PARKU I FËMIJËVE (dhe gardianët e rremë të lirive qytetare)

February 24, 2016 01:23

PARKU I FËMIJËVE (dhe gardianët e rremë të lirive qytetare)

Nga Arkiva

“Liria mund të rrezikohet nga abuzimi me lirinë po aq sa nga abuzimi me pushtetin” / James Madison, ish – President i SHBA-ve

 

Nëse dëshiron të dallosh hipokritët, grindavecët, sharlatanët dhe gjithë shpurën e atyre që ia kanë me hile popullit, që nuk lënë gjë pa i bërë kur i kanë hipur në shpinë dhe se si fillojnë e derdhin lot krokodili pasi populli i hedh nga kurrizi i tij në baltë, duhet t’i vështrosh me kujdes kur kapen pas kauzave të rreme. Aty, ata derdhin gjithë energjitë e tyre fizike dhe gjithë qelbin e tyre moral në përpjekje për t’u faktorizuar si avokatë të së drejtës, si engjëj mbrojtës të atyre që iu patën hipur dikur në shpinë me dhunë ose nëpërmjet mashtrimit. Mashtrimi është dhunë e butë por më e rrezikshme sepse, në një farë forme, i dhunuari ka pjesën e vet “vullnetare” dhe sepse viktima mbetet i pambrojtur, ngaqë shoqëria dhe instrumentet e saj e lexojnë mashtrimin si zgjedhje me vullnet të lirë.

Protesta kundër ndërtimit të një parku lojërash për fëmijë tek Liqeni Artificial i Tiranës është një rast i tillë, një kauzë e rreme, e rrëmbyer nga njerëz të dëshpëruar. Jo të dëshpëruar nga varfëria e tyre ekonomike apo nga dhimbja për popullin shqiptar, por të dëshpëruar që nuk janë në pushtet, që nuk janë atje ku ishin, atje prej nga ku s’lanë gjë pa bërë.

Nuk ka asnjë diskutim që politikanët tanë, të të gjithë krahëve me ngjyra të shpëlara, janë, kush më shumë e kush më pak, mëkatarë të parregullsive, dëmtimeve dhe padrejtësive që ne pësojmë prej gati tre dhjetëvjeçarësh. Mirëpo, siç thonë amerikanët, ky nuk është rasti. Madje, fakti që tash 25 vjet në Tiranë dhe rreth saj janë ndërtuar gjithfarë objektesh, të ligjshme e të paligjshme, por nuk është bërë një kënd lojërash dinjitoz tek Parku i Liqenit, është një mangësi e madhe për të gjithë kryetarët e bashkive që e kanë drejtuar Tiranën.

Protesta e disa qytetarëve që vërtet besojnë se këndi i lojërave për fëmijë do iu dëmtojë natyrën dhe ambientin është e përligjur. Protestat e ligjshme kanë të bëjnë me të drejtën për t’u grumbulluar dhe për të shprehur me fjalë dhe parulla të shkruara kundërshtimet ndaj qeverive qendrore apo vendore për një apo disa çështje. Nëpërmjet këtyre veprimeve qytetarët përcjellin mesazhet e mospëlqimit dhe synojnë mobilizimin e më shumë njerëzve në përkrahje të tyre. Çështja është: deri ku shkon e drejta e protestës dhe kush e mbështet atë në kuptimin e drejtpërdrejtë të fjalës? Kur vëren se protestuesit shkatërrojnë pronën dhe në krah të tyre janë “ajka” e PD, deputetë, sekretarë dhe ish-ministra të saj, atëherë e drejta e qytetarëve për protestë dhe kauza që duan të mbrojnë komprometohet rëndë.

Tri javë pas 21 janarit 2011 pata bërë në DITA një shkrim ku, përveç se shprehja keqardhjen time për viktimat dhe qytetarët e dhunuar gjatë ngjarjes, dënoja çdo akt dhune të ushtruar nga disa protestues, qoftë ndaj godinës shtetërore, ashtu edhe ndaj punonjësve të policisë. Po e përsëris edhe një herë se, sipas bindjes time, asnjë qytetar nuk ka të drejtë të ushtrojë dhunë ndaj policisë dhe se çdo qytetar i planetit që planifikon të përdorë dhunë fizike duhet të jetë i parapërgatitur se do pësojë dhunën e ligjit. Në një shtet që funksionon në bazë të parimeve demokratike ndëshkimi sipas ligjit është i pashmangshëm.

Dy protestat e bëra këto ditë iu dhanë shkak shumë njerëzve pa karakter, madje edhe pa kulturë, që të rrëmbenin flamujt e mbrojtësit të lirive qytetare. Përveç faktit që veprimet e kryera nga disa pjesëmarrës ishin në kundërshtim me ligjet e vendit dhe ato të botës së qytetëruar protestat dirigjoheshin nga ata që përmenda, të cilët kanë humbur çdo të drejtë morale dhe politike për të protestuar për ambientin.

Nuk është e tepërt që të mashtruarve t’u kujtojmë se kush janë ata që i mashtrojnë. Janë ata që patën kjoskëzuar jo vetëm Tiranën (e mbani mend Sheshin “Skënderbe” dhe Parkun “Rinia”?) por gjithë Shqipërinë, ata që kanë lejuar dhe ndërtuar përgjatë gjithë bregdetit shqiptar “mure” gjigantë betoni, ata që kanë lejuar djegiet dhe prerjet e shumicës së sipërfaqeve pyjore të Shqipërisë, ata që patën lejuar ngritjen e qindra pikave të prodhimit të gëlqeres ku digjeshin mijëra goma makinash, janë pikërisht këta që qëndrojnë në krye dhe pas protestave të sotme. Dhe janë aty jo se iu dhimbset ambienti sepse kënde lojërash për fëmijë ka në thuajse të gjitha parqet kombëtare të qyteteve kryesore të botës perëndimore, por sepse besojnë se me anë të protestave false do të ulin prestigjin e pushtetit aktual dhe do të shtojnë votat e tyre në zgjedhjet e pas 16 muajve, zgjedhje të cilat mendojnë t’i bojkotojnë nëse sondazhet paraprake i paralajmërojnë për fatin e viteve 2013 dhe 2015.

Veprimet që të lënë shijen më të keqe nuk janë sjelljet e këtyre fytyrave tashmë të dala boje por fjalët dhe shkrimet e gjithfarë gazetarësh dhe analistësh pa parime. Fshehja e së vërtetës apo shtrembërimi i saj janë të mjaftueshme për të vënë re paparimësinë dhe zvetënimin moral të tyre. Thuajse e gjithë kjo shpurë akrepash politikë flasin për goditjen e një protestueseje nga një polic por nuk tregojnë se qytetarja goditi policin përpara, nuk thonë se disa protestues vunë dorë mbi pronën e tjetër kujt.

Goditja e policit është goditje e dinjitetit të dyfishtë: të dinjitetit qytetar dhe të dinjitetit shtetëror. Spekulimet se gjoja këta po mbrojnë femrën janë dredhi horrash. Lufta për emancipimin dhe respektimin e femrës nuk është përpjekje për t’i dhënë asaj status të veçantë, mbi burrat dhe as mbi ligjin, por është përpjekje për ta trajtuar atë në mënyrë të barabartë me burrat. Dhe të jesh e (i) barabartë do të thotë të kesh të njëjtat të drejta dhe detyrime dhe t’iu nënshtrohesh të njëjtave ligje e të marrësh mbi shpinë të njëjtat pasoja kur shkel ligjet e shtetit apo normat e moralit. Të jesh i/e barabartë nuk do të thotë të jesh i papërgjegjshëm para ligjit dhe i pandëshkueshëm prej tij sa herë e dhunon atë. Në cilindo vend perëndimor qytetarja në fjalë do të ishte arrestuar dhe, natyrisht, që edhe polici do përgjigjej për kapërcim të të drejtës për t’u vetëmbrojtur apo për zgjedhje të gabuar të mënyrës për të reaguar ndaj dhunës së ushtruar mbi të.

Përpjekjet që bëjnë disa deputetë apo analistë për të konsideruar kundërgoditjen e policit si akt fashist janë sa qesharake, aq edhe diskredituese për autorët e etiketimeve të tilla. Edhe më tepër të shtohet neveria ndaj këtyre etiketuesve kur kujton që ishin këta që heshtnin apo përkrahnin veprimet e qeverive të tyre kur rrihnin, burgosnin apo vrisnin qytetarë, gazetarë apo politikanë kundërshtarë.

Një nga këta tipa shkonte deri atje sa të pohonte se polici e goditi qytetaren me urdhër të kryeministrit. Sipas tij del se kryeministri e dinte qysh përpara që ajo qytetarja (protestën e së cilës, siç e vërtetojnë pohimet e saj dhe pjesëmarrjet në protesta të tjera, nuk e lidh asgjë me ambientin dhe ndërtimin e këndit të lojërave) do të ishte në protestë dhe do të godiste policin në fjalë.

Inatet personale e bëjnë njeriun qesharak ashtu siç e bëjnë të neveritshëm edhe një profesor i cili dikur u bënte thirrje shqiptarëve të votonin për ata që patën kjoskëzuar gjithë Shqipërinë. Profesori bejtexhi na thotë tani se “shërbëtori nuk mund të godasë zotërinë…”, duke nënkuptuar se shteti si shërbëtor nuk duhet të godasë “zotërinë” popull. Por profesori nuk na thotë nëse zotëria ka të drejtë të godasë shërbëtorin dhe as nuk na shpjegon nëse dy kategoritë e mësipërme, “zotëri” dhe “shërbëtor” duhet apo s’duhet të jenë të barabartë përpara ligjit në një shtet demokratik. Konceptet e zotërisë së paprekshëm dhe të shërbëtorit të nëpërkëmbur vijnë nga errësirat e lashtësisë dhe të Mesjetës. Në kohën tonë janë të papajtueshme me natyrën e shtetit demokratik, madje u rrinë ngushtë edhe shteteve diktatorialë.

Pashë shumëçka në ato protesta, por përveç tyre pashë në fotografi një individ pa dinjitet që mbante parullën ku shkruhej “Zot bekoje Amerikën”. Nëpërmjet saj kërkohej edhe largimi i Sorosit. Madje, personi në fjalë edhe i fyente policët me qëllim që ata të reagonin, çfarë dukej se ishte edhe qëllimi i fshehtë i protestës. Si për ironi, përballë tij qëndronte një qen, me pamje më dinjitoze se mbajtësi i parullës. Qeni në atë çast kishte zgjedhur të kruante veshin, sikur donte t’i thoshte: “Na shurdhove veshët ti tellall i kotësisë dhe mashtrimit, shërbëtor i regresit dhe i banditizmit politik, shëmbëlltyrë e antinjeriut që më bën të fyhem kur dëgjoj të të quajnë qen”.

Qytetarët kanë të drejtë të ngrenë zërin kur besojnë se qeveritë po kryejnë veprime jo të dobishme, por qytetarët e manipuluar janë, siç thotë populli, “E zeza e vetes”. E drejta e protestës nuk mund të shkojë deri atje sa të prishë pronën shtetërore apo private dhe as të bllokojë ndërtimin e punëve publike pasi kështu, cilido mund të mbledhë disa qindra njerëz dhe, me pretekste të ndryshme, të mos lejojë ndërtimin e asnjë objekti apo shërbimi shoqëror. Duke mbajtur vështrimin mbi ekranin e televizorit sërish të vjen tek buza pyetja: po kush i frymëzon këto protesta? Dhe në çast të pushton ndjenja e përzier e gazavajit. Janë ata që patën prishur rrethrrotullimin tek Zogu i Zi apo rindërtimin e qendrës së Tiranës, duke i sjellë popullit disa milion euro dëme, janë ata që i firuan popullit shqiptar 230 milion euro në aferën e rrugës Durrës-Kukës, janë ata që shkaktuan tragjedinë e Gërdecit, janë ata që pushkatuan pa gjyq në mes të bulevardit katër protestues që mbanin duart në xhepat e zbrazur nga babëzia për përfitime e urdhërdhënësit, janë ata…, por që s’dhanë kurrë llogari.

Unë besoj se shqiptarët kanë mjaft arsye të tjera për të protestuar dhe duhet të protestojnë. Por ata nuk duhet t’ia lejojnë vetes të manipulohen nga ata që nuk kanë kauzë politike për të protestuar. Aq më keq kur manipulohen për të vepruar kundër punëve të drejta që përmbushin interesat e përbashkëta të qytetarëve.

 

Viktor Malaj – DITA

February 24, 2016 01:23
Komento

1 Koment

  1. A.GRAMSH February 24, 09:39

    FAKTI I ‘DITES’!
    ‘Kamikazet’ e informacionit dhe psarqet e ‘kungujve te Dhjetorit’!
    —————–
    -25 vjet nuse-dajash me parqe ‘te kungujve te DhjetArit’ kur femijet shqipetare kane marre arratine neper Bote!
    -25 vjet nusa -dajash me me lulishte ku ne vend te barit ka asfalt e çimento e femijet shqipetare tregetohen per organe si pjese kembimi makinash te Europes!
    -25 vjet hap gropa e mbyll gropa ne mes te Bathores e me qindra e mijera femije jane groposur neper Bote dhe trasformuar ushqim per peshqit ne fund te detit!
    -25 vjet vendin e gjelberimit e kane zene kishat e xhamijat dhe degjohen pellitjet e prifterinjve e hoxhallareve zeri i femijeve eshte mbytur ne kullat e ngujimit mesjetar!
    -25 vjet femijet perjetojne mjerimin migjenian ‘kamikazet e informacionit’ meren me eksperten e ‘parqeve’ ish gruan e Xenit qe tani bashkejeton me KA.LE!
    -25 vjet ish femijet e porsa lindur jane ne borxh 4 MIJE DOLLARE nga asfaltet e krimit e korrupsionit ‘kamikazet e informacionit meren me ‘kendin e lojrave tek nje ish liqen kthyer ne PELLG QELBESIRASH!
    -25 vjet ish kryeqyteti i ish Shqiperise eshte mbushur me LOJRA FATI ku ‘luan ‘krimi dhe korrupsioni me imunitet ‘kamikazet e informacionit’ i ha meraku per lojra femijesh barkun bosh!
    Per ke ‘FEMIJE’ flasin ‘kamikazet’ e informacionit ?!Per ata qe ne vitet ’90 ishin te sapo lindur e sot jane bere 25 vjeç te pa pune,te arratisur,te pa ngrene me prinder tek kazani i plerave e pa pensione apo per femijet e 3 shqipetareve qe u perzune me gjenocid e sipas grup moshave 1/3 e tyre qe eshte 1 MILION SHQIPETARE 1-30 Vjeç NUK DINE TE SHKRUAJNE E LEXOJNE GJUHEN SHQIPE!?
    ‘Kamikazet’ e informacionit mos valle i konsiderojne shqipetare akoma keta ‘femije’ apo parqet me parate e gjakun e tyre ndertohen per FEMIJET E MUXHAHEDINEVE’!?
    ‘Kamikazet e informacionit’ qe e kane lene kete popull ne terr informacioni 25 vjet dine gje ti thone se KRY.Aret e bashkive qe ‘reforma Idrizi’ i shpuri nga 40 ne 61 dhe qe i ndjekin 1500 keshilltare te haleve -kush jane detyrat e tyre te vbejne rrush e kumbulla parate e marra borxh per krimin apo te lozin me njeri tjetrin neper pellgje te qelbura te krimit politik e krrimineleve me imunitet duke bere zhurme per te mbajtur ne perjetesi nje popull ne ROBERI!
    DUAM BUKE,DUAM BUKE!!

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*