Komploti Geixh

Nga BEDRI ISLAMI June 23, 2014 00:40

Komploti Geixh

Në përurimin e Katedrales së Kishës Autoqefale ortodokse shqiptare që u bë pak ditë më parë, mes të tjerëve, ishte edhe një personazh i rëndësishëm i botës politike greke dhe i lobit grek në Amerikë, Nikolas Geixh. Ndryshe nga herët e tjera, rreth ardhjes së tij dhe të qenurit pjesë e një ceremonie fetare në gjuhën greke brenda në kishën autoqefale shqiptare, kishte heshtje, kjo edhe sepse “vendin” kryesor e zuri sivëllai i tij në politikën antishqiptare, peshkopi serb. Në të vërtetë, Nikolas Geixh dhe peshkopi serb ishin dy të ftuar specialë të peshkopit Janullatos, por, ndërsa i dyti do të vinte për herë të parë në Shqipëri, dhe dua të besoj se është edhe e fundit; Geixh ka qenë vazhdimisht një personazh real i politikës në vendin tonë, i cili, megjithëse nga larg, ka pasur gjithnjë vatrat e tij të ndezura, që shpesh herë i ka ndezur vetë. Geixh, thuajse në të gjitha momentet më përplasëse mes politikës kombëtare shqiptare dhe revanshizmit grek, ka qenë palë e së dytës, dhe shpesh herë edhe përfaqësuesi më ekstrem i saj. Njeri me ndikim në lobin grek, ai jo rrallë ka qenë me ndikim në qeveritë e ndryshme dhe në personalitetet politike në Shqipëri, të cilat, ashtu si ia kanë mbyllur nganjëherë dyert, ashtu kanë vrapuar të përqafohen e të bëhen njësh me të.

Emri i Nikolas Geixhit nuk është i panjohur për opinionin shqiptar, për më tepër ai nuk është i njohur për të mirë. Njëri ndër përçorët e sotëm të lobit grek në Amerikë, shkrimtar dhe gazetar, njeri me lidhje të qëndrueshme në botën e politikës, ai ka vënë në lëvizje të gjitha që ka pasur në dëm të popullit shqiptar dhe në të mirë të lobizmit grek dhe të idesë së Vorio-Epirit. Njeriu i punëve të errëta; prapaskena e shumë prej ngjarjeve që kanë ndodhur në fillimet e pluralizmit në Shqipëri; porta nga e cila kanë kaluar përpëlitjet dhe jo vetëm përpëlitjet makbethiane të politikës shqiptare, sidomos me fqinjët grekë dhe ndikimi i tyre, jo rrallë deri në thelbin e politikës shqiptare; personi i cili kishte shpallur se në Shqipëri jetonin, sipas shënimeve të tij, 400 mijë grekë si pakicë kombëtare dhe sipas shënimeve të CIA, të publikuara vetëm prej tij, më shumë se 200 mijë; marrësi në mbrojtje, deri në gazetat autoritative si Neë York Times, të pesë renegatëve shqiptarë me etnitet grek, të cilët kishin bërë punë spiunazhi në favor të shtetit prej nga kishin ardhur si argatë prindërit e tyre; i dëbuari nga Shqipëria në vitin 1994 si përson “non grata”, ky është njeriu që para pak ditësh bëri një vizitë të shkallës së lartë në Shqipëri. Dhe nuk e bëri rastësisht në këtë kohë, sepse në politikën e lobit grek në Amerikë asgjë nuk bëhet rastësisht dhe se ai nuk e kishte marrë rrugën e largët në këtë përurim katedraleje, vetëm sa për të qenë i pranishëm.

 

Shfaqja e Geixh dhe lidhja me politikën shqiptare

geixh ne katedraleJo rrallë ai ka qenë pjesë e takimeve më të larta zyrtare në Shqipëri. Në kohën e qeverisjes së dikurshme socialiste, ai është takuar me ish kryetarin e Partisë Socialiste  dhe, asaj kohe, kryeministër i Shqipërisë, Fatos Nano, dhe me kryetarin e Partisë Demokratike të Shqipërisë, dhe ish-president i vendit kur ai ishte i padëshirueshëm, Sali Berisha. Pra, Nikolas Geixhi ka takuar herë pas here majat më të larta të politikës, të politikës së sotme dhe të politikës së djeshme dhe përherë ka skicuar dhe ka hedhur një themel të mbrapshtë edhe për politikën e nesërme. Ai takoi pozitën e sotme dhe opozitën e sotme, por në të njëjtën kohë edhe opozitën e djeshme dhe pozitën e djeshme. Në katedralen e sapo shenjteruar, ku ai fare mirë mund të ishte djalli, vendi i tij ishte ndër personalitetet e larta, të respektuara dhe me autoritet, si shenjë se asgjë nuk është lënë jashtë vemendjes dhe si një kumt politik nga lobi grek. Por, sidoqoftë, inteligjent si është, Nikolas Geixh e di fare mirë se e gjithë ajo që ka ndodhur e mund të ndodhë në Shqipëri nuk është përmbledhur në hapësirat e një katedraleje, prania afër tij e një shovinisti të njohur politik, si Bollano, ishte një tjetër kumt grek që ai kishte marrë me vete, për ta bërë edhe më të pranishme në mesin e njerëzve të politikës. Kjo ishte e rëndësishme për të dhe si duket ai e arriti këtë. Ardhja e tij mes të ftuarve të zgjedhur, prania publike dhe politike njëkohësisht, fillesat që po duken në “rebelime territoriale” në Himarë, kujdesi i shtetit të sotëm shqiptar për të mos ndërhyrë në zonat komunare minoritare, përpjekja që po bëhet për të krijuar një lëmsh përplasjesh, janë dukuritë e para. Ajo që është dukur deri sot mund të jetë ose është vetëm maja e Aisbergut të politikës shqiptare, më e shumta është fshehur në ujërat e ftohta që gjithnjë kanë ardhur nga lobi grek në SHBA dhe politika e tij thellësisht antishqiptare. Kushdo që mund të ketë dyshim në politikën e ndjekur nga një lob i tillë, mjafton të kujtohet se në kohën kur e gjithë bota e civilizuar ishte në krah të kombit shqiptar, lobi grek dhe prijësi ideor i tij, Nikolas Geixh, dolën rreptësisht kundër forcave aleate dhe në përkrahje të regjimit të Beogradit.

Nikolas Geixh mund të jetë një njeri besimtar, përgjithësisht grekët, kudo që ndodhen janë të lidhur me besimin e tyre, por ai nuk është as një klerik i shquar, as një teolog, as një burrë shteti, dhe si i tillë ishte i huaj në një ceremoni të kishës shqiptare. Interesat e tij ndaj fesë ai nuk i ka shfaqur asnjëherë, janë të pakta ose nuk ekzistojnë, shkrimet apo studimet teologjike të këtij njeriu që herë pas here merret edhe me letrat, e po ashtu edhe nuk i ka interesuar kurrë autonomia e Kishës ortodokse shqiptare.

Dy synimet e Geixh në ardhjen e tij në Shqipëri

Atij i ka interesuar gjithnjë vetëm ekspansioni grek, sidomos në drejtim të të ashtuquajturit Vorio-Epir.

Për të gjithë duhet të jetë thellësisht e qartë se mjeshtri i passkenave dhe i goditjeve nuk ka ardhur kurrë për të mirë të Shqipërisë. Nuk ka asnjë rast të deritanishëm që të ketë dëshmuar se ai ka të paktën një ndjenjë të mirëkuptimit ndaj një vendi fqinj të vendit nga e ka origjinën ai, Greqisë. Nuk ka asnjë të tillë, ndërsa të tjera ka të shumta. Pra, që të pritet se ai po bën një ndryshim në politikën e tij, vetëm se mori pjesë në një ceremoni fetare, as që është vendi të pritet e as që mund të pritet. Atij i ka interesuar gjithnjë vetëm ekspansioni grek, sidomos në drejtim të të ashtuquajturit Vorio-Epir. Problemet e tjera për të, kur është fjala për Shqipërinë, as që ekzistojnë.

Është fakt se tani të gjitha ato që janë quajtur në fillimet e viteve ’90 si qendra të mendimit të minoritetit grek në Shqipëri, nuk kanë më as peshën dhe as forcën e duhur. Tani ato nuk janë më faktor ndikues në politikën shqiptare dhe po të mos ishin dy faktorë: lënia e lirë e ndonjë zone elektorale dhe mosbashkësia e faktorit politik shqiptar, ato as që do të ishin në parlamentin shqiptar apo partnerë në qeverinë shqiptare. Përmbysja e tyre, e cila nuk ka filluar vetëm në këto vite, por kryesisht nga vetë qëndrimet ekstreme që mbajtën përfaqësuesit e “Omonias” duke shfrytëzuar legjislacionet shqiptare deri në skrupull, që nga parlamentet e para pluraliste, por edhe rritja e influencës së partive politike shqiptare. Një ndikim të jashtëzakonshëm kishte në vitet e fundit të shekullit të shkuar forcimi i ndjenjës kombëtare në Shqipëri me shfaqjen e fenomenit ripërtëritës UÇK dhe luftës në Kosovë. Nikolas Geixh kërkon të ripërtërijë autoritetin apo më saktë përfaqësimin e partive apo të shoqatave që mbulojnë minoritarët grekë. Ai kërkon që ato të jenë përsëri forcë, dhe nëse nuk do të mundin si në vitet e para pluraliste të marrin mandate të drejtpërdrejta në pesë zona elektorale, të paktën të kenë ndikim shumë më të madh se tani në parlamentin shqiptar dhe në qeveri, ose së fundi në “zona të pastra” minoritare. Për t’i hapur rrugën atyre ai në radhë të parë duhet të mënjanojë dhe të shtrojë të “mëdhenjtë” e politikës shqiptare, të fillojë pastrimin e rrugës prej tyre, të cilët duhet të lënë hapësirë më të madhe për minoritetin. Shembulli i Himarës, një zonë e cila historikisht njihet si vatër atdhedashurie, por që deshën ta kthenin në vatër sherri, ku nuk fituan dot as zgjedhjet lokale, e bëjnë të mendojnë lobin grek të “Vorio Epirit” se e ardhmja e këtij faktori është më se e zymtë. Atij i duhet ta ndalojë këtë shkarje, sa pa arritur deri në fund. Për këtë “të mëdhenjtë” nëse nuk mund t’u japin haptas dorën, të paktën duhet të shtrijnë pëllëmbën e heshtur të mirëkuptimit. Për të bërë këtë Nikolas Geixh e di se nuk është e mjaftueshme vetëm ajo që duan liderët. Duhet bërë edhe më shumë se kaq dhe ai hedh përsëri në skenë dy teza, thelbësisht të rrezikshme dhe deri në skaj antishqiptare. Së pari: ai, prej kohe ka hedhur dhe ripërsëritur tezën e vjetër, por në petk të ri, se duhet ribërë regjistrimi i popullsisë, ku secili banor i Shqipërisë të jetë i lirë të deklarojë kombësinë e tij. Pra, sipas tij, pavarësisht se ke lindur nga prindër shqiptarë, je denbabaden shqiptar, duhet të bësh edhe një herë deklarimin e kombësisë tënde! Përse e bën ai këtë? Zotëri Geixh e di fare mirë se me ata 50 apo 60 mijë minoritarë grekë që janë në Shqipëri, edhe sikur të gjithë të votojnë për partitë politike të minoritetit, nuk do të mund të fitojë më shumë se dy ose tre deputetë. Ai e di po ashtu fare mirë, se sado që të hartojë lista lobi grek në Amerikë, minoriteti i tyre nuk është më shumë se 60 mijë vetë dhe ai përditë e më shumë po bjerr, sepse po largohet në drejtim të Greqisë. Kthimi i këtij minoriteti në Shqipëri, megjithëse është i mirëpritur nga të gjitha autoritetet, përsëri është shumë i paktë. Ai e di po ashtu fare mirë se për një pakicë të tillë është e vështirë të kërkosh më shumë (që edhe pse edhe kështu ka shumë më tepër se sa ka menduar), është e vështirë të ngresh zërin dhe të presësh më shumë. Atij dhe lobit grek që ai përfaqëson, i duhet një shumë disa qindra mijëshe. Barazimi i përkatësisë fetare me etnitetin është një lojë e kahershme greke, të cilën nuk e bën për herë të parë Nikolas Geixh, por e kanë bërë edhe mjaft klerikë grekë, sidomos në jug të Shqipërisë. Sipas logjikës së tyre të mbrapshtë, kushdo që është ortodoks është grek dhe si i tillë duhet regjistruar. Pas regjistrimit të fundit të popullsisë, ku vlerat e minoritetit janë ulur ndjeshëm, teza e Geixh, për të barazuar përkatësinë kombëtare me besimin fetar, është njëra ndër spikatjet e elitës politike minoritare greke në Shqipëri, ndaj, jo një herë dhe jo vetëm njëri prej tyre, por të gjithë sëbashku dhe shpesh herë, i kanë quajtur ato, zgjedhjet, të parregullta, të manipuluara, etj. Por, lobi grek dhe Geixh, ndoshta kërkojnë edhe më shumë, dhe kjo duhet pritur prej tyre, sidomos kur dihet se degët e Omonias (“Partia për Bashkimin e të Drejtave të Njeriut”) shtrihet edhe në qyteza veriore. Shansi i madh i grekofonëve të sëmurë ka mbetur në numrin e madh të emigrantëve shqiptarë në Greqi dhe në detyrimin e tyre për të deklaruar kombësi greke në shkëmbim të një vize qëndrimi, të një pune etj. Kjo nuk ka ndodhur sot për herë të parë. Në vitin 1994 kur u dënuan militantët e Omonios, qeveria greke dëboi rreth 70 mijë shqiptarë me fshesë të hekurt. Në një ditë të ngjashme ajo mund ta bëjë këtë përsëri. Pra, zotëri Geixhit i duhet një numër shumë më i madh i grekërve në Shqipëri. Kjo ishte tentuar të bëhej edhe zyrtarisht, me anë të një ligji parlamentar, i cili edhe mund të kalonte nëse nuk do të kishte zotëruar mendimi kombëtar shqiptar në radhët e disa deputetëve. Nëse një ligj i tillë do të kishte kaluar, dhe atëherë ai kishte edhe përkrahjen e të ndjerit Azem Hajdari, në Shqipërinë e varfër të atyre viteve, në të gjithë atë propogandë që bëhej kundër vendit ku kishim lindur, nuk do të ishte e çuditshme që grekërit të ishin ndoshta sa shqiptarët. Fatbardhësisht ligji nuk kaloi, por kjo nuk do të thotë se gjithçka nuk mund të ripërsëritet. “Rreziku tek porta” është një thënie e lashtë romake, dhe shqiptarët nuk kanë të drejtë të jenë më të shkujdesshëm se romakët e moçmë, kur iu rrezikohet vendi i tyre.

 E vetmja gjë që mund të të qetësojë deri diku: Nikolas Geixh nuk bëri dhurata

berisha - geixhSë dyti, zotëri Geixh ka hedhur gjithnjë dhe është autor i tezës se tij antishqiptare për të vërtetën e çamëve të Çamërisë. Ai përsërit banalitetet e viteteve të pasluftës se “çamët kishin qenë përkrahës të gjermanëve në Luftën e Dytë Botërore”, se “ata kishin bërë masakra ndaj grekërve dhe si të tillë duheshin ndëshkuar”. Për herë të parë, qoftë edhe indirekt, pranohet haptas se shqiptarët e Çamërisë janë ndëshkuar. Dhe ky ka qenë një ndëshkim i pangjashëm në historinë moderne europiane. Ata janë shpërbërë me rrënjë dhe me troje, me vatër dhe me bij e bija, janë degdisur viseve të panjohura për ta dhe janë shndërruar kokë për kokë me grekë që nuk dihej se ku jetonin. Duke hedhur edhe një herë tezën e vjetër, ai kërkon të fajësojë edhe shqiptarët e sotëm që e mbrojnë çështjen kombëtare shqiptare, konkretisht edhe çështjen e shqiptarëve të Çamërisë, duke i bërë ata mbrojtës të krimit politik që na paskan zhvilluar çamët ndaj grekërve. Edhe nëse ka pasur ndonjë rast të tillë, dhe në luftë janë gjëra që s’përjashtohen, ato që ndodhën pas lufte në Çamëri janë mijëra fish më të përbindshme; është krimi i organizuar shtetëror ndaj një kombi tjetër, por tashmë në kohë paqeje. Duke e çmitizuar këtë fakt, duke e injoruar çështjen çame, zoti Geixh ka synuar gjithnjë të hedhë në tavllën e bixhozit politik vetëm kartën e minoritetit grek, sipas tij i vetmi minoritet ende me probleme të pazgjidhura, krahas atij serb në Kosovë. Në këtë mënyrë, shqiptarët, kudo që janë, kanë në gjakun e tyre, sipas zotit Nikolas, keqtrajtimin e pakicave të tjera etnike, dhe kjo ka ndodhur jo vetëm tash, por është në traditën e tyre. Kjo tezë e prapshtë, tejet e hidhur për shqiptarët kudo që janë, jo vetëm duhet hedhur prapsht, por bashkë me të edhe përfaqësuesi i saj.

Koha që ka zgjedhë zotëri Nikolas Geixh për të riardhur dhe për të zgjuar heshtasi idetë e tij panhelenike është e zgjedhur mjeshtërisht. Peshkopi grek Janullatos ia hapi rrugën mjeshtërisht. Ka disa kohë që në institucionet e larta ndërkombëtare, sidomos në Bashkimin Europian, përmes bisedimeve direkte mes Kosovës dhe Serbisë, po shqyrtohet mundësia e  gjetjes së një zgjidhje përfundimtare politike për Kosovën dhe banorët e saj minorancë, mes të cilëve janë edhe serbët. Një gjë e tillë, zgjidhja e një problemi kaq themelor, sidomos në Veriun e Kosovës, është zgjidhje e nyjes gordiane për shqiptarët, por edhe makthi i keq i atyre që nuk e duan përparimin e kombit shqiptar. Fakti se po hidhet, në trajtën përfundimtare, por jo e më mirë ardhmja e Kosovës dhe e minoriteteve të saj, është një shtysë më shumë për të ndezur urët e minoritetit grek. Në këtë mes është me vend të thuhet se minoriteti grek në Shqipëri, jo vetëm sot, por edhe në kohë të tjera, ka patur trajtim shumë më të mirë, të pakrahasueshëm, se pakicat ose kombet e tjerë nën regjimet jugosllave apo serbe. Edhe pse ky minoritet është i ardhur nga viset e brendshme të Greqisë, edhe pse ekziston e dhëna se shumë prej pjesëtarëve të tij kanë qenë vllehë të greqizuar, përsëri në Shqipëri ata janë ndjerë shumë më mirë se në vendet prej ku kanë ardhur dhe nuk janë shkulur më. Megjithëse ata kishin ardhur për të punuar në tokat e bejlerëve të pasur gjirokastritë, si Libohovitët, Asqeritë etj., ata janë sot pronarë të tokave të mira të Dropullit të poshtëm dhe të Sipërm, të cilat në shumë raste janë djerrë. Megjithatë kjo nuk është e rëndësishme për zotin Geixh. Presioni që pjesë të politikës minoritare, pas ardhjes së fundit së zotit Geixh, po bëjnë  mbi shtetin shqiptar (dhe nuk dihet nëse do të zërë vend) ka lidhje me mospërkrahjen dhe mosmbështetjen që ka bërë gjithnjë ai dhe lobi grek ai ndaj çështjes së Kosovës. Pra, me një problem të krijuar artificialisht, ai kërkon të mos ketë mbështetje në një problem historik.

Jo rrallë në 23 vitet e fundit rruga drejt pushtetit në Shqipëri, në një mënyrë ose në një tjetër, ka patur edhe një farë mbështetje nga “episkopata” e mendimit politik grek. Nuk besoj se edhe pas kaq vitesh nuk është zënë mend nga kjo gjë, por fakti që ai vjen në Shqipëri si një personalitet i rëndësishëm dhe nën petkun e tij lëvizin gjëra të trazuara, të bën të ndjesh dhembje. E vetmja gjë që mund të të qetësojë deri diku qëndron ndoshta në faktin se zoti Nikolas Geixh nuk bëri kësaj here dhurata apo, më saktë, nuk dihet nëse bëri kësaj here dhurata. Sepse, prej më shumë se dy mijë vitesh, Homeri i lashtë, ka lënë pas vetes thënien e famshme: “Ruaju nga grekët kur të bëjnë dhurata”.

E mira e Shqipërisë nuk qëndron tek ardhja e zotit Geixh. Largimi nga ai ndoshta mund të jetë, në të kundërtën, një ogur i mirë.

Nga BEDRI ISLAMI June 23, 2014 00:40
Komento

3 Komente

  1. Prudent June 23, 08:14

    Nikolas Gazojanis (Gage ) eshte kreu i shoqates se fuqishme greko-amerikane POAKA nga e cila kane dale ish-zv. presidente te USA si Spiro Agnu, ish-shefi i CIA G. Tennet, ish-sekretar i Clintonit Stefanopullos etj. Ky ka qene ndoshta njeriu qe ka punuar me shume per te larguar Berishen nga pushteti. Pretendimi i artikullshkruesit se N. Gage ka pasur lidhje me Berishen eshte krejt qesharak. Eshte si te thuash qe Arkani ka patur lidhje me Tugjmanin.

    Reply to this comment
    • Lleshi June 23, 10:54

      Qe Berisha , ka realizuar nje per nje te gjitha cfare ka synyar Nikolas Gaxojani , kjo tashme nuk perben me dyshim , por nje veprimtari te provuar antishqiptare te Berishes ! Por ndoshta Tugjmani nuk ka pasur lidhje me Arkanin , ndersa Berisha PO ! Gazi i Dedes e ka takuar Arkanin me porosi te Berishes dhe ia ka shitur disa dhjetra djem shqiptare qe luftonin per liri !
      Ndersa Berisha takonte Miloshevicin ne Oher !

      Te gjitha tashme nuk jane me dyshime , megjithese krushkun prej Dibre te Arkanit dhe Gazideden i zhduken , apo Remzi Hoxhes i humben dhe kockat !

      Greku dhe Serbi , nuk kishin ku gjenin nje antishqiptar me te terbuar se sa Barisha , duke mosperjashtuar Nanon (megjithese shume i ndryshem nga Berisha) !

      Sikur keto toka t’i kishte pushtuar serbi , nuk do t’i kishte shkaterruar keshtu me themel sa Berishoviçiosi !

      Reply to this comment
  2. Agimi June 23, 20:50

    heren e dyte ne pushtet Berisha erdhi vetem pasi mori mbeshtetjen e Gaxojanisit,kuptohet qe pasi ky I fundit I premtoi se do te bente cfare do qe deshironte Geixh.Dhe faktet jane se Berisha beri cfare deshen greket

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*