Si u bënë miliarderë për tre muaj 15 zyrtarë të Ministrisë së Drejtësisë

April 25, 2014 02:03

Si u bënë miliarderë për tre muaj 15 zyrtarë të Ministrisë së Drejtësisë

Është një nga dosjet korruptive që “flinte” në sirtarët e administratës së kaluar, por është vërtet shokuese për nga përmasat dhe mënyra si është vepruar. Skema doli në dritë pasi një grup tatimorësh të Tiranës ushtruan kohët e fundit një kontroll mbi aktivitetin e disa përmbaruesve privatë të licencuar tre vite më parë nga Ministria e Drejtësisë. Rezultatet e kontrollit lanë “gojëhapur” tatimorët, referuar shifrave abuzive bombastike që u konstatuan se ishin përvetësuar nga individët që Ministria e Drejtësisë kishte përzgjedhur. Ata ishin dhe vazhdojnë të jenë “ajka” e brezit të parë të përmbaruesve gjyqësorë privatë shqiptarë.

 

Si i njohim dhe ç’dimë për ta?

Ne dijeninë e të gjithëve, përmbaruesit gjyqësorë janë punonjës të sistemit të drejtësisë që vendimet e shkruara në letër të gjykatave i kthejnë të prekshme për njerëzit. Ata lexojnë vendimet gjyqësore dhe veprojnë sipas tyre: të marrin pronat, t’i nxjerrin në ankand, t’i shesin ato. Kur ke borxh në banka (dhe shumë njerëz kanë borxhe në Shqipëri) përmbaruesit sekuestrojnë llogaritë bankare të debitorëve, pasuritë, marrin pagat e tyre të përmuajshme. Bankat kanë aktualisht shumë vendime të tilla në duar.

 

Si lindën dyshimet

Afera në fjalë ka qenë prezent për tre vite rresht. Qëllimisht ka mbetur e pazbuluar nga ish-autoritetet tatimore, por edhe nga Ministria e Drejtësisë që e ka detyrë funksionale, mbikëqyrjen dhe kontrollin e Përmbaruesve.

Nisur nga të dhënat shifrore të bankave – (si biznese që deklarohen në organet tatimore në lidhje me hyrje-daljet e likuiditeteve të tyre) – tatimorët pikasën fillimisht shuma të ndryshme pagesash që këto të fundit ua kishin kaluar në llogari Përmbaruesve. Shumat e parave ishin të konsiderueshme, madje shumë të fryra për të qenë tarifa shpërblyese për këta punonjës të drejtësisë.

Pas lindjes së dyshimeve të para u thellua kontrolli mbi këto shuma ‘shpërblimi’. Pasi u verifikuan rrethanat e prerjes së këtyre lloj faturave nga ana e bankave, doli dhe e vërteta: Përmbaruesit për çdo rast apo dosje që ekzekutonin, kishin marrë përveç tarifës që u takonte si shpërblim edhe një SHTESË, të cilën kishin për detyre ta kalonin në buxhetin e shtetit. Për shtetin. Për llogarinë e tij. Kjo tarifë ishte fikse: 2% e vlerës së shumës që ekzekutonin. Duhej ta kalonin menjëherë në llogarinë e shtetit, në momentin e mbledhjes së saj.

 

Por çfarë ndodhi në të vërtetë?

Shifra 2% që mblidhej për “hesap” të shtetit dhe në emër të tij në fakt futej në xhep! “Abrakadabra”! Sa hap dhe mbyll sytë, për tre muaj bëheshe miliarder. Për 2 muajt e fundit të vitit 2010 dhe tre muaj resht të vitit 2011 zgjati “parajsa fiskale përmbarimore”. Zgjati vetëm kaq ”pak” sepse “ligji” që i bënte ”taksambledhës” u shfuqizua.

Ato kohë, ata i shkruanin bankave apo individëve një copë letër bakalli: “Keni edhe 2 përqindshin për të paguar për shtetin… Janë taksa shtetërore, s’kemi ç’bëjmë!” Llogaritë e tyre bankare mbusheshin e zbrazeshin brenda ditës. Ku shkonin lekët? Në shtet jo. Nga llogaritë e përmbaruesve qenë zhdukur. Disa mendonin që mund të jenë kthyer mbrapsht të paguesit e parë, bankat. Të tjerë kishin idenë se shteti i kishte në llogaritë e tij. Hamendësimet disa vjetore u vërtetuan nga tatimorët vetëm kohët e fundit: paratë e 2 përqindshit janë përvetësuar. Shkurt u vodhën.

 

Si u bë e mundur një vjedhje e tillë

Shteti i asaj kohe, (Ministrat e Drejtësisë dhe Financave) lanë (“pa dashje”?) një deriçkë të hapur ligjore për Përmbarimorët: Një udhëzim i quajtur 1240/4. Ky udhëzim “jetoi” vetëm 5-muaj, sepse në mesin e Marsit 2011 e shfuqizuan pasi puna po bëhej “baltë”. Por për disa muaj i lejuan “përmbaruesit tatimorë” të mblidhnin taksa në emër të tij. Dhe ata i mblodhën. I mblodhën mirë. Aq mirë sa vetëm një prej tyre fitoi 1 miliard lekë gjatë atyre muajve. E pabesueshme por e vërtetë! Udhëzimi i famshëm 1240/4 jetoi pak, por bëri pare shumë: mbi 10 miliard lekë.

Të gjithë debitorët: kompani, biznesmenë, njerëz e hallexhinj bankash, bashkë duhet të paguanin tarifën 2%. Pagesat u bënë. Bankat e jepnin atë paraprakisht. Por në fakt, njerëzit, apo kompanitë e mbytura në borxhe bankare do ta paguanin në fund të procesit përmbarimor. Pra, ata do ta kishin në kurriz. E kanë ende në kurriz, edhe sot.

P.sh: Një kompanie që kishte 10 milion euro borxhe në bankë, kur përmbaruesi i trokiste në derë me ‘letrat’ e tij, i komunikonte shumën që ishte borxh, tarifën e punës së tij mbi këtë shumë, si edhe 2% më tepër për llogari të shtetit. Pagesa plot 200 mijë euro paguhej fillimisht nga banka, me “shpresën” se borxhliu do ta ripaguante në fund të procesit të mbledhjes së borxhit dhe me sigurinë që kjo pagesë po shkonte në buxhetin shtetëror. Kështu ndodhte për të gjitha shumat. I njëjti shembull vlente për të gjithë: merrej 2 përqindëshi.

Të gjithë njerëzit debitorë të bankave, apo kompanitë e tyre u ngarkuan me shifrën 2% ekstra shtetërore përveç borxhit që kishin. Shifrat e marra pasi nxirreshin me nxitim nga llogaritë bankare, u “zhdukën” duke mos u deklaruar kurrë se ku shkuan dhe përse nuk u derdhën në buxhetin e shtetit. Nuk u prenë fatura tatimore, sepse për taksat nuk pritej faturë. Vetëm ndonjë “budalla përmbarues” hodhi 2-përqindëshin në llogarinë e shtetit dhe… Buxheti i shtetit përfitoi rreth 7 milion lekë nga mbi 10 miliard të mbledhura.

 

Ish-Ministri e stopoi. Po pse nuk hetoi?

Kjo situatë magjike e zhdukjes së parave u ndihmua nga artifica ligjore disa mujore, e cila siç përmendëm më lart, përfundoi në krye të tre-katër muajve. Akti ligjor që i bënte përmbaruesit, edhe juristë edhe taksambledhës të shtetit u shfuqizua nga Ministri i Drejtësisë i asaj kohe. Por këtij të fundit, në mënyrë të habitshme nuk i “shkoi” mendja asnjëherë të shpallte një hetim se ku “shkuan” taksat prej 2% që mblodhën përmbaruesit e tij tatimorë ato muaj.

E thënë përmbledhtazi, nga një grusht përmbaruesish janë përvetësuar shumat e mbi 10 miliardë lekëve pa asnjë arsyetim ligjor. Së paku 15 përmbarues privatë, i kanë përvetësuar shumat në të njëjtën formë brenda një periudhe 3-mujore, ndërsa numri i të implikuarve në skemën e zhdukjes së parave është rreth 40. Ministria e Drejtësisë e asaj kohe kishte dijeni të plotë, mbi veprimtarinë e këtyre individëve. Por me vetëdije ajo lejoi zhdukjen e parave. Dikush atje “lart” ka marrë pjesën? Nëse jo, përse në asnjë rast nuk u kontrollua apo u pyet ku përfunduan shumat e 2% të tarifës shtetërore, të mbledhura nga operatorët përmbarimorë. Strukturat e kontrollit pranë Ministrisë së Drejtësisë nuk i prekën kurrë “përmbarimorët e 2 përqindëshit”.

 

Si u zbulua mega-mashtrimi

Të dhënat e mësipërme janë zbuluar ditët e fundit nga një hetim i inspektorëve tatimorë. Të zhytur në zbulimin e një vjedhje në përmasa të tilla, këta inspektorë u përballën menjëherë me reagimin e “pronarëve” të milionave të zhdukura. Sipas të thënave të rrethit të kolegëve të tyre, ka patur një ‘stepje’ fillestare, që erdhi pasi ata dukeshin si “milingona” punëtore brenda një kafazi ku flinte “luani” korruptiv. Nuk ishte e thjeshtë të evidentohej abuzimi prej 1 miliard lekësh brenda në ‘shtëpitë’ përmbarimore, të mbushura me luks abuziv dhe intimidus njëkohësisht. Por duket që këtë herë, (si rrallëherë në vendin tonë), inspektorët morën sigurinë e drejtuesve të organit qendror tatimor, se ndaj tyre s’do kishte asnjë ndërhyrje apo konsekuencë negative.

Inspektorët vazhduan punën dhe dolën në një përfundim të shkruar e të faktuar. Madje vendosën edhe gjoba të forta, referuar ligjit tatimor. U kontrolluan plotësisht dy shoqëri dhe një përmbarues gjyqësor. Të dhënat janë shokuese. Nga të dhënat e zbuluara nga ky skandal financiar drejtuesit e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve kanë lajmëruar Ministrin e Drejtësisë, si edhe organe të tjera ligjzbatuese në vend për abuzimin tronditës të zbuluar nga inspektorët e tyre. Pritet që reagimi i Ministrisë së Drejtësisë të jetë i menjëhershëm dhe i ashpër.

Është Ministria e Drejtësisë organi që kishte detyrë të parandalonte këtë vjedhje me përmasa të tilla. Ajo dhe strukturat e saj të varësisë mund të vëzhgonin në çdo çast “lëvizjet e milionave”. Por nuk e bëri për tre vite resht. Ndoshta lumi i tyre ishte aq i rrëmbyer sa e mori edhe vetë Ministrinë përpara. Të shohim çdo të ndodhë sot. Rezultatet e kontrollit vetëm për tre prej tyre nxorrën shifrën 1 miliard lekë me skemën e mësipërme. Natyrshëm lind pyetja: A do ketë shteti i ri aftësinë të përballojë disa miliarderë??

* * *

Redaksional

Këto kohë po prekim fakte dhe prova të atyre çfarë bisedojmë çdo ditë me njëri-tjetrin. Përveç murmuritjeve, na janë “hapur” sytë dhe po i bërtasim fort: gjyqtarë që lahen në vaska të florinjta ryshfetesh; prokurorë që konvertojnë akt-akuzat në para; përmbarues që i konkurruakan denjësisht në këtë garë; noterë që vulosin padrejtësitë, apo avokatë që mbrojnë krimin duke paguar gjyqet e tij. Por si luftohet ky sistem? Vetëm me policë tatimorë, apo gjyqësorë?! Me vullnet mediatik, apo politik?! Si mund të çbëhet kjo katrahurë në Sistemin e Drejtësisë?

Ku është K.L.D-ja, I.L.DK.P-ja apo D.P.P.P-ja? SHIK-u që gjurmon “AntiSirianët”? Ku është Kryeministri dhe “armët” e tij të pushtetit ekzekutiv? Këto armë duhet të mjaftojnë nëse më shumë se to, dikush ka vullnetin e mirë për të ndryshuar këtë situatë skandaloze të sistemit gjyqësor, akuzator, përmbarimor apo thjesht ligjor. Kryeinspektori i sapozgjedhur i pasurive mundet të nxjerrë në dritën e opinionit publik të gjitha pasuritë e këtyre baronëve të drejtësisë.

Drejtori i Parandalimit dhe i Pastrimit të Parave mundet t’i raportojë Kryeministrit për të gjitha lëvizjet e parave që bëjnë baronët tanë të drejtësisë.

Ndërsa KLD-ja, Ehh KLD-ja… Përse jo? Mund të bëjë harakiri me një thikë të florinjtë. Mjafton shkrirja e butonave të këmishës së Gjinit, që si edhe në rastin e aksidentit ku vrau një fëmijë, u fsheh këto ditë pas gruas.

Në lidhje me faktet dhe provat e skemës së mega-vjedhjes gjigante të përmbaruesve gjyqësorë, për të cilën folëm këtë numër, DITA po mbledh nga organet shtetërore të gjitha të dhënat e nevojshme për t’i paraqitur në numrat në vijim.

 

April 25, 2014 02:03
Komento

4 Komente

  1. beni April 25, 07:44

    Ne nje shtet normal ku drejtesia nuk komandohet nga kriminele si sali berisha, keto plehra , keto hajduter do te merrnin denimin maksimal dhe sekuestrim te plote te parave te vjedhura. Deri kur do te durojme kete system derjtsie te mbushur me hoorra dhe te paafte te tallen me ne dhe me Shqiperine.
    ne nje shtet normal zyrtareve as qe I shkon ne mend te bejne tmerre te tilla sepse e para ai qe eshte zyrtar eshte superi edukuar dhe e ka per turp te bej qelbesirlleqe te tilla sepse nuk ja lejon edukata dhe personaliteti, sepse jane zoterinj nje kuptimin e vertetet te fjales dhe e dyta drejtesia atj te bie kokes dhe nuk pyet je sali berisha apo djali itij je minister apo nenpunes ne ministrine e drejtesise dhe e trta ministrat atje nuk jane gomere si bujar nishani qe nuk e ka haberin fare cfare ka bere deri tani.

    Reply to this comment
    • Pellazgu April 25, 14:24

      @beni

      Këtë sistem do ta durojmë deri sa në këtë vend të ketë votues tranguj si ty, që e lidhin hajdutërinë me njërin krah politik, duke e zhveshur tjetrin nga ky mëkat. Korrupsionin nuk e kanë shpikur njerëzit, por ai ka lindur bashkë me njerëzit dhe do të zhduket vetëm nëse shuhet raca njerëzore, ndaj nuk ka lidhje me krahë apo parti politike, sikundër asnjë krah apo parti politike nuk është e imunizuar ndaj tij, sado të përbetohen krerët e tyre për të kundërtën, siç ndonjëri ka bërë edhe duke dalë lakuriq para gjithë botës, në shenjë “proteste” ndaj kësaj sëmundje që moleps shoqëritë njerëzore…
      Shoqëritë më të konsoliduara nuk se e kanë zhdukur korrupsionin, por kanë krijuar mekanizma që kjo sëmundje të veprojë sa më pak. Askush, mor hajvan, nuk e ka shpikur korrupsionin, por të gjithë e kanë përdorur atë për të mbushur xhepat, ashtu siç kanë bërë pa përjashtim të gjithë pushtetarët qendrorë dhe vendorë në këtë Shqipërinë tonë të varfër. Mjafton të shikosh sesi e “shtyjnë” jetesën këta pushtetarë që të kuptosh se asnjë syresh nuk ka mbetur pa e ngjyer kafshatën tek çanaku i korrupsionit; si ministër a kryeministër, ashtu edhe kryetarë bashkish, që ndërtojnë shtëpi në vendet piktoreske me paratë e rrogës dhe me “prikën” që u kanë sjellë gratë, apo ata që i thërrasin njerëzit në bankete dhe tallen me ta, duke u vënë vetëm “tre” karkaleca në pjatë…
      Kështu more trangull, për aq kohë sa ti me këto mend do kesh të drejtë vote njësoj si ne të tjerët (për fat të keq, të tillë si puna jote ka nga të gjitha krahët e spektrit politik), që nuk na gënjen mendja se ai politikan që ulërin shesheve, kundër një kundërshtari politik që dihet nga të gjithë se është i korruptuar, është i pastër.

      Reply to this comment
  2. fat man April 25, 17:19

    Ku jane ish Ministrat e Padrejtesise sot: Njeri eshte Kapter Jari dhe eshte bere President, i dyti Aldo Bumja mik i ngushte i Shkerdhenit depuet dhe Krye.ar i PD per Tiranen, i treti eshte Halim Heqimi fshatar i fushes se Korces, qe ben vetem perr perr dhe nuk i punojne te gjitha kandelet i ka te lagura, eshte qeni roje i familjes dhe kriminelit Berisha ne deklarata dhe fjalime mallengjyese ne Parlament. Burgu per keta hale dhe ata kriminele te Permbarimit Gjyqesor Privat eshte shume pak.

    Reply to this comment
  3. besnik bregu April 25, 20:30

    po emra nuk kane keta zyrtaret (kopilat) ?

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*