Banda e tritolit, ndalohet publikimi i të dhënave hetimore

February 28, 2015 15:41

Banda e tritolit, ndalohet publikimi i të dhënave hetimore

Gjykata e Krimeve të Rënda ka dhënë masën e sigurisë arrest me burg për 4 personat e arrestuar si të dyshuar lidhur me ngjarjet e ndodhura në 10 shkurt në kryeqytet.

Vlerësimi i masës së sigurisë ndaj Kamber Brukës, Lumjan Matmujës, Erjon Dules dhe Ernest Gjutës, pjesë e grupit prej 7 personash që dyshohen përgjegjës për shpërthimet me tritol në kryeqytet, u zhvillua me dyer të mbyllura për shkak të sekretit hetimor.

Gjykata ka deklaruar se ndalohet publikimi i çdo të dhëne apo materiali që ka të bëjë me të ashtuquajturën ‘Dosja e tritolit’.

Të pandehurit dyshohen të kenë kryer  vepra me qëllime terroriste, krijim të grupit të strukturuar kriminal dhe pjesëmarrje në grup kriminal.

Lidhur me këto ngjarje janë shpallur në kërkim edhe 2 persona të tjerë, Baftjar Bruka dhe Vladimir Gjuta, i cili besohet të jetë organizatori i shpërthimeve me tritol në farmacinë në pronësi të Bashkim Tahirit, babai i ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri si dhe për tritolin e vënë në stacionin e autobusit pranë ‘Vasil Shantos’, që fatmirësisht nuk shpërtheu.

Për të njëjtat akuza është arrestuar më herët edhe Emirjon Gjuta, i cili kishte shitur telefonin celular të përdorur në shpërthimin me tritol në farmacinë e Tahirit.

February 28, 2015 15:41
Komento

1 Koment

  1. V.DUKA March 1, 18:55

    Zoterinje, qe merreni me hetimet, gezohem shume qe “mesuat vlerat e zbatimit” te nje parim aksiomatik ne procesin e hetimit: “ndalohet publikimi i çdo të dhëne apo materiali që ka të bëjë me hetimet deri ne perfundimin e hetimit”. Uroj qe te filloni ta zbatoni dhe kryesorja ta mbroni kete parim ME LIGJE SI NE TE GJITHE BOTEN.
    “KUJDES NGA SPIUNET” Pop Canel.
    Me respekt V.Duka.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*