Shkëlqimi dhe rënia e vëllezërve Frroku

November 27, 2015 07:07

Shkëlqimi dhe rënia e vëllezërve Frroku

Vëllezërit Mark dhe Arben Frroku janë vënë në qendër të vëmendjes së mediave dhe opinionit publik që prej dy vitesh. Fillimisht vëllai i madh, i përmendur si i përfshirë direkt në ekzekutimin e kryekomisarit Dritan Lamaj më 24 shkurt 2013, për shkak të përplasjeve që kishin dhe të kaluarës, dhe më tej arrestimi i deputetit Mark Frroku më 2 prill 2015 për vrasjen e ndodhur në Belgjikë më 1999. I pari është shpallur në kërkim pas dënimit nga Apeli me burg përjetë, dhe i dyti ditën e djeshme dorëzoi mandatin ndërsa ndodhet në paraburgim. Por, si erdhën deri këtu vëllezërit Frroku, që vite më parë kanë humbur në aksident edhe vëllanë e tyre të vogël?

Historia nis me emigrimin e tyre në vitet 90-të drejt Italisë apo Belgjikës. Në vitin 1998 sipas të dhënave të para zyrtare në dosjet e organeve belge, ata vendosen në Bruksel, ku duket se përfshihen në grupin që menaxhonte femrat për prostitucion. Pikërisht një prej tyre do të bëhej shkak që Mark Frroku dhe miqtë e tij të sulmonin Aleksandër Kurtin në maj 1999 në stacionin e trenit në Bruksel, duke e vrarë me thikë, thotë dosja belge. Ndërsa u shpallën në kërkim, Marku arratiset dhe vendoset në Holandë, kurse Arbeni vijon të qëndrojë në Belgjikë, pasi nuk kishte probleme të hapura me drejtësinë. Por Mark Frroku do të arrestohej në vitin 2000 në Holandë, ku u kap me drogë. Drejtësia e këtij vendi i njeh një dënim me 3 vite burgim. Pasi vuajti dënimin, Marku u ekstradua në Belgjikë për vrasjen e Kurtit. Por qëndron vetëm pak muaj dhe po në vitin 2003 lë qelinë për t’u gjykuar në gjendje të lirë. Arratiset nga ky vend dhe vendoset përfundimisht në 2004 në Shqipëri.

Këtu nis bizneset kryesisht në fushën e bar-restoranteve, së bashku me Arbenin dhe vëllanë e vogël. Nëpërmjet zotërimit të bizneseve në Tiranë, shtrihen edhe në fushën e lotarive sportive. Bëhen administratorë të kompanisë “Xhoi Lloto” dhe ngrenë një qendër biznesi pranë “Misto Mames” e quajtur “ATM”, sipas germave të para të emrave të tre vëllezërve. Pak e nga pak pas vitit 2007 përfshihen edhe në politikë, fillimisht me sponsorizime fushate. Në 2009 themelojnë edhe Partinë Kristiandemokrate dhe qendra e tyre politike bëhet zona e Pukës, ku ishte edhe vendlindja e tyre. Edhe aty zotërojnë biznese të ndryshme dhe nisin të investojnë duke u bërë aksionerë të ekipit të Tërbunit. Në vitin 2010 Mark Frroku dënohet me 10 vjet burg për vrasjen e akuzuar, por nëpërmjet avokatit po atë vit fiton në Kasacion të drejtën për rigjykim. Ky gjyq ka nisur prej 15 tetorit 2015.

Në zgjedhjet lokale të 2011 gjithashtu përfshihen fort, edhe pse pa rezultat. Dyshimet ishin se përveç biznesit, vëllezërit Frroku ishin të përfshirë edhe në çështje të shpërndarjes së drogës. Viti 2012 do të sillte edhe problemet për familjen Frroku. Ishte pikërisht konfrontimi i Arbenit me shefin e Komisariatit Kombinat, Dritan Lamaj, që solli edhe tatëpjetën. Shkak ishin kontrollet e shpeshta që Lamaj u bënte në biznese me dyshimet për drogën. Pati edhe zëra se kryekomisari kishte nisur të gërmonte për të kaluarën e tyre nëpërmjet Interpolit. Madje në vjeshtën e vitit 2012 kishte kërkuar zyrtarisht informacione nga Belgjika. Këtë kohë ndodh edhe konfrontimi fizik, ku Arben Frroku keqtrajtohet dhe akuzon Lamajn. Ai njihej për miqësinë e zgjeruar me oficerë të lartë të Policisë së Shtetit, që u quajtën edhe “grupi çiftelia”, pasi i dinin problemet dhe nuk parandaluan vrasjen e komisar Lamajt. Ky i fundit u hoq nga Kombinati dhe emërua në detyrë tjetër. Por më tej do të vinte ekzekutimi i Lamajt dhe arrestimi në Greqi i Arben Frrokut. Pavarësisht ndalimit, Arbeni vë emrin në listën e kandidatëve për deputet në qarkun Shkodër për Partinë Kristiandemokrate që drejtonte.

Para zgjedhjeve të 23 qershorit 2013, u tërhoq dhe futi emrin e të vëllait, Markut. Biznesin e lojërave të fatit dhe lokaleve, si dhe ekipin e Tërbunit, vijoi t’i administronte nga qelia. Gjatë kësaj kohe ndërtuan edhe një hotel në autostradën Tiranë-Durrës. Mark Frroku u zgjodh deputet në zgjedhjet e 23 qershorit. Më tej erdhi shitja e aksioneve të kompanisë së lojërave të fatit. Arben Frroku pas një viti e gjysmë proces fitoi pafajësinë në shkallën e parë në mars 2015, por dy muaj më pas Apeli e dënoi përjetë, teksa çuditërisht ishte lejuar të arratisej. Ende është në arrati. Po të njëjtën ditë që Arbeni u lirua, Gjykata e Lartë la në qeli të vëllanë, Mark Frroku, pasi prokuroria kërkoi arrestimin në Kuvend për urdhër-arrestin e ardhur nga Belgjika në muajin shkurt. Bizneset e tyre janë nën hetim nga Prokuroria për shkak të pasurisë që dyshohet se është vënë me aktivitet droge e prostitucioni.

November 27, 2015 07:07
Komento

1 Koment

  1. andrea November 27, 21:51

    Pas metaforzes se vellezerve Froku, shoh ne sfond te njejtin ndodhi edhe per personin pergjegjes – qe i solli ne “tabaka” per mediat dhe me tej: Shkelqimi dhe Rrenia e z.Rama.
    Aferim!

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Sondazh

A ËSHTË EDI RAMA I MAJTË?

Shiko rezultatin