Të gjithë të filmuar, projektligji për mbushjen e zonave urbane me kamera sigurie dhe disa pikëpyetje

October 27, 2015 01:38

Të gjithë të filmuar, projektligji për mbushjen e zonave urbane me kamera sigurie dhe disa pikëpyetje

Gjithnjë e më shumë së fundi, falë edhe rrjeteve sociale, kemi parë filmime e sekuenca video që paraqesin hajdutë, grabitës madje dhe vrasje, mjaft prej tyre edhe shqiptare. Janë kamerat e sigurisë së mjediseve përkatëse ato që kanë regjistruar gjithçka.

Në disa raste policia ka njoftuar edhe identifikimin e personave shkelës të ligjit, falë filmimeve nga kamerat me qark të mbyllur, CCTV. Duket se ky efikasitet i shtuar i kësaj teknologjie, ka shtyrë Ministrinë e Brendshme të hartojë një draft-ligj, me anë të të cilit parashikon të bëjë të detyrueshme pajisjen me kamera sigurie, të një kategorie shumë të gjerë objektesh.

Thënë ndryshe, në dallim nga deri tani kur përveç institucioneve publike, edhe objekte specifike, nga bankat deri tek lokalet, farmacitë, lojrat e fatit etj, janë pajisur vetë me kamera sigurie, këto të fundit do të shumëfishohen në të gjithë vendin. Këtë ta bën të qartë përmbajtja e neneve të projektligjit që aktualisht është duke u diskutuar nga agjencitë e ndryshme të zbatimit të ligjit, si policia, prokuroria etj.

Po cilat janë subjektet që e kanë të detyrueshme pajisjen me kamera, nëse ky draft miratohet? Spektri është i gjerë: Nga bizneset që bëjnë xhiro më shumë se 10 milionë lekë, tek kopshtet, shkollat, pallatet, autobusët, taksitë, lokalet që kanë hapësirë për më shumë se 50 klientë, kopshte fëmijësh, parqe lodrash e shumë mjedise të tjera. Në kategorinë e subjekteve të riskuara janë edhe bizneset ndoshta nuk plotësojnë kriteret e mësipërme, por janë grabitur një herë më parë dhe që sipas analizave policore mund të jenë objekt sulmi i grabitësve.

Jashtë këtij spektri nuk do jenë as banesat, dhe sidomos ato që kanë depozita uji apo banorë të pallatit, qoftë pronarë apo qiraxhinj, persona me precedentë kriminalë.

Të gjitha filmimet e ruajtura nga kamerat e sigurisë me ligj janë të detyruara t’i jepen policisë sa herë që ajo do t’i kërkojë. Policia do t’u japë të gjithëve gjashtë muaj kohë për të marrë masat e sigurisë pas daljes së këtij ligji, dhe në mosrespektim të tij do të vendosë gjobat përkatëse, të parashikuara edhe ato në një nen të veçantë.

Vërtetimet e sigurisë do të jepen nga policitë vendore, së cilave duke bërë analizën e riskut për një objekt, u lind e drejta të kërkojnë edhe masat shtesë, si ato të policisë private, por edhe lidhje direkt të sinjalit të kamerave për ruajtjen e objektit me sallat e komandimit të policisë.

Por shtrohen disa pyetje: E para syresh, vjen nga fakti që siç pranohet edhe vetë në draft, ky ligj nuk ka përqasje me acquis communitaire, pra nuk ka marrë për bazë ligjet e Bashkimit Europian. Teksti citon mbështetjen në nenet 78 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, që thjesht rendisin procedurën: Neni 78, “Kuvendi vendos me shumicën e votave, në prani të më shumë se gjysmës së të gjithë anëtarëve të tij, përveç rasteve kur Kushtetuta parashikon një shumicë të cilësuar”. Dhe neni 83 pika 1: “Projektligji votohet tri herë: në parim, nen për nen dhe në tërësi”. Pastaj i bëhet një referim i vakët ligjit për Policinë e Shtetit, nr. 108/2014, ku në nenin 104 bëhet fjalë “Për përgjegjësinë për gjendjen e objektit” dhe thuhet se.. “kur vendi dhe siguria publike rrezikohen ose cënohen nga gjendja e një objekti, punonjësi i policisë merr masa ndaj pronarit të objektit, ose në rast pamundësie njofton organin kompetent”.

Sigurisht, është e qartë se subjektet që kanë kamera sigurie janë të detyruara t’i binden kërkesave të policisë dhe organeve hetimore; por të detyrosh një gamë kaq të gjerë mjedisesh e subjektesh të vendosin kamera, është krejt gjë tjetër. Evazive e lë këtë hapësirë edhe neni 6 i projektligjit, që thotë se “Subjektet që nuk përfshihen në asnjë nga kategoritë e parashikuara në nenin 4, por që pas analizës së rrezikut vlerësohen nga Policia e Shtetit se veprimtaria e tyre përbën burim rreziku, detyrohen të marrin masa shtesë sigurie”.

Përtej mungesës së ngjashmërisë me asnjë bazë ligjore të vendeve të BE-së, drafti sqaron se “ky ligj do jetë në përputhje me legjislacionin tjetër që është në fuqi dhe që parashikon që vendosja e kamerave të shoqërohet me tabelat informuese se ambienti përkatës survejohet me kamera sigurie”. Por e para, ky përcaktim në shumicën e rasteve nuk zbatohet. Çka ka detyruar komisionerin e Mbrojtjes së të Dhënave Personale të vendosë një numër të madh gjobash për të gjitha ato subjekte private ose shtetërore që përdorin kamera sigurie, por nuk paralajmërojnë qytetarët se ambienti survejohet prej tyre.

E dyta, edhe kur paralajmërimi ekziston, rastet jo të pakta kanë treguar se filmime që kanë përfunduar në dorë të prokurorisë për hetime, kanë “rrjedhur” në një mënyrë e një tjetër në media, duke cenuar edhe privacinë e individëve pa lidhje me ngjarjen.

E treta, në vendet e BE-së (dhe në SHBA po kryhet i njëjti debat), të drejtat e njeriut kanë prevaluar mbi çështjen e sigurisë në rastet e kamerave të sigurisë. Edhe pse komisioneri ka shprehur shqetësim, në një panorama konkrete i bie që sekush nga ne, nga njëra kamerë në tjetrën të jetë i filmuar përgjatë gjithë itinerarit të ditës. A do t’i pengojë kjo ndjesi dhunimi hajdutët, të bëjnë atë që kanë ndërmend duke lehtësuar kështu për mirë statistikat e ministrit Tahiri? Apo thjesht do t’u sofistikojë metodat?

Është ndërkaq, dhe një pikëpyetje e fundit: Kjo sasi kolosale kamerash dhe sistemesh CCTV, mos ka hyrë ndërkaq në vendin tonë dhe po pret vetëm të shitet?/DITA

****

Pjese nga Projektligji

SUBJEKTET, MASAT SHTESË TË SIGURISË,

KRITERET DHE PROCEDURA E PAISJES ME VËRTETIM SIGURIE, SISTEMET E SIGURISË

                                              Neni 4

Subjektet private që detyrohen të marrin masa shtesë sigurie

 Kategoritë e subjekteve që detyrohen të marrin masa shtesë për sigurinë janë:

 Subjektet që kanë selinë, mjediset e punës dhe aktivitetin tregtar, në vende të ekspozuara ndaj rrezikut të shtuar për sigurinë, sipas vlerësimit të analizës së riskut të bërë nga Policia e Shtetit.

Subjektet që kanë mbi 50 punonjës dhe/ose frekuentuesish që në mënyrë të vazhdueshme, akomodohen apo frekuentojnë në të njëjtën kohë një mjedis të hapur ose të mbyllur.

Subjektet që ushtrojnë aktivitet tregtar nga ora 23.00 deri 06.00. 

Subjektet që kanë aktivitet ekonomik, xhiro vjetore e të cilës është mbi 10 milionë lekë.

Subjektet që ushtrojnë veprimtari në fushën e lojërave të fatit.

Subjektet që administrojnë mjedise të hapura apo të mbyllura për fëmijë, si shkolla, kënde lojërash dhe që vlerësohen nga Policia e Shtetit si burim rreziku i shtuar.

Subjektet që kryejnë veprimtari transporti publik (udhëtarësh, nxënësish) dhe të mallrave të rrezikshme.

Neni 5

Subjektet publike që detyrohen të marrin masa shtesë sigurie

 Subjektet publike marrin masa shtesë sigurie në sheshe të hapura, parqet, këndet e lojrave, parkimet, në mjediset e hapura apo të mbyllura që kanë në administrim apo pronësi dhe që sipas vlerësimit të Policisë së Shtetit, përbëjnë burim rreziku të shtuar për rendin dhe sigurinë publike.

 Neni 6

Subjektet që detyrohen të marrin masa shtesë sigurie pas analizës së rrezikut

 Subjektet që nuk përfshihen në asnjë nga kategoritë e parashikuara në nenin 4, por që pas analizës së rrezikut vlerësohen nga Policia e Shtetit se veprimtaria e tyre përbën burim rreziku, detyrohen të marrin masa shtesë sigurie.

 

October 27, 2015 01:38
Komento

4 Komente

  1. LORA October 27, 09:15

    Vetem siguria eshte garante e te drejtave te njeriut,e anasjellta eshte nje alibi gangsteresh.
    Tung.

    Reply to this comment
  2. Benoni October 27, 12:30

    Globalizmi si komunizmi! Te gjithe pergjoheshin e spiunoheshin ne komunizem, jete private nuk kishte, c”do gje duhet ta dinte partia. Kinezet hoqen dhe perdet e shtepise qe i quajten fshehje te jetes karshi partise (!). Globalizmi po kete synon, me mjetet e sotme te beje qe mos kete jete private per asnje po ti filmoje te gjithe e kudo. Te kete dhe kamera poshte krevateve po qe nevoja! Kjo nuk eshte siguri apo garanci te drejtash. Kjo eshte nje kthim ne bashkesine primitive si kope qe jetojne veshur me gjethe e flene perjashta.

    Reply to this comment
  3. Tuçi October 27, 15:06

    Hahahahahahha na rrethuan shoke!

    Reply to this comment
  4. samir October 28, 01:56

    Nje shtet i tille eshte i deshtuar. Te kesh nje force rendi kaq te dobet sa te pergjosh cdo njeri, kryqezim rruge, cdo ndertese, cdo shkolle e dyqan, nuk perben mbrojtje te qytetareve, perkundrazi shkelje tecdrejtave tsvtyre, shkelje te demokracise, paaftesi per te mbrojtur qytetaret. Ne te vertete eshte ne shtet totalitar e policor, e ne rast se nje ligj i tille aprovoget Edi Rama e Ilir Meta do te mallkohen e perbuzen nga te gjithe liridashesit, dhe brezat e ardhshem! Nuk ka rendesi a eshte turp. Eshte krim!!! Eshte diktature, te cilen edhe Enveri nuk besoj ta kete enderruar ndonjehere.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*