Edi, Beni dhe pyetja: Çfarë kandidatësh na duhen për të administruar dhe menaxhuar bashkitë e reja

Alqi Koçiko February 24, 2015 00:56

Edi, Beni dhe pyetja: Çfarë kandidatësh na duhen për të administruar dhe menaxhuar bashkitë e reja

“Më pëlqen shumë puna; ajo më mrekullon aq shumë sa mund të rri duke e vështruar për orë të tëra”./Jerome K. Jerome

Gara e kandidatëve për zgjedhjet e reja lokale ka filluar. Janë zgjedhje jo thjesht të reja për dallim nga të vjetrat që shkuan, por të tilla sepse për herë të parë do votohen drejtuesit e 61 bashkive të vendit, sipas ndarjes së re territoriale. Jo më 380 e kusur krerë qytetesh, qytezash e fshatrash, por më shumë se gjashtë herë më pak syresh, që do menaxhojnë një territor shumë më të madh se paraardhësit. Dhe me një kosto diku rreth 60 milionë euro më pak.

Qoftë dhe për këtë risi, këto zgjedhje administrative priten me shumë interes.

Nga ana tjetër, dikush mund të thotë se gara nuk ka filluar tani, përkundrazi. Dhe mund të rreshtojë dhe padinë e dytë penale ndaj Shpëtim Gjikës në Vlorë, si provë për këtë. Apo tërheqjen jo dhe aq të beftë të Artan Shkëmbit në Pogradec. Çfarë nuk bën vaki. Megjithatë fakti është që pikërisht për shkak të pakësimit të garuesve dhe rëndësisë së re që merr tashmë e tutje pushteti lokal, duket se partitë dhe koalicionet politike po e marrin shumë seriozisht këtë përballje elektorale. Pa harruar pastaj faktorin “test”. A do arrijë të tregojë opozita më 21 qershor se e ka rimarrë disi veten pas goditjes së dy qershoreve më parë? A po mund të provojë mazhoranca qeverisëse se e meriton ende besimin e publikut? Dhe deri në ç’masë?

Qofsha i gabuar, por besoj se në këto zgjedhje që (për të huazuar sistemin amerikan të votimeve kongresuale) mund të quhen “të mes-mandatit”, qeveria aktuale ka padyshim më shumë skeptikë përballë, nga sa kishte në fillim të detyrës. Nga ana tjetër, opozita aktuale nuk ka bërë asgjë për të rikthyer besimin e publikut tek ajo; thënë më troç, ka bërë shumëçka për ta ftohur edhe më tej atë. Parë kështu, abstenuesit apo indiferentët premtojnë të jetë të shumtë. E nga ana tjetër, pikërisht për këtë arsye merr rëndësi të dorës së parë cilësia dhe prerja e kandidatëve që do të zgjidhen për të garuar. Po ndërkohë çfarë shohim?

Zërat si nga PS-ja edhe nga PD-ja, nuk kanë munguar të hedhin për konsum emra kandidatësh, ashtu sikurse pretendentët furnizojnë mediat me “lajme” apo “të dhëna” mbi përzgjedhjen e tyre, në një xhirim marketingu politik tashmë të stazhionuar. Si rëndom në raste të tilla edhe herë të tjera, nga e majta qarkullojnë më shumë emra e skenarë sesa nga e djathta. Kjo e fundit, edhe emrin e një kandidati mjaft potencial si Agron Duka në Durrës, nuk ja mban ta konfirmojë.

Ndërsa mazhoranca ofron më shumë “ushqim” për ndjekësit e politikës. U tha madje, se edhe deputeti kritik Ben Blushi, e bën gjithë gurgulenë e radhës sepse kërkon bashkinë e Tiranës. Kështu doli pas një vakti të shijshëm të konsumuar në Pezë mes Blushit, kryeministrit Rama, deputetëve Dashamir Peza, Klosi, Tahiri etj, Më saktë, kështu u la të kuptohej nga pala tjetër.

Por vetë Blushi u ka thënë miqve të tij në Korçë se nuk është aspak e vërtetë kjo. Madje edhe në Pezë ai thotë se shkoi pas lutjeve të Sajmir Tahirit, pa e ditur se ishte ngritur ndërkaq skena që palët të tymosnin llullën e paqes. Çka në fakt, nuk ndodhi.

Këto detaje pothuajse prej “rubrikash rozë” brenda selisë… rozë, disa shkrime kritike të Blushit ndaj performancës së qeverisë së vet; eseistika e tij që për dikë do t’i shkonte më shumë një polemisti të shoqërisë civile sesa një deputeti prominent të mazhorancës, ka shtyrë edhe deputetin Berisha të trazojë urët. Me një shënim të gjatë e, duhet thënë, përpjekje të dështuar për të debutuar në zhanrin e fejtonit, Berisha bën sikur nuk i lë gjë pa thënë Blushit, vetëm për ta nxjerrë mes dhe mbi rreshtash, si një Cipras shqiptar që e paska ndjekur fati i keq.

Gjithsesi, Blushi nuk kërkon të kandidojë.

Basha foli prapë me arra në gojë kur e pyetën për Tiranën, ndërsa Mimi Kodheli e mohoi prerë këtë mundësi në një intervistë dje me DITA-n.

Atëherë çfarë kandidatësh po zgjedhin palët për të administruar dhe menaxhuar bashkitë e reja? Vetë termat e përdorur e “ekspozojnë pa dashje” kriterin që duhet kërkuar: Administratorë dhe menaxherë. Nëse nga e majta, arsyeja pse kryetarë jetëgjatë bashkish po tërhiqen me hir a me pahir, është se kupola e PS-së po projekton profile të tillë kandidatësh, ashtu qoftë.

Le të shpresojmë se këtë rrugë do ndjekë dhe opozita.

Është koha (për dreq, ajo ka qenë qëkur) që të gjenden profilet e duhura teknike e profesionale për të menaxhuar zonat tona urbane dhe rurale. Njerëz të pakonsumuar që ndoshta nuk dinë të flasin me oratori, as të shkruajnë aq mjeshtërisht sa Blushi apo Rama, por që janë të aftë në menaxhim e administrim.

Me thënë të drejtën, debati i sotëm brenda së majtës, më saktë brenda PS-së, mund të imagjinohet mjaft kollaj edhe me role të kundërvëna: pra, me një Blush kryeministër dhe një Edi Ramë që po me kaq elokuencë të shkruajë për varfërinë dhe goditjen e shtresës së mesme, të kritikojë qeverinë se është komode me burokracinë e vet duke e braktisur përmasën reformatore, të vërë pikëpyetje mbi premtimet elektorale kundruall realizimeve, etj, etj.

Por mjaft më. Në Shqipëri, në rrethanat në të cilat ndodhet vendi, filozofia qoftë edhe politike, qoftë dhe e mirëartikuluar, nuk pi më ujë. Sepse pothuaj gjithë popullata e di se çfarë nevojitet. Paçka se nuk zgjedh fjalorin e duhur dhe nuk përdor kadencën e ritmin e përshtatshëm oratorik.

Duke e marrë të mirëqenë integritetin dhe ndershmërinë, duhen kandidatë që flasin e shkruajnë pak, por punojnë shumë. Le të mos dalin në ekrane e gazeta, por të jenë të tillë që nuk e kanë frikë punën, inovacionin dhe idetë e reja. Padyshim, jo një dashuri platonike si ajo e thënies së shkrimtarit pickues anglez në hyrje të shkrimit.

ps1-1024x788

 

Alqi Koçiko February 24, 2015 00:56
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*