Pirgu i Tikut!

Artur Qoraj / Erion Habilaj January 26, 2014 14:28

Pirgu i Tikut!

Redaksionale

Prokuroria e Përgjithshme ndodhet në muajt e sprovës së madhe. Numërohen 24 kallëzime penale të bujshme në harkun kohor të dy viteve në Prokurori, ku mbi 80 për qind e tyre i përkasin pesë muajve të fundit. Por ajo që bie në sy, është fakti se disa prej dosjeve që konsiderohen ‘patate e nxehtë’ janë rikthyer në padi penale për të dytën, apo të tretën herë. Kurse gjykimi, pa asnjë lloj zvarritjeje, ka nisur vetëm për kryebashkiakun e Vlorës, Shpëtim Gjika, për 2 leje ndërtimi. Hetimet u mbyllën brenda disa muajsh, madje brenda afateve. Bie në sy dosja e ‘pallatit të Bashës’ me 3 denoncime radhazi, çështja e “Albpetrolit” po me kaq kallëzime penale dhe ajo e Ministrisë së Mbrojtjes, ndaj ish-ministrit Imami. Vihet re se aty ku ka përsëritje denoncimesh, më parë kanë qenë të depozituara nga ish-opozita dhe aktualisht në rrugë zyrtare prej saj, pasi PS erdhi në pushtet. Për rastin e ‘pallatit të Bashës”, prokuroria i ka djegur të paktën dy herë afatet e hetimit, ndërsa ndodhet në limitet e saj për denoncimin e fundit më 3 dhjetor. Edhe për “Albpetrolin”, janë djegur afatet e hetimit dhe mbyllur dosja për dy denoncimet e para, ndërsa janë nën hetim dosjet e fundit që përfshijnë evazionin dhe veprimtarinë e “Taçi Oil”.

Dosje të pushuara, ose ku nuk është nisur fare hetim, janë edhe ato të denoncimit të vajzës së ish-kryeministrit Berisha, Argita Malltezi, për aferën e dyshuar me biznesmenin Ansar, që e denoncoi publikisht. Në të njëjtën mënyrë është vepruar me çështjen e “Sheshit Skënderbej”, ku akuzohej kryebashkiaku Lulzim Basha dhe çështjen e parkimit të nëndheshëm te “Sheshi Italia”, po me objekt akuze kryebashkiakun, dosje që u mbyllën nga prokuroria. Por ka edhe dosje penale, të cilat prokuroria i ka ndjekur dhe dërguar në afat për arrestim, hetim apo dhe gjykim, si rasti i kryebashkiakut Xhelal Mziu, apo skandali i Gjykatës së Pukës. Aktualisht, dosjet e depozituara nga shtatori, deri në dhjetor, kur daton e fundit, kanë kohë edhe 1-5 muaj afat hetimi. Duhet theksuar se në dosjet e mëparshme me emra VIP-ash në politikë dhe biznes, kryeprokurori Adriatik Llalla dhe vartësit e tij, nuk kanë qenë në gjendje të mbajnë peshën e presionit të brendshëm dhe të jashtëm politik apo publik, duke i lënë të zvarriten apo në heshtje, disa prej çështjeve që konsiderohen si problematike. Ndaj këto dy muajt e ardhshëm, konsiderohen si sprova më e vështirë për të. Sepse dosjet që ka aktualisht institucioni i akuzës, përfshijnë emra të tillë si vjehrrin e kreut të opozitës Lulzim Basha, për çështjen e pallatit, ish-ministrin Arben Imami, ish-zëvendësministrin Ferdinand Poni, manjatin e naftës Rezart Taçi dhe familjen e tij, krerë të PD-së në rrethe që mbanin poste të larta, kryebashkiakë, ish-drejtorë policie, gjyqtarë, prokurorë dhe zyrtarë të tjerë. Mes dosjeve edhe ajo e 21 Janarit, e ringritur nga e para.

Me siguri që as mund të imagjinohet një “dorë e fortë” nga ana e prokurorisë muajt në vazhdim. Adriatik Llalla e ka humbur ritmin, ose për hir të së vërtetës duhet thënë se e ka ruajtur ritmin, prokuroria shqiptare prej më shumë se një dekade vuan stanjacionin dhe mbart vetinë e paaftësisë së goditjes në rangje politike.

Duket se dhe vetë politika ka qenë e interesuara e parë që ky ritëm të mbetet kështu, pasi Kuvendi ka të gjitha instrumentet që të monitorojë dhe të mbikëqyrë punën e prokurorisë, ekzekutivi nga ana e tij ka pasur edhe zyra të posaçme që si rregull duhej t’i kishin audituar këto dosje të prokurorisë. Por nuk ka ndodhur.

Përtej dosjeve të bujshme, prokuroria shqiptare ka çeduar sidomos edhe në deformimin e sistemit të karrierës brenda saj. Prokurorë që kanë çuar në gjyq ish-ministra dhe kanë qenë përcaktues në hetimin e tyre sot rezultojnë të zhgraduar dhe të ulur në detyrë. E kundërta ka ndodhur me ata prokurorë që kanë “dyllosur” dosjet e korrupsionit, ata bëjnë lart e më lart.

Asnjë hetim parlamentar nuk është ndërmarrë për mënyrën se si promovohen prokurorët dhe si gradohen ata.
Por prokuroria nuk është e painfektuar as nga një simptomë që ka kapur me kohë dhe gjykatat shqiptare: Tolerimin e korrupsionit të zyrtarëve të lartë shoqëruar me shtrëngimin dhe shpesh gjobëvënien ndaj qytetarëve të thjeshtë që u bie halli tek dera e prokurorisë.

Sot, “dosjet e Tikut” janë pirg, por nuk janë këto dosje problemi, e gjithë ngrehina e prokurorisë shqiptare ka mbetur pirg prej më shumë se një dekadë. Reformimi i saj kërkon një vullnet të hekurt, sidomos politik, do ishte e padrejtë t’ia kërkonim akoma Adriatik Llallës këtë rezultat që do duhej ta shkundte organin e akuzës. Ai është aty për të mbajtur ritmin, kur ritmi të ndryshojë, ai me siguri do e kuptojë i pari se një prokurori profesionale “nuk është vallja e tij”.

* * * *

24 dosjet VIP të korrupsionit të zyrtarëve të lartë që testojnë Prokurorinë

Organi i akuzës ka në dorë ‘patatet e nxehta’ që në sytë e opinionit publik mund ta shndërrojnë në heroinë ose të dështuar në hetimin dhe dërgimin para gjykatës të emrave të njohur të politikës, administratës dhe jetës publike. Shumë dosje të ish-qeveritarëve janë mbyllur, në gjyq vetëm socialisti Gjika, të tjerat në proces. Ja afatet që kanë denoncimet, kush akuzohet dhe për çfarë. Basha u fal dy herë, edhe Argita. Albpetroli u zvarrit. Cili do jetë fati juridik i ish-ministrit Imami, zëvendësministrit Poni, vjehrrit të Lulzim Bashës, kryebashkiakut Mziu, “Belle Air”, ish-drejtorit të Policisë së Shtetit, dosjes së 21 Janarit apo manjatit të naftës Rezart Taçi?. A do dërgohen në gjyq zyrtarë të lartë të ish-qeverisë?

Fluks i madh dosjesh të depozituara në Prokurori për akuzat e korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës nga zyrtarët e nivelit të lartë, përfshirë edhe biznesmenë të njohur apo njerëz të politikës. Numërohen 24 kallëzime penale të bujshme në harkun kohor të dy viteve të fundit, ku mbi 80 për qind e tyre i përkasin pesë muajve të fundit. Të denoncuarit janë emra VIP në politikë, administratë, biznes dhe jetën publike. Disa dosje janë mbyllur, disa ripërsëritur kallëzimet penale, të tjerat në limitet e afateve dhe disa të finalizuara. Kurse nga këto, vlen të përmendet se për gjykim nga të 24 dosjet, gjyqi ka nisur për kryebashkiakun e Vlorës, Shpëtim Gjika, për dy leje ndërtimi të lëshuara, që dyshohen si të paligjshme dhe me falsifikime dokumentacionesh.

31 tetor 2011, padi për sheshin Skënderbej

Punimet në sheshin “Skënderbej” kanë përfunduar në dyert e prokurorisë. Kjo pasi këshilltarët socialistë në Këshillin Bashkiak të kryeqytetit kanë paditur kreun e bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, për shpërdorim të detyrës dhe abuzim me prokurimet publike. Por në kohë rekord, prokuroria nuk e mori parasysh denoncimin, duke vlerësuar se nuk ka elementë të veprës penale dhe dosja u mbyll.

 

2 korrik 2012, kallëzim Bashës për ‘Sheshin Italia’

Kreu i grupit të këshilltarëve socialistë në Bashkinë e Tiranës dorëzoi një tjetër padi ndaj kryetarit Lulzim Basha, për shkelje të ligjit në dhënien me koncesion të truallit në sheshin “Italia”, ku do të ndërtohet parkingu nëntokësor. Prokuroria e mbylli këtë dosje me procedurë, në kohën që u bë gati thirrja në pyetje e kryebashkiakut të Tiranës.

 

2012, INUK denoncon ‘pallatin e Bashës’

Pas një kontrolli të ushtruar në terren dhe dokumentacion në Ujin e Ftohtë, godina që po ndërtohej nga Isuf Xhaferi, vjehrri i Lulzim Bashës, dhe ortaku i tij, kreu i INUK, Gjergj Bojaxhi, paditi në prokurori ndërtimin e paligjshëm dhe me shkelje të shumta të “Kompleksit Jon”. Por pas pak muajsh, në 2012, dosja u mbyll nga Prokuroria e Vlorës pa autorë, duke thënë se nuk ka shkelje në ndërtimin e objektit. Afatet për këtë dosje kanë kaluar.

 

20 janar 2013, PS denoncon Argita Malltezin

Partia Socialiste i kërkoi prokurorisë të niste hetimet për vajzën e kryeministrit Sali Berisha. Në një deklaratë për median, deputetja socialiste Ermonela Felaj deklaroi se Argita Malltezi (Berisha), ishte përfshirë në një aferë të dyshuar, duke kërkuar ryshfet nga biznesmeni arabo-norvegjez Ansar, i cili e denoncoi edhe me zë dhe figurë këtë aferë. Denoncim bëri edhe deputeti socialist Balla, por nuk pati asnjë hetim nga organi i akuzës. Afatet për këtë dosje janë djegur.

 

Shkurt 2013, nis hetimi për Gjikën

Në muajin Shkurt 2013, prokuroria nisi hetimet për dy leje ndërtimi të lëshuara në favor të dy firmave private për pallat. Pas verifikimit të dokumentacionit, më 27 tetor, pas 7 muajsh hetimesh, Prokuroria e Përgjithshme njoftoi se Shpëtim Gjika ishte i pandehur për këtë dosje, për shpërdorim detyre. Kryebashkiaku socialist mohoi akuzat, ndërsa në muajin nëntor dosja shkoi për gjykim dhe procesi vijon në Tiranë.

 

20 shkurt, Braçe denoncon privatizimin e Albpetrol

Deputeti socialist Erjon Braçe ka dorëzuar në Prokurorinë e Tiranës një kallëzim për ndjekje penale ndaj anëtarëve të komisionit vlerësues të ofertave dhe konsulentit “Patton Bogs”, që administruan tenderin e dështuar për privatizimin e “Albpetrol”. Bëhet fjalë për dështimin e privatizimit dhe mosderdhjen e garancisë 85 milionë euro nga Taçi-Oil si fitues i tenderit. Prokuroria nuk ka asnjë veprim konkret, edhe pse po bëhet një vit. Ka kaluar afati për akuzë dhe gjykim.

 

17 qershor, Imami denoncohet për reklamat

Përsëri deputeti socialist Erion Braçe, denoncoi me dokumente konkrete spotet e Ministrisë së Mbrojtjes dhe ish-ministrit Arben Imami për dëmin 1 miliardë lekë. Prokuroria nuk bëri asnjë hetim, derisa ministrja aktuale Mimi Kodheli e çoi po këtë dosje në prokurori, këtë herë si zyrtare dhe organi i akuzës nisi një hetim konkret. Prokuroria në shumë raste nis hetime edhe kryesisht kur bëhet fjalë për korrupsion dhe abuzime.

 

8 gusht, Braçe përsërit denoncimin për Albpetrol

Pasi kishin kaluar rreth 7 muaj nga denoncimi i parë për privatizimin e Albpetrol si një aferë të dyshuar me shkelje të rënda, deputeti socialist Erjon Braçe përsëriti denoncimin ndaj prokurorisë, duke i kërkuar shpjegime për hetimet e kryera. Çfarë ka bërë kryeprokurori me dosjen e “Albpetrolit”?, pyeti Braçe, ndërkohë që theksoi se arkës së shtetit iu shkaktuan 85 milionë euro dëm ekonomik. Afatet drejt skadimit.

 

27 shtator, fondet e invalidëve shkuan në fushatë

Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë deklaron se fondet e aftësisë së kufizuar janë përdorur për fushatë elektorale ndaj personat me aftësi të kufizuara kanë pasur vonesa të herëpashershme të pagesave të tyre mujore. Dosja për këto abuzime i është referuar Prokurorisë së Tiranës, me të dyshuar zyrtarët e lartë të dikasterit. Ministri Erion Veliaj vuri në dukje se ka një letër-këmbim mes Kserës dhe Bodes ku pranohet se lekët nuk ekzistojnë. Edhe dy muaj afat hetimi.

 

Shtator, seriali i dosjeve të ndihmës ekonomike

Shërbimi Social Shtetëror ka përfunduar kontrollin në skemën e ndihmës ekonomike dhe pagesave të personave me aftësi të kufizuar në 289 njësi vendore, ose në 75% të tyre në rang vendi, ndërsa ka konstatuar një sërë shkeljesh dhe abuzimesh. Dosja me abuzimet për çdo njësi i është referuar prokurorisë për hetime dhe penalizimin e përgjegjësve. Mes tyre edhe abuzimet në bashkinë e Kamzës, e cila ka një dosje tjetër nën hetim për tenderë. Edhe dy muaj afat.

 

7 tetor, denoncohet ish-ministria e Kserës

Në qendër të ciklonit vihet ish-ministri Spiro Ksera dhe vartësit e tij. Abuzimet me fondet publike, falsifikime, trafik vizash, dietat dhe reklamat i shkojnë prokurorisë për hetime ndaj ish-Ministrisë së Punës. Tetë zyrtarë të lartë u akuzuan, dy u arrestuan dhe të tjerët në kërkim. Aktualisht një dosje është në gjykim me 5 ish-zyrtarë, mes tyre edhe ish-shefi i kabinetit Kleves Bitro dhe ish-Sekretari i Përgjithshëm. Dosja nën hetim me emra konkretë.

 

23 tetor, merr udhë skandali i Tatimeve

Ministria e Financave dorëzoi në Prokurorinë e Tiranës kallëzimin penal për tetë zyrtarë të lartë të administratës tatimore, mes tyre edhe dy ish-drejtues, si dhe 11 kompani. Pak ditë më pas edhe një tjetër dosje me 8 biznesmenë që kishin ngritur firmat fantazmë. U arrestua ish-drejtoresha e Tatimeve të Tiranës dhe një vartës i saj, 5 në kërkim, janë arrestuar edhe katër biznesmenë, 5 të tjerë në kërkim. Dëmi shkon mbi 30 milionë dollarë në rimbursimin e TVSH-së.

 

3 nëntor, denoncohet përsëri ‘pallati i Bashës’

INUK denoncoi përsëri ndërtimin e paligjshëm të pallatit në pronësi të vjehrrit të Lulzim Bashës, kreut të opozitës. U kërkua bllokimi dhe më pas shembja, por gjykata pengoi procedurat. Një muaj më pas u bë një tjetër dosje me kallëzim penal nga Ministria e Brendshme, me 50 zyrtarë dhe ish-zyrtarë nën akuzë, ku u evidentua edhe falsifikimi i firmave të dy personave që kishin vdekur, pronarët e truallit. Nuk ka asnjë të arrestuar për këtë skandal. Edhe tre muaj afat.

 

26 nëntor, skandali i korrupsionit në drejtësi

Emisioni investigativ “Fiks Fare” publikoi një seri skandali në drejtësi për korrupsion. U arrestuan prokurori, gjyqtari, kancelarja e gjykatës dhe sekretarja, shoferi dhe dy avokatët. Prokuroria ka dosjen ende nën hetim, por gjykata zbuti masat ndaj të dyshuarve për korrupsion. Liroi prokurorin dhe gjyqtarin dhe la në qeli të tjerët. Ndërkohë që gjyqtari dhe prokurori janë përjashtuar nga detyrat që kryenin dhe nën procedim. Dosja me emra konkret të pandehurish.

 

2 dhjetor, denoncohet Ferdinand Poni

Merren në pyetje për shpërdorim detyre ish-zëvendësministri i Brendshëm, Ferdinand Poni dhe ish-këshilltari mediatik. Dosja i kaloi prokurorisë me akuzat përkatëse. Bëhet fjalë për disa tendera të zhvilluar më parë, për të cilët pas inventarit të Auditit nuk gjenden një pjesë e mirë e materialeve në Gjendjen Civile dhe zyra të tjera të institucionit. Nuk dihet ende se çfarë veprimesh janë kryer nga prokuroria, pasi dosja mbahet nën sekret. Edhe katër muaj afat hetimi.

 

3 dhjetor, denoncimi i tretë ndaj ‘Kompleksit Jon”

Ministria e Brendshme i ka dërguar Prokurorisë së Vlorës një kallëzim penal ndaj kompleksit “Jon”, i njohur ndryshe si “pallati i vjehrrit të Bashës” në zonën e Ujit të Ftohtë. Kallëzimi penal është ngritur mbi shkeljet e konstatuara gjatë periudhës së verifikimit. Përfshihen vendime Gjykate, Hipoteke, Bashkie, KRRT-je, të INUK dhe të tjera, deri te falsifikimi i letrave për truallin dhe trashëgiminë. Por pas gati dy muajsh nga kjo dosje, nuk ka asnjë arrestim.

 

4 dhjetor, rihapet dosja “21 Janari”

Prokuroria e Tiranës ka rinisur hetimet për dhunën e ushtruar ndaj protestuesve nga Policia e Shtetit më 21 janar 2011, plagosjen e 6 protestuesve nga Garda dhe vrasjen e pazbardhur të Aleks Nikës. Hetimet po kryhen bashkë me Policinë e Shtetit dhe janë përqendruar më shumë tek dhuna ndaj protestuesve nga policia, sesa tek refuzimi i arrestimeve nga Policia për 6 gardistët, plagosjet dhe vrasja e Aleks Nikës. Edhe katër muaj kohë për rezultate konkrete.

 

7 dhjetor, prokuroria nis hetimin e ‘Belle Air’

Më 24 nëntor ‘Belle Air’ mbylli befasisht fluturimet, kërkoi faliment, edhe pse kishte prerë 60 mijë bileta udhëtarësh. Prokuroria e Përgjithshme vendosi të nisë hetime kryesisht për çështjen duke mbledhur dokumentacionin, pasi kishte vepër penale mashtrimi dhe shkeljesh. Por Gjykata e Tiranës duket se i hapi rrugën mbylljes së dosjes, pasi lejoi falimentimin e kompanisë pas kërkesës së depozituar. Pritet si do veprojë organi i akuzës pas vendimit të gjykatës.

 

9 dhjetor, denoncohet ish-ministri Arben Imami

Ministria e Mbrojtjes denoncoi në Prokurorinë e Përgjithshme për korrupsion, ish-ministrin Arben Imami si dhe 4 ish-zyrtarë të Komisionit të Ofertave. Bëhet fjalë për spotet publicitare të tenderuara me preferencë dhe jo publikisht, me vlerë 1 milionë dollarë, të dhëna kompanisë ‘Promo’ të Frangajt. Prokuroria e Tiranës po kryen hetimet e para ndaj zyrtarëve dhe nëse ka elementë, e përgjithshmja do hetojë Imamin, për shkak se është deputet.

 

11 dhjetor, kallëzim edhe drejtorit të Doganave

Drejtoria e Doganave, kërkoi ndjekje penale për ish-drejtorin Flamur Gjymishka. Kallëzimi penal është depozituar në prokurorinë e kryeqytetit, Task-Forca, për shpërdorim detyre. Bëhet fjalë për një zinxhir drejtuesish në dogana që janë të përshirë në këtë abuzime, duke përfunduar tek ish-drejtori i përgjithshëm i Doganës. Kryesisht evazion fiskal nga kompani që favorizoheshin, duke i shkaktuar dëm ekonomik arkës së shtetit, si skandali i “ADA Petrol”. Edhe katër muaj afat.

 

13 dhjetor, denoncohet ish-drejtori i Albpetrol

Ferdinand Murati, ish-administratori i “Albpetrol”, njëherësh kryetari i PD në Fier, është kallëzuar penalisht në prokurori, pasi një raport auditi e ka nxjerrë me abuzime të rënda. Akuza është shpërdorim detyre dhe vjedhje. Gjatë kontrollit janë evidentuar mungesa në sasinë e naftës bruto prej 2965 tonë, me vlerë 1221580 USD. Diferenca e mësipërme përbën shkelje të disiplinës financiare me dëm ekonomik, e konstatuar dhe nga kontrolli i KLSH.

 

15 dhjetor, edhe Hysni Burgaj nën akuzë

SHKB e Ministrisë së Brendshme denoncoi në prokurori ish-drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Hysni Burgaj dhe ish-zv/drejtorin Rasim Borishi, por edhe 8 anëtarët e komisionit të ofertave. Bëhet fjalë për një dëm prej 3,1 milionë dollarësh në reklamat e shpërndara në mënyrë preferenciale për një kompani, me rastin e liberalizimit të vizave në 2010. Burgaj ka deleguar kompetencat në mënyrë të paligjshme. Çështja ende nën hetim, nuk ka ende të pandehur.

 

21 dhjetor, arrestohet Xhelal Mziu

Kryebashkiaku i Kamzës, Xhelal Mziu, u arrestua nën akuzën e shpërdorimit të detyrës për një tender rruge në aksin Valias i Ri-Laknas, me vlerë 81 milionë lekë. Nën akuzë edhe drejtori i Drejtorisë Juridike të kësaj bashkie, Atli Hoti. Mziu nuk lejoi firmën fituese të bënte punimet, por ia dha tenderin një firme tjetër. Pas rreth një muaji paraburgim, Gjykata e Apelit e liroi, duke zbutur masën e sigurisë, pavarësisht se prokuroria kërkoi burgim. Denoncimi ishte bërë prej muajit gusht.
22 dhjetor, denoncohet edhe Rezart Taçi

Sipërmarrësi Rezar Taçi, i njohur për veprimtarinë e tij në fushën e naftës dhe karburanteve, si dhe disa familjarë e bashkëpunëtorë të tij, janë denoncuar pas një hetimit të drejtorisë së krimit ekonomik të policisë, pasi dyshohen për evazion fiskal, mashtrim dhe falsifikim dokumentesh, për vlera disa miliona eurosh. Denoncimi u bë nga Doganat me një dosje voluminoze ku përfshihet transaksioni i parave duke anashkaluar autoritetet si dhe shitja e kompanisë, duke mos shlyer detyrimet. Prokuroria vijon hetimet, por nuk ka marrë ende të pandehur Taçin.
 

Artur Qoraj / Erion Habilaj January 26, 2014 14:28
Komento

12 Komente

  1. Çun'i Zefit January 26, 08:06

    Pirgu i Tikut
    Canta e Takut
    Shqiperia
    Vend merakut

    Reply to this comment
  2. nori January 26, 13:57

    Eshte detyre e te gjitheve te izolojme Sali Tritolin

    Reply to this comment
  3. lavdosh January 26, 15:18

    Zgjedhja eshte kerkim llogaria nga komisione parlamentare dhe auditimi
    Rama nuk ka se cfare pret me
    Me tritolin kudo, policia, prokuroria dhe Shish duhet te bashkerendojne veprimet dhe jo te punojne per kryerrumpâllen Berisha
    Eshte urgjente permiresimet ligjore dhe pse jo ndryshime njerezish ne keto poste

    Reply to this comment
  4. feniks January 26, 15:39

    A nuk e kuptoni se ky PROKURORI I PERGJITHSHEM ESHTE DORA E Sali Berishes???
    Zgjidhja e vetme eshte:
    -HAPNI DOSJEN PENALE PER KETE LLALLEN dhe cojeni ne BURG PER “SHPERDORIM DETYRE”!!!

    Reply to this comment
  5. Horri i Bulevardit January 26, 16:33

    Mazhoranca me votat qe i ka, plus dhe disa vota qe do i shtohen, ne qoftese behet votimi i fshehte, nga krahu i djathte, duhet urgjentisht te shkarkoje nga detyra, Presidentin mbasi ti behet nje oferte per dorheqje, kryeprokurorin mbase ti behet nje kerkese per dorheqje, kryetaret e Gjykates se Larte dhe asaj te Apelit, mbasi edhe ketyre ti behet nje oferte per doreheqje, si dhe kreun e SHIK-ut, mbasi ti behet edhe ketij, oferta per dorheqje.
    Keta qe une kam rradhitur, jane ngerci, qe pengon drejtesine te marre fryme lirisht.
    Mbasi keta qe permenda te nderrohen efhe me dhune, me votat qe mazhoranca i ka, krijohen kushte per Arrestimin e Familjes Berisha dhe te forteve te ish qeverise se shpellareve.
    Shqiptaret kerkojne drejtesi dhe drejtesia fillon te koka e krimit

    Reply to this comment
  6. MARKO January 26, 16:35

    Nga dhalle, u be hirre, ka ndej shume dhe u be shurre…

    Reply to this comment
  7. Dashnor Kozaj January 26, 18:29

    Per Kryeministrin , Edi Rama .

    Cfare pret me .
    Shteti te ka falimentuar .
    Shpall gjendjen e jashtezakonshme .
    Shkarko, me ceremoni force demokratike ,Presidentin Eunuk,ne baze te votave qe disponon ne Parlament .
    Shkarko :
    Prokurorin Pergjithshem,
    Kreun e Sh.I.SH. it.
    Kryetarin e Gjykates se Larte me gjithe kryetaret e gjykatave ne gjithe
    Shqiperine .

    Edi Rama . Une e di qe nuk i bene dot tani per momentin,se nuk te lejon Ilir Meta .
    Ke mandatin nga populli me votat qe more,meqenese puna nuk po te ecen,
    je i detyruar te kerkosh ndihmen e popullit.
    N.q.s. nuk ben kete, ju z. Edi Rama, ke nje rruge, ate te kapitullimit me turp,dhe Shqiperia nuk rrgullohet me, te pakten per brezin tone .

    E detyrueshme, eshte shpronesimi i banditeve te shtetit dhe politikes shqiptare .
    Ketu duhet te filloje ,
    R I L I N D J A .

    Reply to this comment
  8. sadik \\\\Malaj January 26, 18:39

    nuk ilejon BERISHA te arrestojne as te gjykojne asnji njeri, prandaj veproni, VOTAT I KENI O QYPA!!!

    Reply to this comment
  9. Qetsori January 26, 19:34

    Pershendetje Qorraj @ Habilaj, PER ANALIZEN KORREKTE E TE PERGJEGJESHME !
    Per kete skaner te ceshtjeve qe tregojne se EDI RAMA, nuk ka bere asgje me perjashtim te disa “aksioneve me goditje te perqendruara” te mesuara nga koha e RAHMETLIUT.
    Nuk ka bere asgje nga ato per te cilat ne i dhame voten.
    Une kam besuar fort, madje besoj ende se RILINDJA eshte filozofi dhe nje menyre e re te menduari e vepruari, ne pajtim me interesat jetike te popullit brenda, standarteve demokratike. Ne themel te saj qendron riparimi, permiresimi dhe rringritja e gjithshkaje te ndertuar gabim, pasi te jete shkaterruar mendimi rregresiv e i mbrapshte i politikaneve dhe nepunesve te korruptuar.
    Eksplozivin nuk duhej ta vinte ZYHDI DAJTI, por Adriatik Llalla, Populli pret. Ama po ju sos durimi, dijeni mire ju drejtuesit e RILINDJES se nuk do te kete pune me Saliun, Lulin e Nishanin. Do te merret s eriozisht me Ty-Edi Rama, me Ty-Ilir Meta, me Ty-Sajmir Tahiri dhe me gjithe ministrat e deputetet e majte.
    Leri o EDVIN, inspektimet e tipit Mehmet Shehu se ty nuk e ben dot vezen e atij burri, por dihet qe ne shtepine e pijanecit shishe bosh do gjesh, sikurse ne shtepine e kurves do gjesh perzervative.
    Merru me hartimin dhe realizimin e reformave jo me inspektimet ne ngrehinat e zyrave te hajduteve dhe pushtave te Saliut. Ato jane gjerat me te lehta dhe detyre e pergjegjesi e prefekteve.
    Ndaj gishtin kokes o Rilindas ! Pritshemire nga Ju, sa kohe kalon, aq me shume rriten.
    Erdhi qershori, cdo ti thoni popullit po s’ua dhane statusin ? Dotu thoni prape se s’donin evropianet ?

    Reply to this comment
    • Pëllumb zaimi January 27, 00:59

      Qetsori? Më pëlqeu komenti juaj. Qellon në shënjë dhe jo me plumba militantesh por me plumbat e se vërtetës. Kam shume ndrojtje se cdo gje më në fund do te kete vulen dhe firmen e oportunizmit dhe te pacifizmit te shpifur socialist! Vulen më duket se e mban “katovica shqiptare”!? Nderime qetsori!

      Reply to this comment
  10. Euro Maloku January 26, 20:41

    Jo dhalle qe eshte bere,po uje fare

    Reply to this comment
  11. As January 26, 22:44

    E merr rrogen te plote ky Tiku qe s’ben pune

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*