LETRAT ANONIME: Çfarë shkruanin shqiptarët kundër njëri-tjetrit në diktaturë

Alqi Koçiko November 24, 2015 01:01

LETRAT ANONIME: Çfarë shkruanin shqiptarët kundër njëri-tjetrit në diktaturë

Së fundi, ai që e shprehu publikisht merakun ishte Dritëro Agolli. “Kam frikë se me këto denoncimet nga qytetarët që inkurajon qeveria, do na kthejë në një popull spiun”, tha shkrimtari i njohur në një intervistë për Panoramën, “ne kemi vuajtur nga kjo gjë. Njerëzit do kenë frikë të rrinë e të flasin bashkë në një tavolinë”.

Në fakt Dritëroi ka parasysh përvojën e hidhur të komunizmit në këtë drejtim, kur tema për të cilën po flasim, “letrat anonime”, kishin fuqi të pazakontë mbi jetën e njerëzve. Ndërsa sot kemi nismat e denoncimit të kundravajtjeve dhe shkeljeve të ligjit, që për hir të së vërtetës kanë një histori më vete këto 25 vitet e fundit. Deri vonë, edhe në media vihej në pah një shoqëri indiferente, jo-komunitare, ku krimet ndodhnin para syve dhe njerëzit kthenin kokën nga ana tjetër.
“Në Gjermani, apo Francë, apo Belgjikë… është vetë komshiu apo lagja, apo kalimtarët, ata që marrin menjëherë në telefon policinë”,
thoshin dhe thonë emigrantët tanë. Ja pra, që nismat e fundit janë sjellë si shembull perëndimor, që s’duhet ngatërruar me diktaturën.

Por shapi nga sheqeri nuk ndahet lehtë. Mentor Kikia denonconte pardje rastin e një banori në fshatrat e malësisë së Tiranës, që po ngrinte një mur ngjitur me shtëpinë e vet aty ku as plan rregullues dhe as plan urbanistik nuk i bënte derman atyre maleve, dhe e denonconte rregullisht djali i xhaxhait. Sot ky “keqbërës ndërtimor” është në burg. Pra, denoncim apo spiunllëk keqdashës?

Le të kthehemi tek letrat anonime të kohës së diktaturës. Kemi në dorë shumë letra të kësaj natyre, ku shkruesi përpiqet të gjejë zgjidhjen me anë të “një gishti kartë”. Drejtuar jo dokujtdo, por vetë ministrave të diktaturës. Halle familjare, probleme me fqinjët, kërkesa për punësim, strehim, tema nga më të larmishmet. Por sidomos, dhe kjo është më tragjikja, spiunime të hapura dhe të fshehta. Gërmime në të famshmet “biografi” të shokëve, kolegëve të punës, bashkëfshatarëve, të cilat të shndërruara në copa letrash me shkrim dore, gati gjithmonë me gabime drejtshkrimore e me sintaksë të fandaksur, përfundonin në sekretariatet e Kadri Hazbiut, Mehmet Shehut apo Prokop Murrës, duke shkatërruar automatikisht jetë njerëzish.

Monday, November 23, 2015 555Sigurisht, ato rishkruheshin të daktilografuara nga stafi i ministrisë së Mbrojtjes (shumica e letrave kishin për personazhe ushtarakë, familjarë apo të afërm të tyre), sepse jo rrallë ishin qëllimisht të vështira për t’u lexuar, (ndoshta shkruheshin me dorën e majtë). Nëse shpesh ka qarkulluar mes shqiptarësh në trajtë barcolete, ideja se “atëherë” në çdo tre veta dy ishin spiunë, ky vandak letrash e afron edhe pak më shumë me të vërtetën këtë pohim. Dhe deklarata pendimtare e letraxhiut Jovan Bregu nga komedia e famshme e realizmit socialist, “Pallati 176”, merr nota ku e ku më të hidhëta se humori i arrirë i asaj vepre: “Thashë ta bëja dhe unë provë anonimen, s’e kisha provuar asnjëherë”.

Një pjesë e madhe e letrave janë me emër të autorëve, por me ose pa autorësi, informacionet dërgoheshin në kanalizimet dhe rrjetet përkatëse deri poshtë në bazë për verifikim dhe pastaj merreshin ose sugjeroheshin ma-sat e duhura. Ankesat ishin nga më të ndryshmet, por një dukuri tipike e regjimit bie menjëherë në sy: Kush ishte përjashtuar nga puna apo ulur në detyrë në kohën e kryeministrit Mehmet Shehu, i ankohej Kadri Hazbiut, e kur këta u shpallën armiq, i shkruanin Prokop Murrës se ishin dënuar “prej tradhtarëve M. Shehu e K.Hazbiu”.

Në total, volumi i madh i mesazheve dëshmon se ashtu si nxjerrja e inatit me njëri-tjetrin, edhe shpresa për zgjidhjen e hallit, kishte për destinacion të fundit të shqiptarit zbatimin e formulës “i shkrova letër ministrit”.

Çka në disa raste, është zbatuar edhe me tre a katër letra të njëpasnjëshme. Kemi nxjerrë veçmas edhe një letër anonime që përmend ish presidentin Alfed Moisiu, asokohe zv.ministër i Mbrojtjes.

“Shoku ministër, në komandën e raportit ushtarak 1105 në Yzberisht, Tiranë, është futur në punë si shofer benzine me anë rryshfetesh, i quajturi Dilaver Taku nga fshati Vaqarr. I ati Bedri ka qenë me Ballin, ndërsa dajot i janë shpronëzuar nga pushteti”.

Rrëfimi vazhdon se i sipërpërmenduri duke pirë raki, ka hedhur parulla helmuese ndaj pushtetit, duke mburrur Jugosllavinë. Dhe letra e majit 1981 figuron të jetë dërguar nga M. Taku! Megjithatë, shënimet e sekretarit të Kadri Hazbiut hedhin dritë mbi dyshimet se letërshkruesi mund të jetë anonim dhe ka përdorur marifetin e futjes në sherr mes fisit.

Faksimilet e letrave anonime që ka në dorë DITA; me shkrim dore, me makinë shkrimi apo të kartelizuara

-Një tjetër letër anonime e tetorit 1986 vjen në zyrën e ministrit të Mbrojtjes Prokop Murra nga Sazani:

“Si ka mundësi që shefi i prapavijës Jorgo Mino me mallin e shtetit ka bërë orendi për shtëpi. Mishi i ishullit ka shkuar në gjithë rrethet. Ju lutem ejani për kontroll, se me vete do t’u nisë shefi mish; çdo ekip që vjen, ua mbush çantat. Shoku ministër, vini dorë, merrni masa urgjente, elementë të tillë janë pjellë e Mehmet e Kadri qenëve. Unë që po ju shkruaj jam një komunist 30 vjeçar!”

Dhe komunisti 30 vjeçar kërkon që të veprohet menjëherë, se sipas tij, duket sikur ishulli i Sazanit ka rënë në dorë të Italisë!

-Interesante është historia e ish komandantit të Brigadës në Durrës, Faik Kolasi. Ja ç’thotë një letër drejtuar ministrit Kadri Hazbiu në dhjetor 1981:

“Po ju informoj anonimisht meqenëse nuk ja dal dot hapur për arsye se shoqëria e kalbur që ka Faik Kolasi në korpus me shokët Neim Muho, Adem Meta etj, apo në ministri me shokun Kiço Mustaqi, në Komitetin Qëndror me shokun Gafurr Çuçi, i jep mundësinë zotit Faik Kolasi t’i këpusë kokën cilitdo që ka ngritur kokë për çfarëdolloj problemi ndaj veprimeve të padrejta të bëra prej tij dhe gjithë atyre që nuk venë pas karros së tij të ngarkuar me raki e qingja të pjekur, në mungesë gjela deti”. Kjo letër që vazhdon ine akuza nga më të rëndat, deri në imoralitet, solli më pas shkarkimin e Kolasit, siç figuron nga dokumentacioni, ndërkohë që në letrën dërguar Hazbiut, Kolasi e pranon vesin e rakisë por akuzon për shtrembërim të së vërtetës, shefin e sigurimit të Brigadës, Enver Bylykbashi. Një letër tjetër ai i ka dërguar edhe Enver Hoxhës. Shumë ka për të thënë kundër Kolasit edhe Mete Koçi, ish komunist nga Dardha e Beratit, më pas i përjashtuar nga partia. Ky i fundit, në një letër dërguar Hazbiut, e siguron se “Jam mish e gjak i partisë, dhe në familje nuk kam njeri të komplikuar me armikun”. Historia në fjalë vazhdon deri në fund të vitit 1982, kur Kadri Hazbiu kishte dalë armik dhe kishte ndjekur fatin e paraardhësve.

Shpesh letrat anonime verifikoheshin dhe u gjendej autori, siç tregojnë edhe kartelat e zyrës së ankesave në ministrinë e Mbrojtjes.

Të tjera letra dërgoheshin nga një grup njerëzish, që mund të ishin të identifikueshëm si psh, Këshilli Popullor i fshatit Tërnovë në Dibër, që “informon shokun Kadri se në repartin 5246 në Rrëshen punojnë disa njerëz që nuk mbajnë qëndrim të mirë ndaj punës dhe pronës. I tillë është Lutfi Komeni, i cili më 5 qershor 1982 shkuli një sasi patatesh të kooperativës, ndërsa familja e tij ka qenë bazë e diversantëve të zonës së Zerqanit, si Mahmut Previzi.”

-Një anonime e majit 1982 informon Hazbiun se oficeri Dhimitër Simaku i Brigadës së Plasës në Korçë ka një burrë halle të gruas që “është agjent, spiun. Ai hyn e del në familjen e tij. Gjithashtu Dhimitri ka lidhje gjaku me armikun e partisë dhe të popullit Pirro Gushon”. Nuk përbën ndonjë habi po të themi se Gusho deri pak vite më parë ishte kuadër i rëndësishëm i nomenklaturës, dhe mesa duket, denoncuesi mezi kishte pritur sa ai të gdhihej armik.

-Në gusht të 1986-ës, “një grup punëtorësh nga fshati Hajdaran-Shushicë i rrethit të Elbasanit”, i shk-ruajnë dy gisht letër ministrit Prokop Murra, për “një oficer barkmadh që ngjan me Shefqet Vërlacin, i cili vjen me makinat e ushtrisë në pikën e pushimit të quajtur Byshek dhe shtrohet në dreka me hallexhinjtë e qylaxhinjtë. Morëm vesh se ai ishte shef teknike në Divizionin e Elbasanit. Ne nuk kemi benzinë të mbledhim prodhimet nëpër fusha, ndërsa ai barkmadhi loz me djersën tonë, megjithëse merr 10 mijë lekë në muaj nga shteti”.

Një pjesë e madhe e inatit të kësaj letre ndoshta rrjedh nga fiziku i oficerit, që bie ndesh me versionin socialist të shqiptarit thatanik dhe fytyrërreshkur. Gjithsesi, fakti është që Shefqet Vërlaci nuk ka qenë barkmadh.

 

******

Të gjithë armiq, deri tek Alfred Moisiu

Ministrit të Mbrojtjes Popullore, Sh. Prokop Murra.

Po ju shqetësoj me këtë letër, por jam i detyruar t’ju shkruaj sepse çështja ka të bëjë me interesin e partisë dhe të popullit. Unë që po ju shkruaj pa emër, nuk jam frikacak, kam kritikuar dhe rradhë të tjera por më janë kundërvënë dhe ngjet ajo që thotë populli, peshku i madh e ha të voglin. Veprimtaria armiqësore nuk është e rastit, por ka vite që punon për të arritur qëllimet e saj. Unë do t’ju tregoj disa fakte por ju lutem t’i shikoni me kujdes të madh dhe me vijën e drejtë të partisë. Përsa i përket armikut Veli Llaka dhe Nazar Berberi, e morëm vesh dhe besoj do të marrin edhe hakun e tyre që u takon si armiq.

Monday-November-23-2015-11-875x1024Të shikohet çështja e Maliq Sadushit, që kur ishte në Shkodër kishte simpati për Mehmet Shehun dhe ishte shok i Fiqiri Shehut. Me rastin e grupit të Beqir Ballukut më 74-ën, u shkarkua nga detyra por e prunë në Akademi si këshilltar dhe më vonë e morëm vesh se u bë zv/ministër. Këtë e bëri Mehmeti, njeri shumë i rëndë dhe që i dukesh vetja se vetëm ky është i ushtrisë dhe të tjerët nuk dinë gjë. Mendu Backa, njeri që han bukë me çdo lloj partie, me Beqirin e pati grurë, me Mehmetin e kishte akoma më mirë. Ky e bëri zv/ministër dhe profesor dhe Mehmeti e ngriti lart rolin e këtij njeriu. Ky njeri gjithmonë vetëm ka premtuar por punë nuk ka kryer. Të shikohet, se unë kam mendimin që ky është armik, dhe në drejtim të fortifikimit ky ka sabotuar.

Përsa i përket Alfred Moisiut, ky ishte shok i Kadriut dhe që kur erdhi ministër Kadriu, ky u bë zv/ministër dhe nuk flitesh me të, nuk i dilje dot përpara se ky të shikonte me syrin se është biri i Spiro Moisiut. Ai vdiq me respekt, por i biri është në rradhën e armiqve sepse është borgjezuar komplet. Vetëm për shtëpinë e tij është një bujë e madhe në Tiranë. Hyrja e tij është me 8 dhoma, vetëm instalime janë shpenzuar mbi 20 mijë lekë të reja. Kjo çështje u bë problem nga partia dhe pushteti, por e mbylli Mendu Backa, se kishte sektorin ekonomik në ushtri. Mendui ka një shok, Thoma Laka, sekretar i byrosë së partisë në repartin 4930 Tiranë, ky e ka mbajtur afër…

Ju lutem, keni ca sekretarë aty si Zija Beqiri dhe Zenel Frëngu, njerëz që hanë bukë me çdo lloj partie, nuk kryejnë asnjë punë përveçse duke gënjyer e premtuar përsa i përket kuadrit. Ju lutem shikoje me kujdes se ata kanë zënë rrënjë të qelbura dhe kanë luajtur me kuadrin siç kanë dashur vetë. Kristaq Blushi nuk ka kryer detyrën siç duhet, por ka bërë ç’i kanë thënë armiqtë të cilët ishin në fuqi. Adil Kama, njeriu më i keq në ministrinë e Mbrojtjes, ka 20 vjet që nuk ka lënë asnjë nga miqtë dhe shokët pa rregulluar ku kanë dashur, dhe në ministri e në repart thonë: Ky është Brezhnjevi i dytë, si nga figura edhe nga shpirti.

Ju lutem të shikohet personi Nesib Ibrahimi, zv/sekretar i Komitetit të Partisë në MMP, këtë e pruri Mehmet Shehu, e dërgoi edhe në akademi, i ruajti vendin për dy vjet rresht. Ky njeri është servil, rron me këdo.

Shoku Prokop, pasi dolën gjithë këta armiq në ushtri, kam mendimin se detyra luftarake e korpuseve dhe njësive duhet ndryshuar sepse këto i janë dhënë armikut. Ju siguroj se letra ime nuk ka asnjë qëllim tjetër, vetëm për t’ju ndihmuar ju në interes të partisë dhe të popullit.

 

 Vijon nesër në Dita…

Alqi Koçiko November 24, 2015 01:01
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*