Edi ndrysho qeverinë…

May 21, 2016 23:58

Edi ndrysho qeverinë…

Një bisedë për aktualitetin politik dhe shqiptarët.

Pse politika nuk e kapërcen dot mediokritetin dhe krizën, jo vetëm në Tiranë por edhe në Prishtinë e Shkup.

Pse parlamenti aktual është kaq i dobët.

Pse përplasjet politike janë kthyer në beteja bishash.

Pse sloganet me “breza të ardhshëm” janë të gabuar…. 

– I nderuar Moikom, në këtë intervistë po i rikthehemi aktualitetit politik në vend, pasi duket se politika e ka futur vendin sërish në krizë. Ju jeni dakord me këtë konstatim?

– Vendi në krizë? A është politika kriza e krizës? A kemi vetëm krizë politike? Apo një pluralitet krizash në krejt shoqërinë? Aktualiteti politik është një rrjedhë e ditës që pasqyron një tranzicion të tejzgjatur, të pajustifikuar, ku ngjan se lëvizja e përplasjes së fjalëve nuk përputhet aspak me lëvizjen e zhvillimit, përkundrazi strukturon mjerueshëm një lloj status quo-je.

Dikur Paul Valery thoshte se nuk ka histori normale, por histori të paradokseve, sepse paradokset janë normaliteti i vetë historisë. Një aspekt filozofik kështu është. Por nuk duhet harruar ndërkaq se bëhet fjalë për çerek shekulli, për 25 vjet, që politika reflekton riciklime, përdorim klishesh, përsëritje groteske dhe jo zhvillime kapërcyese dhe cilësish të ndryshme dhe vizionare. Shpesh në shkrimet e mia apo edhe në librat e mi politikë e kam quajtur klasën politike shqiptare si një klasë parapolitike. Natyrisht një emërtim i tillë e ruan vlerën e konvencionalitetit dhe nuk mund të konsiderohet absolut. Por nëse bëjmë një analizë në optikën rajonale të politikës që instrumentalizojnë shqiptarët, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë, si dhe në Maqedoni etj., do të shohim se këto 25 vjet emancipimi i klasës politike shqiptare ka qenë i cekët, i sipërfaqshëm, me një entropi të një prapambetjeje dhe të një ritmi tejet të ngadaltë, që krijon alergji të vërtetë. Të gjitha partitë politike, qoftë ato që janë në qeverisje, qoftë ato që janë në opozitë, dëshmojnë gati një antagonizëm të skajshëm apo një mohim ekleziastik për njëra-tjetrën. A nuk ndodh kështu në Prishtinë? Po në Shkup? Vetëkuptohet edhe në Tiranë. Koncepti juridik dhe kushtetues i partive politike në demokraci përbën legjitimitetin e tyre dhe pozicionet komplementare. Partitë në opozitë dhe partitë në qeverisje nuk mund të jenë si ato sferat në sistemin e vjetër të Ptolemeut aleksandrin, që rrotullohej secila për hesap të vet, pa ndërlidhje. Kjo e shndërron kuptimin e pluralizmit politik në një formulë dualiste, pra në një sistem dyjor, binar. Për më tepër nuk është mësuar për 25 vjet – kohë tejet e gjatë për të mësuar diçka të mirëfilltë dhe aspak të vështirë për t’u mësuar në thelb, se pozicionet kushtetuese të partive herë në opozitë dhe herë në qeverisje nuk janë aspak zhbërjeje dhe vetasgjësimi. Unë jam një njeri i letrave dhe nuk kam asnjë konflikt interesi me politikën që bëhet sot në Shqipëri. Nëse Berisha më la 10 vjet pa punë, 3 vjet pa punë më la edhe Rama.

-Po, vërtet…

– Por kjo sot konsiderohet nga unë një libër i mbyllur. Ajo që më intereson është politika në një kuptim të epërm filozofik social dhe kombëtar. Shikoj, me një keqardhje të thellë, me një shqetësim të rëndë se partitë shqiptare mbas 25 vjetësh pasqyrojnë një rend simbolik dhe përfaqësimi në parlamentin e Shqipërisë në një nivel që nuk ngjall asnjë lloj nderimi dhe respekti. Vetë Ilir Meta ka thënë se ky është parlamenti më i dobët i këtyre 25 viteve. Po pse është një parlament i tillë? Pse duhet të jetë një parlament i tillë? Cilat janë shkaqet që kemi parlamentarë të listave, emra të klonuar (disa prej të cilave edhe emra të ndryshuar jo një herë, por disa herë), dhe mungojnë personalitetet e vërteta të politikës në rrafsh kombëtar. Kë duhet të fajësojmë për këtë gjendje të padenjë të përfaqësimit politik? Popullin shqiptar? Njerëzit e thjeshtë që s’i pyet askush? Votuesit që edhe mund t’i manipulosh? Elektoratet që mjerisht votojnë listat e parapërgatitura nga kryetarët e partive? A janë këto atributet e një klase politike të emancipuar? Apo të paemancipuar? Kjo është çështja (This is the question), do të klithte Hamleti. Por as vetë hamletizmi nuk na hyn në punë, as konstatimi që është gjëja më e lehtë që mund të bëhet, sepse nuk zgjidhen kështu problemet.

Por mund të gjykojmë me modesti por edhe me realizëm këtë situatë të qeverisjes së PS-së dhe LSI-së për këto 3 vjet. Është e pamundur që njeriu të mos ketë vendime kontestuese duke u nisur nga arsyeja e shëndoshë, mirëkuptimi, por edhe dëshira për të përmirësuar gjërat dhe për të ecur akoma më mirë, akoma më bindshëm, siç duhet. 3 vjet nuk janë pak. Qeverisja ka patur një vullnet për t’i ndryshuar gjërat. Kjo nuk duhet mohuar. Nuk ka pse të mohohet. Por si dhe a mund të kishte disa alternativa më të epërme dhe më vizionare të qeverisjes? Nga ana tjetër kriticizmi i opozitës – kriticizmi është një e drejtë ekzistenciale e opozitës – sa i përgjigjet realitetit, arsyes dhe të vërtetës? Mbas 3 vjetësh njeriu me mend në kokë që nuk bën as Hosana dhe as Haleluja, duhet që të mbrojë fillesat apo nismat që janë të logjikshme dhe pozitive, dhe njëkohësisht të ruajë një ekuilibër arsyetimi për të artikuluar një kriticizëm jo thjesht si ai që bën opozita e sotme, por dhe kriticizimi brenda institucionit të Partisë Socialiste, ose dhe të LSI-së. Por, ç’po ndodh? Opozita sulmon. Opozita demaskon. Opozita kërkon zgjedhje të parakohshme. Opozita ndërmjet Berishës në mënyrën më groteske dhe më të paimagjinueshme kërkon armatosjen e popullit (duke e moderuar këtë kërkesë antikushtetuese dhe të frikshme qoftë edhe nëpërmjet alibisë së njw ligji në Kuvend). Opozita flet për një revolucion për të zhdukur qelbësirat. Për një revolucion të pamundur, të galvanizuar nëpër fraza, fshikëza që s’arrijnë të bëjnë metamorfozën e plotë dhe të kthehen në flutura. Lufta e opozitës me qeverinë është sipas Testamentit të Vjetër “sy për sy dhe dhëmb për dhëmbë”. Nuk ka kompromis. Kompromisi është përjashtuar. Duket sikur në Shqipëri ka dy popuj armiq, populli i opozitës dhe populli i atyre që qeverisin. Ky bigëzim, kjo përplasje në dukje fatale i krijon të tëra premisat për të ngritur valencat e qytetërimit politik brenda partive kryesore të Shqipërisë duke e zhvendosur situatën gati në një luftë darviniane bishash. Kjo nxitje për konflikt përmban në vetvete një banalitet të pashembullt. Karakterizohet nga një miopi. Gati një harakiri primitiv. Po ja që nuk është ashtu. Çdo veprim politik që kapërcen kufijtë e votimit nuk funksionon dot.

-Madje janë përmendur zgjedhje të parakohshme…

– Zgjedhjet e parakohshme nuk funksionuan as në Prishtinë. Zgjedhjet e parakohshme nuk funksionuan as kur ishte Rama dhe PS-ja në opozitë për 8 vjet. U bënë thirrje të ethshme për zgjedhje të parakohshme nga opozitarët e dikurshëm, por bumerangu tashmë funksionon në lëvizjen e kundërt dhe janë ata që mohonin parullën e zgjedhjeve të parakohshme, opozitarët e tanishëm që kërkojnë pikërisht zgjedhje të parakohshme. Nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme. Ky është mendimi im. Pra do të respektohet mandati formal ligjor dhe kriticizmi qoftë dhe i deformuar dhe me tonet më të nxehta dhe më të ashpra, do të respektohet pikërisht atë raport që krijon evolucioni politik duke mos e bashkuar

Moikom Zeqo

Moikom Zeqo

automatikisht evolucionin me përmbysjen politike si dy simbole të të njëjtit ekuacion. Nga ana tjetër Rama dhe qeverisja duhet të jenë më fleksibël dhe të shkëputen nga një pozicion tejet i ngurtë ndaj opozitës, e cila është një institucion kushtetues dhe nuk ka asnjë vlerë ironia dhe përbuzja pezhorative për ta quajtur opozitën si “SHQUP-i”. Emërtimi SHQUP-i është pa asnjë kuptim dhe nuk duhet përdorur nga njerëzit e qytetëruar. Nuk duhen përdorur banalitete, madje edhe terma seksualë në Kuvend. Njerëzit që përdorin terma dhe sharje sipas Gustav Jungut paraqesin në nivel mediokër të të menduarit. Horaci thoshte: “Ridentum dicere verbum quis vetat? (kush na ndalon të themi të vërtetën edhe për të qeshur)”. Pa dyshim e vërteta duhet thënë. Pa dyshim që qeverisja e sotme mbas 3 vjetësh ka nevojë për përmirësime, politika është diçka dinamike, e lëvizshme, jo e ngurtë. Ajo instrumentalizon kapërcimin e gabimeve. Edhe ndryshimet në qeveri nuk përbëjnë ndonjë tabu. Asgjë nuk përbën tabu kur bëhet në emër të së mirës dhe përmirësimit. Ai që kritikon jo doemos mohon. Ai që kritikon nuk është armiku. Ai që kritikon merr pjesë në strukturimin e një vizioni. Është komplementar në zhvillim. Një kryetar qeverie që nuk e duron kritikën apo ministrat që e përbuzin kritikën për mendimin tim tregojnë një kokëfortësi provinciale dhe jo një kulturë urbane të kuptimit dhe të artikulimit historik të situatave. Do të doja sinqerisht që qeverisja e sotme të reflektonte disa premisa të ndryshimeve për njerëz më të aftë.

-Por ministrat i zgjedh kryeministri….

– Zgjedhja e ministrave nuk është një fakultet subjektiv absolut i kryeministrit. Në asnjë vend të botës nuk mund të jetë një gjë e tillë. Më bën përshtypje që këto 3 vjet ministrat pothuajse nuk janë ravijëzuar si profile të përveçëm në media, madje as në diskutime publike apo edhe në debate substancialë. Po si dreqin duhet të ndodhë një gjë e tillë? Unë e kuptoj që ndryshimet absurde të Kushtetutës në 2008 kanë sjellë një prurje të tillë të deputetëve në Kuvend. Dhe këta deputetë bëhen menjëherë anonimë. Këta deputetë nuk diskutojnë prej vitesh në Kuvend. Janë të parapëlqyer si të tillë. Edhe të zgjedhurit e rinj të kryetarëve të bashkive në Shqipëri nuk i shpëtojnë këtij rendi simbolik dhe të përfaqësimit politik. Shumica e tyre, me ndonjë përjashtim, janë njerëz të rëndomtë, aspak të njohur dhe pothuaj të panjohur në rrafsh kombëtar. A ka përgjegjësi Partia Socialiste për një situatë të tillë? Vetëm një i marrë mund të thotë që Partia Socialiste nuk ka përgjegjësi. A duhet nxjerrë një mësim jetik për të mos përsëritur këtë marrëzi? Pa dyshim që mësimi jo vetëm duhet përballuar, por duhet sendërtuar për një të ardhme ku problematikat e vjetra të ngjajnë të harruara.

Nëse thashë më sipër se nuk ka zgjedhje të parakohshme, nuk e fsheh mendimin se përgatitja e fushatës së zgjedhjeve elektorale 2017 pothuaj është ftillëzuar dhe ka nisur. Zgjedhjet e 2017-s do të kenë një rëndësi shumë të madhe për të ardhmen politike të Shqipërisë. Zgjedhjet nuk janë thjesht spektakël. Zgjedhjet nuk janë performanca. As mitingje. Zgjedhjet janë një nga format juridike të identifikimit adekuat të elektoratit me partinë që mëton të përfaqësojë këtë elektorat. Çdo qeverisje mbart detyrimisht edhe zhgënjime. Çdo qeverisje ka kosto. Edhe PS ka kostot e saj. Nuk e besoj se zgjedhjet politike të vitit 2017 kanë një kuptueshmëri të përputhur dhe të brendshme me frazën “Shqipëria e një gjenerate tjetër”. Nuk ka një Shqipëri vetëm të një gjenerate. Ka në thelbin e thelbeve Shqipëri të të gjitha gjeneratave. Statistikat thonë se në Shqipëri ka 600.000 pensionistë dhe përafërsisht afro 500.000 i takojnë elektoratit të majtë. Gjenerata e re në pikëpamje të moshës nuk e ka një numër të tillë. Pra numrat elektoralë janë ndërthurur. Shqipëria i përket të gjitha gjeneratave pa përjashtim.

-E thua këtë se ne të dy jemi “të vjetër”?

– Shqipëria nuk mund të ndahet në mënyrë artificiale në të moshuar dhe në të rinj dhe aq më tepër kjo të përfaqësojë një ndarje konceptuale. Kurrë nuk e kam kuptuar dhe nuk do ta kuptoj dot pse ka ndodhur një triumf  i një fraze pa asnjë kuptim të brendshëm politik në një politikë utilitariste dhe të shumanshme. Instalimi në administratën e qeverisjes të moshave të reja pa dyshim që ka patur një impakt pozitiv. Por joformalizimi i kësaj tendence është progresiv. Nuk besoj që administrata shqiptare është bërë më e kulturuar dhe më e efektshme. Përkundrazi, shpesh më duket se administrata shqiptare duke larguar njerëzit me përvojë, madje dhe personalitetet e vërtetë, është mbushur me njerëz shpesh të klonuar dhe që nuk kanë arritur dot të krijojnë personalitetin e tyre. Faik Konica në librin e tij “Shqipëria si m’u duk” në analizat e tij brilante citon librin e shkrimtarit çek Çapek “Rossum’s universal robots” që flet për robotët. njerëzit makina, njerëzit automatë. Ja çfarë shkruan Konica: “Kështu kemi tërë shenjat e makinës: të mos ardhurit keq për punëtorët (qytetarët) se makina s’mund të ketë dhëmbje, të mos kuptuarit se pyetja e re kërkon doemos një zgjidhje të re, se makina është e kurdisur për të mbaruar vetëm lëvizje të paracaktuara nga inxhinierët, se makina nuk e ka ndjenjën e përgjegjësisë,se makina kthehet e bën zhurmë por nuk skuqet, as nuk e vret ndërgjegjja.”Konica citon edhe librin e filozofit Oswald Spengler, “Untergang dez Abendlandes”, duke nënvizuar se kjo është vepra më me rëndësi në temën e politikës pa përjashtuar edhe veprën e madhe të Platonit “Politeia”. Spengler mendon se një shumicë sistemesh politike është zhdukur, madje dhe udhëheqës të dukur si të mëdhenj kanë falimentuar, sepse në vend se të kenë patur rreth vetes njerëz të vërtetë për bashkëpunëtorë, kanë patur njerëz makina. Këto ide kriticiste të Faik Konicës sot tingëllojnë në një pikëpamje universale për të gjitha partitë politike. Në Shqipëri, por edhe tej kufijve të Shqipërisë londineze.1

– Sidoqoftë, e shumëpërfolura reformë në drejtësi duket se ka ngecur. PD ka vënë kushte të reja, ndërkohë që fajëson mazhorancën se po pengon reformën. E konsideroni këtë ju një dështim?

– Reforma në drejtësi është një përpjekje e madhe, pra me një rëndësi jashtëzakonisht të patjetërsueshme për Shqipërinë për të krijuar kulturën e ndryshimit të krimit të organizuar në Shqipëri. Kjo reformë në drejtësi është artikuluar më shumë dhe më konkretisht nga ndërkombëtarët, nga përfaqësuesit e BE-së dhe ambasadori i SHBA-së Donald Lu. Duket sikur ideja e kësaj reforme juridike i ka zënë si në befasi të tërë, partitë politike dhe sidomos deputetët numerikë të Kuvendit. Debati që bëhet për këtë reformë përqendrohet në detaje të dorës së dytë, në koncepte formalë duke zgjatur deri në kalendat greke sendërtimin e kësaj ideje dhe organizimi që do të ketë një kuptim satirik dhe katharsis për tërë shoqërinë shqiptare. Me reformën në drejtësi është populli shqiptar i të tëra elektorateve. Me reformën në drejtësi janë tërë njerëzit e ndershëm të Shqipërisë. Me reformën në drejtësi është në bangën e provës loja ekzistenciale e qytetërimit shqiptar. Reforma në drejtësi përfaqëson një të ardhme; një vizion të jashtëzakonshëm, ndonëse të vonuar. Reforma në drejtësi për mendimin tim nuk do të mposhtet. Pavarësisht zvarritjeve, pavarësisht alibive, pavarësisht retorikave. Reforma në drejtësi nuk është një akt i thjeshtë i votimit të Kuvendit për një strukturë ligjesh dhe organizimi kundër krimit në shoqëri. Është diçka më shumë. Është shumë më tepër. Është njëkohësisht dhe një terapi. Është dhe një parandalim i situatave kriminale dhe kalimin e Rubikonit drejt Shqipërisë së shtetit ligjor për të lënë pas Shqipërinë e shtetit mafioz. Reforma në drejtësi të cilën duhet ta votojnë 140 deputetët anonimë të sotëm jo vetëm që krijon kushte paraprake për të rigjeneruar  klasën politike, por edhe për të bërë Moikomisubstanciale shpresën për drejtësi dhe një shoqëri më të denjë. Në Shqipëri ka vdekur kauza. Shqiptarët duken sikur janë një popull pa kauzë. A është krimi i organizuar një perpetum mobile? A duhet të aspirojmë për një shoqëri të demokracisë të vërtetë? Jam i sigurtë që deputetët e Kuvendit me duart e tyre do të ligjësojnë pikërisht atë që në thelb i mohon.

-Nuk janë të gjithë të tillë…

– Nuk dua në asnjë mënyrë t’i demonizoj deputetët, as t’i fus të tërë në një kallëp. Nuk besoj se vetëm deputeti i bërë si i tillë për shkak të një të kaluare kriminale përbën rrezikun e vetëm në Shqipëri. Mendoj se dhe banaliteti parlamentar është po aq i rrezikshëm. Banaliteti mund të krijojë një anti-kulturë të lemerishme, për të shkatërruar jetët dhe psikikat e shqiptarëve. Unë nuk jam fatalist. Asnjëherë nuk e shoh politikën si diçka fatale. Po e përsëris se politika është dinamike dhe e lëvizshme dhe ndryshimet mund të jenë të shpejta që në momentin e ligjësimit dhe të implementimit të strukturës juridike të asaj që quhet reforma në drejtësi. Por për më tepër tërheq vëmendjen në një pikë inkandeshente: duhet një vullnet i palëkundur politik për të ndëshkuar krimin. Le të marrim ligjin kundër mafies që ekziston i aprovuar në Shqipëri. Le të marrim ligjin për korrupsionin. Apo dhe ligjin për mospërputhjet e pasurive të deklaruara ose të padeklaruara në raport me të ardhurat. Po të kishte vullnet politik jam i sigurt që dhe me këto ligje që përmenda do të kishte ndëshkime të krimit, por ja që deri tani nuk ka patur. Kjo ka lindur domosdoshmërinë për reformën në drejtësi, për të plotësuar kështu të tërë compediuminjuridik për një shoqëri demokratike. Ndërkohë shpreh sigurinë time se reforma e drejtësisë do të aprovohet në Kuvend edhe nga PS, LSI dhe PD. Është një kusht pa kthim mbrapa. Reforma në drejtësi nuk do dështojë.

– Çfarë duhet të bëjë shumica qeverisëse në këto kushte?

– Shumë e thjeshtë. Të bëjë të gjithë përpjekjet për ta votuar ligjin e reformës në drejtësi. Në fakt kjo është më e pakta. Vënia në jetë e strukturës së re për ndëshkimin e krimit do të jetë pa dyshim diçka e epërme dhe me atribute kryesore.

– Mirëpo, vullneti i ndërkombëtarëve ka qenë dhe është që të arrihet konsensusi dhe për këtë ata kanë punuar fort. A e shihni të mundshëm arritjen e konsensusit dhe sidomos në afatet që kërkohen?

– Në ç’kuptim konsensusi? Konsensusi është që të gjitha palët të bien dakord në parim. Pra të gjitha palët thonë se jemi për reformën në drejtësi. Këtë e thotë edhe opozita. Puna është që debati dhe instrumentet e logjikshëm të konvertimit të ideve të arrihen në një mënyrë të tillë për të mos e zgjatur afatin e vënies në jetë të reformës në drejtësi. Sa kohë do të zgjasë? Sinqerisht nuk e di, por di që reforma në drejtësi do të bëhet patjetër.

– Ndërkohë ka një fushatë të madhe për dekriminalizimin e politikës. Kjo nismë është e opozitës dhe mbështetet edhe nga ndërkombëtarët. Por deri tani rezultatet që shohim janë dytësore. A mund të ketë kësi rezultati dhe reforma në drejtësi?

– Nuk më pëlqen termi fushatë. Më saktë kemi të bëjmë me një aksion ose me një lëvizje. Dekriminalizimi i politikës tani përbën edhe objektin edhe subjektin e politikës. Natyrisht që reforma në drejtësi do të japë disa rezultate që mund të jenë dhe spektakolare. Kjo do të krijojë një klimë të re politike. Në këtë rrafsh dekriminalizimi i politikës do të vijë në të gjitha partitë pa përjashtim, çka do të sjellë në 2017 për mendimin tim emra të rinj të përfaqësuesve të votuar dhe ndoshta të personaliteteve që e meritojnë.

– A mund të na thoni diçka i dashur Moikom për debatin e hapur në DITA lidhur me Akademinë e Shkencave?

– Më vjen mirë që DITA ka iniciuar debate të tilla. Debati për Akademinë e Shkencave duhet të ishte një debat më substancial. Shpesh ky debat mori trajtat dhe përvijime personale, madje duke degraduar në emra personash ose në etiketime të papranueshme dhe vulgare. Natyrisht në këtë debat kritika e Pëllumb Xhufit qe më iluminuese. Por në cilin aspekt? Në aspektin e përmbajtjes së punës shkencore të Akademisë së Shkencave. Akademia e Shkencave është një institucion kombëtar. Nuk mund të merret nëpër këmbë. As të marxhinalizohet, as të zhbëhet. Si institucion kombëtar Akademia e Shkencave duhet të fuqizohet për të patur autoritetin e dyfishtë dhe të pakontestueshëm shkencor, por dhe autoritetin moral. Akademia e Shkencave të Shqipërisë ka bërë një punë të jashtëzakonshme për zhvillimin e shkencës albanologjike, të arkeologjisë dhe të disiplinave të tjera duke përfshirë dhe ato politeknike. Dijetarë të tillë të përmasave të mëdha të staturës evropiane si Eqerem Çabej, por edhe Mahir Domi, Shaban Demiraj, akademikë të tillë si Kristo Frashëri, Dhimitër Shuteriqi dhe sidomos Arben Puto etj. janë emra me dinjitet të plotë në shkencë. U bënë gjëra të mëdha për albanologjinë. Kurse këto 25 vitet e fundit gjithçka ka mbetur gati në boshllëk. Arkeologjia shqiptare në kuvendet e studimeve ilire dhe sidomos në studimet prehistorike mbajti një peshë të madhe në ekuacionin e etnogjenezës iliro-shqiptare por edhe të studimit të qytetërimeve të tjera antike. Këto gjëra nuk duhen harruar. Këto 25 vjet krijimtaria shkencore nuk ka qenë e niveleve që mund të mëtoheshin për shekullin XXI. Në gjuhësinë historike sot mungon një personalitet i përmasave të Eqerem Çabejit. Në studimet për mesjetën përveç librave studimorë të Pëllumb Xhufit (i cili nuk është anëtar i Akademisë së Shkencave) mungojnë studimet kërkimore dhe sintezat e mirëfillta për mesjetën. Sot Shqipërisë i mungojnë specialistë për greqishten e vjetër, latinishten. Ajo që është e trishtueshme, por e vërtetë, është se asnjë akademik shqiptar nuk është i përkthyer jashtë shtetit. Le të marrim veprën e dijetari më të madh shqiptar Eqrem Çabejit. Vepra e zgjedhur e këtij dijetari duhet të botohej qoftë dhe e stimuluar nga shteti shqiptar në gjuhët e mëdha të Europës, por një gjë e tillë nuk është bërë deri më sot. Akademia e Shkencave, me disa përjashtime, përgjithësisht nuk ka personalitete të mëdha. Kjo duhet të na shqetësojë të gjithëve. Qeveritë e majta dhe të djathta kanë mbajtur një qëndrim vulgar ndaj Akademisë së Shkencave. Çështja e organizimit të Akademisë së Shkencave mund të jetë dhe nj çështje teknike, por për mendimin tim Akademia e Shkencave duhet të jetë forumi i patjetërsueshëm i personaliteteve të kulturës dhe të mendimit shqiptar. Duhet një mendje tjetër, jo ajo e politikanëve tanë mediokër ose me dituri sipërfaqësore për të kuptuar në substancë rëndësinë e Akademisë së Shkencave larg çdo instrumentalizomi politik dhe duke ruajtur me ligj autonominë akademike. Që debatet mos të mbeten sterile duhet të kuptojmë se Akademia e Shkencave nuk ka të bëjë me proverbin latin “Asinus asinum fricat (gomari fërkon gomarin)”.

– Libri juaj poetik “Zodiak” i botuar nga Zamphyer Press, i përkthyer nga Anastas Kapurani dhe Wayne Miller ka tërhequr vëmendjen e shumë poetëve të shquar në Amerikë si Ilya Caminsky, Kevin Prufer, Richard Powers, Wesly Rothman si dhe Jennifer Schomburg. Në artikujt e shkruar për “Zodiak” në revistat e specializuara amerikane për letërsinë është krahasuar libri juaj me “Fijet e barit” të Whitmanit, “Katër kuartetet” e Eliotit, me “Elegjitë” e Rilkes dhe me “Cantos” të Ezra Pound. Madje dhe me poezitë e poetit më të madh të sotëm në Amerikë, Ashbery-t. Ç’mund të na thoni ndonjë gjë tjetër rreth këtij libri i dashur Moikom?

Ky është libri i dytë që botoj në Amerikë. Librin e parë e kam botuar në 2007. Dhe për atë libër kanë shkruar artikuj poetë të shquar amerikanë. Suksesi i librit tim thënë me modesti është një sukses i poezisë moderne shqipe tej kufijve të Shqipërisë. Nuk dua të zgjatem më tej në këtë pikë.

Bisedoi Xhevdet Shehu Botuar sot në DITA

 

May 21, 2016 23:58
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*