26 korrik 2016

July 26, 2016 01:44

26 korrik 2016

Nga Viktor Malaj

“Se kush jeni ju e tregojnë ato që bëni dhe jo ato që thoni se do të bëni”/Karl Jung*

Jashtë asaj që unë kisha menduar më parë, Projekt-reforma e Drejtësisë u miratua në parlament. Për mua, miratimi dhe, sidomos, zbatimi i saj nuk mund të jenë “revolucion paqësor” si e quajti Kryeministri por, gjithsesi, do të jetë më mirë se ç’është sot. Një e mirë e madhe e këtij miratimi është fakti se do i japë një shtysë më të madhe procedurës së pranimit të Shqipërisë në BE. Por, ka edhe një të mirë tjetër, pak ose fare pak të përmendur këto ditë: gjithë procedura e formulimit dhe miratimit të Projekt-Reformës në drejtësi nxori cullak fytyrën dhe moralin e vërtetë, jo vetëm të klasës politike shqiptare, por edhe të skalionit propagandistik të vendit. 1-

Ata që u rreshtuan qysh në fillim kundër reformës dhe që nuk lanë gur pa lëvizur për ta sabotuar atë, ata po paraqiten dhe vetëshiten si “autorët e reformës”. Bërja e reformës në drejtësi ka qenë një nga premtimet e shumicës në pushtet dhe, kryesisht, e PS-së. Duke e ditur vështirësinë e miratimit të saj nga opozita, qeveria aktuale e gjykoi të arsyeshme të kërkonte ndihmën e misioneve përkatëse të SHBA dhe BE. Me kontributin e tyre dhe të dy qeverive përkatëse u arrit të përgatitej një projekt i cili nuk ishte i përsosur që në fillimet e tij.

Opozita shqiptare, qysh në fillim u pozicionua kundër reformës me pretekstin se atë po e bënte Rama (a thua se nuk kishin qenë në Shqipëri dhe nuk i kishte pasur mundësitë për 25 vjet për ta bërë vetë) dhe se “reformën e vërtetë do e bëjë PD kur të vijë në pushtet” (L.Basha). Pasi braktisi pjesëmarrjen në komisionin përkatës, opozita u ndodh përballë diplomacive amerikane dhe evropiane që deklaruan se, “ky është projekti ynë…”. Menjëherë, pas këtij pohimi, filluan thirrjet për “revolucion, rrëzimin e qeverisë, bojkotim të parlamentit…” etj. Duke mos gjetur dot rrugëdalje, opozita u bë pjesë e komisionit dhe, pak më vonë, pretendoi se ishte meritë e saj që ishin bërë 33 ndryshime dhe projekti ishte bërë demokratik. Me gjithë këto vetëlavdërime ajo nisi kundërshtimin e miratimit të projektit me pretekstin se, “Rama po përpiqet të fusë në dorë drejtësinë”. Dhe mirë e kishin, se s’mund të thoshin atë që ndienin dhe i shqetësonte, se Rama do të na heqë nga dora drejtësinë e korruptuar me vullnetin tonë. Ishte drejtësia e tyre që i kishte lodhur dhe neveritur shqiptarët, prandaj 91% e tyre kërkonin reformimin e sistemit. Mirëpo, siç thoshte z.Arben Meçaj, përballë kërkesës popullore ishte vënë “struktura”. Kjo strukturë e ngritur me një mijë hilera dhe paligjshmëri ishte e shtrirë në vetë drejtësinë, Këshillin e Lartë të Drejtësisë (me Presidentin që komandonte emërimet dhe shkarkimet), Prokurorinë e Përgjithshme, e cila e kundërshtoi hapur projektin, në SHISH dhe në media. Fijet e të gjithë strukturës i luante arkitekti i saj, i cili pa këtë strukturë kriminale do të ishte një qytetar i zakonshëm dhe, madje, i izoluar nga shoqëria.

Rezistencën e krejt strukturës dhe arkitektit të saj ndaj reformimit përmbysës të status quosë, ne e dënojmë kur i konsiderojmë ata si bashkëqytetarë tanët dhe zyrtarë shqiptarë që janë paguar e paguhen për të na shërbyer. Mirëpo, ne duhet t’i mirëkuptojmë qëndrimet e tyre, kur dimë se kush janë dhe çfarë kanë bërë tash 25 vjet. Në rezistencën e tyre ndaj reformës, ata zgjodhën të hiqen si dashnorë të saj dhe, nga ana tjetër, të punojnë fort për ta penguar atë nëpërmjet kërkesave të herëpashershme që shpiknin. Ata besonin se kërkesat do iu refuzoheshin nga shumica dhe këtë do ia shisnin popullit si përpjekje për vendosjen e diktaturës. Për ta, reforma ose duhej bërë e tillë që të mos ua rrezikonte të ardhmen për shkak të së kaluarës së tyre kriminale, ose nuk duhej bërë fare, duhej sabotuar. Dhe, deri në një farë shkalle, ia kanë arritur.

Me fushatën e tyre shpifëse, i thoshin popullit se Rama nuk do as reformën dhe as konsensusin. Kjo binte në kundërshtim me pohimin se me kërkesën e tyre shumica kishte bërë 33 ndryshime të projektit fillestar. Mirëpo, kundërshtia në deklaratat që bëjnë nuk u bën përshtypje, sepse shpifjen dhe gënjeshtrën i kanë zgjedhur si armë efikase për të bërë politikë. Nga ana tjetër, të huajt pohonin se, “Në 9 korrik e zgjidhëm paragrafin 88… Rama iu ofroi atyre saktësisht atë që Basha kishte kërkuar…” (Donald Lu) dhe se “Rama është i qartë prej disa kohësh… dhe ai do që të ecim përpara” (Knut Fleckenstein). Gjithashtu, ambasada amerikane deklaronte se, “Qeveria tregoi fleksibilitet por, në fund, opozita nuk bëri të njëjtën gjë”. Pas pretendimeve të nenit 88, opozita nxori pretekstin e “sovranitetit” në mënyrë që t’iu hiqte të huajve çdo mundësi ndikimi në realizimin e reformës. Kushdo që ka njohuritë elementare të së Drejtës Ndërkombëtare e di se kur një shtet kërkon të bëhet pjesë e një bashkësie shtetesh (jo vetëm në rastin e federatës apo konfederatës), siç janë BE dhe SHBA, një pjesë e sovranitetit delegohet tek Bashkësia. Kupola drejtuese e opozitës e dinte këtë dhe, madje kishte pohuar se, “vetëm të huajt mund ta pastronin peshkun nga koka”, (i tha Basha zotit Donald Lu). Qëllimi ishte sabotimi i procesit dhe këtij qëllimi iu përmbajtën deri ditën e fundit dhe, madje, deri në orën e fundit. Hipokrizinë e Bashës dhe atij që e drejtonte në prapaskenë, e thekson edhe deputetja Majlinda Bregu kur tha se, “E kemi kërkuar ne ndërhyrjen e ndërkombëtarëve… Drafti ka ndryshuar 90% me ndërhyrjet tona…”.

Faktin që opozita, e drejtuar në prapaskenë nga Sali Berisha, po sabotonte procesin, e tregojnë jo vetëm veprimet e tyre të kryera përpara popullit shqiptar, por e pohuan edhe të huajt që ndihmonin procesin, si dhe figura të spikatura të vetë PD-së. Zyrtari i lartë gjerman Ernst Reichel thoshte se, “Na lind seriozisht pyetja nëse opozita po përdor çdo pretekst për refuzim sepse ajo nuk e do reformën në drejtësi…”. Ambasada amerikane deklaronte se, “Basha ka paraqitur një kërkesë të re të papranueshme. Ky zhvillim i fundit na detyron të arrijmë në përfundimin se kjo është një përpjekje e qëllimshme nga kreu i opozitës për të bllokuar këtë reformë”. Besnik Mustafaj pohonte se, “PD…ka realizuar procese transformuese të Shqipërisë dhe, papritur, tani kërkon të sabotojë reformën në drejtësi… Pra, ka një mungesë sinqeriteti nga drejtuesit e PD-së…”.

Kur ndërkombëtarët e panë se opozita ishte e vendosur në misionin e saj sabotues, atëherë i bënë thirrje ndërgjegjes vetjake të çdo deputeti për ta votuar një projekt që “përmbush plotësisht standardet e Komisionit të Venecias dhe standardet evropiane” (Donald Lu). Ky ishte një dush i nxehtë në vapën e korrikut për sabotuesit e procesit që, me hipokrizi të skajshme, gënjenin popullin dhe partinë e tyre se ata kinse po kërkonin një projekt që të përputhej me kriteret e Komisionit të Venecias dhe asgjë më shumë. Madje, ambasadori amerikan tha se, “Z. Basha propozoi diçka që ai vetë e ka pranuar se është në konflikt interesi dhe jo në përputhje me paragrafin 61 të Opinionit Përfundimtar të Komisionit të Venecias”.

Të gjendur në vështirësi, kundërshtarët e reformës zgjodhën që, nga njëra anë, të kërcënojnë deputetët e vet se, po e votuan projektin, “do iu digjen mandatet” (L.Basha dhe S. Berisha) dhe, nga ana tjetër, mashtronin duke thënë se, “ne jemi në kontakt me autoritetet relevante në SHBA dhe ata janë me ne” (L.Basha). Me këtë dhe me fushatën fyese ndaj ambasadores Vlahutin donin të krijonin idenë se dy ambasadorët ishin korruptuar nga kryeministri dhe se nuk përfaqësonin opinionet e qeverive përkatëse. Por, nuk vonuan edhe reagimet e dy ministrive të jashtme që konfirmuan se zëri dhe mendimet e ambasadorëve janë në unison me qendrat që përfaqësojnë. Arma tjetër e të dëshpëruarve ishin thirrjet për destabilitet dhe “përplasje të pashmangshme të Ramës me popullin e vet” (L.Basha) nëse e dërgon projektin për miratim në parlament.

Ndërsa data e votimit po afrohej, ambasada amerikane hoqi dorë nga politika e “karotës” dhe nisi atë të “shkopit” duke kërcënuar qartë se, “Do të ketë pasoja specifike negative nga SHBA për ata udhëheqës politikë që do të votojnë kundër kësaj reforme… Ju siguroj se do të ketë pasoja të rënda dhe afatgjata” (Donald Lu).

Kujt tjetër i drejtohej ky kërcënim përveçse Bashës dhe tutorit të tij që e tërhiqte për hunde nga prapaskena? Kaq hipokrit dhe i paskrupullt shfaqej ky njeri, ky individ politik që e kishin emëruar kryetar partie, e kishin bërë kryetar bashkie me vota të falsifikuara dhe që i kishte shpëtuar burgut për shpërdorimin e 230 milion eurove nëpërmjet kapjes së gjykatave, saqë propagandonte se “Rama është armiku i drejtësisë së pavarur… ne duam t’iu japim shqiptarëve drejtësinë që meritojnë”. Por, drejtësia që iu kishin dhënë shqiptarëve ai dhe kapoja i tij, ishte kjo që kemi sot dhe kundër së cilës ishin 91% e shqiptarëve.

Projekt-reforma u miratua dhe u votua nga të gjithë deputetët shqiptarë, si nga ata që e donin dhe nga ata që e urrenin. Pse? Sepse kundërshtarët e reformës u gjendën “të rrethuar”. Nga njëra anë ishte vendosmëria e SHBA-BE, nga ana tjetër iu fanepseshin 91% e shqiptarëve që donin të votohej projekti. Dhe, çfarë ishte vendimtare, pas deklaratave pro reformës të disa prej deputetëve të opozitës, blloku reformator siguroi më shumë se votat e domosdoshme. Në këto kushte, mosvotimi i tyre do të ishte vetëshkatërrues në aspektin e brendshëm dhe të jashtëm. Me votën e dhënë ata i shpëtuan vdekjes politike, por jo të qenit të sëmurë rëndë.

Merita e kryeministrit qëndron në faktin se qëndroi konsekuent deri në fund për miratimin e reformës dhe, nga ana tjetër, i futi kundërshtarët e reformës në grackë duke i ballafaquar me opinionin e brendshëm dhe të jashtëm. Dhe sabotuesit e reformës i humbën të dy këto opinione, pavarësisht mirësjelljes që shfaqin tani mbrapa disa zyrtarë evropianë dhe amerikanë. Për të pasur një ide të qartë rreth vlerave dhe moralit të kundërshtarëve të reformës, rreth raportit të interesave kombëtare dhe atyre vetjake në ndërgjegjen e tyre të sëmurë, mjafton të kujtojmë se kur evropianët thanë se, “mosmiratimi i reformës mund të sjellë pasoja të tmerrshme për Shqipërinë” (Fleckenstein) ata kërcënuan deputetët e vet nëse e votonin projektin. Ndërsa, kur SHBA i kërcënoi se do kishin pasoja vetjake të rënda dhe afatgjata, u vunë në rresht si delet drejt votimit “unanim”.

Gjatë gjithë procesit u vu re një qëndrim jo fort konsekuent dhe as i denjë i LSI-së. Nën maskën e konsensusit (ta kenë harruar që Kushtetuta 18-vjeçare në fuqi është miratuar pa konsensus?!); të pretekstit se “shumë deputetë nuk i njohin të gjitha nenet e projekt- reformës”, a thua se nuk kishin pasur kohë t’i studionin; kërcënimeve për qeveri teknike apo dorëheqje, nëse nuk e voton ky apo ajo projektin, kapedani i kësaj partie dëshmoi se miratimin e projektit e bëri “më shumë nga halli se nga malli”. Ai na krijoi bindjen se në rrethana të tjera, do të kishte votuar ndryshe. Në kohën që ndërkombëtarët, më se një herë, i konsideruan kërkesat e opozitës si të papranueshme dhe e stigmatizuan atë si sabotuese të reformës sepse “Z. Basha ka gjetur gjithmonë diçka për të refuzuar” (Donald Lu) dhe ky konkluzion u mbështet edhe nga ish-deputeti dhe ministri i PD-së B. Mustafaj, z. Meta na thoshte se “Opozita ka dhënë kontributin kryesor për kompromis…”. Madje, edhe ditën e fundit Meta u shpreh se ishte kundër votimit me SMS dhe nën kërcënim, mesazh që i drejtohej ambasadës amerikane. Nëse LSI nuk pozicionohet si duhet në spektrin politik dhe vazhdon të bëjë rolin e gruas që, ndërsa shëtit me burrin për krahu, ua bën me sy bandillëve që kalojnë aty pranë, atëherë publicistika, që e do të drejtën dhe të vërtetën, do ta paraqesë këtë parti më shumë si një kompani private që e përdor votën e zgjedhësve për konkurrim në tenderat politikë fitimprurës dhe jo si një formacion politik me ide dhe parime popullshërbyese.

Nga ana tjetër, kryeministri Rama duhet të tregohet më luajal dhe i qartë me partnerin politik në qeverisje dhe duhet të bëjë ato që thoshte deputeti E. Braçe. Ai duhet të marrë edhe mendimet e kësaj partie rreth problemeve të qeverisjes dhe, në bashkëmendim dhe bashkëveprim me të, të ndreqë disa të meta dhe gabime që vihen re në dikasteret e drejtuar nga ministra të të dy partive.

Një fenomen që ra në sy dukshëm gjatë “betejës” për reformën ishte edhe qëndrimi i një pjese të medias. Ky qëndrim evidentoi faktin se të këqijat e vendit nuk janë vetëm produkt i politikanëve, por edhe i atyre propaganduesve të përditshëm vizivë dhe të shkruar që kanë si mision mashtrimin e popullit, qoftë për shkaqe emocionale, ashtu edhe për mungesë të madhe të formimit intelektual e moral. Megjithëse procesi i zhveshi lakuriq sabotuesit e reformës, një numër gazetarësh dhe opinionistësh pa moral bënë çmos që të bindnin popullin se ato që shihnin e dëgjonin vetë nuk ishin ashtu siç dukeshin, por krejt ndryshe. Ngjashëm si tek përralla e Andersenit “Mbreti Lakuriq”. Në vend që të diskutohej rreth projekt-reformës, shkrimet dhe diskutimet e tyre përqendroheshin në gjëra të tilla si: cili po ia hedh tjetrit, kush është duke kërcënuar tjetrin, a po largohet Meta nga qeverisja etj, dhe disa syresh, duke parë njëri-tjetrin cullak masturbonin për t’i shitur opinionit shqiptar “qeveri teknike” me emra konkretë, i “uronin” Ramës lamtumirën si kryeministër dhe shihnin gjithfarë ëndrrash në diell me “Babën” gërdallë që kthehej sërish në pushtet në shpinë të kalit gërdallë. Për ta, përparësi ishte rrëzimi i Ramës dhe ardhja në pushtet e opozitës dhe jo rrëzimi i piramidës së padrejtësisë që e kërkonte populli.

Edi Rama ka jo pak të meta dhe gabime dhe nuk i plotëson sa duhet mëtimet e mia për kryeministrin, por të demonizosh atë, për inate dhe qejfmbetje vetjake, dhe të paraqesësh si alternativë të tij individë që kanë kryer krime dhe kanë shumë llogari të pambyllura me drejtësinë dhe popullin, kjo është diçka që bëhet vetëm nga individë që kanë moral të kalbur, moral horrash.

Sikur procesi në fjalë të mos ndiqej, ndihmohej dhe sqarohej nga të huajt, këta agjitatorë të mashtrimit popullor do t’ia kishin arritur që t’i shisnin popullit shqiptar tablonë false që tentuan të krijonin. Njëri prej tyre, që ka humbur miliona nga mbyllja e një kanali televiziv që ushqehej me para droge, pohoi se “më mirë të mbajmë këtë drejtësi që kemi se sa t’ia lëshojmë Ramës në dorë”. Një shkrimtar dhe ish – mocionist, ish-ministër e deputet, por edhe analist i gjithçkaje, përpiqej të na hidhte hi syve rreth pretendimit më të fundit të Bashës rreth dy çështjeve të sajuara prej tij. Ndërsa ambasada amerikane e quante atë “një kërkesë të re, të papranueshme” dhe z. Fleckenstein e konsideronte këtë pretendim si “i vështirë të kuptohet nga njerëz normalë”, analisti ynë lavjerrës thoshte: “Nuk ka pasur kërkesa të reja. Thjesht, gjatë natës, dikush u kujtua që dy çështjet e dakortësuara duheshin trajtuar ndryshe…”. Një tjetër me mentalitet fisnor arriti deri aty sa të pohojë se: “Kjo meriton të quhet reforma e opozitës… Basha u konsolidua si drejtues i PD-së”.

Në të vërtetë, ajo që konsolidoi më tutje ky proces ishte një diskreditim i plotë i Bashës, si një individ politik që komandohej nga dikush tjetër, si person me “probleme të kredibilitetit personal dhe politik” (Deklaratë e BE-së); si “bllokues i reformës” (Ambasada amerikane); si “njeri i fuqishëm që ka frikë” (Donald Lu); si burrë që po “bëhet më keq se gratë e këqia” (Majlinda Bregu); si “politikan që nuk do marrëveshje” (Donald Lu); si njeri me “mungesë sinqeriteti” (Besnik Mustafaj) dhe si mashtrues (kur Basha i thoshte Grupit të tij Parlamentar se “Ne kemi mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar në gjithë këtë histori”, Eduard Selami iu përgjigj: “Unë nuk e di për çfarë mbështetje ndërkombëtare flisni ju kryetar, kur ne dje kemi marrë dy deklarata shumë të forta kundër”).

Kjo shpurë propagandistësh të interesave vetjake dhe jo atyre kombëtare mund të quhet pa droje “Çeta e Profetëve të Rremë”. Këtë çetë e kemi pasur dhe do ta kemi këtu gjatë, ndonëse me rastin e reformës në drejtësi populli i pa cullak ashtu siç pa ata që i frymëzojnë e paguajnë. Me mashtrimet, dezinformimet dhe shtrembërimet e së vërtetës, ajo do të vazhdojë të kontribuojë në krijimin e perceptimeve të gabuar të realitetit duke na ngritur pengesa për të ecur drejt progresit. Gjithashtu, sabotuesit e reformës do të vazhdojnë të tregohen edhe më agresivë në procesin e votimit të ligjeve që krijojnë kushtet për zbatimin e reformës në drejtësi dhe nuk do t’i ndalin kundërshtimet agresive as gjatë përpjekjeve për zbatimin praktik të saj. Pafytyrësia e tyre dhe e skalionit të tyre mediatik ka arritur lartësi kozmike dhe meriton një monument në mes të Tiranës, një monument turpi aq të lartë sa të mund të dallohet edhe nga pas Dajtit, nga Dukagjini e Lunxhëria.

* Carl Gustav Jung- Psikolog, psikiatër dhe filozof zviceran i shek. 20-të.

 

July 26, 2016 01:44
Komento

2 Komente

  1. A.GRAMSH July 26, 10:52

    KU VEROJNE KRERET E ANTISHTETIT ÇEREKSHEKULLOR SHQIPETAR ME SOJ E SORROLLOP!?
    ———–
    1-Ku shullehen me parate e femijeve shqipetare barkthare tere ish kryetaret e shtetit pa shtet .kryetaret e keshillit te larte te drejtesise pa drejtesi,kryetaret e keshillit mbrojtjes pa mbrojtje komandante e pergjithshem ,gjenerale te nje ushterije te vdekur nga Berisha tek Nishani bashke me zonjat hajrie honmi xenat e shitat. me qen e me kuaj me mace e bodegardet qe i ruajne!?’Perendi!Ku je?’Migjeni
    2.-Ku marin avdes tere kryetaret e parlaMenopauzes se ‘leshit’ te Topallit me soj e sorollop nga e ‘veja’ e Arbnorit permes Dokleve Filozof S.Katovices deri tek Likja me soj e sorollop .Mire qe nuk dhane doreheqje si kryetare kur ky parlament nuk ka perfaqesuar kurre popullin po krimin e korrupsionin po si ju shkon buka ne bark kur femijet shqipetare 25 vjet te pa ngrene e perjetojne mjerimin.Pse nuk bejne propozim qe te pergjysmohen rrogat e atyre qe jene ne ‘karjere’ e tu hiqet tere ish deputeteve pensionet milioneshe!?’Perendi!Ku je?’Migjeni
    3-Ku po merzejne tere ish kryetaret e qUrravive ne nje vend te pa qeverrishem nga Meksi i pare i thaseve me para te firmave piramidale tek Nano me gruan e Dyte permes Salisjanit me grua serbe perfunduar tek socialSSalistet pandelinj e deri tek Edvini qe e futen kete popull te pa pune te pa ngrene 1.5 MILIARD euro borxh!Mtre qe nuk dha njeri doreheqje apo vrase vehten nga turpi po si nuk beri kush nje reforme per shkurtimin e privilegjeve te krimit me imunitet!?’Perendi!Ku je?’Migjeni
    4-Ku nderzehen e bejne orgjira tere GJIN GJONAT me fukarane qe e vodhen e perdhunuan e burgosen dhe e vrane duke i lene femijet jetime ne mes te 4 rrugeve te Botes apo te ngujuar ne perjetesi!Si nuk vrau vehten te pakten njeri ne 25 vjet!?’Perendi!Ku je?’Migjeni
    5-Ku shkerdhehen kreret e financave qe e kthyen vendin me te varfer te Ballkanit,governatoret e Bankes se Shqiperise qe tere miliardat e pasurise se shqipetareve i degdisen ne bankat e huaja ,anetaret e keshillave mbikqyres profesoret e KRIMITBANKAR bashke me femijet e tyre bastarde qe me gjakun e femijeve shqipetare fshijne djersen nga kolisteroli me monedha 500 Euro e bythet e hapura nga majasilli me 100 dollare!?’PERENDI!TE BEFSHA M…KUR TI NUK U MORE ASNJE DITE ME KRRIMINELET ME IMUNITET E MEKATARET ME TE MEDHENJ NE HISTORINE E KETIJ POPULLI TE MJEREQE BREZIN E RI DHE FEMIJET SHQIPETARE E LANE PERFUNDIMISHT PA ATEDHE E PA TE ARDHME!

    Reply to this comment
  2. shqipetar July 26, 22:17

    TE HEQ KAPELEN ME PERUNJESI

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*