“Belle Air” faliment në rrethana të dyshimta, bllokohen qindra udhëtarë

Edlira Shehu November 25, 2013 01:04

“Belle Air” faliment në rrethana të dyshimta, bllokohen qindra udhëtarë

Skandali i kompanisë së fluturimeve “Belle Air” ka mbërritur mbrëmë kulmin, duke lënë rreth 500 udhëtarë që kishin destinacion Shqipërinë, pa një përgjigje kthimi. Konfirmimi i parë ka ardhur nga pasagjerët që duhej të ktheheshin nga Verona, udhëtimi i të cilëve është anuluar nga kompania. Ishin më shumë se 100 udhëtarë që kishin destinacion Shqipërinë dhe kishin prerë biletën e tyre të udhëtimit me këtë kompani, por e vetmja përgjigje që ka ardhur nga kompania ka qenë “paguani 200 euro që të ktheheni me Blu Panorama”. Ndërkohë burime nga kjo kompani bëjnë të ditur se “Belle Air” ka shpallur falimentin dhe se pilotët e huaj që kanë kryer dje fluturimet jashtë Shqipërie kanë ikur bashkë me valixhet e tyre. Ndërsa stjuardesat shqiptare janë kthyer në atdhe nëpërmjet avionëve të kompanisë Blue Panorama. E për udhëtarët e tjerë, ku sipas parashikimeve për ditën e djeshme kanë qenë 5 destinacione të ndryshme nuk ka një përgjigje nga kompania, veçse blerjen e një bilete udhëtimi kthimi nëpërmjet kompanive të tjera të fluturimit.

 

Falimenti i dyshimtë i kompanisë

Zyrat qëndrore të Belle Air tek Pallati i Kulturës kanë filluar të boshatisen që gjatë ditës së djeshme. “Punëtorët janë lajmëruar që sot të mos paraqiten më në punë, shtuar këtu faktin që kanë dhe katër muaj pa u paguar për punën e tyre”, citojnë burime për gazetën Dita. Kompania shpall në këtë mënyrë falimentin e saj, duke mos dhënë përgjigje për asnjë nga abuzimet e shumta që ka kryer këto vite dhe detyrimet që i ka shtetit shqiptar, aeroportit “Nënë Tereza” apo kompanisë Air BP, nga e cila furnizohej me naftë. “Që prej dy javësh kompania operonte me agjencitë e udhëtimit apo dhe me kompaninë e naftës me të cilën furnizohej me lekë në dorë”, citojnë burime për Ditën, ndërkohë që ky është një veprim i jashtëligjshëm, për shkak se çdo veprim i kompanisë duhej të kryhej me bankë.  Ndërkohë që prenontimet e fluturimeve nga qytetarët shqiptarë pranë kësaj kompanie shtrihen deri në 23 mars të vitit 2014, ku piku i tyre ishin festat e nëntorit dhe ato të ndërrimit të viteve. Bileta të cilat nuk priten të disbursohen nga një kompani që shpall falimentin. Belle Air gjithashtu i detyrohet shtetit shqiptar një shumë prej 6.3 milionë euro taksa të papaguara asnjëherë në këto dy tre vjet. Po kështu debiti i kësaj kompanie ndaj territorit shqiptar është dhe për Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, ku mësohet se i detyrohet në një shumë prej 5 milionë eurosh.

 

“Belle Air” asnjë avion të regjistruar në Shqipëri

Veprimtaria dhe operimi i kësaj kompanie në tregun shqiptar, edhe pse në një situatë monopol, është jashtë çdo lloj kontrolli dhe mbikëqyrjeje. Autoriteti i Aviacionit Civil nuk ka regjistruar asnjë avion për llogari të kompanisë së fluturimeve “Belle Air”. Sipas Rregullores Evropiane, është kusht që një kompani fluturimesh duhet të ketë të paktën një avion të regjistruar në vendin ku operon. Ky kusht është shkelur në mënyrë flagrante. Ndërkaq, mësohet se kompania “Belle Air” ka marrë 7 avionë me qira tek operatorët francezë apo çekë. Madje njëri nga avionët e djeshëm pasi ka kryer fluturimin e fundit është ndalur në destinacionin e fundit në Francë. Po kështu një avion charter mësohet se është ulur në Zagreb, në tentativë për tu blerë në mënyrë të jashtëligjshme nga kompania në ditët në vijim.

 

Tregu monopol i Belle Air

Në tregun shqiptar të fluturimeve operojnë 10 kompani. Kompania e fluturimeve “Belle Air” kontrollon 50 % të tregut të fluturimeve, pra ishte në pozita monopoli. Situata monopol u krijua në vitin 2011, me qëllim për të vjedhur shqiptarët, nëpërmjet manovrave me çmimin e biletave dhe veprimeve të tjera arbitrare.

 

Shifra

Mijëra bileta të shitura deri me 23 mars të vitit 2014

6.3 milion euro taksa të papaguara shtetit shqiptar

5 milion euro detyrime ndaj Aeroportit “Nënë Tereza”

 

Deklarata zyrtare e “Belle Air” bërë pasditen e djeshme

Pas tetë vjet operimesh të suksesshme nga Shqipëria drejt destinacioneve Evropiane dhe anasjelltas, kompania Belle Air është detyruar të pezullojë përkohësisht fluturimet e saj. Të ndodhur përballë një situate tejet të vështirë e kemi të pamundur për të vazhduar fluturimet. Arsyet që na çuan në këtë  pezullimim janë situata e përgjithshme ekonomike, rënia e fuqisë blerëse, reçesioni në tregjet kryesore ku operojmë,  si  edhe  bllokimi prej më se 18 ditësh i të gjitha llogarive bankare të kompanisë Belle Air.Belle Air Ristrukturohet:  Gjatë kësaj periudhe kompania Belle Air do të rinisë një proçes ristrukturimi për t’u rikthyer së shpejti me shërbime dhe çmime më të lira në tregun shqiptar. Në këtë proçes Kompania Belle Air fton të gjithë investitorët shqiptarë e të huaj të marrin pjesë për ripërtëritjen e kësaj historie suksesi të biznesit shqiptar.

Mbrojtja e pasagjerëve dhe rimbursimi i biletave

Me ndihmën e kompanisë ajrore  italiane Blue Panorama, u ofrojmë mundësinë e mbrojtjes nëpërmjet blerjes së biletës me një çmim tarife mbrojtje të gjithë pasagjerëve me bileta Belle Air, duke filluar nga 25.11.2013 nën markën Loë Cost Blu Express të kompanisë Blue Panorama Airlines nga Tirana drejt Italisë dhe anasjelltas, ofertë që varet nga sasia e vendeve të mbetura në shitje dhe destinacioni i përzgjedhur. Për të vazhduar procedurat Ju lutemi telefononi në +355 42 390 111.

Të gjithë pasagjerët që kanë prerë bileta nëpermjet kartës së kreditit dhe që kërkojnë rimbursimin e biletave, duhet të kontaktojnë me bankat që kanë lëshuar këto karta krediti dhe të paraqesin kërkesën së bashku me referencat e biletës.

Për të vazhduar proçedura të tjera rimbursimesh Ju lutem kontaktoni në 355 42 390 390.

Të gjithë klientët Belle Air dhe kushdo që dëshiron të blejë një biletë nga Tirana drejt Bergamos (Orio Al Serio), Bolonjës, Milano Malpensa, Romë Fiumicino, Pizës, Venecias dhe Veronës dhe anasjelltas, mund të telefonojnë në qendrën e kontaktit Blue Express të Blue Panoroma Airlines +39 06 959 86666 ose të vizitojnë faqet web: www.blu-express.com, www.blue-panorama.com.

Ju kërkojmë ndjesë për shqetësimet e krijuara nga ky pezullim i përkohshëm dhe gjithashtu ju falenderojmë për besimin tuaj ndaj kompanisë sonë ndër vite.

Kjo është një ditë e trishuar për ju pasagjerë dhe për të gjithë stafin Belle Air!

 

 

Nuk duket si faliment, por si mashtrim financiar
(dhe një info për 2 menaxherë me mbiemrin Basha)

Redaksionale

Dje kompania “Belle Air”, njoftoi pezullimin e të gjithë aktivitetit të saj. E bëri këtë veprim ndërsa rreth 500 pasagjerë të saj kishin ngecur nëpër aeroporte dhe nuk dinin nga të shkonin. Sorollatja e pasagjerëve nuk është ndonjë risi për këtë kompani, por dje kompania ka kryer dhe një sërë veprimesh të tjera që flasin jo thjesht për një falimentim, por ndoshta për një nga skemat mashtruese më të rënda të aplikuara në aviacionin civil shqiptar. Problemi i parë janë pasagjerët që enden në aeroporte. Ata kanë prerë biletën por avionët e kompanisë nuk duken askund. Një tjetër kompani i kishte kontaktuar këta pasagjerë dhe u kishte thënë se duhej të shtonin dhe 200 euro të tjera për t’i ndihmuar me transportimin. Më pas këtë kompani doli që e sugjeroi mbrëmë dhe “Belle Air” tek udhëtarët e saj të mbetur në rrugë. Kjo ishte një gafë, pasi kompania s’mund të kompensojë udhëtarët e saj duke u sugjeruar një kompani tjetër( që në fakt mund të jetë dhe vetë “Belle Air” por me emër tjetër) Problemi i dytë janë miliona lekë prenotime të kryera kohët e fundit dhe që janë prenotime që arrijnë deri dhe datën 23 Mars 2014. Kush do i kompensojë për pagesat e kryera në paradhënie?  Vetë kompania “Belle Air” ka aplikuar javët e fundit një skemë të jashtëligjshme të qarkullimit të të ardhurave. Si rregull klientët shkojnë në një agjenci turistike apo udhëtimi dhe bëjnë pagesën për biletën. Më pas agjencia bën xhirimin e lekëve në bankë ku pjesa përkatëse i shkon dhe kompanisë “Belle Air”. Por për disa javë kompania në fjalë ka operuar me lekë “cash” në raport me agjencitë e udhëtimit, çka është shkelje flagrante e ligjit. Dje kompania pretendonte se i kishte llogaritë e bllokuara por kjo nuk është e vërtetë, pasi Gjykata Administrative ja ka zhbllokuar llogaritë pasi Zyra e Taksave kishte bërë një bllokim. Kompania dyshohet se nuk ka asnjë avion të regjistruar sipas ligjit, por ka operuar gjithnjë me disa kontrata të ndërmjetme duke trukuar dokumentacionin. Nga ana tjetër rezulton se në 9 muajt e fundit kompania nuk ka paguar asnjë detyrim, as në zyrën e taksave , as në kompanitë private që operojnë në Aeroport etj. Dyshohet se borxhi i akumuluar mund të shkojë diku tek 15 milionë euro. Nga ana tjetër kjo kompani gjithnjë ka pasur një fluks udhëtimesh me një realizim kapaciteti me pasagjerë gjithnjë mbi 70 për qind. Pra në një avion me 200 vende kompania kishte gjithnjë më tepër se 140 pasagjerë. Ky është një koificent shumë i mirë për realizimin e të ardhurave, ku shkuan lekët? Një tjetër fakt është se kompania ka kryer gjithnjë veprimtarinë e saj në kushte thuajse monopol dhe në 8 vitet e fundit ka pas të gjithë përkrahjen e autoriteteve më të larta shtetërore, madje kompania ka sjellë dhe studentë shqiptarë jashtë vendit me çmime konkurruese kur ishin zgjedhjet, nisma këto në funksion të mbështetjes së Partisë Demokratike. Por duket se me një dokumentacion të dyshimtë dhe provizor, me borxhe disa miliona euro dhe me të gjitha avantazhet që të ofron konjuktura politike, kjo kompani asnjëherë nuk diti të triumfonte në treg. Kishte gjithnjë mangësi gjithnjë probleme, dukej qartë që ata që e drejtonin ishin biznesmenë të emëruar dhe jo biznesmenë që triumfonin falë aftësive në treg. Ndoshta nuk është krejt pa lidhje fakti që dy menaxherët kryesorë të kësaj kompanie në Itali(i cili është dhe trgu më i madh i saj) janë shtetasit Arben dhe Ornela Basha. Janë dy kushërinjtë e parë të Lulzim Bashës. Ky i fundit është përfolur ngaherë për lidhjet me këtë kompani. Pra kemi të bëjmë me një kompani që iu dhurua tregu, iu falën të gjitha gabimet dhe mangësitë e përsëritura, iu toleruan dokumentet thuajse të falsifikuara, një kompani së cilës qeveria i krijoi luksin për t’i falimentuar dhe “kompanitë rivale”, e përsëri kjo kompani nuk diti dot të bënte sukses. Falimentoi. Por është një “falimentim në dukje”, pasi një hetim është i domosdoshëm, pasi realisht është një skemë 8 vjeçare mashtrimi financiar, është një krim. Ndaj dhe duhet hetuar, pa humbur kohë.

 

Edlira Shehu November 25, 2013 01:04
Komento

3 Komente

  1. ty 22 nentor November 25, 14:02

    epa besueshme kudo ku ka korupsion kudo ku ka krime e pislleqe jane vetem dy emra dy kriminele dy ndyresira qe kane shitur shqiperine me menyren me barbare nuke edi cfare prete rama

    Reply to this comment
  2. shtetari November 25, 15:11

    Ed Rama – or kanar sa dite te duhen me zbulu mashtrimet dhe vjedhjet e shpellareve.

    leri udhetimet merru me shtepine ….dite per dite shqipatret vidhen dhe ti me ben mbledhje 10 oreshe

    nese nuk di me menaxhu shtetin shko pirdhu ….

    Kush nuk ka vjele taksat e Bel Air te rraset ne BURG menjehere…..

    E cuditshme qe ne PD per keto vjedhje te shqipatreve nuk flet kush – sic duket vidhen vetem ata te PS…

    Reply to this comment
  3. . November 25, 16:22

    Z.Rama …. ku eshte Drejtesia qe premtove ?
    Pse nuk ke filluar te veprosh ?

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*