Shumë zhurmë për… pak gjë

December 27, 2014 02:05

Shumë zhurmë për… pak gjë

Lazarati u krye dhe u harrua, Dukagjini po ashtu; ndonjë e re tek-tuk ngre krye më të rrallë nga fronti i hashashit; ndryshimi që vazhdon më gjatë dhe ndihet non stop, është zbatimi i ligjit në qarkullimin rrugor: Shumë ankesa, shumë përgëzime, por gjithsesi një dakordësi në masë mbi nevojën (më në fund) të dorës së shtetit. Por prapë, jo të gjithë shqiptarët kanë makina. Sektori, ndryshimet dhe ristrukturimet e të cilit u ndjenë, u debatuan dhe do të përjetohen më gjatë është ai energjetik. Këtu ishte dhe do mbetet edhe debati më i nxehtë politik: Sepse për drogën, edhe thagma më e madhe, siç ishte deklarata e Berishës që “lejimi i kultivimit dhe tregtimit të saj ishte politikë e imja”, u mor si e mirëqenë; ndërsa për rrugët, përgjithësisht as opozita nuk kish ç’të thoshte.

Mbetemi pra tek energjia. Siç rezultoi nga vendimet e Entit Rregullator të Energjisë, çmimi për konsumatorët familjarë do të rritet nga 7.7 në 9.5 lekë për kilovat/orë, duke anuluar paralelisht “fashën mbrojtëse” prej 300 kilovatësh në muaj; për bizneset e vogla 11 dhe për të mëdhatë 14 lekë, të gjithë këto pa TVSH.

Por le të ndalemi pak tek konsumatorët familjarë, grupi masiv që konsumon 71 përqind të energjisë në vend. Kryeministri Rama u ishte përgjigjur me herët deklaratave të opozitës se çmimi i energjisë do të rritej me 22 përqind për familjarët dhe ata do ftonin popullin në protesta, me sfidën: “Nëse rritet 22 përqind, dal dhe unë në protestë”. Sot i bie që Rama të dalë të protestojë, sepse çmimi në fakt është rritur me 18 lekë, ose ndryshe pak mbi 23 përqind. Mos ishte ndonjë humor i zi i kryeministrit, që tani mund të thotë se “unë e kisha për shifrën 22%, kështu që jam në rregull”?

Fakti është që rritja në fjalë do të ndodhë vërtet, mesatarisht me 650 lekë për familje, sipas llogaritjeve; por në masë dërrmuese kjo rritje do të kompensohet. Pra, për mbi 590 mijë familje pensionistësh, familjet në nevojë, ato me invalidë në shtëpi etj, janë caktuar 16 milionë USD. Kështu që ngjan se Edi Rama i shpëton protestës. Por meqë nga gjithë ristrukturimi i sistemit të çmimeve, sektori mezi fiton plus 5 milionë USD, dhe qeveria harxhon 16 mln, shtrohet pyetja: Përse gjithë kjo “katrahurë”?

Së pari, formula e 300 kilovatëve të parë me çmim të ulët, ishte abuzive dhe të gjithë e dinë këtë. Shembulli ilustrues nuk është thjesht skema klasike e një vile me tre kate, ku në çdo kat kishte nga një kontator rryme për të “kapur 300-shin”; por shtrihet tek ata dhjetëra e qindra faturistë që në këmbim të bakshishit binin dakord me disa familjarë, dhe e pësonin disa të tjerë; tek vila e hotele që paguanin nga 5 mijë lekë të reja në muaj, dhe pensionistë që bridhnin gjyqeve se u kishte ardhura fatura mujore 50 apo 100 mijë lekë.

Por “katrahura” ishte shumë më e gjerë se kaq. Jo me ata që nuk paguanin sa kishin harxhuar, por me ata që nuk paguanin fare. Së pari, është fjala për zona e krahina të tëra, me të cilat politika ka bërë një lojë të ndyrë; e së dyti bizneset e familjarët që kishin lidhur linja të dyta e të treta, edhe pa i kaluar fare nga sahati matës. Pra, përtej thjeshtimit të ekuacionit të çmimeve, “reforma” më e madhe e sektorit është ajo që në ndonjë vend tjetër të Europës as që mendohet se mund të ekzistonte si çështje: Atë që harxhon, do ta paguash. Dhe opozita e sotme, kjo kultivuese e palodhur e paligjshmërisë, hajdutërisë dhe plaçkitjes së gjësë publike, shkaktare e gjendjes së sotme, thërret në protestë pikërisht atë popull që e rropi në shtatë lëkurë dhe ja mësoi të gjithë huqet e anarkisë.

Një tjetër gropë e garantuar që la qeveria e kaluar, ishte çmimi me të cilin KESH duhet t’ua blejë energjinë HEC-eve private, kjo “për nxitjen e prodhimit të energjisë së rinovueshme në vend”. Kështu deri tani, shteti e blen energjinë private me 9.3 lekë për kilovat orë, dhe e shet me 7.7 për konsumatorin. Sado politika “neoliberale” të ketë për zemër një qeveri, mjafton ideja e blerjes shtrenjtë dhe shitjes lirë të një malli, aq më tepër strategjik si energjia, për të shtënë në mendje dyshimet se me lejet, liçencat e kontratat e HEC-eve është lozur para e madhe. Kuptohet, korruptive. Ndaj protesta e sotme e prodhuesve privatë ndaj kërkesës së qeverisë për ulje me 30 përqind të çmimit të blerjes, ngjan me një zemërim për heqjen e privilegjeve, sesa ndaj një padrejtësie.

Ndërkaq, sesa e thellë dhe pothuaj “gjenetike” ishte bërë paligjshmëria dhe abuzivizmi në sistem, e treguan edhe disa incidente përgjatë kësaj rruge: Drejtorë rajonalë OSHEE që rezultonin vjedhës energjie ose debitorë seriozë, faturistë e inspektorë të dërguar para gjykatës etj. Dikush mund të shtrojë pyetjen: Çfarë do bënte qeveria e djeshme nëse herët a vonë (po me shumë gjasë, herët) do të hasej me këtë situatë? Njërën nga dyja: Ose pikërisht të njëjtën gjë, nëse do kishte një fije përgjegjësie, ose do vijonte të zhyste vendin në borxhe. Jo vendin si nocion abstrakt, por të gjithë ne veç e veç.

Sot, sa i përket energjisë jemi në pikën që familjeve të cilave shtesa prej 6 ose 7 qind lekësh në muaj u rëndon më shumë, kjo shtesë do t’u kompensohet; për të tjerët nuk do të ketë diferencë. Diferenca e madhe është tjetër: Të dalë ose jo Rama në protestën e opozitës, ajo që do harxhohet, do paguhet.

December 27, 2014 02:05
Komento

2 Komente

  1. beni December 27, 07:25

    Sali Berisha dhe banda e tij duhen rrjepur te gjalle dhe ti konfiskohet pasuria e vjedhur…qente nuk kishin breke te vishnin para demokracise tani pasi rropen gjithe pasurine kombetare hedhin akoma shurren perpjete

    Reply to this comment
  2. Besim December 27, 10:11

    Hengri mut berisha dhe banda qe ka mbledh ne PD..pasi ne do paguajme me pak. Pensionistet do e marrin kompensimin. ndersa hajdutet pa sahate apo me 5 sahate per ta pagu me fashe…tani ska me…ky esht shtet mer ja lumsha.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*