Bosët e padukshëm të Tatimeve

October 24, 2013 01:46

Bosët e padukshëm të Tatimeve

Dje Ministria e Financave dorëzoi në prokurori një kallëzim penal. Pretendimi është i thjeshtë, 8 zyrtarë të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave dhe 11 kompani importuese (shumica fantazmë) , akuzohen se kanë toleruar në mënyrë flagrante një skemë mashtrimi me TVSH-në në vlerën e 5 milionë eurove. Skema është e thjeshtë, për të fituar rimbursimin e TVSH-së, duhet të jesh kompani importuese, që pasi fut mallin në Shqipëri, paguan TVSH-në, e pasi malli që ke futur shkon në destinacionin fundor, te përdoruesi i fundit, atëherë shteti të rimburson ta rikthen TVSH-në. Janë 11 kompani që skemën e kanë realizuar në periudhën Qershor-Shtator 2013. Brenda një jave Auditi i Ministrisë së Financave i evidentoi dhe i çoi për ndjekje penale. Shuma prej 5 milionë dollarësh nuk është ndonjë kushedi nw listwn e abuzimeve tw qeverisw Berisha. Por bwn pwrshtypje qw wshtë i njëjti staf dhe ekip audituesish që ka punuar vitet e fundit me të njëjtin funksion, të njëjtët njerëz, që arritën në 1 javë të bëjnë diçka që nuk kishin mundur ta bënin për vite të tëra. Në këto kushte lind pyetja: Kjo skemë mashtrimi u aplikua vetëm në 3 muajt e fundit, apo ka ekzistuar më edhe më parë? Të gjitha të dhënat dhe referencat flasin se fenomeni jo vetëm ka ekzistuar, por ka ekzistuar në shuma abuzimi ku e ku më të mëdha se 5 milionë euro.

Referencat janë dy: 1. Raportet vjetore të KLSH-së në dy vitet e fundi. 2. Deklaratat paralajmëruese të vetë ish-ministrit Bode.  Madje Kontrolli i Lartë i Shtetit, është edhe në procese gjyqësore me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve pasi kjo e fundit në disa raste ka refuzuar madje të ofrojë të dhëna të detajuara të kërkuara nga ky institucion edhe për këtë çështje, ndër të tjera. Kësaj situate i shtohen edhe deklaratat  publike në të kaluarën, të ish-ministrit Ridvan Bode në vite, për funksionimin e kësaj skeme.

 

Pikëpyetjet

Po si është e mundur që një institucion si KLSH-ja apo një Ministër Financash vetëm sa “ankoheshin” për arbitraritetin e një institucioni (Dr. Përgjithshme e Tatimeve) që si rregull e kanë nën mbikëqyrje dhe nën kontroll? Ku buronte forca e Drejtorisë së Tatimeve për të sfiduar kaq hapur në këto rangje?

Për të bërë një përpjekje për ta kuptuar këtë le të funksionojmë si një kompani që kërkon të bëjë mashtrim me rimbursimin e TVSH-së. Për t’ia nisur punës duhet së pari që të kesh aprovimin në rangje të larta të Drejtorisë së Tatimeve dhe Drejtorisë së Doganave. Rangjet e këtyre drejtorive nëse implikohen në skemën tënde, kanë dy probleme serioze:  1. Auditin e Ministrisë së Financave si dhe KLSH-në. Auditi sidomos, është filtri më i vështirë, pasi është dhe një institucion që i rri mbi kokë edhe si nomenklaturë organizimi këtyre Drejtorive. Pra, ndërsa ka gjurmë serioze të funksionimit të skemës në të gjitha vitet e fundit, rezulton se i njëjti Audit i Ministrisë së Financave ka nisur të funksionojë me “rreptësi të spikatur” vetëm javët e fundit. Po në vitet 2006-2012 çfarë e pengonte të ruante këtë nivel rigoroziteti? Nga ana tjetër “dorëzimi  dhe ankesat publike” të ish-ministrit Bode nëpërmjet disa deklaratave për funksionimin e kësaj skeme, tregon qartë se skema ka pasur garancitë e një autoriteti që qëndronte edhe mbi vetë Boden. Logjikisht i vetmi autoritet i bie të jetë ish-kryeministri, Berisha. Skema sërish lidhet. Nëse i merr emër për emër të gjithë Drejtorët e Përgjithshëm të Tatimeve, por dhe drejtorëve të tjerë kyç në strukturën tatimore, gjithnjë përzgjedhja e tyre e tejkalonte vullnetin e ish-ministrit Bode . Këta drejtorë në vite rezultojnë në pjesën dërrmuese të lidhur me ish-familjen kryeministrore të Berishës. Drejtorë kyç në tatime dhe dogana ishin të vendosur persona me lidhje direkte apo dhe shokë klase të fëmijëve të ish-kryeministrit. Të gjithë elementët të bërë së bashku minimalisht të bëjnë të mendosh se me këtë aksion të bujshëm, ministria e Financave mund të mos ketë zbuluar ende as majën e ajsbergut me skemën mashtruese të rimbursimeve. Thjesht auditi i kësaj ministrie, ka kapur me zell “goditjen e fundit” që është dhënë përpara dorëzimit të pushtetit nga “skemaxhinjtë”.   Të dhënat  sugjerojnë se historia ka nisur vite më parë dhe vlera totale e abuzimit mund të jetë shumëfish i këtij 5 milionëshi të kapur javët e fundit. Nëse hetohet me rrënjë dhe për vitet e kaluara, nuk do ishte ndonjë çudi, që brenda në lojë të kapeshin gafil dhe vetë audituesit e sotëm “të lavdishëm” të ministrisë së Financave, me gjithë eprorët e tyre. Deri më tani “në tavë” janë vetëm “kokat e turkut”, kompanitë që kanë bërë thjesht ekzekutimin e planit dhe ca zyrtarë tatimorë që nuk u është tharë vula në dokumente, por arkitektët e skemës janë ende të pa-zbuluar.

 

Rimbursimi i TVSH-së në tatime, në hetim 8 ish-drejtues

Edlira Shehu 

Tetë ish zyrtarë të lartë të Drejtorisë së Tatimeve, 11 kompani, QKR dhe banka të nivelit të dytë janë të përfshira deri tani në skandalin e rimbursimit të TVSH-së. Auditi i Ministrisë së Financave që është ende në proces, deri tani nga abuzimi me shkeljen e TVSH, flet për një vjedhje të bërë për më shumë se 5 milionë dollarë. “Me kërkesë të Drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve, Drejtoria e Auditit të Brendshëm në Ministrinë e Financave ka audituar procedurat e rimbursimit të TVSH-së në Drejtorinë Rajonale Tatimore Tiranë për periudhën qershor-tetor 2013”, thuhet në njoftimin zyrtar të Ministrisë së Financave. E nga ky audit i nisur për këtë periudhë vetëm gjatë ditës së parë janë konstatuar shkelje të rënda në fushën e zbatimit të legjislacionit tatimor për procedurat e rimbursimit të TVSH-së, në 11 raste me pasojë vjedhjen e pasurisë shtetërore në shuma të mëdha, në të cilën janë përfshirë disa persona punonjës të administratës tatimore rajonale të Tiranes. “Faktet dhe elementët e zbuluar plotësojnë elementët e veprës penale “vjedhje e kryer duke shpërdoruar detyrën”, vepër kjo e kryer në bashkëpunim, të parashikuara nga neni 135 si dhe nenet 25 dhe 26 të Kodit Penal” bën të qartë ministria ku shuma e vjedhjes së shkaktuar është 515,455,275 lekë dhe në të janë përfshirë ish Drejtori Rajonal Tatimor i Tiranës, ish Drejtoresha e Kontrollit Tatimor në Drejtorinë Rajonale Tatimore Tiranë, dy ish përgjegjës të Sektorit të Kontrollit Tatimor në këtë Drejtori si dhe tre inspektorë kontrolli. Për të gjithë këta përsona është kryer pezullimi nga detyra. “Gjithashtu në këtë vepër janë bashkëveprues dy persona përfaqësues ligjorë të 11 kompanive private të cilat pas përfitimit të rimbursimeve kanë kryer procedurat e çregjistrimit në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit”, bën të qartë Ministria e Financave. Ky audit është bërë shkak që në fillim të kësaj jave të gjithë personat e sipërpërmendur të kallëzohen në Prokurorinë e Rrethit Tiranë. Edhe pse detajet e auditimit nuk jepen, qartësohet se bëhet fjalë për një skeme mashtrimi me faturat e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar. Në këtë mekanizem të abuzimeve dyshohet të jenë përfshirë kompani fantazmë mes tyre edhe nga Kina, e që sipas përllogaritjeve paraprake dyshohet të kenë përfituar nga buxheti përmes faturave fiktive të TVSH-së, dhjetëra milione euro.

 

 

Planet e “Gjyshit” dhe analogjia me ENRON-in

DITA

Në një mesazh të posaçëm dhënë dje në “Facebook” ish-kryeministri Berisha ofroi një detaj tepër interesant: Ai përdori si referencë për auditivin ndërkombëtar të pajtuar nga qeveria Rama korporatën amerikane ENRON dhe falsifikimin që ajo bënte me bilancet. Është interesant fakti që Berisha solli si referencë pikërisht precedentin e ENRON-it.  Arsyeja është e thjeshtë: ENRON-i ishte një korporatë private që në bashkëpunim me kompani të tjera private që e auditorin kishte trukuar bilancet e saj. Nga ana tjetër qeveria “Rama” si entitet publik, ka ftuar një auditues ndërkombëtar privat, për të parë nëse janë trukuar bilancet e qeverisë, të cilat “auditoheshin” thjesht nga institucione që vareshin prej qeverisë. Gazeta “DITA” ka paralajmëruar në numrat paraardhës, madje ka bërë analogji të qartë me skemën “ENRON” të përdorur nga qeveria Berisha për sa i takon kontrastit të thellë tësituatës financiare në terren dhe bilanceve në letra, njësoj siç ndodhte me korporatën amerikane dikur. Më poshtë mund të lexoni dhe një artikull të DITA në lidhje me ngjashmëritë mes “sistemit Berisha” dhe korporatës “ENRON” botuar që në muajin korrik dhe që në thelb parashikonte pikërisht planin e Berishës, për t’i lënë  si peshqesh një korporatë të rrënuar por të “suksesshme në letra” qeverisë Rama.

 

Axhenda e Berishës me krizën
(pjesë e shkëputur nga artikulli botuar më 19 korrik 2013)

Nga Habjon Hasani
Berisha e di mirë se ka lënë pas tokë të djegur, një gropë të zezë ekonomike,  mjaftueshëm sa për të stërmunduar qeverisjen e re dhe për të tentuar rritjen e pakënaqësisë popullore ndaj saj.  Për këtë skenar kemi ndërkohë disa të dhëna të rëndësishme:
Së pari, ai ka nisur të artikulojë se “Shqipëria ka potenciale reale për rritjen e rrogave në vazhdimësi”, ndërsa një gjë e tillë nuk përputhet aspak me situatën e vështirë të buxhetit që vetë ministri i tij i Financave e ka të shpallur në portalin e institucionit. Kjo mendon se do t’i sigurojë alibinë për të thënë më pas “unë e lashë shkëlqyeshëm ekonominë, shikoni si e katandisën vendin këta”. Shpreson që publiku do ta gëlltisë dhe këtë manovër. Pra Berisha tenton një rrënim politik të qeverisjes së re si pasojë e faturës së rëndë që ai vetë u ka lënë.
Së dyti, ndërsa koalicioni fitues i majtë nisi kontaktet me FMN-në si një burim kreditimi për injektim të ekonomisë në mënyrë efiçente dhe me plan zhvillimi, një përfaqësues i asaj që quhet Konfindustria(që ende nuk  dihet se cilët biznese konkretisht përfaqëson) doli dhe e dënoi këtë mundësi përtëritje të ekonomisë nëpërmjet FMN-së. Është e njëjta Konfindustri që e di mirë se Berisha u ka shkaktuar rreth 230 milionë euro borxhe kompanive të ndërtimit në 4 vite, por që nuk ka pipëtirë kurrë për këtë problem. Për FMN-në ama, me vrap.
Së treti, bilanci energjetik i vendit është si mos më keq. Të gjitha të dhënat sugjerojnë se dimri do të jetë i vështirë për shqiptarët, pasi realisht sistemi energjetik është i falimentuar dhe i zhytur në kolaps. Berisha e di mirë dhe këtë. Katër vitet e fundit i ka pasur të dhënat e këtij bilanci negativ mbi tavolinën e punës, por e lejoi të thellohet e të thellohet më tej.
Të treja këto të dhëna, në të vërtetë, flasin për sfida serioze  të koalicionit të majtë, sidomos në vitin e parë të qeverisjes. Por loja e Berishës në këto vite të sjell ndërmend skemën që përdori dikur kompania e falimentuar “ENRON” në Shtetet e Bashkuara. Drejtuesit e “ENRON” bënin llogaritë bazuar në atë që quhej “Bilanci me Fitim nga Perspektiva”. Skema ishte e thjeshtë, “ENRON” që në vitin 1996 mendonte dhe parashikonte se tre vite më pas, në vitin 1999 do fitonte X miliardë dollarë. Dhe këtë shifër e fuste si fitim që tre vite para kohe, duke ulur automatikisht borxhet e këqija të kompanisë dhe bilancin e saj negativ. Drejtuesit e “ENRON” e dinin mirë se çfarë ishin duke shkaktuar se si po e zhysnin korporatën drejt një rruge pa krye. Por ishte shumë vonë për të kthyer.  Skema e “ENRON” funksionoi për ca kohë, derisa dikush pa me vëmendje bilancet reale të kompanisë. Aty u zbulua se ku ishte realisht me gjendjen kompania dhe sa larg së vërtetës ishin mediat që e propagandonin si korporatën më të suksesshme të SHBA-ve.
Njësoj si drejtuesit e ENRON-it dikur Berisha e ka të qartë se në çfarë derexheje i ka bilancet shteti shqiptar sot.  Njësoj si ata dikur edhe Berisha flet sot për sukses dhe rritje ekonomike “rrotë më rrotë me Gjermaninë” ndërsa të dhënat reale i sugjerojnë se kriza është në pikën e vlimit .
Por “ENRON”-i ishte një korporatë private dhe pronarët e aj nuk kishin se kujt t’ia ngecnin katrahurën që kishin krijuar kur u ra rrufeja.
Këtë shqetësim nuk mund ta ketë Doktori. Ai ka drejtuar për 8 vite si pronar fuqiplotë një “korporatë shtetërore”. Korporatë, të cilën po pret t’ua dorëzojë kundërshtarëve politikë në Shtator.  Duket pak a shumë si një dhuratë e hidhur, duket sikur po u thotë: “Urdhëroni tortën, pak me kujdes kur ta kafshoni, brenda kam montuar dhe një minë me sahat. Gjak e dhjam”.
Partia Socialiste nga ana e saj ka njoftuar se do pajtojë një audit ndërkombëtar për të zbardhur bilancin ekonomik të shtetit që ka bërë peshqesh Berisha. E sigurt është se auditi ndërkombëtar do nisë punën pas Shtatorit, sepse deri në këtë kohë do jetë në zyrë vetë Berisha.  Pra në rastin më të mirë auditi do nisë nga puna në dimër, atëherë kur pret dhe Berisha efektet e rënda të krizës energjetike . Ai po e shtyn me sa të mundë zbardhjen e situatës ekonomike, i duhet kohë, i duhet dimri, i duhet kriza energjitike, i duhet mllefi në popull, i duhen protestat, i duhet PD-ja agresive, sepse vetëm tensioni politik….e shpëton pa u lagur nga zbardhja e një bilanci që do na bëjë të gjithëve të kuptojmë se mund të mos jemi “dhe aq pranë Gjermanisë”.

 

Statusi i djeshëm i ish-kryeministrit:  HEJ MILET, DETI U BË FLORI!

Qeveria Rama – Meta, për të mbushur sa më shpejt jo xhepat apo qeset, por baulet e saj me parate e qytetarëve, dekretoi kontraktimin e një kompanie auditi për të shumuar të gjithë borxhin e shtetit ndaj bizneseve private, qytetarëve dhe sipërmarrjeve publike. Në këtë kompani është e punësuar e gjithë familja e Erion Xhanit (Velisë). Sipas dekretit, bizneset private, ndërmarrjet publike dhe qytetarët, vecanerisht militantët e PS, do paraqesin pusullat, faturat dhe cdo gjë tjetër për të kërkuar pagesa nga shteti. Ky është një mekanizëm i ri vjedhjeje e pasurisë publike. Qytetarët duhet të dinë se në Shqipëri pagesat, jo vetëm në dogana dhe tatime por dhe të gjitha pagesat e tjera, përfshi këtu rrogat dhe pensionet, bëhen vetëm nepërmjet bankave. Por meqënëse transaksionet bankare, me saktësinë e tyre, nuk lenë hapësirë për shtesa dhe pazare për të ndarë paratë, duhet gjetur sekseri. Ndaj me urgjencë u votua dekreti I sekserit Deloitte and Touche dhe mbi bazën e faturave (thuhet se është hapur pranë PS një punishte faturash) dhe shumave që do të paraqiten, deti do të bëhet jo kos por flori. Institucionet ndërkombëtare më seroze kanë kundërshtuar dekretin e sekserit.
Me këtë rast dua të sjell në kujtesën e qytetarëve rastin e gjigandit të energjisë Enron me njëshin e botës në auditim, Artur Andersen. Ky i fundit bënte auditin e Enron dhe doli se me fatura dhe bilance fallco ata, së bashku, vidhnin miliarda. Ata shpërndanin në drejtimet dhe personat që donin qindra e qindra milione dollarë. Pikërisht ky mekanizëm i mega kleptokracisë do bëjë detin flori për qeveritarët dhe sojin e tyre në Shqipëri. Sb

 

October 24, 2013 01:46
Komento

2 Komente

  1. REFIKU October 24, 14:42

    PO CFARE TE KAPTE BODJA KUR DREJTORIN E PERGJITHSHEM TE AUDITIT NJEFARE IGLI QE SDI SA BEJNE 2+2 JA PRURI PESHQESH MIMOZA VOKSHI ?!
    HADUTJA NE METE, NE MFINANCAVE DHE MMJEDISIT E HIDHTE GREPIN KU TE MUNDTE DUKE PERDORUR MASHAT E SAJA.
    FUTENI NE BURG BODEN DHE DALIN GJITHE TAPAT MBI UJE PASTAJ!

    Reply to this comment
  2. shqipfolësi October 24, 15:02

    Fytyra më tipike e berishës….më bukur nuk bëhej, Bravo kopertina!

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim