Skema absurde, çdo 1 lek sigurim, deputetët e marrin 40-fish në pension

Erion Habilaj March 26, 2014 03:18

Skema absurde, çdo 1 lek sigurim, deputetët e marrin 40-fish në pension

Në fushatën zgjedhore të vitit 2013 Edi Rama dhe opozita e deridjeshme shkroi një program, i cili mes të tjerave premtonte se me marrjen e pushtetit do të vendosej raport optimal midis pensioneve minimale dhe maksimale, në korrelacion me raportin midis kontributeve minimale dhe maksimale. Gjatë 20 viteve të fundit konsensusi më i lartë në jetën parlamentare të vendit nuk është çudi të jetë arritur sa herë që Kuvendi ka shqyrtuar përfitimet e pensioneve të zyrtarëve të lartë të grupit të parë, ku bëjnë pjesë ministrat, deputet dhe ushtruesit e funksioneve të tjera kushtetuese. Sa herë që diskutohet ndonjë heqje privilegji për zyrtarët e lartë, ngec “sharra në gozhdë” sepse askush nuk pranon heqjen e të mirave për vete. Historia e këtyre privilegjeve nis me ndërhyrjet ligjore që u bënë në sistemin e pensioneve në vitin 1996, e cila vendosi koeficientin e zëvendësimit pagë: pension 90 përqind. Që do të thotë se pensionet e këtij grupi janë 90 përqind e pagës. Gjatë qeverisjes socialiste, në vitin 2003, u bë një përpjekje për të ngushtuar këto diferenca.

Por paketa e propozuar nga Ministria e Punës u miratua në mënyrë të cunguar. Ndërsa propozimi përmbante uljen e pensionit të zyrtarëve të lartë nga 90 përqind në 60 përqind të pagës, nga seanca plenare që e shqyrtoi, ulja shkoi deri në 75 përqind. Paketa përmbante edhe rritjen e moshës së përfitimit të pensionit për zyrtarët e lartë në 60 vjeç, por “baballarët e kombit” të kohës e zbritën atë në 55 vjeç, sa është edhe sot. Grupi i Punës në Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, u shpreh se është duke punuar për reformën në pensione dhe se ende nuk ka një variant të përfunduar për pensionin suplementar dhe po punohet ende për të.

 

Pensioni suplementar

Skemat e përfitimeve suplementare dhe te trajtimeve te veçanta janë vendosur përgjatë 20 viteve të fundit si pasojë e zbatimit të disa politikave për t’u dhënë mbrojtje të veçantë disa kategorive specifike të personave që kryejnë funksione kushtetuese, që janë të punësuar në institucione të larta të qeverisjes apo në institucione qendrore si dhe personave që kane tituj të lartë shkencorë dhe kanë punuar në institucione akademike apo në universitete. Gjithashtu, nëpërmjet skemave suplementare u është përcaktuar mbrojtje e detyrueshme me pensione të parakohshme dhe pensione suplementare ish-ushtarakëve, punonjësve të policisë, etj.

 

Skema aktuale

Skema e ndërtuar ka si qëllim dhënien e përfitimeve si të ardhura shtesë mbi përfitimet që jepen nga sistemi i sigurimit të detyrueshëm për punonjësit që kanë kryer funksione kushtetuese dhe punonjësit e shtetit ndërkohë që burimet e financimit të përfitimeve suplementare janë buxheti i shtetit dhe kontributet suplementare në masën 2-4 % të pagës që paguhen nga personat e punësuar në këto funksione. Pra, nëse çdo qytetar shqiptar që merr vetëm pagën minimale derdh 21.6% të pagës në sigurimet shoqërore, një deputet që e ka rrogën më të lartë se dhjetëfishi i pagës minimale derdh në skemën e sigurimeve vetëm 4% të pagës së tij. Por, ndonëse ligji flet për pension suplementar dhe të ardhura shtesë që i shtohen pensionit bazë, për deputetët dhe ministrat pensioni është aq i lartë sa që arrin vlera që shkojnë deri në dyfishin apo  trefishin e pensionit bazë. Kjo është absurde pasi suplementi është një shtesë që i shtohet pensionit bazë e është e palogjikshme që të quhet suplement kur është më i madh sesa vetë pensioni bazë. Personat që kryejnë funksione kushtetuese dhe punonjësit e lartë të shtetit kanë të drejtën e përfitimit të pensionit suplementar kur mbushin moshën 55 vjeç.

Mosha e daljes në pension është jo vetëm më e ulët se mosha e pensionit të çdo qytetari të këtij vendi, por edhe më e ulët sesa mosha e pensionit të minatorëve të cilët kanë një nga profesionet më të rënda. Masa e përfitimit varet nga vitet e shërbimit dhe funksioni që ka patur. Përfitimi mujor, në varësi të funksionit, mund të jetë 25% ose 20% e pagës referuese për 2 vitet e para të shërbimit dhe me një shtesë 5% të pagës referuese për çdo vit shërbimi mbi 2 vjet. Kështu, një individ që ka qenë deputet për vetëm një legjislaturë merr një pension suplementar që është 30% e pagës së tij, pra vetëm 4 vjet si deputet mjaftojnë për të përfituar që në moshën 55 vjeçare një pension mbi 500 mijë lekë të vjetra. Deputetë që kanë disa legjislatura që zgjidhen deputetë marrin një pension që shkon në mbi 1 milion lekë të vjetra. Një llogaritje e thjeshtë tregon se ish-deputetë dhe ministrat, për çdo 1 lek që derdhin në skemën e pensioneve marrin mbrapsht 40-fishin e kësaj vlere.

krahasimi

Sikur të mos mjaftonte bujaria e skemës suplementare të pensioneve, deputetët dhe ministrat, pas ndërprerjes së funksionit kanë të drejtën e një shpërblimi të menjëhershëm me 1 deri në 3 paga mujore (në varësi të funksionit) si dhe të drejtën për trajtimin me pagesa kalimtare në masën 50% të pagës referuese për aq vite sa kanë qenë në funksion por jo më shumë se 3 vjet. Veç kësaj, periudha e trajtimit me pagesë kalimtare njihet si periudhë sigurimi për sistemin e detyrueshëm dhe kontributet për këtë periudhë derdhen nga Buxheti i Shtetit.

Nga sa më sipër konstatohet se skema e përfitimeve suplementare është mjaft gjeneroze dhe për më tepër përfitohet në mosha që janë deri në 10 vjet më të ulëta se mosha ligjore e daljes në pension. Një pjese e pjesëmarrësve në skemë përfitojnë deri në 400% të kontributeve të paguara.

Punonjësit e institucioneve qendrore duke paguar një kontribut deri në 3% të pagës përfitojnë një pension masa e të cilit shkon deri në 40% apo 50% të pagës referuese, ndërkohë që kjo shkallë zëvendësimi nuk arrihet as në skemën e detyrueshme ku masa e kontributit për pension është 21.6% e pagës.

E sikur të mos mjaftonte kjo, këto përfitime, edhe pse kalojnë pragun minimal të të ardhurave të pataksueshme, ligjërisht janë të pa taksuara.

Norma e kontributit është shumë e ulët, modeste madje, e si rrjedhim pensionet e majme të deputetëve dhe ministrave duhet t’i mbajnë mbi shpinë taksapaguesit pasi mbi 80% e shpenzimeve për pensionet e tyre mbulohen nga buxheti i shtetit. Por, deri tani kjo barrë ka qenë e ulët se shumë pak prej deputetëve e ministrave kanë dale në pension. Numri i përfituesve do të vazhdojë të jetë gjithnjë e më i lartë duke arritur në mbi 7000 persona në 15 vitet e ardhshme. A do vazhdojnë taksapaguesit të paguajnë për këto pensione?

Erion Habilaj March 26, 2014 03:18
Komento

1 Koment

  1. kari lales March 26, 16:38

    more po meshojini,kur keni gjetur popull budalle.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim