Klientela e padukshme e Lulzim Bashës

Nga Habjon Hasani March 29, 2014 01:18

Klientela e padukshme e Lulzim Bashës

“Ne do e presim me Kushtetutë në dorë Ramën, në sheshet dhe rrugët e vendit, për të refuzuar çdo produkt të njëanshëm”, deklaronte dje kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha në një intervistë, ku në objekt ishte takimi i tij me Edi Ramën dhe kushtëzimi për Reformën Territoriale. Në këtë fjali, paralajmëruese të Bashës, bën përshtypje sidomos, përemri vetor i përdorur prej tij: “NE”. Çfarë ka parasysh Basha kur thotë NE? Çfarë mendojnë demokratët kur dëgjojnë Bashën që artikulon “NE”?  Mes asaj që ka parasysh Basha dhe asaj që kuptojnë demokratët mund të ketë një diferencë të rëndësishme. DITA prej kohësh është investuar në kontaktimin e zyrtarëve të lartë në PD, funksionarëve të mesëm në këtë parti, në përpjekje për të gjetur receptorë që japin të dhëna mbi situatën në radhët e PD-së, sidomos raportin e lidershipit të Bashës me partinë e vetë. E gjithë situata duket se identifikon shqetësime dhe probleme brenda demokratëve e cila mund të ndahet në tri kapituj kryesorë : 1. Klientela 2. Bllokskema Organizative 3. Raporti me LSI.

 

Klientela

Nëse nëpër televizione dhe gazeta kryeqendër e aktivitetit politik të Bashës javën e fundit është qëndrimi dhe vendimi i tij për takimin me Edi Ramën, ky realitet i përcjellë nga mediet, mund të mos ketë fare të bëjë me pritshmëritë e vërteta të strukturës së PD-së. Zyrtarë të rëndësishëm në PD, por edhe funksionarë të mesëm të kësaj partie, prej disa muajsh kanë identifikuar një rreth të gjerë klientele të afruar pranë Bashës, që për ta është një tregues pesimist për kryetarin e ri.

LuliiiiiiiiiiiiKy rreth klientele është i shpërndarë në tri drejtime, në Bashki, në Ndërmarrjen e Ujësjellësit dhe në SHQUP, tek partia. Një zyrtar i lartë në PD, shpjegoi këtë situatë për DITA-n: “Sinjalin e parë ne e morëm kur pamë organizimin që Basha po bënte në Bashki, në fillim të mandatit të vetë. Ai përdori një skemë që përjashtoi kontrollin dhe ndërveprimin e PD-së me institucionin e Bashkisë. Që në ditët e para të punës së Bashës në Bashki dhe deri më sot që ne të dy po bisedojmë, në Bashki janë tre njerëz që kontrollojnë të gjitha punët. Florian Pustina; Etion Kapedani dhe Taulant Zeneli. Dy të parët dihet, janë prurje dhe investim direkt i Bashës ndërsa i treti, Zeneli, është dhe lidhje farefisnore e tij. Praktikisht nuk ka fare PD në Bashkinë e Tiranës, por ka një rreth vicioz me miq të besuar ose lidhje gjaku, të një personi, që quhet Lulzim. Sinjalin e dytë e morëm pasi PD-ja humbi zgjedhjet më 23 Qershor dhe nisën ndryshimet në administratë. Disa nga njerëzit koifident me Bashën, ose lidhje miqësore direkte të tij si Flamur Gjymyshka, Bernard Çaushaj, Besnik Çobaj, Avdi Mataj, morën me shpejtësi poste në ndërmarrjen e Ujësjellësit të Tiranës ose në Bashki.   Nga ana tjetër kjo dukej edhe si një përpjekje e këtyre ish-zyrtarëve për tu dukur si fukarenj dhe si njerëz që kanë nevojë për një rrogë. Nisur nga postet që ata kanë mbajtur, bëhet pak qesharake kjo histori, pasi vështirë që demokratët të besojnë se njerëz që kontrollonin doganat, policinë apo lojërat e fatit, të jenë në pikë të hallit për një rrogë. Është tepër e bukur kjo histori për të qenë e vërtetë”,  – shprehet zyrtari i lartë në PD.

Nga ana tjetër të njëjtën strategji Basha duket se po ndjek edhe me personat dhe rrethin e njerëzve që ai po angazhon si kryetar i partisë. “Qarku i SHQUP-it” po etiketohet grupi i bashkëpunëtorëve të Bashës të angazhuar “në punët e partisë” dhe pjesë e kabinetit të tij të ngushtë si kryetar partie.

Ka një neglizhencë demonstrative tashmë të kryetarit të partisë Basha, ndaj grupit parlamentar, kryesisë së partisë dhe figurave kryesore të kësaj partie në 8 vite pushtet. Basha po punon kryesisht në SHQUP me “shokët e rinisë” dhe po investon mediatikisht njerëz dhe persona që janë instaluar prej tij nga biznesmenë ose botues si prurje ekskluzive e këtyre të fundit. Është gjëja më normale që kryetari i ri të synojë një rifreskim të establishmentit demokrat, por mënyra si e bën këtë ka shumë rëndësi. Ai nuk mund t’i ikë dot me vrap të kaluarës së afërt të kësaj partie, rifreskimi është i mirë, e pranojmë të gjithë, por Lulzim Basha nuk mund të përdorë thjesht makijazhin me emra apo fytyra të reja dhe të na bëjë të gjithëve të besojmë se ai nuk është edhe kryetar i Kastriot Islamit, por vetëm kryetar i këtyre fytyrave të reja. Në fakt, edhe këto prurjet e reja edhe Kaçi edhe garda e ish-ministrave, janë realitete në PD, ndaj Basha duhet të gjejë ekuilibrat, se makijazhi del shpejt”, – u shpreh për DITA, një drejtues i një forumi të rëndësishëm në PD-në e Tiranës.

 

Bllokskema Organizative”

Një tjetër aspekt problematik në PD aktualisht duket se është dhe ndarja e punëve. Aksionin real dhe operativ rezulton se e ka ende monopol ‘deputeti’ Berisha, ndërsa dekori i është lënë domen kryetarit Basha.  Një zyrtar i lartë i kësaj partie shpjegoi në mënyrë të përmbledhur atë që ndodh realisht me organizimin e punëve në PD. “Në partinë tonë, çështja organizative nuk ka qenë asnjëherë diçka që mund të vinte spontanisht. Në PD është operuar me bllokskemë, me struktura, grupime dhe hierarki të qartë, të cilat siguronin informacion dhe mblidhnin të dhëna në rrugë kapilare dhe më pas e denonconin dhe e shpalosnin këtë informacion po ashtu nëpërmjet një strukture të organizuar. Basha po tregon se nuk ka lidhje me këtë aspekt të PD-së, nuk e ka haberin fare. Në konceptin e tij, mjafton që një informacion, dosje apo skandal të qeverisë  ta kesh në tryezë, cakton dikë të dalë në konferencë për  shtyp për ta denoncuar dhe puna quhet e mbaruar. Në fakt funksionon komplet ndryshe, ndaj dhe ‘Doktori’ po organizon dhe kontrollon personalisht të gjithë skemën e funksionimit të kuadrove për mbledhjen e informacioneve dhe analizimit të situatave problematike, pasi Basha ka disa muaj që ka shfaqur limitet e veta në këtë aspekt. Madje dhe shumë mbështetës së tij kanë pakënaqësi, janë deputetë që kanë punuar me skemën e Berishës dhe që nuk e durojnë dot mënyrën e paorganizuar të drejtimit të punëve nga Basha”, – shprehet i njëjti burim.
Përpos mangësive të Bashës në organizimin e punëve, duket se një problem serioz i tij është kontrasti i fortë mes këshillave teorike që i vijnë nga rrethi i tij i “Qarku i SHQUP-it” dhe urdhrat që merr dhe i zbaton nga “shkolla tradicionale” e Berishës. 

“Situata shfaqet edhe komike ndonjëherë, pasi këta “çunat e SHQUP-it” kanë me merak tonet e buta dhe fjalorin e moderuar. Kur u ndodhëm në një mbledhje të nivelit të lartë në PD, gjatë periudhës së valës së shpërthimeve me tritol, dikush pranë Lulzim Bashës hodhi me lezet idenë në tryezë se ndoshta do ishte më mirë për PD-në të ofronte mbështetje morale për policinë pasi problemi cenonte gjithë qytetarët. Por ndodhi që Berisha ia preu shkurt se kjo ishte diçka e pakonceptueshme dhe të gjithë e morën mesazhin. Ua dhashë këtë si shembull, për të treguar se përtej defekteve në organizim, Basha dhe rrethi i tij, kanë një autoritet të shpërfillur për çështje bazike, që normalisht janë dhe çështjet që latojnë figurën e kryetarit”, – u shpreh zyrtari i lartë demokrat.

 

Një ditëlindje si tregues

Shfaqen tejet interesante sidomos komentet dhe përshtypjet mes radhëve të demokratëve mbi festën e ditëlindjes së shumë komentuar të kreut të LSI-së, Ilir Meta. Mes demokratëve kjo temë ka shumë “piper”, jo vetëm për shkak të një bashkëpunimi katër vjeçar me LSI-në dikur, por edhe për vetë faktin se kryetari aktual Lulzim Basha, së bashku me një grup njerëzish pranë tij, ndajnë një raport miqësie dhe simpatie të ndërsjelltë me Metën ndër vite. Në fakt, Basha ka shfaqur qëndrimin e vetë në lidhje me këtë festë në dy raste, së pari me mos prezencën e tij dhe më pas me një deklaratë publike ku e quajti ‘provokacion’ këtë festë. Gjatë fushatës për garën e kryetarit në PD, ku Basha konkurronte përballë Olldashit, ky i fundit, jo pa qëllim përmendte “gabimin me LSI-në” si tezën e vetë kryesore. Basha, konkurrenti përballë, ishte shumë i identifikuar me LSI-në. Por së fundmi, Basha ka nisur një tjetër lloj diskursi publik ndaj LSI-së, duke e atakuar rregullisht këtë parti, njësoj si me PS-në. Ndonëse ka ndryshim kursi, demokratët sërish mbeten skeptik ndaj kryetarit të tyre në këtë pikë, pasi të gjitha të dhënat tregojnë se Basha, kur ka pushtet, si në rastin e Bashkisë, njeh vetëm lidhjet dhe linjat “shoqërore personale” dhe e ka shumë të theksuar këtë aspekt. “Ajo deklaratë për provokacionin e ditëlindjes, ishte diçka, por u duk sikur Basha më shumë ishte i detyruar të artikulonte në atë mënyrë se sa ishte duke e menduar vërtetë atë që shprehte. Ne e dimë të gjithë se si reagon PD-ja me “vaskat e floririt” dhe “mamuthët” kur të vendos realisht në shënjestër. Pra, nuk bind. Nga ana tjetër, ky reagim i vakët mund të mos jetë i lidhur vetëm me raportin Basha-Meta, se i kompleksuar mund të jetë dhe vetë Berisha. Të përmendësh Gjirin e Lalzit ndërsa je duke denoncuar si demokrat nuk është diçka e thjeshtë. A nuk është vetë Argita Berisha ajo që e bëri të njohur “Gjirin e Lalzit”? Në këtë aspekt, Basha dhe Berisha ndjejnë siklet njësoj, por ama për demokratët e thjeshtë, ky lloj qëndrimi dhe kjo lloj heshtje është e pakonceptueshme. Demokratët e thjeshtë nuk kanë vila atje dhe nuk duan t’ia dinë për arsyet e Dyshes”, – tha dje për dita i njëjti burim nga selia blu.

 

KLIENTELA BASHKI-UJËSJELLËS-SHQUP

Klientela në Bashkinë e Tiranës
Florian Pustina
Etion Kapedani
Taulant Zeneli

Klientela në Ujësjellësin-Tiranë:

Flamur Gjymyshka ish-Drejtor i Doganave për 6 vjet, është emëruat Shef Njësie në UKT Tiranë
Bernard Çaushaj, ish-Drejtori i Policisë së Tiranës është emëruar Shef Njësie në UKT Tiranë
Besnik Çobaj, ish-Drejtori i Lojërave të Fatit,  është emëruar Drejtori i Shitjeve në UKT Tiranë
Avdi Mataj, ish-Drejtor i Pasurive të Sekuestruara nga Shteti, Drejtor në Bashkinë e Tiranës

Klientela në SHQUP, në parti:
Glori Husi
Enkelejd Alibeaj
Eris Hoxha
Artan Hoxha, analisti
Grida Duma
Fatbardh Kadilli
En(n)o Bozdo
Kreshnik Çollaku
Gerti Bogdani

* * *

Basha: Nuk ka takim, NE do protestojmë me Kushtetutë në dorë

 Gjatë një interviste të dhënë dje, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, akuzon Kryeministrin Edi Rama se refuzoi konsensusin me opozitën. Basha thekson se letërkëmbimi që pati me kreun e Qeverisë, i jep fund demagogjisë se opozita refuzon konsensusin.

 

Nuk do të ketë një takim mes jush dhe z. Rama?
Mendoj se përgjigja e djeshme e z. Rama është vetë shpjeguese në këtë drejtim. Qëllimi i letërkëmbimit, gjykoj se ka qenë reforma territoriale-administrative. Kushti i konsensusit i vendosur nga praktika 23 vjeçare dhe nga kushtetuta e Shqipërisë është refuzuar nga kryeministri Rama. Mendoj se kjo flet vetë për qëndrimin që z. Rama ka për konsensusin, në veçanti për reformën dhe natyrisht edhe për dialogun.

 

Kryeministri tha se mazhoranca do ta miratojë e vetme reformën territoriale. Në rast se kjo gjë do të konkretizohet me votat në Parlament, cilat do të jenë hapat e mëtejshëm që do të hedhë opozita?

Reforma territoriale-administrative për nga vetë natyra që ka, nuk mund të kalojë pa konsensusin e palëve në Parlament. Nuk ka ndodhur kjo në 23 vite demokraci dhe nuk mund të ndodhë në vitin 2014, teksa vendi troket për hapat e mëtejshëm drejt integrimit në BE, një ndër kushtet kryesore të së cilit është bashkëpunimi politik, konsensusi për çështje madhore, qëndrueshmëria e institucioneve dhe reformave. Ne do të vijojmë të këmbëngulim tek konsensusi, të këmbëngulim tek respektimi i standardit të konsensusit, tek respektimi i kushtetutës. Uroj që mazhoranca të reflektojë. Përndryshe ne do e presim me kushtetutë në dorë në sheshet dhe rrugët e vendit për të refuzuar çdo produkt të njëanshëm, si të dëmshëm, të padobishëm, të pavlefshëm për demokracinë shqiptare dhe qytetarët shqiptarë.

 

Në fakt, janë disa vendime të gjykatave që nuk zbatohen nga mazhoranca. Çfarë do të bëjë opozita në një situatë të tillë?

Moszbatimi i vendimeve të gjykatave është vetë-paditja më e madhe që kjo qeveri i bën vetes në kuadër të praktikave të saj antidemokratike. Për çdo vend demokratik është absurde, kur qeveria e vendit refuzon të zbatojë e të respektojë vendimet e gjykatave, siç janë vendimet e Gjykatës Kushtetuese të cilat zbatohen e nuk vihen në diskutim, siç janë vendimet e formës së prerë të gjykatave të tjera të vendit. Ky është një ndër aspektet shqetësuese të keqqeverisjes dhe cënimit të standardeve demokratike nga shumica Rama-Meta. PD e ka denoncuar dhe vazhdon të denoncojë moszbatimin e vendimeve të gjykatave, si një kambanë alarmi për shtetin ligjor dhe demokracinë në vend. Ne kemi përdorur dhe do të vazhdojmë të përdorim të gjithë hapësirën institucionale në Parlament dhe institucionet e tjera të vendit, për të insistuar që themelet e shtetit ligjor, duke nisur nga vendimet e gjykatave të zbatohen e të respektohen pikë së pari nga mazhoranca. Por ne do të vijojmë t’u drejtohemi qytetarëve, sovranit të vërtetë në këtë vend, sa herë që të zgjedhurit me votën e tij refuzojnë t’u binden rregullave të lojës që ai ka përcaktuar e që janë kushtetuta, shteti ligjor, vendimet e gjykatave. (Marre nga TV KLAN)

rama-basha-cfare-shikimi

 

Baze: Intervista tregon se Basha po përgatit bojkotin e zgjedhjeve lokale

Në shënimin e tij redaksional mbrëmjen e djeshme në “TemA”, Mero Baze ishte fokusuar në interpretimin e kësaj interviste të dhënë nga Basha. Për Bazen qëndrimi i Bashës është një e dhënë orientuese se ai është duke përgatitur bojkotin e zgjedhjeve të ardhshme lokale. Në vijim të këtij argumenti Baze shkruan se:

“Në intervistën e tij në TV Klan ditën e premte, ai e shprehu qartë vendimin për të mos marrë pjesë në reformën administrative, dhe paralajmëroi protesta dhe bojkot në rast se ajo miratohet pa pëlqimin e opozitës. Kjo është në të vërtetë skema që të çon tek bojkoti i zgjedhjeve lokale vitin e ardhshëm dhe shpëtimin e nderit të Lulzim Bashës si kryetar, që nuk çon dot në fitore Partinë Demorkatike.
Veprimet e tij të kohëve të fundit, ideja se ai është dakord të negociojë për reformën, ka të bëjë me vendimin e tij të qartë, që ai nuk do të bëhet kjo reformë, dhe se mospjesëmarrja e tij në reformë do të jetë njëkohësisht mospjesëmarrje në zgjedhje vendore”.

Nga Habjon Hasani March 29, 2014 01:18
Komento

2 Komente

  1. andrea March 29, 14:33

    Kush eshte dhe sa eshte klientela e LULIT & compani. Pyetje e bukur. Por duke u bazuar tek fakti qe keta individe jane te karakterizur nga ndjenja e Megallomanit dhe i bejne llogarite sipas ekuacionit: Sala= 2000000…vete Luli = 1000000 etj. jane aq shume {me shume se dhe vete Amerika} sa qe mjaftojne per te permbysur pushtetin. Por per se tepermi keta ekzistojne vetem ne mendjet e tyre.

    Reply to this comment
  2. MARKO March 29, 23:21

    Luli si prurje? Nje prostitute politike….

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*