Dëshmia në seancën me dyer të mbyllura e killerit Julian Sinanaj

Aida Nako February 25, 2014 02:01

Dëshmia në seancën me dyer të mbyllura e killerit Julian Sinanaj

 

Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtare Etleva Deda asistuar nga sekretare gjyqësore Jerina Skrapari, mori në shqyrtim me dyer të mbyllura, në 29 janar 2014, kërkesën penale me Nr.40. Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, përfaqësuar nga prokurorët Ardian Nezha dhe Behar Dibra kërkuan caktimin e masës së sigurimit personal “arrest në burg” për shtetasin nën hetim Andon (Erion) Mëhllaj, i biri i Ismetit dhe i Adelinës, i dtl.09.07.1975, lindur e banues në Vlorë, me gjendje civile i martuar.

Mëhillaj  akuzohet për kryerjen e veprave penale të “veprave me qëllime terroriste”, me qëllim përhapjen e panikut në popullatë që kanë sjellë shkatërrimin serioz të pronës private në përmasa të mëdha, duke rrezikuar jetën e personave të tjerë, “Mbajtjes pa leje të armëve luftarake”; “Mbajtjes pa leje të municionit luftarak”; “Mbajtjes pa leje të lëndëve plasëse”; Vrasjes së shtetasit Sokol Veizi për interes; Vrasjes së shtetasit Agron Cela më datë 21.08.2013.

Mbi bazën e materialit referues të dërguar nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Vlorë, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, më datë 01.06.2013 ka rregjistruar procedimin penal Nr.188 të vitit 2013, për veprën penale të “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”, ndaj funksionarit publik të mbetur në tentativë, si dhe “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”, në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave, të mbetur në tentative – thuhet në materialin që posedohet nga DITA dhe që po botohet sot për herë të parë i plotë.

Në këtë material gjenden pjesët më të rëndësishme nga dëshmia e vrasësit të penduar Julian Sinanaj. Bazuar te rrëfimi i tij dhe provat paralele, në këtë dokument thuhet:

 

Dëshmia e Sinanajt për eksplozivin ndaj Kollozit:

“….Në datën 01.06.2013 rreth orës 02:40, është njoftuar Salla Operative e Drejtorisë së Policisë Qarkut Vlorë, se tek Pallati i shtetasit Ardian Kollozi (në Lagjen “Lef Sallata”, Rruga “Veledin Kollozi”, Pallati Nr.l, Kati i 11-të, Vlorë) ka ndodhur një shpërthim i fuqishëm. Nga verifikimi që bëri policia në vend, rezultoi se rreth orës 02:40, në derën e blinduar të katit të 11-të të pallatit, e cila bllokon korridorin e këtij kati, ku ndodhet apartamenti i shtetasit Ardian Kollozi, ishte vendosur një sasi lënde eksplozivi, shpërthimi i së cilës kishte shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale jo vetëm në këtë kat të pallatit, por dhe në katet e poshtme të tij. Nga zhurma e shpërthimit, të gjithë banorët e pallatit (ata që kanë qenë në pallat atë natë) ishin zgjuar dhe kishin konstatuar dëme të mëdha materiale jo vetëm në katin ku ndodhi shpërthimi me lëndë eksplozive tritol, por dhe secili në katet e tyre.

Në deklarimin e dhënë në cilësinë e personit rreth të cilit zhvillohen hetime, shtetasi Julian Sinanaj (arrestuar më 25.01.2014) ka deklaruar se:

“….Me porosinë e shtetasit Erjon Mëhilli (biznesmen në fushën e ndërtimeve dhe pronar tokash në zonën e Karaburunit të rrethit Vlorë), kam vendosur natën e dt.01.06.2013, lëndë plasëse në pallatin e shtetasit Ardian Kollozi, me qëllim përhapjen e panikut mes familjeve që banonin në këtë pallat si dhe për të dëmtuar apartamentet e banimit të këtij pallati. Nga shtetasi Erjon (Andon) Mëhilli jam paguar për të kryer këtë ngjarje në shumën 7500 euro…”.

 

Dëshmia e Sinanajt për vrasjen e Sokol Veizit:

“…Erion Mëhilli është nga Vlora dhe mund të ketë ndryshuar emrin në “Andon” pasi kishte qenë i dënuar në Itali për trafikim droge dhe kjo ka ndodhur para se ta njihja… Personin e kam dhe në një fotografi. Ai është pronar tokash në Karaburun dhe në Shën Vasil, dhe nga njohja që kam krijuar me të, kam vënë re se ai kërkonte të bëhej zotërues i të gjithë tokave që kishte me gjithë farefisin e tij (donte të bëhej zotërues territoresh). Erioni (ndryshe Andoni) më ka kërkuar të vrisja për të shtetasin Sokol Veizi, dhe për vrasjen do jepte 1500 metër katror tokë ne Orikum, e cila në para vlerësohej rreth 120 mijë euro. Ai më ka kërkuar ta vrisja, pasi atë e shikonte si kërcënim për pronat e tij në Orikum, ngaqë kishte ndërtuar edhe një shtëpi pa leje në pronat e tij. Përveç kësaj ai ja paraqitur atë si person shumë të rrezikshëm, i implikuar edhe në vrasje në vitet 97-të. Ishin ditë vere kur Erioni (Andoni) më shoqëroi deri në Orikum dhe më tregoi Sokolin për fytyrë. Këtu rashë dakord me të, ta kryeja vrasjen.

Për ta vrarë vendosa të përdor një pistoletë “Makarov”, që modifikohej duke i vendosur një silenciator. Para se ta vrisja, e mbajta për dy-tre ditë nën vëzhgim Sokol Veizin. Më parë mora një shtëpi me qera në Orikum, diku në breg të detit. Erioni (Andoni) më kishte gjetur dhe një motor për ta përdorur ditën e vrasjes.

Një natë gushti shkova me motor “Papaq” tek lokalet ku mendova se do gjeja Sokolin. Me vete kisha dhe dy pistoleta, një “Makarov” dhe një “XX”. Më parë me Erionin (Andonin) kishim rënë dakord që të merreshim vesh me zile telefoni, për gjetjen e vendndodhjes së Sokolit, dhe të vënies në dijeni të tij se e kisha realizuar vrasjen. Sokolin e gjeta në verandën e një lokali, të ulur në tavolinë më dy persona të tjerë.

Me pistolete në dorë, atyre u thashë të futeshin brenda në lokal dhe ata ashtu bënë. Brenda në lokal pyeta se kush ishte prej tyre Sokol Veizi, dhe vetë Sokoli më tha se çfarë i kisha bërë, por i përmenda Erion (Andon) Mëhillin. Ai i tha se nuk kishte gjë me të. Më pas i përmenda Gentian Mëhillin (kushëririn e afërt të Erionit), dhe ai edhe për këtë më tha se nuk kishte gjë me të.

Një moment pistoleta tip “Makarov” mu bllokua, por më pas me të qëllova në drejtim të tualetit të lokalit, për t’u siguruar se mos fshihej ndokush aty. Prej këtu e nxora Sokolin jashtë lokalit dhe i kërkova të afroheshim tek makina e tij (para se ta nxirrte jashtë ai e kishte plagosur atë në këmbë), ku këtu i shtiva në kokë me pistoletë dhe u largova, mora motorin dhe ika që aty. Atë natë mbajta në kokë një kapele dhe fytyrën e kisha mbuluar me një bluzë golfi deri mbi hundë. Shkova tek shtëpia ku fsheha motorin, u ndërrova dhe armën tip “Makarov” e hodha në det.

Për kryerjen e vrasjes Erioni (Andoni) nuk më dha tokën që kishte premtuar, por një apartament 50 m2 në Orikum. Për dhënien e këtij apartamenti atij, ka dijeni dhe kushëriri i Erionit (Andonit) Gentian Mëhillaj…”

 

Dëshmia për minat me telekomandë

Më tej, thuhet se këtë banesë Juliani e regjistroi në emër të nënës së tij, por para një viti nga data e arrestimit të tij, shtëpinë e kishte shitur. Me porosi të Erion Mëhillit, motorin që përdori në këtë vrasje e kishte blerë Ndriçim Gjokona (shkurt Çimi), një person që aktualisht fshihej në Durrës, nga frika e Erionit. Arma e zjarrit “Makarov” e gjetur dhe e sekuestruar më pas në vendin e quajtur “Plazhi i Bardhë” në Orikum, si dhe dy gëzhojat e gjetura nga vendngjarja me cilësi të provave materiale, konfirmojnë plotësisht vërtetësinë e shpjegimeve të shtetasit Julian Sinanaj, në lidhje me rrethanat e kryerjes së veprës penale dhe personave të përfshirë në të.

Pas kësaj vrasjeje Julian Sinanaj mori me qera një pallat në Skelë, anës detit – shkruan materiali që posedon DITA. Më pas ai tregon: “…Disa muaj pas kësaj vrasjeje Erioni (Andoni) më kërkoi t’i përgatisja dy mina me telekomandë. Pasi ja përgatita dy minat me celularë dhe me “RL” elektronike dhe bateri 9 volt, ja dhashë atij dhe i tregova se si përdoreshin. Për dy minat Erioni pagoi 20 mijë euro. Më pas mora vesh se njëra prej dy minave i ishte vënë një motori në Vlorë (nuk jepen detaje se kujt).

Një prej tyre dyshohet se është përdorur nga ish-zyrtari bashkiak Mitro për atentatin ndaj prefektit Dervishi.

 

 Dëshmia e Sinanajt për vrasjen e Agron Çelës:

Nga aktet e hetimit të proçedimit penal Nr.966 të vitit 2013 (tashmë të bashkuara me aktet e hetimit të proçedimit penal Nr.118 të vitit 2013, të Prokurorisë për Krime të Rënda Tiranë) jepen pjesë nga dëshmia e Sinanajt edhe për ngjarjen e ndodhur në orën 00:15 të datës 21.08.2013, në Lagjen “Pavarësia” në qytetin e Vlorës, ku u vra Agron Çela:

“…Diku nga fund viti 2012 e fillim viti 2013, Erioni (Andoni) më kërkoi të vrisja për 35 mijë euro, një biznesmen vlonjat, që rrinte me shtëpi afër Kalit të Trojës, diku tek lokal “Aleksandria”, në Vlorë. Ai solli si argument për ta vrarë, problemet që kishte me këtë biznesmen për trafiqe droge në Itali. Paratë mi dha para bërjes së vrasjes. Më parë Erioni ma tregoi atë për fytyrë, si dhe ku e kishte shtëpinë.

Ishte mbrëmje kur Erioni më çoi tek shtëpia e biznesmenit, në pritje të ardhjes së tij aty. Erioni më priti në një makinë tip “Fiat” ngjyrë jeshile, diku më larg shtëpisë së tij. Personi erdhi aty me një makinë ngjyrë gri metalizato, prej së cilës doli një grua dhe një fëmijë, që u nisën drejt shtëpisë. Kur ju afrova biznesmenit me vete kisha dy pistoleta, dhe e qëllova 4-5 herë me pistoletë 9 mm. Pas vrasjes Erioni më çoi me makinë në shtëpi. Rrugës i dhashë armën me të cilën bëra vrasjen. Pistoletën tjetër “TT”, të papërdorur e mbajta vetë. Të nesërmen nga mediat mësova emrin e personit që kisha vrarë një natë më parë. Ishte shtetasi Agron Cela….”

 

Dëshmia e Sinanajt për plan-vrasjen e Piro Bares:

Vrasja e biznesmenit Piro Bare është një tjetër ngjarje e bujshme në dëshmitë e Sinanajt. Për këtë ngjarje është arrestuar tashmë Ilir Karçini, biznesmen në të njëjtën fushë. Më poshtë, dëshmia e Sinanajt për këtë tentativë:

 

“…Para festave të Nëntorit të vitit 2013, bashkë me Gentian Mëhillin kemi ardhur në Tiranë, dhe diku tek liqeni, jemi takuar me një tregtar gazi. Gentiani më tha se “miku i tij e donte të vdekur një person”. Shuma prej 50 mijë dollarësh që u ofruan mu duk e vogël dhe e lamë të “bisedonim” përsëri. Ndërkohë u kërkova atyre të shihja personin me fotografi, targën e makinës dhe adresën e shtëpisë. Atë ditë u ndamë, dhe pas tre-katër ditësh u takova vetëm me tregtarin, tek liqeni. Ramë dakord te komunikonin edhe me e-maile. Në këtë takim, pashë në fotografi fytyrën, mësova njërin prej vendbanimeve të personit që do vrisja, tipin e makinës dhe targën. Në takimin e tretë me të, po në të njëjtin lokal, prej tij mora shumën 50 mijë euro, dhe ramë dakord të merrja edhe 100 mijë euro të tjera pas kryerjes së vrasjes. Pas këtij takimi nuk u takova më me të, por komunikuam përmes e-maile-ve. Ndërkohë, një here në dy-tre ditë shkoja në Durrës, afër banesës (së Piro Bares) së në Qerret, vend ku kisha planifikuar të kryeja edhe vrasjen. Për herë të fundit në Qerret shkova një javë (data 25.01.2014) para arrestimit, dhe ka qenë dita kur ishte bërë një vrasje rrugës për në Kavajë. Kisha menduar që ta vrisja me anë të eksplozivit duke realizuar një bombë përzierje benzine, eksploziv dhe t’i bëja ndezje me celular. Për këtë kam blerë dhe një makinë tip “Fiat” për 850 euro. Këtë makinë e kam lënë në Durrës, tek një shok imi i quajtur Ndriçim Gjokona, nga Vlora. Ndriçimi është shok i Erion (Andon) Mëhillit dhe prej tij e kam njohur…. “

 

 Gjokona konfirmon dëshmitë e Sinanajt

Në materialin hetimor që posedon DITA thuhet më pas se “edhe Ndriçim Gjokona, në marrjen në pyetje në datë 19.01.2014, konfirmoi plotësisht deklarimet e shtetasit Julian Sinanaj”

Lidhur me rrethanat e vrasjes së shtetasit Sokol Veizi ai deklaroi se kishte qenë bashkë me Andon (Erion) Mëhillin duke ndëjtur në një lokal në Vlorë, në pritje të të mësuarit prej Julian Sinanit, të realizimit të vrasjes, me anë të të dërguarit të ziles në telefon të Andonit (Erionit). Gjithashtu Ndriçim Gjokona konfirmoi shpjegimet e shtetasit Julian Sinanaj edhe në lidhje me marrjen përsipër të tij të vrasjes së një biznesmeni në Durrës, dhe veprimeve që kishte ndërmarrë për këtë qëllim – thuhet në materialin që më pas u përdor para Gjykatës për të kërkuar “arrest me burg pa aaft” si masë sigurie për personin nën hetim Andon (Erion) Mëhillaj.

Më shumë, sot në DITA

Aida Nako February 25, 2014 02:01
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*