Evropa e Standardeve dhe Evropa e Kllounëve

June 28, 2016 03:00

Evropa e Standardeve dhe Evropa e Kllounëve

Nga Viktor Malaj

“Përdorimi në praktikë i standardeve të dyfishta bën që standardet universale parimore të paguajnë një çmim të pashmangshëm”/ Samuel P. Hantington*

Për shkak të pamjes së jashtme të saj, për shkak të propagandës mashtruese të lakenjve politikë e mediatikë të këtyre 26 viteve dhe për shkak të dijeve dhe njohjes së pamjaftueshme të shumicës së shqiptarëve, imazhi i Evropës politike tek ne është larg realitetit të qenësishëm. Duke qenë shumë më e pasur dhe më e zhvilluar se Shqipëria, duke pasur institucione shumë më të vjetra dhe më të qëndrueshme se tonat, është krijuar iluzioni se atje çdo gjë është në rregull dhe për t’u marrë shembull. Evropa është vatra e dijes dhe shkencës, e artit dhe kulturës, është magazinë e pamasë vlerash materiale, por jo edhe aq morale. Vetëm ata që identifikojnë bukurinë me moralin, forcën me të drejtën dhe pasurinë me drejtësinë, vetëm ata mund të besojnë dhe propagandojnë se Evropa është selia e Zotit dhe ndërtesa e gjykatës së tij supreme.

1

Historia, sidomos kjo e dy shekujve të fundit, na ka mësuar se Evropa politike merr rolin e priftit të përvuajtur dhe mëshirëmadh në kishë kur ajo propagandon parimet dhe drejtësinë që rrjedh nga zbatimi i tyre. Por, po kjo Evropë e hedh tutje veladonin e fetarit dhe vesh kostumin e matrapazit të bursës sapo vjen puna për të zbatuar parimet e propaganduar prej saj si dhe për të gjykuar veprimet, sjelljet dhe të drejtat e të tjerëve.

Meqenëse kjo është një temë e gjatë, le ta lëmë “gjuhën të shkojë atje ku dhemb dhëmbi”, pra le të prekim problemet tona dhe qëndrimet e Evropës politike ndaj tyre në periudhën sfilitëse të të ashtuquajturit tranzicion. Kur ndryshoi sistemi politik në vendin tonë, propaganduesit, ekspertët dhe “mësuesit” tanë evropianë na thanë se sistemi “demokratik” që po instalohej do të na mundësonte barazinë para ligjit, por neve na rezultoi se ligji, sapo vihej në dorën e gjyqtarit, kthehej në çekan i të fortit dhe të pasurit kundër të dobëtit dhe të varfrit. Po kjo Evropë na tha se pushteti politik mund dhe duhej të merrej vetëm nëpërmjet zgjedhjeve pluraliste, mirëpo sharlatanët tanë politikë e morën edhe me dhunë e armë në 1998 dhe Evropa u mjaftua me një njoftim që të largoheshin prej aty ku kishin hyrë, sikur thjesht kishin parkuar gabim makinën. Jo dënime, jo ndëshkime, madje as mëri ndaj “kundërvajtësve”. Tekstet politike të Evropës na mësuan se votimet duhej të ishin të lira, të ndershme dhe të drejta, por kur banditët tanë politikë i dhunuan këto procese në 1996 në prani të vëzhguesve evropianë, shumica e kancelarive të kontinentit zgërdhihej duke mos iu shkuar ndërmend se një vit më pas do t’iu duhej të zbarkonin me ushtri në Shqipëri për të paqësuar këta “grindavecë ballkanikë”. Kur e njëjta bandë dhe i njëjti kapo politik falsifikonte zgjedhjet e vitit 2009, “pastorët” politikë të Evropës iu bënin thirrje “të gjitha palëve të merren vesh” dhe e mbyllën çështjen, bashkë me grevën e urisë që po bëhej për hapjen e kutive të votimit dhe verifikimin e drejtësisë së procesit.

E mbyllën me një darkë tek “Krokodili”, a thua se të akuzuarit kishin falsifikuar një biletë autobusi. Propaganda e gjithanshme perëndimore na buçiste pambarim në veshë duke na treguar se vetëm diktaturat rrahin, burgosin dhe vrasin kundërshtarët politikë, por kur këto i bënte regjimi banditesk i Sali Berishës kjo Evropë, nga njëra anë, e shpallte “të burgosur politik” kryetarin e opozitës shqiptare dhe kaq, ndërsa regjisorin e këtyre krimeve e priste dhe e përcillte me pompozitet.

Tekstet politike të Evropës na mësonin se prona i takon atij që është pronari real i saj, mirëpo pronarët e vërtetë u bënë grabitësit e saj. Iniciativa e lirë u shpall si çelësi i suksesit ekonomik dhe konkurrenca e ndershme si loja hyjnore e të aftëve dhe të diturve, por koha tregoi se fituesit e vërtetë të kësaj loje ishin dhe janë të fortët e pander dhe të pushtetshmit e paskrupuj. Siç shihet dhe siç dihet e gjithë kjo dramë u luajt nga ne, por në praninë dhe, jo rrallë herë, edhe me ndihmën e evropianëve. Kjo pafytyrësi e jona dhe ky cinizëm i Evropës kanë bërë të mundur që të krijohet një hendek aq i madh midis atyre që thuhen dhe atyre që bëhen saqë vetëm injorantët dhe horrat nuk e shohin dhe as e pohojnë.

Pas një odiseje të gjatë përpjekjesh për formulimin dhe miratimin e një reforme në drejtësi, pasi na thanë se projekti ishte i Perëndimit, se ishte në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe se gëzonte mbështetjen e BE dhe SHBA, pasi na thanë se ata që e kundërshtonin ishin të korruptuar dhe “Nëse politika shqiptare nuk miraton reformën në drejtësi brenda qershorit, do të ketë pasoja të tmerrshme për integrimin e vendit në BE” (Knut Fleckenstein), para pak ditësh, dy reporterët për Shqipërinë në PE, z.Fleckenstein dhe z.Kukan na thanë përkatësisht se, “Miratimi i Reformës në Drejtësi pa opozitën nuk shtrohet si çështje” dhe “… procesi duhet të ketë mbështetjen e të gjitha forcave politike, sepse vetëm atëherë mund të sjellë progresin e qëndrueshëm të një vendi”.

Kur sjell ndërmend këto dhe të tjera gjëra, kur kujton se kundërshtarët e reformës janë ideatorët dhe arkitektët e gjendjes së sotme dhe autorët e shkeljes së të gjitha parimeve të sistemit të propaganduar nga Evropa, njeriu normal mbetet pa mend dhe ndihet i fyer dhe i tallur nga “Evropa Plakë”. Qëndrimet me dy standarde për çështje thellësisht parimore të sistemit, me dallime thelbësore nga ajo që praktikon dhe propagandon vetë nuk janë aspak dinjitoze për ata që kanë marrë përsipër rolin e mësuesit dhe të tutorit politik, ashtu siç nuk është sjellje fisnike të mirëpresësh në shtëpi atë që të tallë, ngaqë je i varfër dhe i dobët.

Ose Projekt-Reforma e Drejtësisë nuk është demokratike dhe, kështu, formuluesit, promovuesit dhe tregtuesit e saj duhet t’i kërkojnë falje popullit shqiptar dhe kundërshtuesve të projektit, ose, përndryshe, nëse projekti është demokratik dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare, atëherë ofruesit e tij duhet të damkosin publikisht penguesit e miratimit të tij. Nëse projekti është demokratik atëherë duhet që “aleanca” e brendshme dhe e jashtme pro- reformës ta tërheqë, imponojë ose injorojë pjesën politike anti-reformë dhe jo të lejojë që ata, që i kanë sjellë punët e Shqipërisë në përgjithësi dhe të drejtësisë në veçanti në këtë gjendje, ta tërheqin zvarrë popullin shqiptar edhe disa vite të tjerë për të mbrojtur privilegjet e paligjshme dhe për të siguruar imunitetin vetjak apo të grupit.

Të kërkosh që, medoemos, reforma të miratohet me pëlqimin e kundërshtuesve të saj është njëlloj sikur ta kushtëzosh vendimin e gjyqtarit me pëlqimin e të pandehurit dhe, kështu, gjyqtari i vërtetë do të ishte i akuzuari i pashpresë. Të presësh që ai moral që ka sjellë gjithë këto padrejtësi ndaj shqiptarëve të imponojë vullnetin e tij, do të thotë të ndjekësh një proces të pamoralshëm, të padrejtë dhe të pavlefshëm.

Në mënyrë të papërgjegjshme dhe paragjykuese, të dy zyrtarët evropianë të lartpërmendur aludojnë se një miratim i mundshëm i projektit të reformës pa opozitën kryesore do të ishte miratim me vota të blera. A nuk e dinë këta mësimdhënës kallpë se ka dhjetëra deputetë gjermanë, sllovakë, francezë e anglezë apo kongresmenë amerikanë që, në shumë raste, kanë votuar e votojnë në kundërshtim me partitë e tyre dhe, madje, i regjistrojnë votimet e tyre në faqet e veta zyrtare për të njohur votuesit me qëndrimet e tyre ndaj çështjeve themelore kombëtare? A duhen konsideruar këta të zgjedhur perëndimorë si të shitur?

Është falsitet i madh dhe hipokrizi ekstreme që, nga njëra anë t’iu kërkosh shqiptarëve plotësimin e dhjetëra kushteve (a thua se janë duke pritur pas derës së parajsës) për pranim në BE dhe, nga ana tjetër të ndëshkosh popullin shqiptar me “pasoja të tmerrshme” vetëm pse kriminelët e tij politikë nuk janë dakord të votojnë një projekt-reformë që rrezikon ndëshkimin e tyre. Qëndrime dhe sjellje të tilla i kthejnë zyrtarët e lartë evropianë në klounë dhe vetë Evropën në një “bukuri që vret”.

Personalisht, nuk më shqetëson shumë fakti i pranimit ose jo në një bashkësi shtetesh që i ngjan një tufe, individët e së cilës kullosin secili për hesap të vet, sesa më shqetëson fakti se Shqipëria dhe shqiptarët do të vazhdojnë të mbajnë në kurriz edhe për shumë kohë një oligarki banditësh dhe zengjinësh pa nder e moral, pa fe dhe atdhe, demagogë dhe propagandues parimesh popullore, por ndjekës të paepur të përfitimeve vetjake në kurriz të së sotmes dhe të ardhmes së vendit.

Prandaj nevojitet që Evropa ose të na lërë në mjerimin tonë derisa të vetëdijesohen shqiptarët për mashtrimin e madh, ose duhet që kjo Evropë të jetë serioze, dinjitoze dhe skrupuloze në trajtimin e problemeve tona, në marrëdhëniet me politikbërësit tanë dhe në qëndrimet e saj ndaj të mirës dhe të keqes, të drejtës dhe të padrejtës. Përndryshe, ne do ta humbim Evropën, por edhe ajo do t’i humbë shqiptarët.

 

June 28, 2016 03:00
Komento

2 Komente

  1. A.GRAMSH June 28, 09:57

    LETER NE REDAKSI!
    Pse Bujar Mehmeti(Nishani)nuk jep doreheqje per ti hapur rruge ‘rilindjes se shtetit shqipetar’!?
    ———————-
    1-SI ‘KRYETAR SHTETI’:Kur vendi ka 25 vjet pa shtet e nuk i funksionon asnje nga 4 pushtetet eshte i pa pergjegjshem apo i mer per budallenj shqipetaret perfshi dhe 60 perqind te tyre qe nuk votojne!?
    2-SI ‘PRESIDENT RREPUBLIKE:Kur vendi eshte pa ‘rrepublike parlamentare’ ku parlamenti 25 vjet nuk perfaqeson popullin e as 60 perqind qe nuk voton por krimin korrupsionin e 100 banda apo bajraqe ‘parti’ pse nuk e shperndan e ti hape rruge reformave kushtetuese qe populli shqipetar te zgjedhe direkt perfaqesuesit e vet si gjithe Bota,eshte i pa pergjegjshem apo i mer shqipetaret per budallenj!?
    3-SI KRYETAR I KESHILLIT MBROJTJES:Pse nuk jep doreheqje kur vendi e populli shqipetar eshte 25 vjet pa mbrojtje e siguri pa ushteri e eshte i pa pergjegjshem apo i mer per budallenj shqipetaret perfshi edhe 60 perqind te atyre qe nuk votojne!?
    4-SI KRYETAR I K.L.DREJTESISE:Pse nuk jep doreheqje kur 25 vjet motua e çdo vendi demokratik eshte :’Ligji i barabarte per te gjithe’ tek ne ‘JO TE GJITHE TE BARABARTE PARA LIGJIT’,eshte i pa pergjegjshem apo i mer per budallenj shqipetaret!?
    5-SI KOMANDANT I PERGJITHSHEM I F.A:Pse nuk jep doreheqje kur vendi nuk ka as ushteri as nje lloj rezerve per lufte dhe ka ngelur ‘kafshate’ per tere synimet nacionaliste ne kete KRRIZE ne nje kohe qe edhe vend drejtimet e vend komandat jane kthyer ne stalla apo boredollo!?
    6-SI BASHKESHORT:Meqene se ‘zonja e pare’ eshte pjese e sistemit bankar KRRIMINAL te Fullanerise pse nuk jep doreheqje ose denoncoje krrimin financiar e bankar ndaj pasurise kombetare arratisur jashte ne emra anonime qe perfaqesojne KRIMIN ME IMUNITET,i mer shqipetaret per budallenj apo eshte i pa pergjegjshem!?

    SE FUNDI:Si mund te jete nje ‘shqipetar’ edhe ‘kryetar shteti’ edhe kryetar i keshillit larte te drejtesise,edhe kryetar i keshillit mbrojtjes edhe komandant i forcave te armatosura KUR:’AI’ jo vetem nuk eshte zgjedhur nga shumica e popullit shqipetar por nuk eshte zgjedhur as nga ‘ELEKTORAT’ i nje ‘partije’ qe ne zgjedhjet e fundit vendore mori vetem 7 PERQIND nder 40 PERQIND TE VOTUESVE=200.000 VETA—-Por eshte zgjedhur nga 70 DEPUTETE SALISJANE QE NUK PERFAQESOJNE ASNJE SHQIPETAR SI GJITHE DEPUTETET E TJERE! ESHTE I PA PERGJEGJSHEM APO I MER PER IDJOTE SHQIPETARET!?

    P.S Redaksija e kesaj te perditeshme ashtu si bejne te perditeshme serjoze ne emer te popullit keto pyetje ti vere ne faqen e pare deri sa te marin pergjigje 99 perqind e shqipetareve!

    Reply to this comment
  2. Ina June 28, 17:31

    Erdha per te pare ndonje lajm per Manjanin qe kishte fol per KLD-ne dhe Gjin Gjonin…po cudi qe nuk e paskeni futur…Thanua e ka edhe per zemer Gjinuan!
    🙂

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim