Kanë 28 ditë pa ujë, tortura e banorëve të një pallati në Tiranë

September 5, 2018 12:07

Kanë 28 ditë pa ujë, tortura e banorëve të një pallati në Tiranë

 

Entela Resuli

Dhurata, Zaimi dhe Ganiu janë tre nga banorët një pallati pranë rrugës ‘Maliq Muço’ në Tiranë.

Ditën e djeshme më thirrën për të kërkuar të bënin publik një shqetësim që e kishin prej një muaji.

Kishte më shumë se 28 ditë që në rubinetet e çezmave të tyre nuk rridhte ujë!  24 familje të pallatit që shihni në foto vuajnë prej një muajsh për pikën e ujit.

Ishin të dëshpëruar dhe të pafjalë nga e gjithë situata që po përjetonin.

“Nuk lajmë dot një rrobë, një enë, nuk po bëjmë një dush. Kemi marrë rrugët duke shkuar në njerëz të afërm që i njohim për të kryer nevojat personale”- thotë e dëshpëruar një mesogrua e cila banon në katin e tretë të pallatit.

Zaimi është banor i katit të katërt. Së bashku me familjar të tjerë ai ka shkuar disa herë në Drejtorinë e Ujësjellësit për t’u ankuar për këtë problem, por asgjë. Përgjigja që marrin është: “ikni se do ta rregullojmë të hënën”.

Ndërkohë kanë kaluar katër të hëna dhe asgjë nuk është bërë për të sjellë ujin  në shtëpitë e 24 familjeve.

Zaim Korça na tregon se në fillim kanë menduar se e kishte fajin pompa.

“Shkuam dhe blemë pompë të re. E vendosëm, por përsëri, asgjë. Mesa duket nuk vjen ujë mjaftueshëm sa të ngjitet në të gjitha apartamentet. Disa ditë më parë pranë lagjes sonë janë bërë rregullime parë një rrugë këtu afër. Ndoshta na kanë prerë ndonjë tubë, a na kanë ndryshuar ndonjë lidhje. Ku marrim vesh ne! Ata që janë përgjegjës për këtë gjë dhe që duhet të vijnë e ta kontrollojnë këtë shqetësim që kemi ngritur prej kohësh, na kanë braktisur. Jo vetëm që nuk e vënë ujin në zjarr, por na përcjellin, duke na thënë: ikni përpara se do e rregullojmë”- përfundon Korça i dëshpëruar për situatën ku gjendet ai dhe 23 familje të tjera.

Shumica e dyerve ku trakas janë të mbyllura. Mesa duket banorët janë larguar. Mund të imagjinohet! Është e vështirë të qëndrosh në një shtëpi ku nuk ka ujë.

“Çfarëdo defekti që të kishte, do të duhet të ishte rregulluar. Një muaj janë shumë. Ne e kuptojmë që një riparim do kohën e vetë, por jo lutem, jo kaq shumë, jo kaq se u krimbëm”- na thotë një banore e katit të pestë e cila e mbyll derën me shpejtësi pasi lotët nuk e lënë që të vazhdojë fjalinë deri në fund.

Në katin e gjashtë takojmë Gani Hykën i cili ishte duke kontrolluar sahatin e ujit!

Jam duke e parë sahatin i cili prej një muaj nuk e lëviz shigjetën. Kjo situatë është e tmerrshme. Nuk shkojmë dot në tualet, nuk lajmë dot sytë, dhëmbët, duart. A mund të jetoj njeriu kështu. Jemi në qendër të Tiranës. Ju e shihni vetë, jemi pranë Bulevardit “Zogu I” dhe nuk kemi ujë në shtëpi. Po çahet mali i  Dajtit nga uji dhe ky shtet nuk është i zoti që atë ujë ta sjell në rubinetet e qytetarëve. Po në djall vafshin të gjithë se na depersonalizuan si njerëz”- shprehet Ganiu.

Ai na tregon se në mëngjes është zgjuar me një kërkesë ndaj gruas: i thashë bashkëshortes, eja ikim në plazh. U pa puna! Lahemi në det dhe vijmë. Nuk kemi çfarë të bëjmë tjetër. Kemi shkuar me dhjetëra herë të ujësjellësi dhe ata tallen me ne: ikni se do e rregullojmë thonë. Po si mund të tallesh dhe të nëpërkëmbësh karakterin e një njeriu që nuk ka ujë në shtëpi”.

Hyka thotë se e ka mbështetur këtë qeveri dhe ka punuar, sipas mënyrës së tij që ajo të vij në pushtet.

E dini ju se sa e kam mbështetur këtë Edi Ramën. Sa propagandë kam bërë që ai të vij në pushtet. Kam patur shumë besim se me ardhjen e tij do të ishim më mirë. Nuk e mendoja kurrë që me ardhjen e tij nuk do të kisha ujë në shtëpi. Ndihem tërësisht i zhgënjyer. Unë jam Gani Hyka dhe ai me njeh shumë mirë. Jam socialist deri në palcë, por në vitin 2018 të lësh këtë popull pa ujë është krim”- shprehet Ganiu para të cilit nuk mund të shtoj asgjë.

Ai është i dëshpëruar dhe gjithë banorët e tjerë janë të dëshpëruar. Atyre nuk u kanë dhënë një afat se kur do të kenë ujë. U kanë thënë vetëm se një ditë të hënë, ata do të kenë ujë, por se kur do të jetë kjo ditë…

Këta të bëjnë që të largohesh nga shtëpia jote, nga vendi yt, nga lagja jot si qëmoti kur njerëzit ikin nga gjakmarrja, ne do të ikim për shkak të mungesës së ujit. Nuk kam fjalë ta përshkruaj këtë situatë. Më dalin edhe në televizor e më bëjnë shou, kemi rregulluar këtë e atë. Po si guxojnë. Po këta t’i pështysh në sy nuk mjafton, e ku kanë turp këta. Çfarë them edhe unë…!?”

Mungesa e ujit ka bërë që e përditshmja e këtyre banorëve të mos jetë si më parë. Mëngjese të tyre janë shumë të vështira ku u duhet që të përdorin ujin përpara se të dalin nga shtëpia. Në mungesë të tij, ata janë vazhdimisht të revoltuar dhe të pafuqishëm për ta zgjidhur këtë situata.

Pallati nuk ka ashensor dhe një pjesë e mirë e tyre mbushin bidonët te të afërm të tyre dhe i ngjisin ata në këmbë.  Një pjesë janë të moshuar dhe vuajtja deri në katin e gjashtë është rraskapitëse.  Aty mund të imagjinoni vetë mallkimet që ata bëjnë kundrejt atyre që nuk bëjnë detyrën për të sjell ujin në rubinetet e tyre.

Çdokush që ka përgjegjësi për këtë situatë, jo vetëm për të përmbushur detyrën, pasi paguhet nga taksat e të banorëve të këtij qyteti, por do të duhet të mendonte në një moment edhe nga ana njerëzore: a do të qëndronte ai vetë për një muaj pa ujë! Nëse i kthen përgjigje kësaj pyetje, le të veproj dhe të bëj qe jeta e këtyre banorëve të mos bëhet kaq e vështirë për shkak të ujit.

Shqipëria renditet ndër vendet me rezerva të bollshme ujore, ndryshe nga jo pak vende të botës dhe të ketë këtë problematikë, duket absurde.

September 5, 2018 12:07
Komento

4 Komente

  1. aaxxx September 5, 12:19

    Lali Eri artisti me bojna do ju vije per fushte bashke me hajdutet e UKT

    Reply to this comment
  2. aaxxx September 5, 12:19

    Lali Eri artisti me bojna do ju vije per fushate bashke me hajdutet e UKT

    Reply to this comment
  3. info analitike September 5, 13:22

    Aaa po si ka mundesi keshtu more shoke qe lali Dhjeri te mos e kete pare kete suksesin e tij te radhes!
    Mos u perzitni shoke se kur ta votoni perseri me zi do d’jua beje jeten.

    Reply to this comment
  4. Feniks September 5, 18:32

    Bravo gazeta Dita qe qenka shqetesuar per kaq pak gje,ndersa une kam dy vjet qe u shkruaj se “UKT”vjedh qytetaret e Tiranes me taksa vendore te kunderligjeshme dhe i furnizon qytetaret me uje te pa pijshem me cmimin e ujit te pijshem dhe nuk ju duket se eshte lajm skandaloz!
    Dhe ketu mund te kemi te bejme me vjedhje miliardere e jo si do kudo!
    Mos valle keni frike nga qeveria?

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*