Cili nga ministrat-drejtorët do të arrestohet i pari?

October 23, 2013 01:28

Cili nga ministrat-drejtorët do të arrestohet i pari?

Nga Gjergj Thanasi

Në 3 korrik 2005 PD-ja pas tetë vitesh në opozitë me ndihmën edhe të aleatëve fitoi ngushtë, mbi socialistët  e velur deri në kalbësi pas 8 vitesh pushteti. Fitorja ishte paralajmëruar nga i ndjeri Potter Goss, numri 2 i CIA-s, që pak javë para zgjedhjeve i kishte “prerë biletën” Nanos dhe qeverisjes socialiste.

Në 2005, periudha e tranzicionit deri në shtator u përdor nga administrata e lartë socialiste për të rikontrolluar dosjet, praktikat e ndryshme të punës me synimin për të eliminuar sa të ishte e mundur çdo gjurmë hajdutërie dhe korrupsioni. Në të folurën popullore ministrat dhe drejtorët e majtë po kopsisnin letrat me ngut dhe me shumë përkushtim..

Fitorja plebishitare e boshtit PS-LSI në zgjedhjet e qershorit të këtij viti pati tjetër efekt mbi administratën “Berisha”, shumëfish më të korruptuar se administrata Nano e vitit 2005. Ministrat, zyrtarët e lartë të administratës në vend të kopsitjes së letrave dhe fshirjes së gjurmëve të hajdutërisë iu futën vjedhjes e plaçkitjes me temp të përshpejtuar. Motoja e këtyre kolltukofagëve ishte: të vjedhim e të rrëmbejmë çfarë të mundim deri ditën e fundit, që të ndenjurat tona do ulen në kolltuqet e zyrave të pushtetit. Ky qëndrim kontrastonte dukshmë me qeverinë socialiste të vitit 2005. “Mamuthi i korrupsionit” përshembull, pastronte letrat në 2005, ndërsa financieri Bode në 2013 firmoste për emërimin në dogana edhe të kushërinjve të katërt apo të pestë. “Duka i krimit” mbyllte dosjet e punës në Ministrinë e Bujqësisë në 2005 ndërsa “druri i arrës” i Salës firmoste tendera edhe ditën e fundit të pushtetit në 2013  njëlloj si me kontratën e ACR-së në Bulqizë, në 2009. Madje edhe figura anektodike si Aldoja i fakseve gërdeciane të Shkëlzenit apo “Sherlok Holmsi” Mul Noka bënin emërime në vende pëllumbash dy muaj pasi kishin humbur zgjedhjet duke lënë litarët jashtë, që të pengohej e të thyente qafën kryeministri i ardhshëm Rama. Tipik është edhe emërimi me kohëzgjatje dy tre javore i Prefektes së Tiranës, apo emërimi djallëzor i Meidanit në drejtorinë e doganave.

Shkurt puna, këtyre myteberëve jo vetëm që u kishte plasur cipa, por kishin harruar edhe frikën. Ata kanë menduar që sekserë mediatiko-opozitarë pranë kryeministrit të ri Edi Rama do shërbejnë si zyra Aluizni e sekserllëku për të legalizuar veprimet e tyre antiligjore madje edhe ‘pas pilafit”, d.m.th., pas humbjes spektakolare të 23 qershorit.

Por Edi Rama ka folur për një mision të madh të jetës së tij në këtë mandat. Shqiptarët shpresojnë që ky mision të mos jetë thjesht dekorimi (plot shije) me harta mesjetare i mureve të Kryeministrisë apo spastrimi nga ambjentet e spitaleve i hale-mejhaneve. Por ndëshkimi-burgosja e fajtorëve dhe rivendosja e drejtësisë sociale.

Skota e hajdutëve të ish-qeverisë Berisha ka harruar një precedent të shkurtit 2006, kur prokuroria arrestoi Luiza Hoxhën  ish-deputete e PS-së, ish prefekte, ish-drejtoreshë të përgjithshme të postave dhe anëtare e KPD-së. Luiza u arrestua, gjykua dhe vuajti dënimin për një dëm të shkaktuar shtetit në vlerën 3 milion e 200 000 Euro. Arqile Gorreja drejtori demokrat i postave e kishte besuar me të vërtet parrullën demagogjike të Berishës: Qeverisje me duar të pastra. Në zbatim të kësaj parrulle duke shfrytëzuar edhe faktin, që zonjusha Hoxha kishte lënë si të thuash gjurmë elefanti në aferën 3,2 milion euroshe të pullave të postës, drejtori Gorreja pa ngurruar firmosi shkresën për të kallëzuar në prokurori paraardhësen e tij.

Ky është precedenti Gorreja. Ky precedent mund të shërbejë fare mirë si manual për Kryeministrin Rama për të shkuar përtej face liftit të kryeministrisë te furnizimi me ‘lëndë të parë” i prokurorisë.

Drejtorët dhe ministrat e rinj duhet të provojnë me vepra jo me fjalë, që rilindje nuk do të thotë, se shyqyr Zotit na erdhi rradha edhe neve për të vjedhur gjithçka që la pa vjedhur Berisha me të tijët këto tetë vite. Antidoti më i mirë kundra psikologjisë së radhës për të vjedhur është njohja e menjëhershme e situatës nga titullarët e rinj kuptohet pa e zgjatur maksimumi brenda pak  javësh. Më pas mbetet domosdoshmëri përgatitja e dokumentave për ndjekje penale  për abuzimet e paraardhësve.

Të tilla ndjekje penale mund të shërbejnë fare mirë edhe si një nga mënyrat për  të siguruar para për buxhetin e shtetit, që Sala e la siç i la Ramiz Alia dollapet e frigoriferët e shqiptarëve në vitin 1991.

Të tilla operacione mund të sigurojnë të ardhura modeste nën gjysëm milion Euro si në rastin e ministrisë së Kserës, ku çështja tashmë është në duart e drejtësisë, por mund të ketë  edhe “jack pot-e” prej 15-20 milion Eurosh në tatime si psh rasti i biznesmenëve fantazma kinezë dhe ustallarëve të Bodes te tatimet me efekt financiar 15-18 milion Euro. Dikasteri Imami i shndërruar në shpellën e Ali Babës mund të sigurojë rekuperimin në favor të shteti të miliona eurove të tjera. Mjafton të përmendim këtu afera të tilla si skrapet e metaleve me ngjyra në Mjekës, skrapet e mjeteve detare si nëndetëse, anije silur kapëse, rimorkjator, kater rade etj apo eksportin e 1000 (një mijë) tonëve lëndë eksplozive te “sivëllezërit” sllavë. T’i hysh pastaj hajdutërisë së rrugëve në kohën e Lulushit-Tuneli i Kalimashit dhe në kohën e Olldashit-Tuneli i Kërrabës do të thotë të rikuperosh dhjetra milion Euro.

Ministria e Brendshme përveç impaktit direkt te qytetari mund të prodhojë para për buxhetin, nëse njësia e super-prokurimeve e koncentruar në këtë dikaster kalohet në sitë. Aty krahas “xhevahireve” për prokurimin e uniformave të reja të policisë, furnizimit me karburante etj do peshkoheshin miliona Euro në tenderimet, që janë bërë  në favor të dikastereve të tjera. Edhe Ministria e Bujqësisë në duart e një hajduti veteran si Ruli mund të ofrojë çudira e të prodhojë miliona Euro për buxhetin nëse stafi i ri vërtet është për integrim europian jo për hajdutëri të stilit afrikan.

A është e lehtë të bëhet kjo? Sigurisht që jo! Por kryeministri i ri gjithsesi publikisht u ka bërë një premtim shqiptarëve: Po bëhem kryeministër që të le gjurmë. Me këtë premtim ai ka treguar se të paktën verbalisht ka këllqe t’i kundërvihet me kopaçe në dorë hajdutërisë, që trashëgoi nga qeveria Berisha. Të emëruarit e tij përgjithësisht nuk kanë hipoteka korrupsioni dhe hajdutërie nga e kaluara. Kanë rastin ta tregojnë veten.

Në këtë rast precedenti Gorrea fare mirë mund të shërbejë si referim. Fjala vjen, nëse zonjusha Spiropali si Drejtoreshë e Doganave arrin, të mbushë buxhetin me detyrimet doganore duke çuar njëkohësisht kontrabandistët dhe nëpunëist e korruptuar për ndjekje penale, atëhere Kryeministri Rama mund ta mbajë atë për tetë vjet drejtoreshë doganash, siç e mbajti Berisha Gorrenë për tetë vjet drejtor postash, pasi futi në burg paraardhsen e vet.

Kush thotë që shqiptarët nuk e duan këtë drejtësi pas 23 qershorit, gënjen veten dhe ata që ka përreth. Shqiptarët natyrisht dëshirojnë të jetojnë në paqe, gjithnjë e më mirë, njëlloj si europianët. Por gjithsesi shqiptarët janë gati të durojnë edhe sakrifica momentale me kusht, që të rivendoset drejtësia sociale dhe shteti i sundimit të ligjit.

Nuk duhet të ketë më drejtorë  e ministra të paprekshëm! Shprehur më shqip banorët e këtij vendi duan, që hajdutët të shkojnë në burg e të mos kapërdisen bulevardeve të Tiranës majë jaguar-it si mizat në majë të m….

 

* * *

Nga e mësoi Berisha se kush ka përgjuar kë?

Redaksional

Një mesazh jo dhe aq i parëndësishëm ka feksur dje në Facebook-un e Sali Berishës. Ish-kryeministri ia kishte dedikuar mesazhin vendimit të qeverisë socialiste për të shkrirë Njësinë Kundër Krimit Ekonomik . Shpjegimi që ka ofruar ish-kryeministri, është tejet interesant.  Mesazhi i tij  zbërthehet më mirë nëse ndahet në dy pjesë. Fillimisht, në pjesën e parë,  Berisha ofron disa të dhëna për këtë njësi, sipas tij kjo njësi dispononte përgjime nga ata që ish-kryeministri i quan kontrabandistë, mafiozë, trafikantë, banditë…por më pas në listë ai shton dhe deputetë, familjarë deputetësh , madje dhe ministra aktualë. Kjo është një e dhënë e rëndësishme, së pari sepse Njësia Kundër Krimit Ekonomik, nuk bën dot përgjime, nëse kjo njësi kërkon të përgjohen subjekte të dyshuar fillimisht i drejtohet prokurorisë dhe më pas nëse prokurori bindet nga kërkesa dhe provat paraprake, e dërgon kërkesën në gjykatë për aprovim final. Nëse agjentët e kësaj njësie kanë ndjekur këtë procedurë ligjore, Berisha nuk ka arsye të shqetësohet, përgjimet janë nën administrimin e prokurorisë mbi të cilën ndikimi i tij vazhdon të jetë i dukshëm. Nëse kjo Njësi e Kundërkrimit Ekonomik i ka kryer përgjimet, “me kokë të vetë”, kemi të bëjmë me një “Gestapo” një shtet paralel të ndërtuar nga Berisha dhe përgjimin mafioz ndër të tjera të një numri të madh personash të lidhur me opozitën e djeshme.

Momenti i dytë i deklaratës së Berishës lidhet me një detaj që Berisha ofron, sipas të cilit, qeveria socialiste ka siguruar një përgjim të dy agjentëve të Kundërkrimit Ekonomik të cilët  duke dialoguar mes tyre kishin hedhur dyshime se  aksioni i fundit për bllokimin e kazinove ishte në fakt një aksion i socialistëve për të shtënë në dorë monopolin e këtij biznesi.

Po nga e di Berisha se çfarë ka përgjuar Ministria e Brendshme e socialistëve? Nga e ka ai këtë informacion? Kush i përgjon ata që paskan përgjuar policët e tij? Përgjigja mund të jetë se Berisha ia fut kot, por përgjigja mund të jetë dhe Visho Ajazi, njeriu i tij besnik në krye të Shërbimit Sekret të vendit, i cili ka aktualisht mundësinë për të përgjuar dhe aktivitetin e zyrtarëve të lartë shtetërorë, që nuk janë më demokratë. Nëse Berisha e disponon këtë informacion dhe ky informacion është siç Berisha thotë, atëherë bëhet e qartë se mund të jetë SHISH ai që punon për llogari të një anëtari “të thjeshtë” të PD-së dhe që po përpiqet të frenojë aksionet e policisë për llogari të Berishës.

Por përtej të dhënave që ka ofruar  vetë Berisha për mënyrën se si po informohet për operacione sekrete shtetërore, është interesant fakti që ai nuk ka mbajtur asnjë qëndrim për nivelin ekstrem të informalitetit dhe të evazionit fiskal në qindra pikat e kazinove në të gjithë vendin. Asnjë fjalë. Berisha e kontrollonte për 8 vite Njësinë e Kundërkrimit Ekonomik (e cila u shkri), nëse kjo njësi ishte kaq profesionale sa ai thotë përse nuk dalloi këtë det informaliteti? Kush e pengonte? Të gjitha të dhënat flasin se ky biznes informal kishte “bekimin nga Lart” për shumë vite, deri në kubenë e familjes së Berishajve.

Tashmë i bie, që Berisha, nga Facebook-u, po përdor informacionet e Visho Ajazit dhe SHISH-it, për të mbrojtur aktivitete të paligjshme të bekuara nga familjarë të tij. E thënë ndryshe, i gjithë Shërbimi Informativ Shtetëror, i bie të jetë sot në dispozicion të mbrojtjes së interesave të një familje të vetme, në mbrojtje të biznesit të Berishajve. Berisha e zbuloi veten pa e kuptuar se po informohej në një mënyrë “të çuditshme”, tashmë me pak punë mund të zbulohet dhe “Marrëzia Nr.2” , implikimi i SHISH në dekonspirimin e aksioneve të policisë.

Kjo e dhënë përforcohet, në kushtet kur ka informacione se disa nga kompanitë që kanë në pronësi qindra pika kazinoje, kanë nisur zhvendosjen e kompjuterëve të paligjshëm 48 orë përpara se të fillonte aksioni.  Nga u informuan këta biznesmenë? Kush i mbronte?

Në fund, një kujtesë “plakut të Facebook-ut”: Nëse ke përgjime, bëji publike. Mjaft më me këtë gjuhën e misterit dhe të “ca dosjeve që i di vetëm ti”. Po i ke bëji publike, po nuk i ke mos ha mjalt kot, po i ke dhe s’i bën publike, je bashkëfajtor.

 

Mesazhi i Berishës në Facebook

SHKRIHET NJESIA E POLICISE KUNDER KRIMIT EKONOMIK. 
AJO KISHTE PERGJIMET PER RAMEN DHE KUPOLEN MAFIOZE TE PS

Te dashur miq, keto dite, ne nje akt tjeter hakmarrjeje dhe denimi kolektiv, Rama shkriu policine kriminale qe merrej me hetimin e krimit ekonomik, e cila me hetimet, teknikat dhe pergjimet e saj ka vendosur para ligjit qindra trafikante, bandite, kontrabandiste por dhe qindra zyrtare te korruptuar te maxhorances tone. Kjo polici kishte te gjitha pergjimet e komunikimeve elektronike te kryera nga organet tona dhe partneret tane, te anetareve dhe boseve te bandave kriminale te Hakmarrjes per Drejtesi, Bandes se Lushnjes apo Durresit, ne te cilat lakohej dhe implikohej edhe direkt emri i Rames. Njesia kishte dhe dokumenta dhe pergjime te shumta per ministra, deputete aktual te PS, familjare te tyre te implikuar ne larje parash te pista, kontrabande, trafik droge etj.
Shkak tjeter madhor i denimit kolektiv te oficereve te policise kriminale eshte se ata ligji i ngarkon per luften kunder korrupsionit te qeverise dhe administrates publike. Rama dhe ministrat e tij, ne nje muaj po bejne baterdine me investime pa tender dhe me prokurim direkt, natyrisht eshte kjo polici qe duhet te hetoje aktet kleptokratike te Rames dhe Ekipit te tij ndaj dhe me urgjence duhet zevendesuar me militante te tipit Didi qe per Ramen nuk njohin ligjin.
Si pretekst per shkrirjen e policise kriminale Rama perdori nje pergjim ne te cilin dy oficere te policise kriminale ishin shprehur se operacioni i policise kunder lojrave te fatit motivohej fund e krye nga vendosmeria e Rames per te krijuar monopolin ne kete fushe per vellaçkon e tij te rilindur nga SHBA dhe Hakmarrjen per Drejtesi. Ketij i thone zemerim! Vrapim drejt kleptokracise! sb

October 23, 2013 01:28
Komento

2 Komente

  1. LORA October 23, 08:45

    Pavaresisht nga dekonspirimet e visho ajazit ose te kujtdoqofte shteti dhe policia duhet te jete cdo minute ne kembe kunder paligjshmerise ne ekonomi.Pra ky ( operacioni “fundi i marrezise”) nuk mund te jete praktike aksioni,por detyrim i punes se perditeshme te policise dhe tere organizmave qe paguhen per te.
    Sa per visho ajazin,nese provohet hipoteza duhet te fluturohet nga ajo karrige drejt e tek “shtate penxheret”.

    Reply to this comment
  2. zekthi October 23, 15:37

    Sa here qe Berisha reagon kunder nje veprimi te kryer nga Qeveria per reformat e kryera, qofte edhe strukturore, do te thote qe reformat dhe veprimet jane ne rruge te drejte dhe te duhur.
    Berisha e ka te qarte se keto reforma do te çojne me ne fund ne zënien ne çark të tij dhe bandes qe ka drejtuar.
    Reforma duhet thelluar dhe duhet shpejtuar.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*