Ka vërtet rrezik në Tiranë?

Adrian Thano November 22, 2015 00:54

Ka vërtet rrezik në Tiranë?

Fundim Gjepali telefononte dje në mesditë një mikun e tij në Tiranë për t’i treguar që ishte një e shtunë krejt e pazakontë për restorantin e tij të njohur në Romë.

“Për herë të parë që kur e kam hapur, është bosh. E gjithë Roma duket bosh. Mendo që në një të shtunë si kjo, zakonisht jam aq i zënë sa nuk kam mundësi t’u përgjigjem as vajzave në telefon”.

Romanët janë trembur. Dhe jo vetëm ata. Në Bruksel, në zemër të Europës rrugët janë boshatisur. Në qytetet e mëdha gjermane, e njëjta situatë. Po ashtu në Londër e gjetiu.

Me masakrën e Parisit, mendja diabolike që ka krijuar dhe ushqen përbindëshin e terrorit, ia ka arritur qëllimit kryesor: ka mbjellë frikë në zemrat e njerëzve. Ia ka dalë mbanë deri në pikën që edhe në një kryeqytet pa peshë të Europës si Tirana, të na kapë të gjithëve ankthi.

 

A rrezikohet vërtet Tirana?

Disa citojnë rusët, të tjerë amerikanët. Në rrugë janë shtuar policët, armët dhe paniku.

Politikisht, loja është e thjeshtë: nëse ndodh vërtet diçka, “u paralajmërua”; nëse nuk ndodh, “masat e sigurisë” rezultuan vërtet efikase.

Le të jemi të sinqertë me veten: të jetë për klasën politike të Shqipërisë, apo për institucionet tona, terroristët e bëjnë Tiranën shkrumb brenda ditës.

Po jashtë marifeteve politike? A ka realisht mundësi të sulmohet Tirana? A është vërtet ky qytet i vetëshkatërruar në vëmendjen e strategëve të errët të terrorit? Le të logjikojmë mbi mundësitë duke u nisur nga veprimet e tyre të deritashme.

Shënjestra kanë qenë metropolet e mëdha. Kanë nevojë për bujën që vjen pas, zhurmën që u jep zë dhe peshë qëllimeve të tyre. Të gjithave: edhe atyre që i shprehin me fjalë edhe atyre që i fshehin.

Vështruar kështu, një sulm në Tiranën e vogël ngjan i kotë; njësoj si të vrasësh mizën e vogël me një varre të madhe.

Disa do të rendisnin edhe një pamundësi tjetër: në rast sulmi mbi Tiranën, do ishin duke goditur një “vend mysliman”.

Por kjo që duket pika jonë më e fortë, mund të rezultojë e vetmja “logjikë” që do justifikonte një sulm hipotetik: duke goditur Shqipërinë u jepet një mësim “vendeve myslimane” që janë rreshtuar krah “armikut”.

 

Aksioma “ndiq paranë”

Ushtarët e ushtrisë së terrorit me gjasa e besojnë vërtet se po bëjnë atë që duhet. Njerëzit nuk janë kurrë më të rrezikshëm se kur janë të bindur që kanë të drejtë.

Po a është kjo që shohim, e gjitha? Këta të shkalur të droguar që therrin njerëz si bagëti dhe hedhin veten në erë dhe kaq? Apo të tjerë në hije kanë kthyer në makinë terrori frustrimin e tyre, zhgënjimin e tyre, besimin e tyre?

Çfarë është ISIS? Kush është mendja që e ka krijuar? Kush e financon? Pse instruktohen të vrasin njerëz të thjeshtë dhe nuk prekin ata që janë fundja shkaktarët e krimeve për të cilat pretendojnë se po hakmerren: vendim-marrësit politikë?

A është kaq e panjohur përpjekja për të krijuar “një shtet të terrorit” si gogol të njerëzimit? Apo është tentuar edhe më herët me forma të tjera që nuk dhanë rezultat? Pse kaq e pamundur t’i godasin në një territor plotësisht të lokalizuar?

Pyetjeve është herët t’u jepet një përgjigje bindëse. Ose tepër vonë.

Dont over think it… Ajo që shihet qartë është që “ata” kanë mbjellë frikë. Kush fiton nga frika? Kurioze do ishte të dëgjonim çfarë mendon Michael Moor i “99 dhe 1 përqindëshit”. Prej tij, dimë që aty ku ka frikë, ka biznes. Shumë biznes.

Dhe jo vetëm kaq. Aty ku ka frikë ka gatishmëri të popujve për të dorëzuar liritë e tyre në emër të sigurisë.

Pikëpyetjet do mbeten gjatë e ndoshta përjetësisht. Në situata si kjo, barazhi mendor për të qenë bindës pa rrezikuar të qenit normal është i lartë. Por edhe rreziku tanimë është po i tillë. Cilido psikopat mund të lejë një mjekër, të marrë një armë dhe të vrasë “në emër të Allahut” pa lexuar asnjë rresht të Kuranit.

Koha për të bërë kujdes. Veçanërisht për ne, 99 përqindët e zotit Moor.

Adrian Thano November 22, 2015 00:54
Komento

1 Koment

  1. saliu November 22, 08:16

    ka se terorizmi serbo greko maqqedanas malazez e turko italian eshte me i reziksheme se cdo terorizem qe ekzistone ne kete bote fale ketije terorizmi shqiperia eshte ne kete gjendje mjerane

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*