22 vjet nga masakra e Përmetit, pranvera e hidhur e vitit 1997

March 9, 2019 12:01

22 vjet nga masakra e Përmetit, pranvera e hidhur e vitit 1997

Nga Lefter Rrokaj  

Për  masakrën  e Përmetit të datës 9 mars 1997 është folur dhe shkruar nga shumë autorë  nëpër faqet e shtypit dhe shumë të tjerë  kanë dhënë opinionet e tyre në mjetet e ndryshme të informacionit. Duke patur rastin të jem dëshmitar okular dhe ta përjetoj nga afër  këtë ditë tragjike të javës së dytë të marsit 1997, edhe sot mbas 22 vitesh më sillen ndërmend ato pamje të tmerrshme që kurrë nuk do të më shqiten nga memoria.

Është një e vërtetë e pamohueshme dhe e pranuar pa mëdyshje nga i gjithë opinioni, se mbi një nga qytetet më të qeta dhe mbi njerëzit më të kulturuar të hapësirës shqiptare, shteti i atëhershëm bëri eksperimentimin më të përbindshëm që mund të pjellë ndonjëherë imagjinata e paranojakëve të veshur me pushtet. U zgjodh Përmeti  për realizimin e këtij skenari ogurzi me idenë se reagimi i njerëzve ndaj këtij eksperimentimi shtetëror do të ishte indiferent dhe mund të arrihej me lehtësi manipulimi i opinionit me parulla të dalë boje. Makineria shtetërore propagandistike përpunoi dhe hodhi në treg versionin se në këtë qytet “ishte ngritur flamuri grek dhe njerëzit ishin grumbulluar rreth tij duke hedhur parulla për Vorio Epirin dhe bashkimin me Greqinë”.

Në funksion të kësaj  propaganda të pështirë dhe me qëllim që të terrorizohej ky komunitet i qetë e paqësor, në javën e parë të marsit 1997, shteti  mobilizoi dhe instaloi në periferi të qytetit një njësi  fantazmë pa emër dhe identitet, të drejtuar nga n/kolonel Sokol  Mulosmani, e cila do të përgatiste infrastrukturën e nevojshme për pritjen e njësive të tjera ushtarake, mbërritja e të cilave ishte punë orësh. Në të njëjtën kohë kjo njësi  kontrollonte rrugët e  hyrjes dhe daljes në qytet, duke krijuar një klimë acaruese dhe ndjenjën e frikës e pa sigurisë te njerëzit e  thjeshtë. Ndoshta sot mund të duket e pa besueshme që kjo turmë bashibuzukësh, të pa stërvitur, të pa trajnuar, pa u pajisur me elementët më të domosdoshëm  të logjistikës, por me xhepat e mbushura plot me lekë, veshur me rroba civile dhe të mbuluar me xhaketa  ushtarake, por e motivuar  me gjuhën e urrejtjes dhe përçmimit  ndaj popullatës vendase, i kishte të gjitha kredencialet të bënte çfarë të donte dhe askujt nuk i jepte llogari. Situatën e bënte më kritike, fakti se kjo turmë njerëzish ishin të armatosur, por  të pa stërvitur dhe të pa aftë për administrimin e armatimit dhe të pajisjeve luftarake që kishin në përdorim dhe precedentët për krijimin e situatave të jashtëzakonshme, ishin  evidente. Në mesditën e datës 6 mars, një patrullë e kësaj njësie ndaloi në qytetin e Këlcyrës makinën tip B.C. të policisë ushtarake të Brigadës së Gjirokastrës dhe zbritën prej saj shefin e kësaj  policie major Koço Koçollarin, së bashku me një grup oficerësh aktive që ktheheshin nga Gjirokastra në Përmet. Bashibuzukët me uniformë e sjellje skandaloze, sekuestruan makinën me targa ushtarake dhe pa dhënë asnjë shpjegim kërcënuan  me tytat e armëve oficerët e karrierës dhe i urdhëruan të shkonin me këmbë në shtëpitë e tyre në Përmet. Për të qeshur dhe për të vënë duart në kokë. Një skenë identike me ato  që improvizonte dikur në vitet ‘30 banditi injorant Mero Lamcja, i dëgjuar si simbol i klounit  me flokë të gjata e i veshur me zhele, që  kishte ngritur lemerinë e tij në Shkallën e Zezë dhe  dhunonte e grabiste mjetet dhe kalimtarët në linjën Gjirokastër-Ura e Leklit- Tepelenë e Përmet. Një tjetër patrullë e kësaj njësie e instaluar në Malin e Bardhë grabiti në mes të ditës një lokal në dalje të qytetit, që njihet si klubi i fierakëve. Në këtë atmosferë mbytëse, në kushtet e një terrori shtetëror të paprecedent, në datat 6 e 7 mars nëpërmjet  rrugës Berat- Kicok- Këlcyrë-Përmet shteti dërgoi 4 njësi ushtarake, Brigadën Komando të Zall Herrit, Brigadat e Shijakut, Burrelit dhe të Tiranës të cilat u instaluan në kazermat e  repartit të Përmetit dhe në fushën e sportit, qe njihet si depot e armatimit të dyshit, si edhe në drejtimin  Korçë– Ersekë –Leskovik –Përmet, Brigadënn e Korçës, e cila nuk arriti në destinacion, mbasi ushtarët dhe “vullnetarët” dezertuan gjatë rrugës dhe vetëm një makinë   me “vullnetarë” kolonjarë të mobilizuar dhe të përcjellë me një ceremoni groteske në qytetin e Ersekës nga deputeti i Kolonjës Uran Butka arriti deri në Badelonjë. Atje u ndal dhe duke përfituar nga rasti “vullnetarët” u kthyen për darkë te miqtë e tyre në Badelonjë, Petran  e Kaludh. Këtë episod të denjë për skenat me humor të hidhur, bejtexhiu popullor e përshkroi me vargje humoristike  prej të cilëve shkëputa vargun e mëposhtëm:

…Tellalli në mes të qytetit,

…I bëri thirrje miletit,

…Është urdhri i deputetit,

…Merrni armët e dovletit,

…Me dekret të presidentit,

…T’i vihet zjarri  Përmetit.

…As në maj 1944  Përmeti nuk kishte parë kaq shumë trupa e mjete luftarake dhe njerëzit nuk arrinin të kuptonin se cili qe shkaku i gjithë kësaj katrahure. Por shpejt u bë e njohur nga   vetë vizitorët e paftuar, të ardhur në një ambient të panjohur, se ata ishin përpunuar psikologjikisht se “ju do të vini në një vend ku shteti ka rënë, është ngritur flamuri grek dhe ju duhet ta çlironi atë. E pabesueshme, po shumë e vërtetë! Shteti kishte nxjerrë në ankand  shtetasit e vet, duke u faturuar një akuzë monstruoze, që absolutisht nuk e meritonin duke krijuar kështu një situatë të nderë, e cila çdo minutë mund të agravonte drejt një shpërthimi të papritur… Në mëngjesin e datës 8 mars banorët u zgjuan të tmerruar nga zhurma e helikopterëve që ngriheshin me stërmundim vertikalisht në lartësitë e Dhëmbelit  dhe transportonin trupat specialë për në Gjirokastër, atje ku qëndresa popullore kishte epiqendrën e vet dhe ku shteti e kishte humbur plotësisht kontrollin. Dihet tani se si u priten këto forca nga populli i Gjirokastrës, ku vetëm fati dhe gjakftohtësia e oficerëve të liruar e  aktive të garnizonit të Gjirokastrës i shpëtoi ata nga një katastrofë e sigurtë.                                                                                                                                                                         Sot mund të tingëllojë si paradoks, por është fakt i pa kundërshtueshëm se situata në qytetin e Përmetit dhe në periferi gjatë datave 7 e 8 mars i reflektonte të dy kontrastet. Njerëzit përballeshin në rrugë e në ambiente publike me egërsinë e injorancën e bashibuzukëve “vullnetarë” që terrorizonin kalimtaret dhe bizneset dhe në të njëjtën kohë dyert e shtëpive përmetare u hapën për të pritur, strehuar e mbajtur me bukë oficerë, ushtarë e vullnetarë të njohur e të panjohur. Për ta bërë më të besueshëm një fakt të tillë po sjell një shembull  nga vetja ime; Në mbrëmjen e datës 8 mars bashkë me dy shokë të mi u ulëm në një nga lokalet në afërsi të repartit me 2 kuadro të brigadës së Shijakut. Njëri ishte mjeku i njësisë n/kolonel  Fiqiri Gjepali dhe tjetri nuk më kujtohet si emër, por u prezantua si komandanti i njërit nga batalionet e kësaj njësie. Natyrisht që krahas bisedave të lira, tema e ditës midis kolegësh ishte situata reale, e cila deri në atë moment i ngjante një shfaqje teatrale. I pyetëm kolegët se çfarë detyre luftarake kishin marrë, ku ishte kryer rikonjicioni, kush ishte kundërshtari real që kishin përpara, si ishte ndërtuar raporti i forcave dhe cili do të ishte përfundimi i kësaj beteje fantazme? Është pak të thuash se gjendja shpirtërore e këtyre  njerëzve të  ndershëm kishte prekur fundin. I kujtoj me respekt këta kuadro dinjitozë e patriotë, me ndjenjat e të cilëve “strateget” injorantë i kishin bërë llogaritë gabim.

Në orët e mbas ditës të datës 8 mars erdhi në Përmet ministri i atëhershëm i mbrojtjes, Safet Zhulali, i cili mbasi u informua nga komandantët e njësive, takimin e parë e bëri me kuadrot e batalionit  komando të Përmetit. Zhulali i kërkoi komandantit të batalionit major Bardhyl Henës që të niste në marshim luftarak repartin komando përmes malit të Dhëmbelit-Gjirokastër, me qëllim “neutralizimin dhe çarmatosjen e terroristëve të grumbulluar rreth flamurit grek”. I menjëhershëm ishte reagimi i kuadrove të repartit, ku spikati kurajo dhe vendosmëria e oficerit të ri, toger Gjergji Thomollarit, i cili e kundërshtoi  prerë këtë urdhër dhe në të njëjtën kohë e akuzoi rëndë ministrin, duke i thënë hapur se “Kjo situatë që po na servirni ju, jo vetëm që është e pë vërtetë dhe artificiale dhe; Ne nuk do të bëhemi vegla qorre të politikës së dështuar të qeverisë suaj”. Kuadrot e tjerë si Fadil Guce e Vasil  Dode argumentuan me fakte e terma ushtarake së: “kemi të bëjmë me një situatë aspak reale dhe për ta vlerësuar atë duhet të njihemi paraprakisht me gjendjen konkrete dhe për  marrjen dhe zbatimin e këtij urdhri duhet që ai të na jepet me shkrim”, duke i dhënë kështu një leksion shembullor ministrit të ardhur nga hiçi dhe ngritur aksidentalisht në majën e piramidës ushtarake. I injoruar dhe i dërrmuar Zhulali u largua duke mërmëritur nëpër dhëmbë se “ju jeni të infektuar nga gazeta skandaloze Koha Jonë”. Ndoshta Nikoll Lesi nuk e ka mësuar ndonjëherë këtë vlerësim “pozitiv” që Zhulali i bënte para 22 vjetësh  gazetës së tij.                                                                                                                                          ..E gjithë nata e 8- 9 marsit u përshkua nga një situatë e tensionuar, ku debatet e nxehta midis  ministrit dhe komandantëve të  njësive që kishin zbarkuar në Përmet i kishin rritur së tepërmi temperaturat dhe tensioni kishte arritur në kuota maksimale ku binte dukshëm në sy mendimi se nuk kishte asnjë element për t’u  vlerësuar dhe që të kërkonte zgjidhje me mjetet  e dhunës. Zbatimit të detyrës së komandantit të përgjithshëm të përpunuar nga strategët e tipit Adem Çopani me shokë i kishte ardhur fundi. As që mund të mendohej që kjo ushtri e pamotivuar, me moral të rënë në tokë, e ushqyer me një racion bukë e një qepë, të marshonte në drejtimin Këlcyrë- Ura e Leklit dhe të ndahej në dy kolona për të kapur dy  objektivat strategjikë: Gjirokastër –Delvinë-Sarandë dhe Tepelenë- Qafa e Dushkut -Vlorë  dhe në bashkëveprim me forcat ajrore dhe të flotës detare të shtypnin rebelimin dhe të vendosnin rregullin. I pafuqishëm dhe i injoruar plotësisht, herët në mengjës Senatori Agripa (alias  Safet  Zhulali) ashtu siç erdhi në mënyrë misterioze, po ashtu u nis për në Tiranë me  helikopter për t’i raportuar “Patricit” se “plebejtë” nuk e kishin marrë në konsinderatë ofertën e  tij dhe ishin të  pamotivuar për të nisur një aventurë të tillë. Por qeveria Meksi kishte rënë dhe Zhulali pësoi  fatin e Zhukovit  para 40 vjetësh. E gjithë situata u përqendrua në duart e Bujar Ramës, i cili ishtë zëvendësi i Bashkim Gazidedes, ishte emëruar nga Berisha si komandant i këtij operacioni dhe flitej se Berisha ato ditë i kishte akorduar yllin e gjeneralit. Deri më  22 mars 1992  Bujari ka qenë një oficer i zakonshëm i trupës në repartin e Përmetit dhe ju besua kjo detyrë ndoshta si njohës i terrenit dhe i traditave të komunitetit, aq më tepër që është dhëndër në këtë qytet.

Në mëngjesin e 9 marsit rreth orës 8 e 30 minuta me iniciativën e kryetarit të Bashkisë, Spartak Kondi, i zgjedhur me votat e PD u organizua në sallën e mbledhjeve të bashkisë një takim urgjent me përfaqësuesit e partive politike, të pushtetit lokal, komandës së repartit, për  të zgjidhur këtë situatë absurde, ku mendimi unanim ishte që trupat ushtarake të dërguara nga qeveria duhet të zbrazin menjëherë qytetin dhe të largohen sa më parë nga Përmeti. Pikërisht në këtë moment një plumb i vetëm, që nuk u mor vesh nga erdhi, goditi për  vdekje brenda në sallë një nga drejtuesit kryesorë të degës së Partisë Demokratike, n/kryetar i këshillit bashkiak dhe drejtor i gjimnazit “Sami Frashëri”, të  ndjerin Tomorr Mullaraj, duke regjistruar kështu viktimën e parë dhe fillimin e një tragjedie që nuk dihej se deri ku do të arrinte fundi i saj. Pothuajse në harkun e pak minutave, vetëm 200 m më larg në anën tjetër të Vjosës u vranë prindërit e Edi  Theodhorit, një tjetër drejtues i degës së PD, të ndjerët Eftali dhe Kristul Theodhori të cilët po shkonin në fshatin e tyre  Kaludh. Fati dhe rastësia shpëtoi 2 nipërit që udhëtonin me të njëjtën makinë me gjyshërit e tyre.                                                                                                                                                             …Lajmi u përhap me shpejtësi dhe njerëzit e irrituar u grumbulluan te kryqëzimi i rrugës midis shtëpisë së oficerëve, Komisariatit të Policisë dhe konviktit të nxënësve për të protestuar në mënyrë paqësore ndaj dhunës dhe represionit shtetëror. Rreth orës 9 nga karroceria e një mjeti që transportonte trupat  ushtarake u hap zjarr me armë automatike mbi turmën e paarmatosur ku mbetën  të vrarë në vend djaloshi i ri  Bledi Kasaj nga Përmeti, Abaz Rama nga Mallakastra, oficer i liruar nga reforma, dhe u plagos rëndë qytetari Reshat Telhai, i cili vdiq në spital, si dhe u plagosën nga armët e zjarrit 10-15 vetë. Në harkun e më  pak se 1 orë shteti tregoi egërsinë e tij, duke u marrë jetën 6 njerëzve  të pafajshëm, të paarmatosur dhe aspak të dhunshëm, duke ndëshkuar  kështu padrejtësisht një qytet paqedashës. Situata mund të kish precipetuar me shpejtësi drejt një konflikti të përgjakshëm me pasoja të paparashikuara, mbasi njerëzit e irrituar dhe të poshtëruar nga shteti i tyre iu drejtuan komisariatit të policisë dhe depove të armatimit të ushtrisë, pa marrë parasysh pasojat që mund të rridhnin. Kam ndjekur me sytë e mi nga ballkoni i apartamentit ku banoja lëvizjen e këtyre trupave, ku distanca nuk është më shumë se 200 m nga rruga kryesore. U hoq dorë nga lëvizja në aksin Përmet- Këlcyrë- Ura e Leklit dhe Këlcyrë – Kicok -Berat dhe pararoja u hap në pozicion paraluftimi nga stallat e Qilarishtit deri poshtë Urës së Madhe  përgjatë anës tjetër të lumit të Vjosës, për të siguruar e mbështetur me zjarr në drejtim të anës së banuar të  qytetit, tërheqjen e pjesës tjetër në drejtim të aksit Përmet –Carcovë -Leskovik, me destinacion Tiranën. Deri në orën 10 e 20 min ishte duke përfunduar lëvizja e trupave e mjeteve, por në këtë moment u bllokua Ura e Madhe. Makina e fundit nuk arriti që të largohej dhe toga e ushtarëve që udhëtonte me të u rrethua nga njerëzit e armatosur. Ishte ndërhyrja e menjëhershme e kolegëve tanë, oficerët e liruar Seit Taullai, Robert Ibrahimi, Ismail  Xhelo, Sinan Hyseni etj., që i shpëtoi këta djem të pafajshëm e të mashtruar, nga   ndëshkimi i turmave të irrituara, që nuk arrinin të orientoheshin për të gjetur fajtoret e vërtetë të kësaj katrahure. Mbasi u sistemuan në ambientet e Hotel turizmit, ju dha ushqim, u shpërndanë në banesat e qytetarëve përmetarë dhe mbas 3 ditësh, të veshur me rroba civile u përcollën me një mjet të posaçëm nëpërmjet rrugës Leskovik-Ersekë për në Tiranë.

…Nga ballkoni i shtëpisë ku banoja ndoqa me dhimbje dhe keqardhje largimin e kësaj ushtrie të shkatërruar, të ardhur me bujë e të larguar me turp e me moral të rënë përtokë , në radhët e të cilës kisha shërbyer 33 vjet, e që për fat të keq politikanët injorantë e instumentalizuan dhe e vunë përballë një populli të pafajshëm duke i hapur një plagë, e cila edhe sot rrjedh gjak. Këto  pamje  rrëqethëse të para 22 viteve të kujtojnë tregimet e shkruara në librat dhe tekstet e historisë, kur  ushtria e Napoleonit kishte humbur betejën e Borodinos dhe tërhiqej më 19 tetor 1812 nga Moska në Paris e sakatuar. Por këtu ka një veçori esenciale. Nëqoftëse fati i Napoleonit ishte paracaktuar nga kundërshtarët e tij, duke e degdisur në egzil në ishullin e Elbës, funerali i vërtetë i kësaj maskarade priste në Pallatin Presidencial në agoni fundin e vet i pa shpresë. Në të njëjtën orë që populli i Përmetit përjetonte një nga ditët më tragjike të historisë së tij, në Pallatin  Presidencial, përfaqësuesit e dërgatës së majtë Rexhep Mejdani, Namik Dokle dhe Skënder Gjinushi të manipuluar nga Neritan Ceka, humbën shansin historik, nuk i dhanë të shtyrën e fundit këtij  funerali, por nënshkruan me të marrëveshjen e turpshme të 9 marsit 1997, duke e ricikluar përsëri në politikë për ta sjellë deri në ditët tona.

Ngjarjet dramatike të 9 marsit 1997 në Përmet janë një apel për të gjithë ata që pretendojnë se përfaqësojnë popullin, i cili jo vetëm në një rast është ndjerë i tradhtuar dhe i lënë në baltë. Për sa kohë që kjo ngjarje do të vazhdojë të jetë e  mbuluar nga pluhuri i harresës dhe aktorët dhe faktorët politikë që e gatuan këtë tragjedi nuk do të japin llogari, demokracia në Shqipëri do të mbetet një iluzion dhe vendosja e shtetit të së drejtës do të ecë ngadalë në rrugën e mundimshme drejt arritjes së objektivit të saj.

 

March 9, 2019 12:01
Komento

3 Komente

  1. Zaho March 11, 09:39

    Bravo Lefter, Shume e sakte cdo gje. Perfshire edhe konkluzionet per perfaqesuesit e se majtes qe kapitulluan perballe Sali Berishes me ate marreveshje te turpshme. Ne vend qe te kerkonin largimin e tij perfundimtar.

    Reply to this comment
  2. todi March 11, 14:12

    nuk arrij ta besoj..këtë sharlatan që shkruan artikullin..kafshët e dërguara nga saliu duhet të merrnin përgjigjen e duhur nga vendasit..përfshirë edhe palaçon që shkruan artikullin..turp ti vijë që krenohet për tolerancë..në një kohë kur bashibuzukët po bënin kasaphanë..me siguri ka qenë vet pjesë e tyre..Vrite malokun..digje malokun..shkatarroje rracën e kafshësh që nuk di veç të vjedhin, vrasin, te vejnë gjoba..

    Reply to this comment
    • Moni March 11, 21:21

      Dr. Vicidol Frankenshtejni, qe mos e trete dheu, eshte fans i papare i teorise se shokut dhe ne Shqiperi e aplikoi me se miri… Ato kane qene kohe te veshtira… vetem kush i jetoi i kupton… Megjithate nuk i pergjitheson dot te tere. Personalisht kam njohur njerez shume te mire nga veriu. Pune tjeter se hordhite qe ndjekin Salen jane prehistorike, njethundrake me koeficence inteligjence zero! Mos biem ne kurthin e atyre qe promovojne urrejtjen ndermjet krahinave…

      Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*