A i thotë gjë qeverisë shifra 13 mijë

Bedri Islami August 22, 2015 22:42

A i thotë gjë qeverisë shifra 13 mijë

Në njërën nga këto pasdite, ndërsa udhëtoja nga qyteti i Ulmit në drejtim të Shtutgartit, krejt befas, pranë meje po rrinte një familje shqiptare. Ishin pesë vetë, si mësova më pas, vinin nga një fshat në afërsi të Kukësit, dhe, as nuk e dinin se ku po shkonin. Ishin ulur nga autobuzi i linjës Prishtinë – Hamburg në qytetin e Ulmit dhe, pasi u kishin thënë se nga nisej treni për në Shtutgart, kishin zënë vend. Më tej nuk e dinin. Njeriu që duhej t’i kishte pritur nuk ishte dukur dhe burri, rreth të dyzetave, babai i tre fëmijve, kishte vendosur të nisej për në Shtutgart, gjithnjë me shpresën se më pas diçka do të bëhej. Kërkonin strehim politik, nga ajo që bisedova në atë rrugë më shumë se një orëshe, kishin me vete disa letra, të paguara jo lirë, diçka që flisnin për një gjakmarrje të mundshme. Në fshatin e tyre kishin mbetur vetëm pleqtë: Fillimisht njerëzit i kishin marrë rrethinat e Tiranës dhe të Durrësit, tani po i merrte Europa, duke mos e ditur në se do të rrinin apo do të ktheheshin.

Të mërzitur disafish: Nga rruga e gjatë, e stërlodhshme, nga mungesa e njeriut që do i priste, nga enigma e asaj që mund të ndodhte, nga shpenzimet që nuk i kishin menduar se do të bëheshin, nga moslajmi për prindërit… nga të gjitha, kishin në vete shpërthimin e zemërimit që mund të vinte nga njëri çast në tjetrin.

U ndamë në stacionin kryesor të trenit në Shtutgart. Unë do të nisesha drejt Sarajevës, ata drejt së panjohurës. Nuk mund t’u thoja asgjë, nuk e dija nëse kishin shpresë për të pasur një fillesë ëndrre, më thanë vetëm se më në fund dikush do i priste aty pranë; dhe, duke parë kantierin e madh në stacionin e ri të trenit që po ndërtohet, burri, me duar të plasaritura, tha vetëm se “paska punë, më duket”.

Vetëm kaq. Asgjë më shumë dhe filloi të kishte një shpresë. Ishte nisur nga një fshat afër Kukësit dhe nuk e dinte adresën e mëtejme të familjes së tij. Më i vogli ishte ende vocërrak, ende besoj se nuk e dinte se çfarë po ndodhte.

Nuk është familja e vetme që merr këtë rrugë. Janë mijëra të tilla, sidomos në këtë vit, kur zbrasja po vjen si rreketë që nuk ndalen. Vetëm në dy muajt e fundit më shumë se 13 mijë shqiptarë, nga të gjitha viset e shtetit londinez shqiptar, kanë arritur në shtetin gjerman. Asnjëherë më parë nuk është vërejtur një dyndje e tillë, si një epidemi braktisjeje. Me trena, me avionë, me anije, legalisht e ilegalisht, me shpresë e pa shpresë, të organizuar apo vetanakë; të mbrojtur me ndjenjën e largimit, gjithnjë e më shumë, pa e ditur se ku do të jenë në një ditë të nesërme. Vetëm me shpresën e dyshimtë, “ishalla, nuk na kthejnë”. Vetëm kjo është hë për hë në mendjen e tyre. Pas saj nuk ka më asgjë.

Si ndodhi kështu e përse vazhdon të ndodhë? Janë hedhur dhjetra hipoteza, nga më të ndryshmet, që nga deklaratat pa vend të diplomatëve të huaj e deri tek dora e fshehtë që organizon këtë braktisje masive, gjithnjë me joshjen e një jete ndryshe. Nuk e di se cila prej tyre është më e sakta, por të gjitha së bashku kanë sjellë këtë gjendje, në të cilën hemorragjia e kombit po rrjedh pa ndërprerje.

Disa ditë më parë, shefi më i lartë i Policisë së Shtetit, duke u ulur në aeroportin e Rinasit bërë një deklaratë foshnjarake. Ai “fajësoi” më shumë shqiptarët që jetojnë deri më tani në vende të tjera, ku ka humbur perspektiva dhe që tani po “sulen” drejt vendeve më të begata evropiane.

Nuk e kisha besuar se një epror kaq i lartë, njëra nga detyrat e të cilit është edhe parandalimi i kësaj braktisjeje, të bëjë deklarata kaq naive. Por, si ndodh shpesh në këtë botë, të gjithë e duan të keqen larg vetes. Edhe policia e Shtetit e do këtë, edhe ministria e Punëve të Brendshme e do këtë, edhe qeveria vetë e do këtë.

Por kjo nuk e thjeshton të vërtetën: Njerëzit po ikin nga fshatrat e qytetet e Shqipërisë; dyndja do të ishte shumë herë më e madhe, nëse njerëzit e varfër do të kishin pasur mundësi materiale më të mëdha.

Burri nga një fshat afër Kukësit, që takova rastësisht në një tren, kishte shitur dy lopët e shtëpisë dhe paratë nuk i kishin dalë për këtë udhëtim pesë vetësh, megjithëse kishte qenë udhëtimi më i lirë. Kishte marrë edhe borxh, ndërkohë që duart i hanin për punë. Si e thashë, fjalia e parë që tha kur shikoi kantierin e madh të stacionit të ri të trenit në Shtutgart ishte, “paska punë”, dhe nuk mendoi se këtu do të bëhej qejf. Kishte ardhur për punë, çka i kishte munguar në shtëpinë e fshatin e tij. Kishte duruar një dekadë, dy dekada, që të mos ikte nga vendi ku kishte lindur, por pastaj, si më tha, “fëmijët e kishin detyruar, është detyra e burrit t’u dalë zot robve të shtëpisë”.

Përse ikin njerëzit? A e ndjen qeveria e tashme se kjo ikje është edhe një përgjegjësi për të, dhe se, sido që të ketë ndodhur në këtë fillim braktisjeje, deri më tash gjërat duhej të ishin zgjidhur?

Po i kthehem përsëri familjes nga një fshat në afërsi të Kukësit. Disa herë u kishte vajtur në shtëpi një njeri i njohur dhe u kishte thënë, “pse nuk ikni, çka prisni”. Fillimisht ishin luhatur, pastaj ishin bindur, në fund kishin vendosur. Emisarë të tillë, të errët bredhin ditën për diell, por kjo nuk është gjithçka. Është diçka më e madhe se kjo valë pëshpërimash, që nuk pushon ende as sot.

Është fillesa e bjerrjes së shpresës. Një burri, kur i humb shpresa për të gjalluar familja e tij, tek ai ka humbur gjithçka.

Pas zgjedhjeve të 23 qershorit, dy vite më parë, njerëzit kishin shpresën se me theqafjen e një qeverie që mos ardhtë më, do të kishte shpresë për shumë gjëra të tjera. Pas ngjarjeve e kthesave të tilla, shumë njerëz e humbin shpresën më shpejt se të tjerët, sidomos ata që kanë besuar më shumë. Dhe kur gjërat bëhen ngadalë e askush nuk i thotë pse rritja do të jetë e ngadalshme, por e sigurtë, në mendimin e tyre hyn dyshimi. Dyshimi se mos gjërat përsëriten dhe, kur dyshimi fillon e rritet, atëherë fillon edhe braktisja.

Gjërat nuk ngrihen duke filluar me prishjet, sidomos me prishjet, të cilat janë të lidhura me një vend pune, me bukën e gojës. Në Pogradec, në zonë turistike, prej viteve ishin të ngritura disa objekte turistike, me leje apo edhe pa leje. Duheshin prishur, por edhe prishja ka kohën e saj, ka momentin e duhur. Duhet të ndërtosh më parë, që asgjë të mos mbetet në boshllëk. Nuk jam për gjërat rrumpallë, por edhe nuk jam për gjërat pa drejtim. Askush nuk ka menduar që asaj dite, për afro një mijë vetë që punonin në atë zonë turistike, ashtu si edhe sot askush nuk e di se sa nga këto familje nuk gjenden më në Shqipëri. Mund të zgjidhej gradualisht, e jo vetëm këtu, por në shumë e shumë vende.

Ne kemi aktualisht një qeveri, e cila, sidozot, detyrën e parë të saj kishte nxjerrjen e vendit nga humnera financiare. Këtë po e bën dhe i heqim kapelen. Por kemi gjithashtu një qeveri që mëton të jetë e së majtës, dhe kjo do të thotë se ka detyrimin të jetë një qeveri më tepër sociale se sa konservatore.

Njerëzit që po ikin, në të shumtën e tyre, janë që duan të punojnë, dhe të punojnë fort. Të paktë janë ata që kanë marrë rrugët për qejf.

Këto njerëz mund të punojnë fort edhe në vendin e tyre. Askush nuk e lë vendlindjen pa e kthyer kokën pas. Edhe shefi i sotëm i qeverisë dikur ishte me kokën pas, dhe në momentin e dhënë, u bë pjesë e jetës së vendit të tij.

Kushtet në të cilat jetojnë ata sot janë në skajet e mjerimit. Nuk mund të përshkruhen, qoftë edhe përmes një shkrimi. U dhëmb mungesa e gjithçkaje, ashtu si u dhëmb edhe mungesa e shtetit të tyre. Ndjenja se, edhe pse të larguar, përsëri kanë një shtet që u thotë një fjalë të mirë. Qoftë edhe “kthehuni, Shqipëria do të bëhet”.

Le të mendojë për të tjerët, si për hallin e tij të dikurshëm. Me shefin e qeverisë ne kemi një mik të përbashkët në Augsburg: Piktorin e shquar Gjelosh Gjoka. Kam qenë shumë herë në shtëpinë e tij, ku ende është një qilim i bukur, dhuratë nga skulptori Kristaq Rama. Piktori i shquar, shqiptar nga viset shqiptare të Malit të Zi, ka një pikturë të famshme, “Vajtojcat e Kosovës”. Sa herë që e kam parë atë pikturë kam menduar edhe për nënat tona, në atë vetminë e tyre të pikëlluar, sidomos kur bijtë e bijat i kanë larg.

Qeveria, kur ka kohë, le të mendojë edhe për këtë. Në dy muaj më shumë se 13 mijë vetë janë larguar.

Sarajevë, 21 gusht 2015

Bedri Islami August 22, 2015 22:42
Komento

5 Komente

  1. Ikja August 23, 00:47

    Ikja e truve te Rames ne drejtim te paditur.
    Mashtrimi i Rames kaloi ne 5 faza:
    1. Kur filloi eksodi Rama na tha qe jane genjeshtra.
    2. Pastaj tha ka emigrim ne zona demokratesh te nxitur nga Pd dhe agjenci mashtruse.
    3. Pasi nuk e fshihte dot me, na tha qe nuk esht e vertet qe eshte rritur emigracioni por kaq ka qene gjithmone.
    4. Kur doli qe ishin shtuar emigrantet, na tha qe emigrantet kishin ren pre e thashethemeve qe gjermania kerkon punetore.
    5. Dhe tani qe shqiperia eshte zyrtarisht numri nji per emigrante per fryme, Rama nxjerr idiotet si Ahmetaj qe tregojne si po lulezon Shqiperia.

    Pergjigjen me te mire ja dha vete amb gjerman, qe te pakten qeveria duhet te ngjalli shpresen.
    Por ne ket 2 vjet edhe ata qe shpresonin e humben shpresen. Se sheshet e palmat nuk jan pune qeverie por pun bashkie. Ketij te paaftit i ka ngel ora te bashkia. Dhe kujton se mund te qeveriset me aguridhe e gomere.
    Ka ngelur vetem nji zgjidhje. Duhen ndryshime rrenjesore urgjente ne qeveri! Perndryshe Rama duhet te japi doreheqjen.
    Nqs nuk do ishte Luli ne krahun tjeter, sot do kishte protesta. Rama po tolerohet ngaqe ska opozite te mire. Por dhe ky durim e ka nji kufi.
    Senatoret e Ps duhet te zgjohen nga gjumi, se boll kane vuajtur socialistet. Te marrin fatin e partise ne dore te tyre, perndryshe populli do i kthej krahet partis socialiste. Pastaj mos u cudisni pse fiton Luli me Belulin, se socialistet kan qe ne vitin 2005 qe jan ne opozite. Edhe tani qe flasim socialistet jan po aq keq, dhe po aq pa pun sa ne kohen e Belulit.
    Falenderime Ditas qe ka ngelur i vetmi ze i socialisteve te vertete, qe sot degjohen me pak se kurre. Kjo qeveri jo vetem nuk po zgjidh hallet por do dhe te na mbylli gojen. Por kur hoqem Berishen, Ramen e heqim me nji teshtime.

    Reply to this comment
  2. XUME PROTOPAPA August 23, 07:31

    GJERMANI FLOKE KUQ I HOFFMAN-it

    Gjermanet e Hoffman-it kane nje shprehje mjaft domethenese: “Der Teufel, verkshteht sich, in den Einzelheiten” (Djalli fshihet pas detajeve !). Mora shkas per kete koment, pas publikimit te listes se profesioneve qe jane te kerkuara per azilantet ne Gjermani dhe “Ikjes” se madhe te shqiptareve.

    Shume vite me pare, nje mik i imi i semure, me kerkoi ta zevendesoja ne kolaudimin e disa aparateve te telefonise mobile (jo telefona celulare) ne impiantin e prodhimit industrial te ALCATEL-it. Nga kureshtja pranova me kenaqesi kete “aventure” te pa pritur dhe u nisa me makine drejt zones ku ndodhej impianti i prodhimit.

    Tek shkruaj keto radhe, mornicohem kur kujtoj peripecite per te gjetur “fabriken”, ndodhej ne vendlindjen e Salvatore Letizia-s (ai qe vrau ne mes te Tiranes gangsteret e droges Mentor Lufin dhe Gerti Goxhajn), ne Marçianize (Marcianise). Pas shume xhirosh ne meandret e rrugeve me plehra e seks-shiteseve te te gjitha ngjyrave, me ne fund e gjeta: ishte nje godine moderne e rrethuar me kangjella shume te larte, pa asnje targe te fabrikes, krejt anonime.

    U mahnita nga e papritura qe gjeta brenda atij rrethimi gati mesjetar: qindra te rinj femra e meshkuj, qe punonin kokeulur rreth tryezave te tyre te punes, mbushur me kompjutera, instrumente mates e komponente elektronike te pafund. E ishin te gjithe inxhinjere ! Isha ne medyshje te pyesnja se mos gjendej mes tyre edhe ndonje shqiptar.. po ja lashe kuriozitetin vetem fantazise, kushdi edhe mund te kishte mes tyre “te ikurit e medhenj” si sot.

    Pa u zgjatur ne detajet e kolaudimit te “Stacioni di testa dei Gruppi Primari della Estenzione dei Celullari in Galleria” (ne shqip: Aparate te Grupit Kryesor te zgjatjes se sinjalit celular ne tunele), vura re qe per te njetat aparatura ishte prezent edhe nje perfaqesues i nje shoqerie tjeter. Gjithe kohes, i gjori nuk hapi gojen as per te thene nje fjale, degjonte e ndiqte me vemendje ate qe beja une.

    Pasi beme te gjitha provat e programuara, kur kerkova te benim proven e fundit: “Variazione nel tempo del guadagno” (ne shqip: ndryshimi ne kohe i perforcimit te sinjalit), inxhinjeri italian u memecua dhe nje purpur i lehte pershkoi fytyren e tij: zakonisht nuk e bejme, me tha i sikletosur.
    Ben pjese ne normen e kolaudimit – i thashe – andaj duhet ta provojme edhe kete. Pasi hezitoi nje çast, duke pare edhe kembenguljen time, u largua, duke u kthyer me nje tjeter personazh: floke kuq, i fryre si fuçi djathi, fliste vetem anglisht dhe natyrisht gjuhen e Hoffmanit te ambasades gjermane. Pasi shkembyem dy fjale, per te shmangur proven e per te me trumaksur me “gjenialitetin” e tij teutonik, filloi te me ilustronte funksionet e aparatures, me nje program kompjuterik te realizuar nga ai vete, qe i ngjante atyre reklamave qe beri Edi Kristaq Vares Poetesh Rama, per promovimin e Shqiperise Turistike, pak kohe me pare, e mbani mend apo e keni harruar….

    Inxhinjeri gjerman, pasi kuptoi kembenguljen time, u dorezua, nuk mund ta bejme proven ne fjale… Mire i thashe, me therisni kur te krijoni kushtet per ta bere edhe kete prove.

    Aso kohe ALCATEL ishte “blere” nga SIEMENS-i gjerman, andaj mbase mungonte edhe targa e fabrikes, dhe ky kuqaloshi i Hoffman-it, vinte nga gjermania vetem dy here ne muaj, per te shitur “gjenialitetin” e tij, paguar … uf!

    U largova me keqeardhje nga fabrika anonime, me vetedijshmerine qe mes atyre qindra inxhinjereve te rinj italiane te skllaveruar, nuk mungonin edhe gjenijte e vertete. Hoffmanet e turnit kishin hedhur kthetrat e tyre mbi nje nga industrite me inovative qe egzistojne ne perendimin e zhvilluar te BE-se ku enderrojme te futemi edhe ne shqiptaret e “Ikjeve te medha”.

    E shprehu mjaft qarte ne intervisten e tij Scholl (ambasadori austriak) qellimin final ku synojne te arrijne me Ballkanin, krijimin e nje feudi me njezet milion banore, ku investitoret e Hoffmanit te investojne ne krijimin e fabrikave te gozhdeve, patkonjve e jastekeve te mbushur me kashte, ku profesionaliteti i kerkuar lejon te punojne edhe te plep dipllomuarit e shumte, ndersa ata te vertetet, “gjenijte” shqip foles, i pranojne pa kushte si emigrante ne ate toke te larget qe dikur piedestaloi nje fare Adolf Hitler, ne ate toke ku psikopati-bipolar i Surrelit, do ekspozoje krijimet shkarravine qe trembin edhe lopet e Vunoit te Kokedhjereve te panumurt.

    Reply to this comment
  3. ??? August 23, 07:37

    13 mije viktima te trurit te tyre. Ta thote tjetri nuk ka azil, prape ikin si delet katunaria. Ai qe ka mend ben perpara, kurse tipa si puna e ketyre qe ikin pa lidhje kane deficence te madhe inteligjence e i duan te gjitha qyl. Te dhjere por krenar.

    Reply to this comment
  4. Lili August 23, 14:11

    Punoni,Kapni provimet e evropes edhe ate here i keni dyerte hapur,po jo keshtu pa plan e harxhime kot! Qofte edhe nje profil per frizere Kapni provimin ne shqiperi ,punoni pak edhe paret mblidhni per me kaluar po ate profil po ne italien german a France ,pra registroni veti neper provime edhe Kapni nje diplôme evropiane qe iu vlen kamos.

    Reply to this comment
  5. ilir August 23, 16:40

    Fort i nderuar Xume, me ndje qe nuk mund ta shperblej per momentin ate c ‘ka lexova ne komentin tuaj. Respekt!

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*