Një këshillë për grevistët…

May 29, 2014 02:32

Një këshillë për grevistët…

Nga Bedri Islami

Nëse ka një njeri, i cili për 23 vite rresht i ka përbuzur ish-të burgosurit politik, ai, pa asnjë dyshim është Sali Berisha. Nëse ka një strukturë politike e cila u është kacavarrur mbi qafë ish-të burgosurve politikë, kjo pa asnjë dyshim është Partia Demokratike. Askush tjetër si ai, Berisha, dhe askush tjetër, si ajo, PD-ja, nuk ka përfituar nga statusi i këtyre njerëzve, të cilët, në më të shumtën e rasteve, ishin njerëz që donin një Shqipëri ndryshe, krejt tjetër me atë që ndërtoi regjimi berishian dhe, pa dyshim, shumë më të dinjitetshme se kjo që po përpiqet të ndërtojë edhe një herë ai mbi fatkobin e tyre. Fillesa e një greve urie e tyre, pasi kishin agjëruar në tetë vitet e pushtetit të Berishës është rikthimi tragjik i historisë së tyre, e cila, edhe pa këtë, do të ishte e mjaftueshme për të ndjerë respekt ndaj tyre. Secili prej ish-të burgosurve politikë është në të drejtën e tij të protestojë, mirëpo duhet të dijë se ku duhet të lëshojë kushtrimin së pari…sepse, si është në thënë në librin e lashtë të shqiptarëve, Kanunin, abuzimi me të drejtën kthehet kundër teje.

Ditët e para pluraliste nuk kishin asnjë vend për ish-të burgosurit politikë. Në tubimet e para, kudo, asnjëri prej tyre nuk ngjitej të fliste për vuajtjet e jetën e tyre të pas-burgut, ata shihnin nga poshtë se ish-komunistët e rikonfiguruar, tani jepnin leksione demokracie, ndonëse disa prej tyre kishin ende me vete, si një mburojë jo të rastësishme, teserën e partisë së punës. U desh të ndërhyhej nga të mërguarit politikë përtej oqeanit, me anë të kasnecëve të tyre, që të kuptohej se askush nuk do të mund të vinte në pushtet, nëse kjo klasë nuk do të ishte pjesë e lëvizjes ndryshuese, qoftë edhe për formën e saj të jashtme, si një pjesë që prekte me jetën e saj botën perëndimore. Kancelaritë e huaja nuk kishin asnjë mall dhe përkushtim për ish-komunistët dhe fëmijët e nomenklaturës, ata e dinin më mirë se ne të tjerët se pas pamjes së tyre demokratike fshihej lukunia e ujqërve të rinj të politikës, të cilët, meqenëse deri tash nuk kishin pasur edhe aq shumë vend në sofrën e grabitjes, po startonin të bëheshin luanët e mafies politike dhe ekonomike.

Në krijimin e degës së Partisë Demokratike në Shkodër, e cila u zhvillua në shtëpinë e një ish-ushtaraku të nderuar, i përjashtuar për motive politike më pas, Mark Mhilli, do të ndodhte edhe fillesa e përdorimit të kësaj klase politike. Që para se të fillonte takimi, i cili drejtohej nga Arben Broci dhe Tefalin Malshyti, të deleguarit nga Tirana kërkuan që në mbledhje të ishte edhe Pjetër Arbnori, i cili pasi kishte bërë 28 vite burg dhe kishte qenë pjesë e demonstratës së 13 dhjetorit 1990, në Shkodër, ishte në pritje. Nuk ishte menduar për të, dhe në fakt, asnjëri prej atyre që do të bëheshin më pas drejtuesit kryesorë të kësaj dege, nuk ishte i thirrur.

Te deleguarit ngulën këmbë dhe Pjetër Arbnori ishte i pranishëm. Më pas, për kryetar të degës do të propozohej pikërisht zoti Arbnori. Njëri nga të pranishmit, Arben Broci, qetësisht, tha se ndoshta nuk do të ishte zgjidhje e duhur që në fillimet e lëvizjes pluraliste, të vendosej drejtues një ish-i përndjekur politik, për më tepër i biri i Filip Tomës, pjesë e njësive “SS” gjermane, pasi njerëzit do të mendonin se nuk bëhet fjalë për lëvizje demokratike, por për revansh. Ai shtoi se në të vërtetë askush tjetër nuk e meritonte, por fillimi do të ishte i vështirë. Në kohën që zoti Arbnori do të zgjidhej, studenti Broci do i thoshte shokut në krahun e tij: “Do ja shoh sherrin kësaj fjale”.

Se çfarë ndodhi më tej, kjo është një histori tjetër.

 

Greva e parë në Berisha-1

Partia Demokratike e ndjeu se forca e kësaj klase ishte politikisht e fuqishme, por ekonomikisht ishte e dobët, për të mos thënë se nuk ekzistonte fare. Në fillimet e saj, kur gjërat ishin ende të sinqerta në pamjen e tyre të parë, PD mund të ngrihej edhe me ndihmat nga fqinjët, më e shumta e të cilave vinte tinëzisht, si ato që erdhën në janarin e vitit 1991 nga Beogradi, apo që vinin haptas, si ato që vinin nga Athina, por nuk mund të krijonte kredon e saj politike, nëse , qoftë edhe për një çast, ajo nuk do të bënte sikur kauza e të përndjekurve politikë ishte edhe kauza e tyre.

Në fakt, në të gjithë shumatoren e parlamentarëve të parë të zgjedhjeve të vitit 1991, dhe ato që u zhvilluan një vit më pas, përfaqësimi i kësaj shtrese në PD ishte minorene, një aparencë e zbehtë, përfaqësimi i tyre ishte pesë herë më i vogël se sa nga ish-komunistët, brenda staturës së lartë pëdëiste dhe disa herë më i pakët se ish-bashkëpunëtorët e Sigurimit të shtetit apo të shërbimeve të huaja fqinje.

Partia Socialiste, ende duke u marrë me veten dhe përgjithësisht ende pa fizionominë e saj politike pluraliste, ndonëse nuk u shfaq si një kundërshtare e kauzës së tyre, ishte e ftohtë dhe jo koherente, por të paktën nuk ishte hipokrite, për të luajtur një lojë politike pa asnjë lloj morali njerëzor. Sikur e gjithë ajo që ndodhi në strukturat e PD me përbuzjen ‘de fakto’ të kësaj shtrese, të kishte ndodhur në PS, me siguri që do të kishin ndodhur gjëma shumë më të mëdha dhe lëvizje shumë më të fuqishme se sa një grevë urie. Fatbardhësisht kjo nuk ndodhi, vonimi nga PS e ndjenjës së sinqeritetit ndaj kësaj shtrese filloi të kristalizohej, dhe, do të duhej të vinte një lidership që e kishte filluar politikën djathtas, Edi Rama, që për herë të parë, klasa e ish-të burgosurve të kishte ndjenjën e një detyre ndryshe.

Deputetët e PD-së nga kjo shtresë njerëzore, e dënuar politikisht për bindje të së ardhmes,filluan të rrallohen gjithnjë e më shumë, idetë e tyre dhe ata vetë fizikisht filluan të zhduken, dalëngadalë ata kaluan në surbinet e jetës politike, për të qenë më pas të harruar. Shembulli më i ndjeshëm është ai i Pjetër Arbnorit, i vdekur befasisht, kur filloi të rebelohej ndaj partisë së ” tij”, harresa që ra mbi emrin e tij, sa që tashmë kanë kaluar disa vite dhe askush nuk është kujtuar të përmendë qoftë edhe një herë emrin e tij. Toleranca që solli ai, sinqerisht, duhet pranuar, si një njësi e mendimit kristian, humane, si përcaktuese e një njeriu të kulturuar, të letrave, çka u shfaq edhe më shumë kur njerëzit u përplasën pas harbutllëkut të Topallit. Arbnori vdiq i harruar, i ndershëm dhe i varfër. Ai do të ishte treguesi më i ndjeshëm se një klasë politike, e ardhur me komandë ose për interesa në politikë, është e aftë  të të ngrejë në këmbë, aq sa i duhesh, dhe, më pas, të të përmbysë dhunshëm.

Edhe sot, në parlamentin e Shqipërisë, pëdëistët, me përjashtim të poetit Visar Zhiti, nuk e di të kenë ish-të burgosur të tjerë politikë ose zëdhënës të tjerë të rëndësishëm të jetës së tyre. Edhe poeti i shquar doli në momentin e fundit, si një harresë e kohës, megjithëse ai i ka sfiduar të gjitha kohërat, qoftë ne poezinë e prozën e tij, qoftë në dinjitetin si njeri. Mëkat që është aty ku nuk duhej të ishte. Familjet e mëdha të persekutuara, të cilat për shumë dekada kanë qenë pjesë e historisë , kanë sot aty groteskun e jetës së tyre, tek një farë Bumçi apo Topalli, dhe jam i bindur se ndjenja e atyre që kanë shkuar, e përgjegjësisë dhe e dinjitetit vetjak, është me vite drite larg shkapërderdhjes së moralit që paraqesin sot pinjollët e tyre. Berishës i duhen pikërisht të tillët, si shenjë se kjo klasë e përmbysur dikur, kështu ka qenë, e bleshme mrekullisht shpejt, e padinjitetshme, dhe se vetëm ish-komunistët si ai, janë të denjë të bëjnë vepra të ndjeshme.

Greva e parë e ish të burgosurve politikë nuk u bë nën qeverisjen socialiste. Ajo u bë pikërisht nën qeverisjen Berisha 1, kur ai ishte në kulmin e tij të delirit, dhe kur, pasi ishte ngjitur deri në majë me ndihmën e kësaj shtrese, ktheu sytë nga poshtë, dhe iu duk se ata e kishin tepruar. Atëherë, si një fanatik i hershëm se, kjo klasë politike është armike e shtetit, sepse ishte i ardhur nga një botë e tillë, ai nuk hyri në bisedime, ai shikoi se si nga njerëzit e tij rebelë, Azem Hajdari, po shkonte të bënte kauzë me to, dhe, marramendshëm shpejt, dërgoi forcat speciale, i kapi për zhelesh, se asaj kohe ata vërtet ishin me zhele, dhe i dëboi nga godina e grevës së urisë. Dhe i paralajmëroi: cilido që do të bënte ripërsëritjen e gjërave, ai, domosdo, do të merret ndëshkimin e merituar. Në fakt, asnjëri nga ata që ishin në atë grevë urie, nuk bëri më hair, nuk u ringrit në këmbë, sherri që panë ishte një zullum i madh, dhe kjo ishte një goditje e brendshme, nga njeriu që e kishin ngritur në pushtet si Shpresën e tyre. Nuk do të ishte hera e parë që kjo lloj ” shprese” do i godiste; por nëse një palë i kishte goditur edhe kokë për kokë, të tjerët do i godiste si strukturë.

 

Një këshillë për grevistët

Greva tjetër e urisë e ish-të burgosurve politikë ndodhi në grahmat e fundit të qeverisë Berisha. Njeriu që“përgjërohej” për to, as e mori mundimin të kthente kokën drejt tyre. Ai, në vend që të thërriste memorien se kush ishin këto njerëz, bëri diçka krejtësisht neokomuniste: i mallkoi, i sulmoi, shpifi për to, sajoi gjendje të pashembullta, futi në lojë edhe një farë Nishani, për t’u tallur edhe më tej me to, i rrethoi me gardë, i keqtrajtoi njerëzit që donin të kishin mbështetje, përqeshi humbjen dhe sakrificën, dhe kur ata, nga dëshpërimi i dyfishtë, shkuan në akte sublime, u tall me vdekjen e tyre, sikur e gjithë ajo që kishte ndodhur të kishte qenë një dramë me fund të lumtur dhe, pas ngritjes së perdes, personazhet do të ri-ngriheshin. Liraku iku nga kjo jetë me pezmin se, pasi kishte vuajtur, i kishte shërbyer një njeriu të mbrapshtë, ndoshta më të mbrapshtit. Berisha e talli vdekjen e tij, dhe e gjitha kjo në një situatë surealiste, në të cilën, persekutori ngadhënjente mbi të vdekurit.

Tani është stina e grevave të urisë. Në prapaskenën e SHQUP-it , si në të gjitha tragjeditë, po montohet me shpejtësi një akt tjetër i mbrapshtisë, por kësaj here ata kanë thirrur në ndihmë disa njerëz, të cilët, deri më tash duhej të kishin kuptuar të vërtetën se, njeriu që u tall me to 23 vite rresht, nuk e ka për gjë të përsëritë tragjeditë makabre. Nëse do të kishte qenë një lider për së mbari , ata të gjithë do të kishin marrë tashmë dëmshpërblimin e tyre dhe nuk do të kishin qenë të habitur se si Basha zhduk mbi 200 milionë në rrugën e Kombit, se si bija e Berishës kërkon miliona për një firmë, se si i biri i tij, pasurohet pa qenë në asnjë punë, se si disa bij të ish nomenklaturës së djeshme tani janë të pasurit e djeshëm.

Lexova një shkrim të poetit dhe mikut tim Agron Tufa për një poet, të dergjur dje nën regjimin komunist dhe pa plang e shtëpi në regjimin e sotëm. E ndjeva dhimbjen në shpirt. Tetë vite rresht poeti i cituar nga Tufa kishte qenë aty ku ishte edhe sot, ndërsa qeveritarët e djeshëm dhe të sotëm, të gjithë njëlloj, jetojnë në vila të stërmëdha, komode e moderne, si një tallje për vuajtjet e poetit.

Një grevë e re urie filloi. O njerëz të mirë, keni 23 vite që jeni të uritur dhe të përdorur. Tani po duket një dritë në fund të tunelit, kur, deri dje as tunelin nuk e keni parë. Ndoshta do të ishte më njerëzore nëse do të kishit pa drojën që t’i thoshit atij që ju delegoi në këtë grevë: Eja me ne, bashkë me djalin, vajzën ,dhëndrin, djalin politik dhe gjithë të tjerët. Ndoshta e ndjen pak dhimbjen. Dhe kërko ndjesë. Jemi në 23 vjetorin e humbjes së dytë.

***

Një borxh që na e kanë ish-të përndjekurit…

REDAKSIONALE

Beteja , protestat, grevat e ish-të përndjekurve politikë kanë shoqëruar në mënyrë ciklike vëmendjen e opinionit publik në dy dekadat e fundit. Është ndoshta e tepërt të sillen në vëmendje me qindra raste të përdorimit të tyre politik, të sulmit frontal ndaj tyre apo dhe inskenimit të skenarëve agjenturorë për të mundësuar neutralizimin dhe arrestimin e tyre(rasti i aferës së stisur të Asllan Patriotit. Në fakt kjo klasë përcaktohet shpesh me termin  ish-të përndjekur, por brenda llojit të personave që hyjnë në këtë ‘klasifikim” doemos që nuk janë të gjithë njësoj, si në të kaluarën e tyre, si në implikimet e tyre, si në intelektin e tyre por dhe në dinjitetin e tyre. Ndaj dhe është tepër e vështirë të dallosh qartë mes radhëve të kësaj klase se çfarë realisht përfaqësojnë në raport me shtypjen nga e kaluara komuniste dhe në raport me nevojën për t’i përdorur ose për t’i neutralizuar që vjen nga politika e ditës.

Por e gjithë kjo klasë, përtej dallimeve mes llojit të saj, të gjithë ata individë që i përkasin kësaj kategorie, një të përbashkët të rëndësishme e kanë, një të përbashkët kyçe, delikate, që nuk i nderon aspak: Qëndrimi i tyre në 2 dekada në raport me “Dosjet e Komunizmit”.

Janë dosjet agjenturore dhe jo vetëm, janë dosjet e sekreteve të hidhura, të një sistemi që funksiononte si makinë qepse në këtë drejtim. Janë plotësisht të kuptueshme këmbënguljet e kësaj shtrese për çështjen e dëmshpërblimit monetar. Por ka diçka që nuk shkon në qëndrimin e tyre. Një shtresë e ‘shtypur” , nën terror dhe diskriminimin e viteve të komunizmit, duhej të ishte pararojë dhe një forcë e madhe presioni mbi klasën politike për hapjen e dosjeve dhe zbardhjen e të vërtetave.

Kush më shumë se kjo shtresë do justifikonte protagonizmin për një nismë të tillë?

Nuk bëhet fjalë aspak për një nismë elementare, të lidhur ngushtësisht me klasën e ish-të përndjekurve. Dosjet janë TABU-ja, janë privimi i madh i këtyre 20 viteve, që na kanë bërë ta shohim në foto Sali Berishën edhe në varkë me fëmijët e Enverit por ta shohim edhe flamurtar të anti-enverizmit apo anti-komunizmit. Janë dosje që do çlironin një shoqëri të tërë dhe një brez të ri që ëhstë maturuar këto dy dekada, e  që nuk arrin dot të kuptojë se çfarë dreqin ka ndodhur me këtë vend në 20 vitet e fundit.

Dy dekadat e fundit ama, janë vite që tregojnë dhe flasin për një zbritje fatale dhe rrënim të dinjitetit të shtetit në Shqipëri, që flasin për një thërrmim thuajse të organizuar të nuklit shtetëror, janë vite ku kemi parë kaosin, katrahurën e 97, kemi parë rrënimin nga skemat financiare spekulative, janë vite ku roli tregtar i Shqipërisë është barazuar me atë të një shteti vetëm-konsumator të produkteve të huaja, janë vite ku kemi parë Shërbimin Informativ të vendit të trajtohet si putanë, kemi parë krerë gjykatash të trajtohen si eunukë, por kemi parë dhe Presidentin të trajtohet si tespie.

Janë vite kur politikanë direkt përgjegjës për dëme kolosale ekonomike dhe gabime të pariparueshme strategjike të vendit, duartrokiten si heronj, janë vite ku kemi parë vetëm dhe vetëm Evropën, “ëndrrën integruese”, janë vite ku na ftojnë të shohim vetëm jashtë shtëpisë tonë, ndërsa në një dhomë të shtëpisë qëndrojnë TABU të paprekura këto dosje. Ndaj dhe natyrshëm lind pyetja:
Pse i duhet shtëpisë kjo dhomë me ganxha hekuri? Kush përfiton nga fshehja e të vërtetave?

Si mund të kapërdijmë ne kaq kollaj ëndrrën integruese evropiane, kur ne në shtëpinë tonë nuk jemi ende të integruar në dhomën më kryesore të shtëpisë?

Kujt i intereson kjo mjegull kaq e dendur brenda shtëpisë, për të bërë më pas propogandë për një ‘mot të kthjellët’ nëpër parqet e integrimit evropian? Çfarë ka ndodhur me ne? A janë të rremë heronjtë tanë të demokracisë dhe integrimit?

Dhe pyetja më kryesore: A arrijnë ta dallojnë ish-të përndjekurit dhomën e TABU-ve në mes të shtëpisë?

Po patjetër që e dinë, por kanë zgjedhur të dalin në shesh kryesisht për dëmshpërblimet monetare. Dëmshpërblimet atyre në një pjesë dërrmuese shoqëria ua ka borxh, lekët t’i gëzojnë, por një borxh të madh ja kanë Shqipërisë: Persekutimin dhe kaosin 20 vjeçar, për shkak të një dhome që ata nuk kanë dëshirë ta shohin.

 

May 29, 2014 02:32
Komento

3 Komente

  1. Meteh May 29, 07:21

    Ky njeri ne foto/ështe një zuzar/Shqiperin se do/Kerkon ti ver zjarr.Ka 23 vite/Qe ky po sundon/Nuk u ngop me pare/Prandaj po gufon.23 qeshori/E nxori fyshek/Por ai s’teriqet/Po kerkon dyfek.Me greva urie/Kerkon koken e Rames/Lazarati tij/I bie anes e anes.Ky njeri hajdut/Nuk terhiqet leht/Dhe ka ardhur koha/Do ngarkuar me mut.

    Reply to this comment
  2. Samiu May 29, 16:16

    Te lumte N. VJOSA…..

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*