratat e ardhshme”, tha Jahjaga.

Aktivitetet festive të nisura që të premten nga instancat shtetërore do të kulmojnë të dielën me një parakalim të Forcave të Sigurisë së Kosovës në sheshin qendor të Prishtinës. Parada do të vijojë me një seancë solemne në Kuvendin e Kosovës, ku janë ftuar të marrin pjesë përfaqësues të ndryshëm të jetës politike, kulturore dhe fetare të vendit, ish-deputetët dhe nënshkrues të Deklaratës së Pavarësisë, si dhe personalitete politike nga shtetet fqinje dhe organizmat ndërkombëtarë. “Kosova në pesëvjetorin e vet është një shtet i ri, një shtet me perspektivë, dhe e ardhmja e saj varet shumë nga e gjithë shoqëria e Kosovës”, tha kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi në çeljen e festimeve të pavarësisë.

Më 17 shkurt të vitit 2008, Kosova u shpall e pavarur dhe deri më sot është njohur nga 97 vende të ndryshme të botës. Një përmendore e madhe artikuluar në togun “Neë Born” (Lindja e re) është vendosur përballë Pallatit të Rinisë në Prishtinë dhe ideatori i tij, Fisnik Ismajli, ka menduar që ajo të mbushet me flamujt e pikturuar të shteteve që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës në shenjë repsekti dhe nderimi për to. Puna për të realizuar këtë qëllim ka nisur që në orët e para të ditës së shtunë dhe sipas organizatorëve, ajo pritet të përfundojë mëngjesin e ditës së dielë.

Viti 2013 e gjen këtë shtet të ri e të vogël në një proces progresiv dialogimi me Serbinë, e cila është përpjekur me çdo kusht që të mos lejojë që Kosova të shkëputej nga territori serb. Por duket se tani është krijuar vullneti që marrëdhëniet midis dy shtetve kufitare të normalizohen. Shteti kosovar synon të arrijë një traktat paqeje me Serbinë. Të dyja vendet synojnë integrimin në institucionet evropiane dhe si kusht u është vënë pikërisht procesi i ri i dialogut konstruktiv.

Në pesë vitet e kaluara Kosova ka krijuar institucione demokratike, është bërë anëtare e Bankës Botërore, Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Evropiane për Zhvillim dhe Rindërtim. E megjithatë ekonomia e saj është ende në nivele të ulëta dhe shkalla e papunësisë arrin cakun e 44.9 % të popullsisë të papunë.

 

Përgatiti: Dorina Gjuzi

February 17, 2013 15:06
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*