PËRBINDËSHI

March 24, 2016 00:40

PËRBINDËSHI

Nga Arkiva

Disa kohë më parë, kur në botë u dukën shenjat e krijimit të një shteti të ri, në dukjen e parë absurd, por që forcërisht, përmes dhunës, po bëhej diçka e dukshme dhe e  kapshme, pikërisht ai që më pas do të njihej si shteti islamik, ISIS, shumë shtete të fuqishme e morën si me përtallje dhe shërbimet e tyre e kishin mendjen më shumë tek Al Qaida, që në fakt ishte rreziku i ditës. Ndërkohë, për herë të parë, si një lubi politike, por edhe e terrorit të pamasë, po ngriheshin konturet e një përbindëshi, i cili do të godiste jo vetëm rreth  e rrotull, por edhe shumë larg tij, aty ku ishte e është civilizimi, që e urrejnë me gjithë shpirt. Europa, që nga fillimet e saj lindore dhe deri në skajin e tejshëm perëndimor, ka marrë goditjet e rënda nga ky përbindësh, që si në hije, u rrit gjithnjë e më shumë, deri sa u bë ky që tashmë duket, por që ende nuk njihet rrënjësisht.

Shërbimet e specializuara perëndimore, deri më tani nuk ishin të afta të gjenin rrugët për të ditur më shumë nga sa ata vetë kanë dhënë, ndoshta nga që ky përbindësh, kur ka ngritur shtatin e tij, ka ngritur edhe strukturat të cilat, në mos tjetër, aq rreptësisht radikale, po kthejnë një pjesë të botës, atë lindore, në një vend të errët, të zymtë deri në skajimin e jetës, po përcjellin përmes një ideologjie, e cila mund të njihet tashmë publikisht si fashizmi islam, kumtin e një dhune  të panjohur më parë, e që e bën jetën vazhdimisht të jetë në ankthin e saj.1

Shqipëria, Kosova dhe viset shqiptare nën Maqedoni nuk kanë shpëtuar prej tij. Megjithëse është e dhimbshme, kjo duhet pranuar. Mund të heshtësh sa të duash, por janë të pranishme të gjithë simptomat e tij. Dhe jo nga dita e sotme, por që prej fillesës, çka e bën edhe me të rrezikshme praninë e tyre. Shenjat kanë qenë gjithnjë të dukshme. Sepse askush nuk ka synuar t’i fshehë ato, përkundrazi, duke qenë të fshehta të njohura, ata janë bërë edhe më të pranishme, më të prekshme dhe më enigmatike njëkohësisht.

Ekrem Avdiu, njëri ndër imamët e njohur të Kosovës për radikalizmin e tij, sidomos në një zonë thellësisht të prekshme, si Mitrovica, ka qenë i njohur nga të gjithë në Kosovë. E gjithë veprimtaria e tij ka qenë fare pak fetare, megjithëse e veshur me petkun e ligjërimin fetar. Ajo, më shumë se gjithçka tjetër, ka sjellë kumtin e një lëvizjeje radikale islame në një vend ku ekstremizmi fetar as që ishte njohur dhe askush nuk kishte njohuri për të, e megjithatë, ai mbolli farët që i duheshin atij.

Shefqet Krasniqi, një tjetër imam radikal, thellësisht harbut në predikimet e tij, rreptësisht kundër një tolerance fetare, nuk qëndroi dhe as nuk qëndron i fshehur dhe veç urrejtjes patologjike për çdo gjë të dobishme që kanë sjellë religjionet e tjera fetare në Shqipëri, ai përsëri nuk mbështillet pas petkut fetar e mjekrrës së zgjatur. Ai është i pranishëm deri në thellësinë e jetës së njerëzve, dhe megjithëse të gjithë e kanë ditur dhe vazhdojnë ta dijnë këtë, ai është ende i pranishëm.

Përmes imamëve të tillë, që nuk janë të paktë në Kosovë, në rradhët e përbindëshit janë dërguar dhjetra djem të rinj, shumica nga zonat rurale, shumë nga të cilët të varfër dhe pa shpresë në të ardhmen, ashtu si ka pasur e vazhdon të ketë edhe të rinj të arsimuar, që deri para njohjes me ta ishin si gjithë të tjerët, e më pas, jo rastësisht, u shndërruan në njerëz të mbyllur, të zymtë, të shprishur dhe që përmbysën edhe familjet e tyre. Disa familje në Kosovë tashmë janë pa adresë, sepse askush nuk e di adresën e tyre, dhe, nëse do i kërkosh, do i gjesh në ISIS.

Shqipëria është një shembull tjetër, jo i duhur, megjithëse me shtrirje më të shkurtër, por që u bë burim për luftëtarët e ISIS, dhe “mburrja” se “ vetëm pak shqiptarë janë luftëtarë, të tjerët punojnë në sektorë të tjerë të shtetit islamik”, dëshmon se as politika jonë dhe as shërbimi i fshehtë shqiptar, nuk kanë mësuar ende asgjë, ose shumë pak, nga e gjithë ajo që po ndodh dhe që akoma është në rritjen e saj.

Ka disa zona në Shqipëri, përgjithësisht rreth Shqipërisë së mesme, ku rritja e valës radikale është tepër e dukshme dhe ku, shfaqjet e saj, kanë qenë tepër të dukshme. Përmes shoqatave, në dukje humanitare, mendimi pervers radikal ‘islam’ depërtoi në zonat më të varfëra, por jo vetëm tek ata; ai u përhap përmes imamëve që nuk ishin autorizuar si të tillë, përmes xhamive që ishin jashtë juridiksionit të Bashkësisë Islame, u shfaq si një bujari përmes dhuratave të dërguara direkt nga Zoti, dhe njerëzit duhej të dëgjonin emisarët e tij.

Shërbimi i fshehtë shqiptar në kohën kur po rriteshin simptomat e kësaj vale egërsie ishte i zënë duke përgjuar politikanët e opozitës së kohës, sepse dikujt po i rrezikohej pushteti dhe nuk kishte kohë të merrej me rrezikimin e gjithë  vendit. Sigurimi i ushtrisë, po ashtu, kishte të holla sa i duhej për të blerë pajisje moderne të përgjimit, por nuk kishte asgjë që mund të ndihmonte në përballjen me atë që i binte ndesh sigurisë kombëtare. Presidenti i vendit mblidhte me urgjencë institucionet në varësi të tij, Prokurori, Shërbimi Informativ, etj, për të rezistuar nga opozitës që po vinte në pushtet, por i dukej e largët dhe bosh lufta ndaj këtij rreziku, me pasojat e të cilit shpreh solidaritetin e tij, që askush nuk ia vë veshin. Në tre vitet e qeverisjes socialiste pak gjë, në mos asgjë, u duk në shprishjen pa dhimbje të këtij rrjeti, i cili, në disa qytete, si Elbasan, Pogradec e Tiranë, është ende i fuqishëm, i pa kërrusur dhe ende në aktivitet të plotë, megjithëse ka fshehur këmbët përkohësisht. Një gjyq që po zhvillohet në Tiranë kundër disa prej bartësve të lëvizjes radikale, dalngadalë, po kthehet në një farsë politike, përmes së cilës shteti shfaqet i ngathët, i dobët dhe zvarritës, ndërsa ata që luajnë me jetën njerëzore dhe dinjitetin e shtetit, përtallin e përqeshin këtë dreq drejtësie, e cila vetë duhet të jetë para drejtësisë.

Si mund një shtet, që mendon se është shtet, të lejojë ngritjen e xhamive ilegale, pa asnjë lloj lejeje, ku predikojnë po ashtu imamë dhe hoxhallarë ilegalë, jashtë juridiksionit të Bashkësisë Islame, dhe kjo të duket e natyrshme. Këto, o shteti im, nuk janë xhami, këto janë kazerma ushtarake, ku përgatiten ushtarët e ardhshëm të ISIS, qoftë me këtë emër, qoftë me emër tjetër. Këtu nuk predikohet amshimi dhe paqja, këtu predikohet dhuna dhe terrori. Nëse shteti hesht, ata godasin, nëse shteti godet, ata heshtin.

Brukseli dëshmoi se toleranca është e mirë, e pakrahasueshme me gjithçka tjetër, por jo gjithnjë e mirëpritur, por jo gjithnjë e duhura, në ato përmasa që Brukseli u afron të huajve. Më ka takuar të jem shpesh herë atje, pikërisht në atë lagje që është sot një xhami e madhe ilegale, ku përgatitën ushtarët e ISIS, apo ku gjejnë strehë njerëzit e saj. Veç vjetërsisë së banesave, sepse aty ishte Brukseli i vjetër, asgjë tjetër nuk e dallon nga Brukseli i ri. Në pak minuta në këmbë mund të shkosh në sheshin qendror, para Bashkisë historike, mund të shijosh pjesë të së kaluarës së këtij qyteti jo aq të madh, ku më shumë se gjysma e tij janë të huaj, të takosh deputetë me origjinë marokene apo turke, pra gjithçka që duhej të  ishte shenja e një jete normale, krejtësisht normale. Ka raste kur ligjet e Brukselit të ri nuk janë të zbatueshme në Brukselin e vjetër, pikërisht në lagjet e vjetra, dhe kjo është bërë për t’iu përshtatur mënyrës së tyre të jetesës, si për shembull hapja e dyqaneve ditëve të diela, kur kudo tjetër, janë sipas ligjit, krejtësisht të mbyllura.

E përsëri, përmes kësaj tolerance, duke përfituar nga bujaria e një shteti që të ka bërë vend si gjithë të tjerëve, jepen shenjat e egërsisë barbare të një lëvizjeje që i ka kaluar tashmë të githë termat e lëvizjes radikale islame. Ata nuk janë më as salafistë, as vahabistë, as shiitë apo sunitë të egërsuar; ata janë kthyer thjeshtë në pjesë të një përbindëshi, që synon të gjunjëzojë progresin dhe mendimin e lirë.

Është e vërtetë se viset shqiptare nuk janë kaq të rrezikuara nga kjo lëvizje e egër përbindëshe, por nuk do të thotë se gjërat janë jashtë çdo kërcënimi. Disa “luftëtarë” kanë dërguar mesazhet e tyre kërcënuese, si të ishin duke nëmur vendin që i ka lindur, ashtu si ka ndodhur edhe në Kosovë, dhe megjithëse duket gjithçka e largët, kurrë nuk është e tepër të mendohet për jetën e njerëzve. Por, kur në kreun e shtetit ke një njeri që as nuk ia thotë, kur në kreun e Shërbimit Informativ është po ashtu, një njeri, i cili ka qenë ndihmës i një drejtori superislamik, kur shteti shikon në heshtje se si mbijnë këpurdhat xhamiore dhe kjo u duket e natyrshme, droja e njerëzve është e pranishme.

Brukseli, por edhe Turqia, nuk duhet harruar, ua mbajtën frymën njerëzve. Tani të gjithë mund të themi “unë jam një brukselas”, por kjo nuk është e mjaftueshme. Kjo zgjat, aq sa zgjat edhe një ngjarje, më pas fjalën duhet ta ketë shteti.

Mendësia dhe urtia e shtetit duhet të shkojë deri aty sa që, duke u njësuar në mendim me Bashkësinë Islame, të shohë, nëse është e arsyeshme që predikimi i përditshëm dhe i përnatshëm nga minaretë, ia vlen, duhet apo jo, të jetë një një gjuhë të huaj, kur, për më tepër, edhe nga kisha ortodokse, kemi kërkuar drejtësisht që mesha të jepet në gjuhën shqipe.

Përbindëshi është afruar drejt kontinentit të vjetër. Të duket e çuditshme se ata vijnë nga vendi i Omer Kajamit, Saadiut, Firdusit, nga vendi i “Një mijë e një netëve”, dhe vijnë kësaj here në formën e një përbindëshi.

Mëkat.

Bedri Islami – DITA

March 24, 2016 00:40
Komento

1 Koment

  1. A.GRAMSH March 24, 11:59

    FAKTI I ‘DITES’!
    8 Pyetje per kamikazet e informacionit e Nishanet veshur si prifterinj e imame 25 vjet nga 90 perqind e shqipetareve LAIKE!
    ————————
    1-Kush e vrau shtetin dhe Zotin 25 vjet kur ne kushtetuten e Rrepublikes te nje shteti LAIK thuhet ‘Me besim tek zoti’
    2-Kush e vrau shtetin ne emer te zotit kur vete ZOTI 2500 vjet me pare ne nje nga komandamentet thosh :Mos ma zere ne goje emerin kot e mos me pergojo se do te te denoj deri ne brezin e trete’!’
    3-Kush e vrau shtetin e zotin tek ne kur nishanet e salisjanet vjedhin e thone ‘Zoti e bekofte Shqiperine’ kur vete Zoti 2500 vjet me pare kur nuk kish lindur as Krishti e as Muhameti pa le Bujar Mehmeti ne nje tjeter komandament thosh:’Mos vidh as pronen e tjetrit e as gruan e tjetrit..’!?
    4.-Kush e vrau shtetin dhe zotin ne kete vend kur 25 vjet jane vrare mbytur e zhdukur kur vete Zoti 2500 vjet me pare thosh ‘MOS VRIT’ ne nje tjeter komandament?!
    5-Kush e vrau shtetin laik e zotin ne kete vend duke e ndare nje popull ne te krishtere e myslimane katolike e vangjeliste kur shqipetaret historikisht kane qene laike si shembull e me nje RILINDJE iluministe si asnje popull tjeter e sot ne shekullin e 21 edhe besimi behet i detyrueshem dhe shqipetaret ’emerohen’ kush do jete mysliman e kush imam kush prift e kush hoxhe kur vete zoti ne nje nga komandamentet thosh para 2500 vitesh se ‘ZOTI eshte vetem NJI’ e ne nje kohe kur te treja fete kane nje rrenje Ebraizmin!?
    6-Ne emer te kujt populli dhe kujt zoti u mbush vendi me kisha e xhamija ku ne vend te gjelberimit e oksigjenit femijeve 25 vjet ne vend te BUKES i jepet OPJUM’!?
    7-Si ka mundesi qe nje ISH kryetar i sherbimit informativ i nje ‘shteti’ pasardhes i FONDAMENTALISTIT Sali Gazidede pas 25 vjetesh ben thitrrje per kujdes ne gjendje deliri e kujt shteti ja kerkon ate kur ne jemi pa shtet por me GJE TJETER!
    8-Ne emer te kujt populli e zoti marin persiper te urojne ‘besimtaret’ ne Cdo feste NISHANET antishtet e antizot dhe e bejne nga frika si mekatare apo jane blere me miliona dollare nga shteti xhihadit!?

    PS.-Me qenese jemi ne prag te festes se PASHKEVE a e dine kamikazet e informacionit dhe nishanet imame se kjo feste eshte festuar edhe para lindjes se Krishterimit e fese islame e pake ka te beje me fene qe mezi presin te bejne urimin sikur te ‘puth i vdekuri’ sepse ne thelb kjo feste ka te beje me pranveren rilindjen fekondimin ringjalljen!GEZUAR PASHKET!

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*