Një histori çmimesh qoka: Shëtitja në Arbëri e Presidentit dhe cektësia e ambasadorit Ceka

August 21, 2015 23:37

Një histori çmimesh qoka: Shëtitja në Arbëri e Presidentit dhe cektësia e ambasadorit Ceka

Italo Elmo është shkrimtar dhe publicist arbëresh, promotor dhe organizator i eventeve kulturore dhe shkencore mes arbëreshëve të Italisë, president i një qendre të Studimeve dhe Kërkimeve të traditave popullore italo-shqiptare.

Intelektuali 64 vjeçar, ka dërguar një letër të gjatë në redaksinë e DITA-s, tematika e së cilës ekspozon injorancën dhe cektësinë e instancave të larta shtetërore e diplomatike të Tiranës ndaj një pasurie kaq të madhe e të thellë njerëzore e kulturore që ne si komb kemi, arbëreshët e Italisë. Letra merr shkas nga një ngjarje që në fakt mund të ngjajë e tejkaluar.

Në datat 7-8 prill të këtij viti, pra para katër muajsh, presidenti i Republikës kreu një vizitë në Kalabri, ku dekoroi disa intelektualë e artistë arbëreshë. Ceremonitë u kryen, adetet mbaruan dhe kaq.

Tirana zyrtare dhe pse jo, shumë prej nesh, ndoshta ende nuk e kemi tretur akoma sot një dukuri të jashtëzakonshme sic janë arbëreshët e Italisë, shqiptarët që kanë ruajtur gjuhën, zakonet, traditat edhe pas 500 vitesh.

Një vitalitet i mahnitshëm, që për hir të së vërtetës fsheh një përpjekje titanike të një populli të mërguar prej pesë shekujsh nga trungu mëmë për të mbijetuar të patjetërsuar, të paasimiluar. Kjo është problamatika që në thelb ngre Italo Elmo, duke marrë shkas nga ceremonitë dhe dekoratat fët e fët të para katër muajve.

Ai kritikon ambasadorin tonë në Romë, Neritan Ceka, për një përzgjedhje sipërfaqësore e klienteliste të njerëzve që duheshin nderuar; e ka me presidentin Nishani që nuk mori mundimin të shijonte manifestimin e traditave të vërteta arbereshe, e padyshim edhe disa kryebashkiakë të zonës së tij që bënë qokat e rradhës.

Më saktë, gjithë historia që denoncon Italo Elmo, është një qokë shqiptare që nisi e bitisi duke lënë të zhgënjyer një copë, më të vjetrën copë shqiptare matanë Adriatikut. Aty ku njerëzit rrallë dhe aspak për mall i viziton ndonjë dinjitar nga Tirana.

Në fund, Italo Elmo ka dhe disa kërkesa ndaj kryeministrit aktual Edi Rama / A.K  

 

****

Mbrojtja e identitetit do të jetë e mekur ose e fortë, në varësi të fuqisë me të cilën bluan ‘mulliri’ i Arbërisë

Nga Italo Elmo

Me rastin e vizitës së Presidentit të Republikës të Shqipërisë, B.Nishani, në Kalabri në datat 7 dhe 8 prill 2015, gjatë së cilës ai iu akordoi disa tituj honorifikë disa intelektualëve dhe artistëve arbëreshë: ‘Mjeshtër i Madh’, Dekorata e ‘Flamurit Kombëtar’, Dekorata ‘Nënë Tereza’ dhe titulli ‘Naim Frashëri’, intelektuali arbëresh, arkitekti Atanasio Pizzi në faqen e tij online scescipasionatith.it, në artikullin ‘Shëtitja e Presidentit’ me të drejtë kishte shkruar se si Presidenti i Republikës “ka falenderuar arbëreshët që prej 5 shekujsh vazhdojnë të flasin gjuhën e sjellë nga Shqipëria dhe ruajnë traditat, pa hedhur sytë ama, mbi aktivitetesh dhe manifestimesh që u bënë, cilët ishin njerëzit që bënë të mundur fenomenin shqipfolës për të cilët duhet të jemi krenarë, dhe as nuk u angazhua të përjetonte intensivisht manifestimet që u zhvilluan në qytezën Civita gjatë gjithë ditës së martë pas Pashkës, nga të cilat mund të mësonte se cila është Arbëria e vërtetë’.

Artikulli nxjerr saktësisht në pah se “përkundrazi, presidenti, me një axhendë të stonuar njësoj si tarantelat, këngët që u mvishën arbëreshëve modernë, shkoi e u ngul mjaft larg asaj shfaqjeje të pasur në domethënie, histori, tradita e pika të vërteta referimi të arbëreshëve (që duhen ruajtur) dhe u shpërndante dekorata (si një meteor që shkëlqen dhe sakaq kthehet në hi) zanatçinjve që Arbërisë i atribuojnë vegla instrumentale; por duhej ta kishte ditur se ne prej shekujsh, përdorim vetëm shprehitë e pastra vokale-orale.

“Është e drejtë të pyesësh”- vazhdon artikulli – “çfarë erdhi të bënte? Një shëtitje?! Po ta gjykosh nga parashikimi e motit, ai ka gabuar motin dhe kohën. Ndërkohë, “asnjë historian, apo ekspert i fushës nuk pati rastin t’i afrohet për t’i folur mbi vështirësitë tona në ruajtjen e traditave; ai nuk dha asnjë mirënjohje për njerëzit e vërtetë që kanë bërë Arbërinë të shkëlqejë, dhe nëse e ka bërë, ka ngatërruar person në më shumë se gjysmën e rasteve”.

Jemi të gatshëm të pohojmë se lidhja e gjakut me dheun mëmë sigurisht nuk mund të bëhet ujë, por ndonjëherë zihemi ngushtë kur dashuria jonë e kultivuar nga një histori më shumë se 500 vjeçare, lihet në hije, qoftë dhe për një çast për shkak të zgjedhjeve të trasha dhe të papërshtatshme, pa kriteret dhe rregullat që meriton realisht një vlerësim fisnik dhe krenar për bijtë e Arbërisë.

Padyshim nuk është një çmim, ai që na dobëson apo forcon dashurinë tonë për atdheun mëmë, madje për të perifrazuar një këngë të të madhit kompozitor arbëresh Alfio Moçia: “Me shokët u luftonj, me shumë fuqi, me Shqipërinë ndë zemër e ndë si!”.

Nuk ka ambasador që do t’ia dijë. Ikin e vijnë (madje disa zhduken edhe nga kujtimet tona), por dashuria jonë për Shqipërinë qëndron e palëkundur. Arbëreshët kanë një lidhje të thellë e të fortë me identitetin e tyre kulturor, një ndjenjë e kahershme kjo, e cila nuk është mposhtur kurrë. Dhe kjo lidhje me atdheun e parë nuk mund të ndahet dhe të shkelet me këmbë nga funksionarë shqiptarë ose nga afaristë arbëreshë që duan të na imponojë ‘biznesin etnik’, një herë me vajin, një herë me verën, herë tjetër e gatimet porcus ose sus scrofa domesticus, duke u hequr sikur u bëhet vonë për Arbërinë; por që nuk duan t’ia dinë për vlerat autentike, të cilat i përdorin vetëm si mjete biznesi.

Rezultati, lexues të nderuar, mund të jetë që biznesmenët, të jenë në pritje të ndonjë promocioni, apo medaljeje, ndërsa “një mirënjohje dhe vlerësim për njerëzit e vërtetë që kanë bërë të shkëlqejë Arbëria” nuk do të jepet kurrë (le të shpresojmë që do ndodhë ndryshe….). Edhe nëse disa çmime janë dhënë, siç shkruan Pizzi, është gabuar personi në më shumë se gjysmën e rasteve.

Sa keq të konstatosh ç’mjerim njerëzor na rrethon!

Dua të sqaroj që në fillim për të evituar keqkuptimet e ushqyera nga ky shënim i imi, që nuk jam kundër atyre që janë nderuar, por kundër mënyrës së përzgjedhjes së tyre.

Dhe nëse këto çmime duheshin dhënë me patjetër, atëherë do të duhej që të zgjerohej horizonti në të gjithë Arbërinë ku ka institucione, organizata, ente dhe persona që prej shumë vitesh me sakrifica të mëdha përpiqen të forcojnë lidhjet mes dy vendeve.

Fakti që kanë përfshirë disa kryebashkiakë, me qëllim formulimin e disa propozimeve me emra nga bota arbëreshe për t’i vlerësuar me një medalje, në gjykimin tonë nuk ka qenë zgjedhje e qëlluar, kjo edhe për t’u dhënë drejtësi historike atyre që kanë punuar pa ndonjë përfitim posti dhe ekskluzivisht për t’u afruar me përkatësinë tonë etnike dhe për dashurinë drejt Shqipërisë; në kohë të vështira dhe në periudha kur shumë kryebashkiakë dhe eksponentë politikë të komunitetit tonë ishin kundërshtarë dhe denigrues të tmerrshëm.

E dimë shumë mirë se duke qenë figura politike, janë ndonjëherë larg punës së përditshme që bëjnë kuruesit e kulturës tonë dhe me gjithë respektin për rolin e tyre institucional dhe detyrën e ngarkuar nga sistemi demokratik, ligjet italiane dhe vullneti i popullit, bashkiakët dhe administratorët ikin, por kontributi i punëtorëve të botës arbëreshe në ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe traditave, mbetet.

Dhe pse disa bashkiakë dhe administratorë janë figura të ndershme, ka të tjerë që mund të përdorin lidhje personale dhe klienteliste në favor të tyre.

Ndoshta kishte një mënyrë më të mirë për të përfshirë bashkiakët e komunitetit shqipfolës: T’u kërkohej të vinin në dispozicion nëpërmjet një procesi vlerësimi, një listë të familjeve dhe të personave të vendit që ende sot, pas pesë shekujsh mbajnë identitetin e tyre etniko-linguistik dhe fetar dhe janë mbrojtësit e vërtetë të trashëgimisë orale, duke kaluar nga brezi në brez, të përbërë nga këngë popullore, fabula dhe tregime.

Një vlerësim i këtyre familjeve, dëshmitarë të historisë sonë, të rrënjëve tona, të kujtesës kolektive, që kanë ende kërthizën e lidhur me atdheun nënë, do të ishte një sukses i vërtetë. Një komb i tërë, Shqipëria, që nderon bijtë e saj, mbartës të drejtpërdrejtë të kulturës, gjuhës dhe traditave të tokës antike të Shqiponjave.

Nuk besoj që shtypja e disa mijëra certifikatave, për t’ia dhuruar secilës familje, do të kishte vënë në krizë financat e Qeverisë Shqiptare.

Të vlerësosh atë që ka punuar për dhjetëvjeçarë të tërë për të promovuar ruajtjen e trashëgimisë gjuhësore, letrare, historike dhe folklorike të Shqiptarëve të Italisë favorizon edhe lidhjet mes shqiptarëve të Shqipërisë me gjithë diasporën.

Italo Elmo

Do të kishte qenë më e thjeshtë dhe më e përshtatshme të bënin një konkurs për t’i dhënë mundësinë të gjithëve, në mënyrë transparente për të kandiduar për këtë mirënjohje fisnike.

Të gjithë e dimë që përzgjedhja e kandidatëve për t’u vlerësuar me tituj u rregullua me “sistemin” e telefonatave personale. Merita si kriter përzgjedhjeje për Ambasadorin është kthyer në një faktor shqetësimi. Është më mirë të veprohet mbi bazën e kritereve të tjera.

Një tablo mbresëlënëse kjo, e inefiçencës në drejtimin e Ambasadës Shqiptare në Itali. Për ata që menduan se merita ishte rregulli i vetëm për marrjen e çmimeve prestigjioze, ishte një zhgënjim i madh, jashtë çdo kriteri objektiv.

Pa harruar faktin që mungesa e përfshirjes së disa Universiteteve të ndryshme, me katedra të Gjuhës dhe Letërsisë Shqiptare ishte një harresë shumë e rëndë:

Universitete ku mësohet gjuha dhe letërsia shqiptare dhe që prej vitesh luajnë rolin e promovimit shkencor të diversitetit linguistik dhe kulturor të arbëreshëve; Universiteti i Studimeve të Kalabrisë, Universiteti i Palermos, Universiteti i Napolit, Universiteti i Barit dhe Universiteti La Sapienza në Romë.

Marrëdhënia e besimit që duhet të vendosej, sipas gjykimit tim, mes përgjegjësve politikë të Qeverisë Shqiptare, mes përfaqësuesve të Ambasadës dhe disa prej institucioneve kulturore të Arbërisë (universitete, organizata kulturore dhe ente lokale) nuk duhej të shmangej nga vlerësimi objektiv i aktiviteteve kryesore të zhvilluara nga Arbëreshët në këto vite.

Efektet negative të një vlerësimi kaq të turbullt dhe pa verifikime reale, e kanë zvogëluar kështu këtë nderim dhe e kthyen në një mekanizëm klientelist dhe me emra të paracaktuar – siç thonë gojët e liga, të cilët shpresojmë të jenë false – në tavolinë… më falni, në sofër, pa qenë nevoja që kandidatët të kishin merita të veçanta, me përjashtim të ndokujt, përballë atyre të harruar dhe të ofenduar.

Sido të jetë ky veprim ishte një atentat ndaj Arbërisë, dhe ndaj atyre që për vite e vite me radhë vazhdojnë të mbajnë të gjallë një lidhje emocionale me një pjesë thelbësore tonën, kordonin ombelikal mes botës në të cilën jetojmë dhe botës nga kemi prejardhjen.

Të shpresojmë që “rrumpallhania kulturore” e Ambasadës Shqiptare në Itali për të kënaqur nevojat e brendshme por edhe ato të jashtme të ketë përfunduar. Dhe çmimet e nderimet të jepen me kritere objektive, për t’i rikthyer besueshmërinë tokës antike të shqiponjave. Do jetë kështu? Boh…!

Dikush mund të pyesë pse gjithë këto ankesa, protesta? Çfarë fshihet pas këtyre. E theksoj, dhe e shkruaj me gërma të mëdha: NUK JAM I INTERESUAR PËR ASNJË LLOJ ÇMIMI. Dhe aq më pak nuk dua të bëj presion dhe të influencoj Ambasadorin, Ministra, apo Sekretarë, për përfitime personale apo të çfarëdo lloji.

Arsyeja dhe qëllimi i kundërshtimit tim janë kriteret që janë ndjekur për përzgjedhjen e kandidatëve që nderohen me çmime.

Dëshira është të shoh të vlerësohen mundimi, vuajtjet, lodhjet e një personi, të një grupi, të një institucioni dhe të një enti që kanë bërë të shkëlqejë Arbërinë gjatë gjithë këtyre viteve.

Transmetimi i vlerave identitare

Lidhja me traditat është e dokumentuar në shumë komunitete- mbi të gjitha tek ato të cilat është prezent kleri – me shenja dalluese të kulturës së tyre. Është evident roli kulturor që ka pasur kisha gjatë 5 shekujve për ruajtjen e gjuhës dhe të identitetit arbëresh.

Eparkia e Lungros së Italo-Shqiptarëve. Është selia e kishës katolike italo-shqiptare me rite lindore, subjekt i Selisë së Shenjtë. Shumë njerëz të shquar të Kishës sonë i kanë transpetuar këto vlera edhe në fushën letrare, artistike, kulturore, sociale dhe politike.

Një Kishë e gjallë që me kalimin e viteve ka qenë një fortesë dhe një përhapje për fenë kristiane katolike, gjuhën dhe kulturën shqiptare nëpërmjet ruajtjes konstante të ritit bizantino-grek dhe mbartëse të një qytetërimi arbëresh, që transmeton mesazhë vëllazërie, miqësie, bashkëpunimi dhe paqeje.

Vizitat e vazhdueshme të Peshkopit Donato në Shqipëri dhe jo vetëm afirmojnë me forcë rolin e të gjithë Kishës Arbëreshe si pikë kontakti mes perendimit dhe lindjes kristiane. Kjo Kishë duhet të meritonte më shumë vëmendje nga ana e Ambasadorit Shqiptar në Itali, i cili nuk mori parasysh as rëndësinë historike, as atë sociale.

Është i rëndë fakti që është harruar figura e profesor Nicola Tocci, arbëresh nga Lungro, drejtor i ‘Kalendari didaktik italo-shqiptar’ i cili ka meritën e një aktiviteti të dendur didaktik në Arbëri. Ishte koha kur askush prej nesh nuk e njihte komunitetin arbëresh, jashtë provincës së Cosenza. Falë ‘Kalendarit të tij Didaktit’ dhe aktivitetetev të tij të palodhura kontakteve të tij në rajonet e tjera, shumë arbëreshë, grupe folklorike, dhe intelektualë të ndryshëm mundën të njohin edhe vëllezërit në rajonet e tjera. (Gjaku jonë i shprisur). Një lloj rrjeti social nga kontakti i vërtetë njerëzor, jo dixhital, i cili favorizoi dhe forcoi dashurinë për lidhjen antike me dheun mëmë dhe përforcoi identitetin tonë kulturor.

Më vjen shumë keq që Ambasadori ynë nuk e njohu Presidentin e Republikës, Bujar Nishani me veprën didaktike shumë të rëndësishme që çon përpara në mënyrë konkrete profesoresha Cettina Mazzei, arbëreshe nga Caraffa, ideuese dhe koordinatore e Përmbledhjes Kulturore Folkloristike për vlerësimin e minoriteteve etnike. Kjo nuk është as e tolerueshme, as e pranueshme.

Përmbledhja është një ndër të paktët aktivitete në Arbëri që zhvillohet çdo vit dhe organizohet që prej më shumë se 22 vitesh, duke paraqitur kështu vazhdueshmërinë e mbrojtjes së minorancave etnike. Një aktivitet kaq i strukturuar përfaqëson në Arbëri, por edhe në Itali një risi absolute, pasi arrin të bëjë bashkë grupe shkollore të cilat i përkasin komuniteteve që njihen si minoranca etnike prezente në territorin kombëtar.

Në po të njëjtën mase sipas mendimit tim do e kishte merituar çmimin Festivali i këngës Arbëreshe, i cili prej mëse 30 vjetësh arrin të përfshijë dhe të apasionojë qindra e qindra të rinj të cilën vijnë nga të gjitha komunitetet italo- shqiptare dhe më tepër të shkruajnë dhe të këndojnë në matricën gjuhësore arbëreshe. Një event i mbushur plot me përmbajtje kulturore, kërkimi historik dhe muzikor me qëllim që të sensibilizojë të rinjtë mbi tema aktuale të shoqërisë të shprehura në gjuhën nënë për të favorizuar jetëgjatësinë e gjuhës minoritare. Një revolucion i vërtetë për të ndaluar në një farë mënyre humbjen e të folurave lokale të cilat mund të zhduken pas disa vitesh për shkak të globalizimit.

Nga kjo lind një meritë e madhe e kreatorëve dhe organizatorëve të cilët qysh prej fillimit kanë besuar që të kënduarit në arbëresh, duke përfshirë sidomos brezin e ri, ishte veprimi i vetëm i vlefshëm për t’iu kundërvënë humbjes së diversitetit gjuhësore dhe kulturor. Thënë këtë, të gjithë do të kishin merituar çmim: Komiteti historik, Avv. Giuseppe D’Amico (post-mortem), ideuesi i eventit dhe Administrata Komunale e Shën Dhimitër Koronës, e cila pavarësisht pakësimit të burimeve financiare, organizon eventin.

Etnomuzika

Dimë edhe që ambasadori i ka treguar Presidentit të Republikës për disa arbëreshë që këto vitet e fundit në panoramën, shumë të ngatërruar, të mundësive të dëshpëruara të ripërdorimit të repertorëve popullorë, nga i ashtuquajturi folk revival deri te përzierja me zhanre më të reja muzikore, kanë rënë në vëmendjen e të gjithëve. Nuk kam asgjë kundër, për ata që kanë marrë çmimin. Por nuk arrijmë të kuptojmë se si nuk u vlerësuan për shembull, Peppa Marriti Band, të njohur në të gjithë vendin dhe jo vetëm, të cilët kanë në zemër tradita muzikore dhe kulturore arbëreshe, nga e cila frymëzohen këngët tradicionale polivokale dhe tingujt ballkanik, ndërkohë që në tekste vërehet një nostalgji e fortë për atdheun, ose puna e grupit reggae të Spasulatit.

largea_nishani-kalabri1428585564Përmes këtyre grupeve, që shpesh shfaqen në shfaqjet në më të rëndësishme të Italisë, jepet me krenari mesazhi i vlerave të lashta të Arbërisë, por edhe ai i ditëve tona, me problemet e ndryshme me të cilat përballet shoqëria meridionale. Spoti më i mirë i minorancës etnike kulturore arbëreshe të pranishme në Itali, shpesh perceptohet si problem, por që në fakt është një pasuri e madhe.

Nuk arrijmë të kuptojmë se si, në referencë të repertorëve të caktuar polivokal, është harruar kërkimi i nisur në nga 1981 nga Grupi i muzikës tradicionale arbëreshe të Lungros “Moti i parë”, i njohur në disa vende të kontinentit të vjetër dhe gjerësisht në Shqipëri, Kosovë dhe Greqi. Interpretues të jashtëzakonshëm të një trashëgimie të gjallë muzikore që evidentohet në format e lashta polivokale të trashëgimisë Ballkanike, në himnet fetare bizantine, në kompozimet poetiko- muzikore dhe në melodi të improvizuara me një ose me shumë zëra, që për shekuj me radhë kanë qenë një instrument komunikimi dhe mjet i lashtë i letërsisë popullore arbëreshe. Në Festivalin e parë Euromesdhetar, juria ndërkombëtare ka vlerësuar grupin “Moti i parë” me vendin e parë, duke pasur parasysh që transmeton trashëgiminë kolektive, pjesërisht akoma funksionale dhe vlerat ekspresive kolektive në formën e saj autentike. Dijetarë të njohur të etnomuzikologjisë, si Roberta Tuçi dhe Benjamin Kruta i kishin cilësuar atëherë hulumtimet e iniciuara nga ky grup fantastik dhe shprehjeve arkaike polivokale si një mjet për transmetimin gojor te gjeneratat e reja.

Në vitet ’80 të shekullit të kaluar në Shën Dhimitër Koronë, lindi Kooperativa Muzikore Arbëreshe (CMA), që i kushton vite hulumtimeve dhe studimeve për përmirësimin e trashëgimisë së këndimit tradicional. Aftësia e muzikantëve dhe këngëtarëve ka prodhuar në kohë atë fenomen të quajtur “tendencë” derisa e bëri atë grupin më përfaqësues në kërkimin e tingujve të rinj ballkanikë dhe mesdhetare. Edhe sot, pavarësisht se kanë kaluar më shumë se tre dekada, vazhdojnë të jenë një “fenomen unik”, në modë, repertori i të cilëve është bërë trashëgimi e të gjithë Arbërisë dhe jo vetëm. Pastaj duke dëgjuar meloditë e sopranos Antonella Pellilli, arbëreshe e Molises nuk kuptohet mirë se si ambasadori ka mbyllur sytë për këtë këngëtare të jashtëzakonshme, krenaria e të gjithë Arbërisë, e angazhuar për disa vite në Itali dhe në Europë për përhapjen e trashëgimisë kulturore gojore me krenarinë e një arbëresheje ë vërtetë.

Ndoshta nuk e njeh? Shumë keq!

Pellili që mishëron një zë të bukur dhe të butë sopran, i shkëlqejnë sytë dhe transmeton çiltërsi, ka punuar në grupin koral “La Kamastra” dhe Montecilfone që u themelua në vitin 1995 pas një aksioni kërkimore të këngëve dhe muzikave tradicionale arbëreshe pjesë e një projekti për rimëkëmbjen dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore. Në këtë grup Pellili del me disa këngë që konsiderohen ndër më interesantet në skenën e këngës arbëreshe. Ta dëgjosh duke kënduar “Manusaqja” dhe “Qifti”, këngë të marra, pastaj, nga artistë të ndryshëm në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, shqiptarë në Greqi, etj, etj, mund të kuptohet talenti i saj i jashtëzakonshëm. Të shumtë janë çmimet e fituara në vente dhe festivale folklorike. Për ata që janë në krizë identiteti etnik, pavarësisht fazës, këshillohet të dëgjohet zëri i saj të paktën dy herë në ditë. Për rreth një javë, pasi të keni ëndërruar me sy hapur me meloditë e saj, kthehet si me magjia krenaria për përkatësinë etnike. Një efekt i jashtëzakonshëm për individët, grupet dhe shkollat. Nuk besoni? Mjafton të dëgjoni zërin e saj.

Aktualisht është e impenjuar kudo nga pak dhe luan këngë me kompozime origjinale, mes muzikës klasike, avant-gardës që kanë tekste poetike në gjuhë të ndryshme, por kryesisht në gjuhën arbëreshe. Gjithnjë në fushën muzikore, asnjë e sugjerim për Ernesto Iannuzzi, që konsiderohet një nga eksponentët më të zotë dhe të shquar të shkollës së kompozitorëve-këngëtarëve arbëreshë.

Një këngëtar i kompletuar, i cili për më shumë se 35 vjet, është konsideruar dhe vlerësuar nga të gjithë artistët dhe një nga ekspozitat më të rëndësishme në panoramën e repertorëve muzikorë arbëreshe. Ka koleksionuar çmime të shumta dhe të shumtë janë festivalet që ka fituar. Kudo është triumfon, një sukses i paparë për një artist të vërtetë i cili i ka kombinuar të renë me ato zhanret që janë të rrënjosura në traditat arbëreshe. Në punën e fundit, rrënjët e këngës së bukur, prej kohësh të humbura, u rizbuluan dhe rivitalizuan nga i pakrahasueshmi Ernesto Iannuzzi. Një zë melodioz, i ngrohtë dhe apasionant që lë një shenjë të pashlyeshme brenda nesh dhe të bën të ndjesh Arbërinë më afër, të bën të thithësh traditat stërgjyshore që janë ende gjallë, pavarësisht kohëve moderne. Në mesin e të vlerësuarve në këtë fushë, patjetër që e meritonin, edhe Silvana Licursi, për shumë vite e njohur dhe e vlerësuar në botën e muzikës në Itali dhe jashtë vendit, kërkimi i të cilës është një “udhëtim” magjepsës dhe përfshirës në muzikën popullore. Prandaj çdo gjurmë është një fazë në këtë “udhëtim” dhe sjell me vete pasurinë e muzikës, ritmeve, lëvizjeve. Të gjitha këngët janë pjesë e një rrugëtimi studimi dhe kërkimi që synon zhvillimin e rrënjëve tona muzikore. Është rasti i Pierpaolo Petta-s, një interpretues i shkëlqyer që rregullon në një mënyrë të re dhe origjinale disa këngë të traditës shqiptare. Në të gjitha veprat e tij ai sjell traditën e muzikës arbëreshe, muzikën e shqiptarëve të diasporës. Kështu Marco Moccia, i cili rizbulon rëndësinë dhe pasurinë e rrënjëve që e lidhin atë me tokën e tij, duke mësuar të interpretojë traditën e lashtë gojore të territorit ku jeton. I ripërpunon duke i kthyer ato në këngë, me tekste të ndryshme të shprehura në gjuhën e lashtë dialektore arbëreshe dhe kalabreze.

I rëndësishëm edhe i gjithë prodhimi i teksteve dhe muzikës së kompozitorëve të tjerë arbëresh: Alfio Moccia, Shën Benedikt Ullano, një nga etërit e këngës së re arbëreshe, me projekte kulturore që synojnë një riafirmim të traditave dhe të identiteti territorial, për të vlerësuar jo vetëm atë ekzistuese, por edhe për të stimuluar prodhimin e ri. Çështjet e lidhura me aktualitetin dhe temat ekzistenciale me vlerë universale, shpesh paraqiten në formën e satirës. Me këngët dhe tekstet e tij ai shpreh, ndjenjën ndaj vendit të origjinës dhe botës arbëreshe; Michele Baffa, këngëtari i famshëm dhe interpretues i jashtëzakonshëm i këngëve Arbëreshë; Vëllezërit Scaravaglione nga Spezzano Albanese fitues i festivalit të këngës arbëreshe të San Demetrio Corone dhe interpretues mjeshtëror i disa këngëve, të famshme në Itali dhe jashtë vendit dhe sa e sa të tjeraë, që janë të angazhuar për të mbajtur gjithmonë gjallë kujtesën historike. Referenca ndaj formave të njohura të të shprehurit popullor, në lidhje me repertorët e caktuar apo territore të caktuara, nuk mund të lihen mënjanë nga grupet folklorike kudo në arkipelagun arbëresh. Një palestër e vërtetë dhe laborator i këngës dhe valleve tradicionale që nga vitet ’60 të shekullit të kaluar, bazuar në forma muzikore rigoroze të traditës, duke kërkuar të mbrojë elemente të fuqishme të vazhdimësisë, e duke mbajtur gjallë trashëgiminë e etërve dhe pasurinë e jashtëzakonshme të të shprehurit.

Për t’u kujtuar është Grupi Folk Ullania, Shpirti arbëresh, Grupi Folk Shqiponjat popullore, Grupi Folklorik Eksperimental Shkëndija, Grupi folkloriko- koral “La Kamastra”, grupi folklorik i Piana degli Albanesi “Dhendurete Arbërit” Grupi Folklorik “Arbëria”, grupi folklorik “Bijtë e shqiponjës”, grupi folklorik Arbëreshë “Vjesh” dhe grupi folklorik “Voxha Arbëreshe” e Shën Konstandini Albanese, grupi folklorik Arbëreshë “Katundi Jone” i San Marzano, dhe kështu me radhë shumë të tjerë, që prej kohësh janë angazhuar në ruajtjen e kulturës dhe folklorit arbëresh, një trashëgimi që është një mjet i fuqishëm afrimi mes popujve të ndryshëm dhe grupeve sociale.

Prozë dhe poezi

Përtej meritës së padiskutuara të dhënë shkrimtarit, poetit dhe kantautorit Giuseppe Cacozza, nuk e kuptojmë mirë si nuk janë sjellë në vëmendje në fushën e prozës dhe poezisë, për shembull romancieri Carmine Abate, fitues i çmimeve të shumta të tilla si “Campiello” në 2012. Librat e tij janë përkthyer në Gjermani, Francë, Holandë, Greqi, Portugali, Shqipëri, Kosovë, SHBA, duke vendosur në qendër kombëtare dhe jo vetëm, origjinën e saj Arbëreshe, kujtimin e traditave kulturore, problemet e shoqërisë së sotme; poeten Caterina Zuçaro, Arbëreshe e Civitas, e Rai International, autore e disa përmbledhjeve poetike dhe fituese e disa çmimeve, për sjelljen në vëmendjen e botës problemet Arbëreshe, duke dhënë një pasqyrë të qartë të ndjenjës së re etnike të përkatësisë. Kështu edhe Vincenzo Belmonte, i cili ka redaktuar për disa antologji përkthimin italian të teksteve popullore dhe letrat Arbëreshe; Vincent Bruno, i angazhuar që nga viti 1980 për të kryer një sërë aktivitetesh në dramë në gjuhën e arbëresë në shkolat e Frashinetos dhe më gjerë, duke sjellë në skenë në gjuhën lokale arbëreshe, duke i ripërdorur tërësinë e një leksiku shpesh të harruar me qëllim mbrojtjen dhe ruajtjen e një realiteti dhe të një kulture minoritar; Pietro Napoletano, shkrimtar dhe gazetar, autor i disa veprave të pabotuara, monografi, tregime dhe komedi Arbëreshe, dhe kështu me radhë. Lista është e gjatë e poetëve dhe prozatorëve me një prodhim të madh, përfaqësuesit e letërsisë bashkëkohore Arbëreshë.

Revista arbëreshe

E rëndë të harrohej në Frashineto figura e priftit Antonio Bellusci, redaktor i revistës “Lidhia” dhe autor i botimeve të shumta shkencore. Sipas mendimit tim, mes organeve të shtypit me temë shqiptarve vetëm “Lidhja”, kishte dikur dhe deri pak kohë më parë një prani në territorit n italian dhe jashtë tij. Një mjet shumë i rëndësishëm dhe thelbësore duke kontribuar në mënyrë të vendosur në rritjen dhe krijimin e një ndjenjë të fortë të përkatësisë së mëmëedhut. Një mundësi e madhe për pakicat historike shqiptare në Itali për t’u prezantuar veten në një mënyrë cilësore në arenën publike, e vlerësuar jo vetëm për ruajtjen e trashëgimisë gjuhësore dhe folklorit, por edhe për përkushtimin në çështjen e mbrojtjes së pakicave tona dhe diversitetit kulturor në kontekstin e procesit të integrimit evropian. Por ambasadori i dashur, që nuk ishte në gjendje të shohë përtej hundës së tij, ndoshta vuan nga miopia, injoroi tërësisht, edhe revistën e parë italiano- shqiptare të shfaqur në Arbëri pas luftës, “Zgjimi-Risveglio” e themeluar nga avokati. Albino Greco. “Risveglio -Zgjimi” ishte një trajnim me ndikim të gjerë dhe ka ofruar një kontribut të rëndësishëm në ringjalljen e botës arbëreshe.

Kështu edhe revista “Zjarri”, e themeluar në vitin 1975 nga Giuseppe Faraco, një prift i ritit bizantin. Gazeta me karakter shkencor bëhet shumë shpejtë një instrument i analizës gjuhësore, debatit dhe diskutimit mbi realitetin e etnisë, duke i dhënë një nxitje sinergjie të shëndetshme shprehjeve të ndryshme të ndryshme gjuhësore të komunitetit arbëresh. Falë revistës Basilicata Arbëreshe, e themeluar dhe drejtuar nga Donato Michele Mazzeo – Organ i Shoqatës “Basilicata Arbëreshë “, me një prani dinamike dhe vazhdon për mbi 30 vjet, rilindin rrënjët Arbëreshë rilindur në Vulture. Më shuam fat do të meritonte përpjekjet e Fernanda Pugliese, themeluese i revistës “Kamastra” në Molise që sjell një revolucion të vërtetë kulturor për të kaluar trashëgiminë e çmuar të trashëgimisë së lashtë, organizuar dhe promovuar ngjarje kulturore. konferenca, simpoziume, ekspozita, si dhe botimet e librave dhe ese, duke kontribuar në zhvillimin kulturor, civil dhe social të komunitetit shqiptar në Molise. Vëmendje të veçantë meritonte revista “Jeta Arbëreshë”, e themeluar dhe drejtuar nga Agostino Giordano, me 79 botime. Informacioni jepet në gjuhën e tyre amtare dhe përbën një kontribut të rëndësishëm për vitalitetin e identitetit. Instrument, pra i rëndësishëm i finalizuar me ruajtjen e kujtesës në këto vende, përhapjen e kulturës dhe gjuhës arbëreshë në një ambient të gjerë. Funksioni i “Jeta Arbëreshë” nuk përfundon këtu. Prof. Agostino Giordano është i angazhuar në një numër iniciativash editoriale mjaft ët rëndësishme. Biblos, është një tjetër organ i informacioni kulturor dhe bibliografik të të bibliotekës së qytetit “G. Schiro i Piana degli Albanese (PA), që vepron në një periudhë të gjatë të shërbimit kulturore me materiale dhe njohuri të Sicilisë Arbëreshë.Kështu edhe Besa, buletini mujor i Romës, i bërë në sajë të arkimandritit Mons. Eleuterio Fortino që ka operuar nga 1965, si zëri i Kishës në komunitetin katoliko-biznatin i kishës së Shën Athanasit në Romë dhe informonte çfarë po ndodhte në botën Arbëreshe. Treguesit më të menjëhershme të identiteti kulturor Arbëreshë në dekadat e fundit janë edhe dy portalet online, Arbitalia dhe Jemi për shpërndarjen në ueb të vlerave të identitetit, të realizuara përkatësisht nga Pino Cacozza edhe Luigi Boccia.

Individët

Dhe pastaj dhjetëra e dhjetëra dijetarë dhe apasionantë të cilët me këmbëngulje rilidhin fijen pakëputur kurrë me historinë tonë, me rrënjët tona, për të na treguar se vlerat, pikat e referencës, janë shënuar tashmë. Dëshmitarët dhe besnikët e traditave më të lashta, pavarësisht nga transformimet e pashmangshme të dimensionit hapësirë-kohë dimension të jetës sonë bashkëkohore.

Edhe ata, u harruan dhe fyen!

Është rasti i Francesco Fusca, ish-inspektor Ministria e Arsimit, Carmine Stamile, Ernesto Toçi, Francesco Marchianò, Nicola Scaldaferri, Antonio Gattabria, Vincenzo Perrellis, Oreste Parise, Atanasio Pizzi, Giulio Peta, Alessandro Rennis, Gennaro De Ciço, Vincenzo Cuçi, Domenico Morelli, Ferdinando Elmo, Caterina Adduci, Flavia D’Agostino, Costantino Bellusci, Angelo Matrangolo, Francesco Perri, Vincenzo Librandi, Michelangelo La Luna, Pierfranco Bruni, Francesca Santamaria, Pietro Manali, Giuseppe Siciliano, Cosmo Damiano Montone dhe shumë të tjerë që të paepur vazhdojnë të mbajnë gjallë trashëgiminë e etërve dhe pasuri e jashtëzakonshme të shprehjeve, një lidhje emocionale me vendin e origjinës të paraardhësve tanë, duke nxitur iniciativat dhe ngjarjet që mbulojnë në një farë mënyre të metat të ligjit 482 që nuk garanton mësimin kurrikular në shkollat e minoritarëve. Dhe në qoftë se disa çmime ishin të lidhura me ushqimin e mirë dhe verën e mirë të Pollinos, siç pretendohet nga thashethemet dashakeqe prej disa muajsh (shpresoj të mos jenë të vërteta!), përse të mos zgjerojmë horizontin edhe në zonat e tjera arbëreshe ku ka me bollëk verë të mrekullueshme dhe pjata tradicionale të përgatitura në mënyra të ndryshme?

Natyrisht shaka, sepse çdo gjë do të kishte përfunduar “shend e verë”. Tani për tani, një zonë gjeografike del e tepron!

Megjithatë, ne shpresojmë që vera e mirë e kodrave arbëreshe të mos pjellë më çmime të turpshme!

Në vend të japësh medalje të kota, disa logjike, të tjera të detyruara, me presion të panevojshëm, duke favorizuar arsyet personale dhe politike dhe jo efikasitetin, Ambasada duhet të përfaqësojë një përzierje të përsosur mes Mëmëdheut dhe Arbërisë. Të bashkosh aspektet e shumëllojshme të Shqipërisë dhe komponentin e saj etnik të pranishëm në Itali, duke njohur në mënyrë efektive rolin vendimtar të luajtur nga Arbëreshët në historinë italiane të shekullit XV deri më sot, do të vazhdojmë ta bëjmë për kush e di sa kohë. Shpresojmë përgjithmonë!

Ana tjetër e medaljes ofron refleksione nga të cilat duhet nisur për të dalë nga imtësirat që dolën në dritë.

Për shembull, Ambasada dhe qeveria shqiptare duhet të forcojnë dhe zhvillojnë lidhje me komunitetet arbëreshe, ekzistues në Itali, për të nxitur iniciativa për të shtrirë njohjen e traditave të tyre kulturore dhe të gjuhës shqipe, në mënyrë që të mbahen gjallë dhe forcuar lidhjet me Mëmëdheun. Duhet gjithashtu mbështetje në mënyrë aktive me kontribute nga qeveria shqiptare, për të gjitha ato aktivitete që arbëreshët prej vitesh çojnë përpara me qëllim që të tregojnë të gjithë pasurinë e traditave gjuhësore dhe kulturore të trashëguara në historinë e tyre shekullore, në mënyrë që të përmirësojnë në mënyrë cilësore dhe sasiore iniciativat, që në Kalabri, Sicili, Basilicata, Molise, Abruzzo, Puglia dhe Campania, shumë herë bëhen të pamundura për shkak të një atmosfere ideologjike mbytëse.

Ambasador, kur ishte e vështirë t’u shpjegohej të tjerëve në Arbëri lidhjen tonë më të sinqertë me identitetin kulturor dhe rrënjët historike në periudhën e vështirë të Shqipërisë. Pavarësisht nga situata dhe nga qeveritë e atyre viteve në vendin e lashtë të shqiponjave, kishin tendencën të na orientonin të gjithë si pluhur hekuri drejt një magneti.

Pse asnjë çmim për kryetarët e komunave arbëreshe që favorizuan në fillim të viteve ‘70 -80 të shekullit të kaluar, në kohë të vështira, hapjen e marrëdhënieve të miqësisë që u konsoliduan gradualisht me kalimin e kohës? Duam të kujtojmë se ishte koha kur në vednin e shqiponjave praktikohej turizmi i miqve dhe atyre që donin Shqipërinë, turizmi i njerëzve të ndershëm të vendeve dhe shteteve që kishin sjellje korrekte dhe miqësie kundrejt popullit të lashtë ilir.

E dhëna që del nga këto udhëtime është madhësia që reflektohet nga vazhdimësia e një orientimi të fortë emocional dhe lidhje të forta drejt mëmëdheut në një atmosferë të mrekullueshme e mbushur me tregime, takime, kujtime që secili ka sjellë me vete duke i ruajtur gjithmonë në zemër.

Për këto emocione të forta, forcimi dhe konsolidimi i ndjenjës së miqësisë, ishte meritë sidomos e kryetarët Arbëreshë Vincenzo Minisci nga San Giorgio Albanese dhe Damiano Bua San Cosmo Albanese, në kohën kur ai mbuloi postin e kryetarit të “Lidhjes italian të Mbrojtjes së minoritetit shqiptar” s dhe të On. Mario Brunetti, sekretari i kësaj lidhjeje. Këto lidhje, u bënë më pas të vazhdueshme dhe sistematike, duke përgatitur bazat për një seri iniciativash dhe një këmbëngulje të rëndësishëm të marrëdhënieve dhe shkëmbimeve. Edhe para viteve tetëdhjetë, një sërë iniciativash dhe projektesh morën hov, si Javët e kulturës shqiptare, kryesisht në sajë të kontributit të Qendrës për Dokumentim dhe Hulumtim Arbëreshë, me përfshirjen e një numri të madh dijetarësh, grupesh folklorike, shoqatat kulturore, organe, etj, etj, si dhe delegacionet kulturore, artistike dhe politike nga Shqipëria.

Nga ai moment lidhjet prekshme me mëmëdheun dhe mbrojtja e identitetit kulturor, nëpërmjet projektligjeve për mbrojtjen e pakicave gjuhësore kanë krijuar një sinergji edhe më të madhe tek shumë njerëz, efektet e të cilës janë të dukshme me miratimin definitiv të ligjit. 15 dhjetor 1999, neni,482 për minoritetet etnike dhe gjuhësore shqiptare dhe miratimin e ligjit për mbrojtjen e minoriteteve nga ana e Këshillit të Qarkut të Kalabrisë, për këmbënguljen dhe pasionin respektivisht të Hon. Mario Brunetti dhe Hon. Damiano Guagliardi dhe qindra nismave të individëve, shoqatat, institucioneve, universiteteve, Dioqezave, etj, etj

Në një nga këto iniciativa në vitin 2003 si pjesë e Festivalit të 2 Euromesdhetar, në sajë të ndërmjetësimit kulturor dhe politik të Andrea Kokerit, drejtor artistik i festivalit, munda t’i propozoj kryetarit të San Cosmo Albanese – Strighari (Cs) dhe San Basile – Shen Vasili (Cs), në cilësinë e drejtorit organizativ të Festivalit Euromesdhetar, dhënien e shtetësisë të nderit për kryetarin e Tiranës Edi Rama, në bazë të punës së madhe që kryente në vend dhe në të gjitha fushat e jetës shoqërore. Rama u vlerësua nga Presidenti i Këshillit Rajonal të Rajonit të Kalabrisë dhe Qendrës për Studime dhe Kërkime të traditave italiane-shqiptare.

Në mënyrë të veçantë, me atë rast Kryetari i Bashkisë së Tiranës shprehu vullnetin e hekurt për t’i kushtuar një rrugët të qytetit të Tiranës arbëreshëve për lidhjen me nënën e vjetër dhe për lidhjen e thellë dhe të fortë për identitetin e tyre kulturor, që nuk u tejkalua kurrë nga vlera të tjera. E dimë që ky projekt u bllokua më pas nga Qeveria Berisha për mungesë fondesh. Ndodhi kështu apo u hoq dorë nga duke i lënë hapësirë sindromës së zilisë dhe xhelozisë? Pse nuk vijon propozimin ish kryebashkiaku i Tiranës, sot kryetar i qeverisë? Kjo është ajo që ne kërkojmë, Ambasador i Shqipërisë në Itali. Megjithatë duam një përgjigje të qartë dhe transparente, jo instrumentale dhe të njëanshme, sepse besoj se politika e gënjeshtrave dhe shtyrjeve nuk është më e mundur. Në thelb ne arbëreshët duam që të zbatohet projekti shumë i rëndësishëm dhe i mrekullueshëm i kryeministrit Edi Rama, duke mbështetur dhe financuar një ide të mrekullueshme. Aq më pak mund të toleroj moralisht rezistencën dhe armiqësinë e Presidentit të Republikës së Shqipërisë në emërtimin e një prej poetëve më të rëndësishëm shqiptar, Visar Zhiti, si ambasador pranë Selisë së Shenjtë, me rekomandimin e Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.

Dua të kujtoj që prej vitit 1997 deri më 1999 ishte Këshilltar i ministrit të kulturës të Ambasadës Shqiptare në Romë, duke lënë tek të gjithë ne, ndjenja të thella miqësie që vetëm një njeri i madh mund të japë. Ja përse mendojmë se figura e Edi Ramës është thelbësore dhe garantuese jo vetëm sot, por edhe për të ardhmen e Shqipërisë, duke shpresuar edhe në një Arbëri më të mirë.

Jam i sigurt, për ta thënë me eufemizëm, se “nuk do t’ua ndjejë” përballë ankesave të mia. Druaj se zhgënjimi im do sjellë një shqetësim jo i pakët. Megjithatë, një gjë dua t’ju këshilloj: Ushtroni mandatin tuaj në interes të të gjithë Arbërisë dhe jo të atyre që kanë interesa personale, edhe sepse mulliri i Arbërisë, siç mund të shihni, le shenjë në kohë dhe bluan shekujt. Në një nga këngët e kompozitorit të famshëm arbëresh Alfio Moçia, thuhet:

 

“… E pesëqind vjet

si një lumë shkuanë

e ki mullir i vjetër

edhé sot bjuanë!

Shurben natë e ditë

ndë malë e ndë sheshë,

shurben vet me djerrset

të neve Arbëreshë!

Me shokët u luftonj,

me shumë fuqi,

me Shqipërinë

ndë zëmër e ndër si!”

 

Përzemërsisht

Italo Elmo

August 21, 2015 23:37
Komento

7 Komente

  1. XUME PROTOPAPA August 22, 17:56

    ITALIAN HELMETES ME SHPIRT TE MAJTHUR

    Po i pergjigjem ne shqip, shpresoj ta kuptoje ate qe dua te shpreh.

    Arbereshet jane gjithsejt rreth 29-30 mije fryme, te shperndare ne te kater anet e Italise, me perqendrime “masive” ne Piana dei Albanesi e ne Sicili rreth Palermos.

    Qe flasin shqip, eshte pak e veshtire te perceptohet, sepse eshte nje gjuhe qe perveç alfabetit latin nuk ka asgje te perbashket me shqipen, qofte edhe ate te vjetren, te pa perpunuaren nga pas lufta e 1944-tres.

    Pa bere ndonje gabim numerik, mund te them se si qytezat me kryesore ku banojne, te bere te tera se bashku, nuk kalojne ne numur te fameshmen Babru te Erjonke Veliajt. Ah, ne zonen ku jetojne arbereshet, fiqte nuk mbijne, andaj mungojne edhe shitesit e fiqeve.

    Te dekorosh tere kete recital emrash qe permend ky zoteria, qe me sa duket jeton (per te ruajtur traditen arbereshe) ne Rome, eshte si te paisesh me dekorata, ashtu siç thashe me lart, nje Babru te tere, nga mjelesit e lopeve, tek qepe-shkulesit, deri tek kushurinjte (do kete me siguri ndonje vllaho-boshnjak) e disa brezave te çunit te Krista Vath Rames, atij qe poezite i ngjallnin sketerre.

    I vetmi, edhe per njohje direkte me te, ne kete liste, qe shqiptaret duhet te njihen me shume me veprimtarine e tij, ishte (sepse ka nderruar jete ne 2009-ten ne mos gaboj) Arkimandriti Eleuterio Fortino.
    Nje klerik i rrangjeve te larta te Vatikanit, per disa dekada ishte zgjedhur “Kryetari i Komisionit te Perbashket per Bashkimin e dy Kishave Katolike dhe Orthodokse”.

    Kur kisha rastin te shkembeja dy fjale me te, edhe pse kish mesuar disa shprehje ne shqip, i pergjigjesha ne gjuhen italiane, duke tejkaluar i vetedijshem çdo lendim qe mund ti shkaktonte mos njohja e gjuhes shqipe. Shqiptaret duhet te kujtojne perkthyesen e ish Kryeministrit Romano Prodi, kur zbriti ne Shqiperi, i “mbrojtur” nga shpura e Zan Çaushit me kompani, ajo ishte motra e monsinjor Fortinos.

    Nga sa kam patur mundesine dhe kohen te frekuentoj kishen ku meshonte ne Rome, tek Kolegji i Grekerve, ajo Kisha ne rrugen e Babuineve, me nje nga fontanat me te njohura e me te vjetra ne Rome, ate te “njeriut pa hunde”, ishte vertet i impenjuar ne perhapjen e kultures dhe gjuhes arbereshe (megjithese une nuk kam kuptuar as edhe nje fjale te vetme).

    Ky Italo Helmeta (Italo Elmo), ka harruar te permende edhe emra te tjere vertet te fameshem ne aren jo vetem italiane, natyrisht arbereshe me origjine, per mire e per keq.
    Mbase nuk e di (besoj pak ne kete mundesi) po Michael Nicholas Salvatore Bongiorno, i njohur si Mike Bongiorno, ishte me origjine nga San Giuseppe Jato, ashtu si edhe bankieri me i frikshem ne periudhen post-belike Ernrico Cuccia, i te fameshmes Medio Banca.

    Edhe mafioze te kalibrit te Giovanni Brusca-s e Baldassare Di Maggio-s, ishin nga San Giuseppe Jato (Palermo), nje nga te parat insidime kolonike te shqiptareve te ikur pertej detit, pas vdekjes se Gjergj Kastriotit. Siç tregojne dokumentet e shkruara, San Giuseppe Jato, ne fillimet e tij ishte nje vend ndalimi per furnizimin me uje (kishte vetem nje pus dhe nje lloj tetoje mbrojtese) te udhetareve qe pershkonin rruget siciliane te kohes.

    Merr kurajon Italo Helmeta, te kerkosh lavde, tituj, dekorata, e ajo qe eshte me e rendesishme para e financime, nga qeveria italiane. Ne shqiptaret jemi bere me te varfer, qe kur shkerdhatokracia mori frenat e drejtimit te ketij vendi, andaj te drejtohem sinqerisht me fjalet e bibles: jepna buken e perditeshme te ngopim barkun tone !

    Reply to this comment
  2. Agim Cani August 22, 18:16

    …Xume…ke emer te gabuar…duhesh quajtur Sali….protopapa….!…

    Reply to this comment
    • XUME PROTOPAPA August 22, 18:19

      Ti prokreacioni i Shkelqim Canit, te iku dhimbja tek kocke e te pasmes, nga pesha e thaseve me flori qe i vodhet shqiptareve?

      Reply to this comment
      • LOVE August 22, 18:47

        Agim Cani
        lere Xumen mos e ngaterro kot me ate …Saliun qe ju ka ngulitur diktatura ne koke se ka qene “armik” .Pyet ose lexo me shume dhe do befasohesh kush ka qene SEJFI PROTOPAPA .

        Xumes mund ti terheqesh vemendjen pse nuk hapi
        dosjen e Neritanit
        sepse e ka dosje te larmishme ,
        une nuk kam aq informacion sa Xumja ,
        qe si kuader i vjeter i njeh mire 😛
        por di qe dosja e Neritanit eshte shume e gjate .
        ateher per ate veshin diplomatik te atij gamorit pa diplome na beri nje ferman te stergjate me rrenjet e ster ,ster ,ster gjysherve
        na radhiti sherbime te rralla ndaj atdheut ,po harroi te na shkruante si e kishte emrin qe perdorte me shume ne korridorret e sigurimit

        Xume ,na informo me shume ,se ne kete rast ke precendecen 😛
        [me shaj me shume delikatese 😛

        Reply to this comment
      • XUME PROTOPAPA August 22, 20:53

        Beji te fala Keidhes se Elez Shkerdhate Biberajt e “me patjeter” edhe Frank Mutqenef Shkrelit, qe ta mbajne ne pellembe…ops…. ne maje te …. nipçen tende te shumeshpuar.

        Reply to this comment
  3. Atanasio August 22, 22:55

    Lo storico incontro dell’aprile 2015, con le istituzioni albanesi è stato uno dei momenti più penosi e privo di ogni riferimento con la storica tradizione Arbëreshë, nessuno di coloro che si possa definire tale, si sarebbe immaginato un tale evento dopo un’attesa durata circa seicento anni; un incontro storico cosi inadeguato privo dei più elementari protocolli istituzionali.
    L’augurio, visto che si tratta di nostri fratellastri, è quello che si rendano almeno conto della ferita praticata al nostro “Ideale d’Albania”.
    Nessuno di noi Arbëreshë si sarebbe aspettato premi vuoti di ogni significato storico, per cui ritengo che coloro che hanno avuto il coraggio di ritirarli, lo hanno fatto per rispettare i canoni dell’ospitalità che ci distingue; ad oggi rimane solo un gesto per annullare l’evento e fare si che non è mai avvenuto: spedire al mittente le patacche.
    Attenderemo tempi più idonei e istituzioni albanesi più formate per concertare l’atteso momento di unione in ambiti istituzionali ( Convegno della Regione storica Arbëreshë) in cui dopo un’attenta rievocazione delle tappe storiche e dei personaggi che hanno fatto dell’arberia un vanto e una ragione di vita, la firma di protocolli, cooperazione tra la Regione storica Arbëreshë e l’Albania, si possa chiudere il momento storico con premi a persone, istituzioni e luoghi della fratellanza ritrovata.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*