EKSKLUZIVE / Versioni i plotë WORD i intervistës në Romë me Lorik Canën

October 29, 2014 00:31

EKSKLUZIVE / Versioni i plotë WORD i intervistës në Romë me Lorik Canën

Nga e dërguaja jonë në Romë, Mira Kazhani

 

Në qendrën sportive Formello të ekipit të Lazio-s në Romë, Lorik Cana i ka ende të freskëta përjetimet nga ngjarjet e Beogradit. Ai flet për të gjitha aspektet e atij incidenti, sjelljen e serbëve tifozë dhe të serbëve lojtarë, si reaguan shokët e ekipit dhe federata jonë gjatë atyre momenteve dhe më pas, e padyshim për vendimin e UEFA-s. Gjithsesi, sot e kësaj dite Loriku nuk ka arritur të kuptojë një gjë: Reagimet e çuditshme të Dasara Malltezit, mbesës së Sali Berishës. Nesër do të përgatisim intervistën e portierit të Kombëtares dhe shok i Lorikut tek ekipi roman, Etrit Berisha. Lexoni bisedën e plotë.

 

Mira Kazhani: Lorik, ka patur një reagim të madh nga shqiptarët për vendimin e marrë nga UEFA. Në fakt nuk e dimë ende qëndrimin tënd si kapiten i kombëtares. E prisje këtë vendim? Ishte më keq se ç’prisje, apo më mirë?

Lorik Cana: Sigurisht që nuk e prisnim që t’i jepej fitorja në tavolinë Serbisë. Duke parë atë që ndodhi, dhe dhunën që ata ushtruan mbi ekipin tonë përfaqësues, unë besoja që vendimi do ishte në favorin tonë, që të mos ishte kundër nesh. Ishte një gjë e befasueshme për mua. Por gjithsesi, e kemi ditur që mund të merrej çdo lloj vendimi por unë e kam pritur shumë me këmbë në tokë, sepse kur bëhet fjalë për një federatë e vend të vogël si i joni, je gjithmonë më pak i privilegjuar sesa disa vende të tjerë! Në mendimin tim, kjo ka ndikuar në vendimin e marrë nga UEFA.

Mira Kazhani: Vend i vogël do vazhdojmë të jemi, por si mund të kemi një federatë të madhe e lobim të fortë? Çfarë do duhej bërë; si mund të realizohet kjo dhe a mund të jetë në një kohë të afërt?

Lorik Cana: Kjo varet shumë nga historia që ka një vend me futbollin. Dhe ne në sytë e botës jemi vetëm në fillimin e kësaj historie, të ngritjes dhe emrit tonë, dhe jo vetëm në futboll por në çdo fushë tjetër. Sigurisht që rezultatet pozitive që po bën përfaqësuesja jonë janë një shenjë, kjo ndikon shumë që të bëjë emër. Siç bëri bujë faza kualifikuese e edicionit të kaluar, ose si rezultatet që po shënojmë tani dhe kjo bën që njerëzit të flasin për futbollin. Por ne duhet të punojmë shumë. Në këto kushte që jemi, duhet të kalojmë shumë më shumë vështirësi sesa vende të tjera. Por, sa i përket vendimit përfundimtar ne kemi akoma edhe dy shkallë. Dhe nëse nuk japin drejtësi, ne do t’i shkojmë deri në fund të drejtës tonë.

Mira Kazhani: Në përgjithësi mediat në Shqipëri kanë fajësuar Federatën Shqiptare të Futbollit për një rol inferior dhe të dobët në këtë ngjarje. A mendoni edhe ju kështu Lorik?

Lorik Cana: Nuk besoj se ka patur shumë gjëra në dorë Federata jonë, nga pikëpamja se çfarë ka ndodhur atë natë.

Mira Kazhani: Po për menaxhimin pas asaj nate?

Lorik Cana: Problemi i menaxhimit të mëvonshëm ka të bëjë me fuqinë e një vendi të vogël përpara fuqisë së madhe nga vendi i cili priti ndeshjen (Serbia). Siç edhe patë, edhe mediat ndërkombëtare u furnizuan me lajme nga ata më së shumti. Më shumë u fol për dronin sesa për dhunën dhe racizmin. Dhe kjo është gjëja për të cilën më vjen shumë keq. Sepse në 2014, pavarësisht se çfarë gjëje mund të vijë nga jashtë, ti nuk mund ta lejosh një përfaqësuese të një vendi të dhunohet në atë formë. Kjo është më e rënda! Ata shfrytëzuan faktin që ngjarja ndodhi në vendin e tyre dhe ishin të parët që ushqyen median botërore, AFP në Francë, Rojter e agjensi të tjera, me dronin. Ata shkuan edhe më tej, sepse shfrytëzuan edhe emrin e vëllait të kryeministrit që ta bënin edhe më serioze dhe ta fokusonin vetëm tek çështja e dronit.

Mira Kazhani: Kush e bëri këtë gjë nga pala serbe. Ka një emër, një institucion? E bën ultrasit, e bëri qeveria serbe, federata…

Lorik Cana: Qeveria serbe sigurisht! Ka qenë një bashkëpunim i shtetit me federatën për t’i dezinformuar njerëzit dhe për të mbuluar gjënë më të tmerrshme që ka ndodh atë natë, dhunën! Por ne jemi mundu vetë të tregojmë se çfarë ndodhi në të vërtetë. Jam marrë personalisht me disa media ndërkombëtare. Aty ku kam patur mundësi. Jam marrë me Francën, me Anglinë. Edhe Federata jonë me njerëzit e saj, është munduar të komunikojë. Lala p.sh, është përpjekur me median gjermane. Dhe në fund vendimi që u mor nuk kish lidhje me dronin. Sepse nuk besoj se dikush mund t’ja ngarkojë përgjegjësinë e dronit federatës tonë. Ata kanë punuar me imazhin dhe për të krijuar një opinion në përgjithësi. Sa i përket vendimit, ai kapet vetëm me faktin që pse skuadra nuk u kthye në fushë për të vazhduar lojën.

 

Mira Kazhani: A do kishit dashur që të mos ishte hedhur ai dron?

Lorik Cana: Me tregu të drejtën ne jemi sportistë, dhe betejat tona i fitojmë në fushë. Atë kemi bërë gjithmonë deri tani. Në atë moment ne ishim dukë bërë një lojë cilësore. Por ne momentin mandej kur njeriu del para një situate të caktuar, vepron me vlerat e tij dhe me gjërat që ai i konsideron të rëndësishme. Në atë moment mund të them që skuadra jonë reagoi në mënyrën më normale. Pa tejkaluar rregullat. Jam shumë krenar për ta.

 

Mira Kazhani: Flasim pak për ndeshjen para dronit. Si u ndjetë ju kur u ekzekutua himni? Ju besoj kuptoni dhe serbisht.

Lorik Cana: Po unë kuptoj serbisht, sepse ne nga Kosova që jemi në një moshë pak më të madhe kuptojmë serbisht. Sa i takon atij momenti, mund të them që e prisja. Kishim shkuar vetëm për ndeshje dhe ishim të përgatitur që do ishim të fërshëllyer, të sharë, do kishim propagandë, etj. Nuk është gjë normale, por ndodh në futboll. Ne nuk na kërkohet që të merremi me këto gjëra. Ne duhet të jemi profesionistë dhe të shkojmë atje e të bëjmë detyrën tonë, të luajmë futboll. Dhe atë kemi bërë. Pastaj po qe për të folur se çfarë bënin ata, kam parë e dëgjuar shumë gjëra që nuk doja t’u jepja rëndësi e s’kam folur. Aty kishte këngë raciste që janë marrë vesh tani nga media. Por një ofendim më i madhi për mua ka qenë flamuri ynë zyrtar, që ka qenë i fshehur pas tribunës në një moment. Këto kanë qenë gjëra të organizuara mirë nga pala serbe që më përpara. Mos të flas pastaj për imazhe të personazheve kriminalë serbë të cilët kanë qenë të dënuar nga gjykata e Hagës për krime lufte, që ato absolutisht janë të palejueshme. Por ne absolutisht nuk i kemi dhënë rëndësi. U pa edhe në lojën tonë që ambjenti i stadiumit nuk ka ndikuar. Ne përkundrazi, kjo na bënte më të fortë, na motivoi më shumë. Por kur gjithçka del jashtë kontrollit dhe vijnë me të dhunu, mandej ka mbaru futbolli.

 

Mira Kazhani: A mendon se kishte arsye për t’u mbyllur ndeshja edhe përpara dronit?

Lorik Cana: Jo në asnjë mënyrë! Gjatë momenteve që ishim në fushë, nuk ka ndodhur asgjë që na ka befasuar. Ato priteshin dhe ndodhin në futboll. Hedhja e fishekzjarreve, sharjet, ndoshta jo aq provokime, mund edhe të mos ishin në atë shkallë por i kishim marrë parasysh. Por më vonë e kam pa në pamjet, që ishte një moment kur po humbej sigurimi në një pjesë të stadiumit, por deri në atë moment nuk ka pas asgjë që të na bënte të humbisnim fokusin nga loja, absolutisht jo!

Mira Kazhani: Flamuri me simbolet shqiptare, në fakt nuk është flamuri zyrtar shqiptar. A mund të ishte shmangur një fërkim mes lojtarëve. Psh, Balaj dhe Lila mund ta kishin tejkaluar apo nervozizmi i tyrë bënte sens në atë momente?

Lorik Cana: Nuk di ç’të them, me thënë të drejtën. Kur ka ardh ai (droni) askush nuk e dinte se çfarë është. Më së shumti kur është afruar, kemi mundur të dallojmë vetëm që janë simbolet tona.

Mira Kazhani: Ju nuk është se e dalluat Shqipërinë etnike? U kuptua harta?

Lorik Cana: Jo. Asnjëri nga serbët në stadium që ishin rreth 30 mijë nuk e kanë dalluar hartën e Shqipërisë. A ishte harta e Shqipërisë zyrtare apo natyrale ku jetojnë shqiptarë. Është e pamundur ta shohësh e ta dallosh nga ajo distancë. Që ata e kanë ditur që është Shqipëria etnike është absolutisht kot. Ajo është kuptuar më vonë nga pamjet filmike. Dhe sa për Ismail Qemalin dhe Isa Boletinin, ata nuk e kishin ide fare. Madje më vonë më kanë pyet se kush ishin ata. Kurse për fjalën ‘autoktonë’, aty nuk ka asgjë të keqe, është thjesht e vërteta.

 

Mira Kazhani: Fotoja juaj Lorik, ajo me grushtin, u bë e famshme. Në të vërtetë ju nuk shfaqeni në vatrën e parë të shpërthimit të dhunës por jeni afruar siç duket nga pamjet, në mbrojtje të shokëve. Ti sikur të kishe mundësi ta riktheje atë ndeshje, a do bëje të njëjtën gjë?

Lorik Cana: Patjetër. Vlera e ekipit tonë është tek fakti që ne jemi mësuar të luajmë si një trup i vetëm. Jemi të bashkuar. Jemi në ndihmë të njëri-tjetrit. Ajo duket edhe në fushë, kur është njëri në vështirësi, shkon tjetri ta ndihmojë. Kemi fatin që vijmë nga vende të ndryshme që përfshijnë trojet ku jetojnë shqiptarët dhe kjo ka krijuar një lloj bashkimi brenda ekipit. Dhe kur shkojmë të luajmë, është e njëjta gjë në fushë. Beogradi ishte një rast ekstrem. Por ne e kemi parim, kur sulmohet njëri natyrisht i vijnë në ndihmë të tjerët. Unë thjesht kam ndihmuar një pjesë të trupit tim. Shokun e lojës e konsideroj vëllain tim dhe nuk lejoj askënd ta dhunojë.

 

Mira Kazhani: Çfarë ndodhi në tunel? Ka shumë legjenda që qarkullojnë. A mund të na tregosh më në detaje?

Lorik Cana: Momenti më i vështirë ka qenë kur po afroheshim në tunel, se aty të vinin nga të gjitha anët. Të hedhin gurë, gjithçka. Dhe aty nuk mbrohesh dot. Kur jemi futur në tunel, kemi qenë duke vrapuar, aty janë afruar disa tifozë që na kanë qëllu, na shkelmonin dhe në vrap e sipër jemi rrëzuar duke rënë mbi njëri-tjetrin dhe meqenëse tuneli ishte prej cope (beze), tifozë nga jashtë na qëllonin me shkelma. Ne brenda tunelit, kur jemi ngritur kemi marrë sërish shkelma nga anash se ishte ajo copa. Por pasi kaluam atë moment nuk kishte më asnjë problem.

 

Mira Kazhani: Gjatë stërvitjes dalluam me kolegun tim që xhironte me kamera, se ju kishit një problem me këmbën. Jeni vrarë në ndonjë ndeshje të Lazios apo është shenjë nga ajo natë..?

Lorik Cana: Jam vrarë në tunel në gju. E kam patur të enjtur për një javë dhe tani po i bëj çdo ditë terapi. E kam më mirë.

 

Mira Kazhani: Erdhën dhe ju takuan lojtarët serbë. Unë nuk e harroj pamjen e mpirë të Ivanoviçit në fushë për disa sekonda. Si e vlerësoni qëndrimin e tyre?

Lorik Cana: Duhet të jemi të drejtë. Unë mendoj se mos të kishte qenë për qëndrimin e shumicës së lojtarëve serbë, aty do kish përfunduar keq kjo histori. Për faktin se shumicën e tifozëve ata i kanë stopuar, ata që nuk kishin depërtuar ende ata i kanë parandaluar. Është për meritë të atyre.

 

Mira Kazhani: Ju jeni kapiteni i kombëtares dhe jeni njeriu që keni firmosur dokumentin për të mos u rikthyer më në fushë. Sigurisht shumë terma njerëzit nuk i njohin, as unë si gazetare nuk njoh çdo rregull të futbollit. Çfarë ke firmosur atë natë. Çfarë është shkruar? Për çfarë arsyesh ju nuk ktheheshit në fushë? Dhe në çfarë gjuhe ka qenë?

Lorik Cana: Nuk është një dokument i palës tonë ku thotë nuk kthehesh në fushë. Është një dokument i cili psh, nga anëtarët e përfaqësueses tonë dhe unë si kapiten e shkruaj si raportim të gjendjes tonë, gjendje e cila nuk e lejonte rinisjen e ndeshjes. Ti nuk shkruan në dokument që nuk kthehesh në fushë. Ne e kemi shkruar mbas mbledhjes dhe bisedimeve për lëndimet që kishin marrë lojtarët, ku gjendja jonë fizike por edhe psikologjike, sepse ishim edhe të traumatizuar, ishte e pamundur. Dhuna jo vetëm nga tifozët por edhe nga punonjësit e sigurisë së stadiumit, ekipi jonë nuk ishte më në gjendje që të riniste lojën.

 

Mira Kazhani: Kishte një mjek aty që e konfirmoi?

Lorik Cana: Po. Ai ishte brenda dhe në atë moment ishte edhe delegati i UEFA brenda dhomës tonë dhe ai konstatoi edhe dëmtimet tona.

 

Mira Kazhani: Çfarë tha delegati i UEFA-s?

Lorik Cana: Asgjë nuk tha. Ai vetëm ka konstatuar dëmtimet e lojtarëve dhe mandej ata kanë pyetur edhe palën serbe nëse ishin gati të rinisnin. Ata kanë thënë po, ndërsa pala jonë kemi thënë që nuk jemi më në gjendje të luajmë. Dhe dua të theksoj se në asnjë moment nuk kemi marrë një urdhër si nga delegati i UEFA ose arbitri, që ekipi ynë duhet të riprezantohet në fushë për të vazhduar lojën.

 

Mira Kazhani: Pra askush nuk jua kërkoi një gjë të tillë?

Lorik Cana: Absolutisht jo dhe po ta kishin bërë, në atë moment skuadra jonë do të ishte kthyer me tre ndërrime të bëra dhe me shumë gjera të tjera, përveç faktit që në atë moment askush nuk mund të na siguronte ne aty. Sigurimin tonë dhe shëndetin e lojtarëve. Po ta kishin bërë, me shumë mundësi edhe në atë moment unë nuk i kisha lënë çunat që të dalin në fushë.

 

Mira Kazhani: Përveç jush, kush ka pasur një rol të fortë dhe të mirë si protagonist? Kreu i federatës shqiptare, z. Duka është shfaqur në dhomën ku ju keni qëndruar. A keni pasur juristë, njerëz që i njohin rregullat? A ishim përgatitur ne për këtë ndeshje?

Lorik Cana: Ne ishim me presidentin, me Alban Bushin dhe trajnerin që ishte në kontakt të vazhdueshëm. Përveç Federatës sonë, që ishte në kontakt të vazhdueshëm me njerëz që merren me ligjin dhe me sportin, plus edhe trajneri ishte në kontakt me persona të cilët merren me sportin dhe absolutisht ne e dinim shumë mirë që përveç faktit që duhet të presim njëherë të shohim situatën, donim dhe mendimin e njerëzve të UEFA-s. Por në momentin që ne shohim dhe gjendjen tonë dhe se në çfarë gjendjeje jemi, në atë moment nuk ka më gjë për t’u menduar se çfarë përgjigjeje do të japim. Në momentin që kemi lojtarë të lënduar…

 

Mira Kazhani: Çfarë tha z. Duka?

Lorik Cana: Po presidenti në atë moment ishte më shumë i brengosur për sigurinë tonë. Presidenti ishte për sigurimin e lojtarëve dhe në atë moment ne si palë kishim vetëm një mendim: Që të rikthehemi në vendin tonë dhe ta mbyllim me kaq, sepse futbolli më nuk kishte vlerë aty. Kjo është gjëja më e çuditshme nga UEFA, që nga momenti që ti je i sulmuar dhe i dhunuar në fushë nga tifozët, aty futbolli ka marrë fund dhe nuk flitet më a do të rifillojë loja.

Unë po flas nga momenti teknik që është futur një tifoz dhe ka dhunuar një lojtar brenda fushës, loja ndërpritet dhe nuk fillon më. S’po flas që të futen 50 tifozë të gjuajnë me gurë, që të kthehemi të gjithë brenda. Shyqyr zotit s’ka pasur ndonjë rast ekstrem. Kjo është gjëja më e çuditshme nga ana e UEFA-s.

 

Mira Kazhani: Si e komentojnë këtë miq të tutë që janë profesionistë të futbollit? E di që nuk është punë e tyre që të diskutojnë se çfarë ndodh mes Serbisë dhe Shqipërisë, por ajo që thuhet në kafet e tua?

Lorik Cana: Shumica janë të çuditur nga vendimi i marrë, sepse thonë që ju keni qenë të dhunuar dhe humbët ndeshjen. Pastaj ka që shohin dhe në fakt, kështu duhet për t’i parë, sepse nuk ka asgjë tjetër për t’u menduar shumë. Siç ju thashë, do e shohin se sa ne jemi të aftë për të mbrojtur të drejtat tona deri në fund sepse kjo betejë, që është edhe betejë ligjore, nuk ka përfunduar. Ne kemi argumente dhe kemi argumente të fortë.

Si sjellje, gjithçka ne e kemi bërë në mënyrën si duhet. E vetmja gjë që mund të kishte bërë më mirë, po flas nga pala jonë, nga pikëpamja e organizimit, në momentin që ne kemi shkuar aty, duhet të kishim ikur me materiale dhe me njerëz, duke pasur të mundur që të kapim ngjarjet edhe ne.

 

Mira Kazhani: Pikërisht, të ndalemi këtu. Si është e mundur që një ndeshje e cila dihej që në ato kushte do të kishte tension, dihej që ishte ndeshje delikate, si mundet që ekipi ynë, Federata Shqiptare, kjo për asnjë qëllim për ta akuzuar apo për ta bërë fajtore sepse nuk duam të bëjmë me faj veten tonë, si është e mundur që të shkohet kaq lehtë në një ndeshje kaq të vështirë? Pse nuk ishim të përgatitur?

Lorik Cana: Nuk besoj. Në raste të tilla nuk besoj se një vend është i përgatitur mjaftueshëm për një situatë të tillë, sepse është një situatë e cila nuk ka ndodhur dhe nuk është parë asnjëherë. Kështu që dihej shumë mirë që ishte situatë me tensione, dhe plus aty, po e them edhe një gjë që përgjegjësia më e madhe është e UEFA-s, nuk është e palës tonë. Nëse ti si UEFA lejon Shqipërinë dhe Serbinë që të jenë brenda grupit, atëherë ti bën gjithçka që gjërat t’i kesh nën kontroll. Dhe bën gjithçka që gjërat t’i kesh nën kontroll, domethënë që ti kur dërgon një delegat special për të kontrolluar për sigurinë, ai delegat special për sigurinë duhet të jetë i vetëdijshëm për të gjitha gjërat që mund të ndodhin. Duhet të dijë gjuhën serbe, duhet të kapë të gjitha ngjarjet, duhet t’i japë urdhër arbitrit dhe ai duhet të jetë përgjegjësi për urdhrat e arbitrit nëse duhet të rikthehemi sa më shpejt, nëse duhet të dalim në fushë.

 

Mira Kazhani:Delegati i UEFA-s nuk dinte serbisht?

Lorik Cana: Jo.

 

Mira Kazhani: Ndoshta kjo është një arsye që ai nuk ka raportuar shprehjet e racizmit dhe të dhunës?

Lorik Cana:Ai nuk ka raportuar asgjë. Ka raportuar për çfarë ka ndodhur, thjesht çfarë ka parë.

 

Mira Kazhani: Por çfarë ka parë sipas teje delegati i UEFA-s?

Lorik Cana: Vetë pyetjen duhet t’ia bëjmë atij. Me sa di unë, në raportin e tij ai ka shkruar se fusha është e papërdorshme. Kjo është një gjë shumë e çuditshme sepse nëse ai është një person që vendos për sigurinë aty, është shumë e çuditshme që neve na kanë dënuar për faktin që nuk jemi rikthyer.

Ka pastaj edhe disa pyetje teknike që u duhen bërë dhe vetë atyre, por sigurisht këtë vendim unë e shoh më shumë si një vendim politik sesa si një vendim të bazuar në ngjarjet që kanë ndodhur. Unë nuk jam dorëzuar në aspektin e rezultatit përfundimtar të kësaj ndeshjeje, sepse serbët për të qenë të dënuar kanë për të qenë të dënuar sepse e meritojnë për të qenë të dënuar, duke parë edhe precedentët që i kanë. Po flasim për njerëz që kanë precedente të mëdha në aspektin e organizimit dhe në aspektin e tifozerisë. Para pak vitesh kanë vrarë edhe një tifoz francez në ambientet e qytetit para ndeshjes. Kanë ndërprerë ndeshje, ka pasur dhunë edhe mes të rinjve. Ata për të humbur pikë kanë qenë të humbur, sa i përket rezultatit teknik, atë moment unë jam i sigurt se kemi akoma shanse dhe akoma arsye, ndaj duhet dhe do të bëjmë gjithçka që të mbrohemi deri në fund.

 

Mira Kazhani: Ka disa propozime në Tiranë për të të bërë qytetar nderi…

Lorik Cana: Në fakt të gjitha kërkesat i vijnë edhe dajës tim që merret sikur të jem unë aty vetë. E kanë thërritur nga Shkupi, nga Mitrovica, nga Bajram Curri, nga disa komuna të tjera, por e vetmja gjë që i kam thënë është që gjërat që janë bërë atë natë, i kemi bërë të gjithë si skuadër kështu që nuk ka më meritë njeri apo tjetri, sepse kemi qenë një. Ajo që ka bërë për shembull Vlora, që ka thënë se Qytetar Nderi të Vlorës do jetë e gjithë përfaqësuesja, kështu duhet të jetë. Kurse Loriku, ai që ka qenë në këto 19 vjet do jetë edhe deri në fund.

 

Mira Kazhani: I ke refuzuar këto oferta sepse ke menduar që duhet të jetë e gjithë skuadra?

Lorik Cana: I kam refuzuar sepse ashtu duhet të jetë. Ata që kemi qenë më herët dhe jemi tani, jemi të njëjtë. Aty është përfaqësuesja dhe përfaqësuesja, përveçse ka treguar vlera shpirtërore dhe morale, po tregon edhe cilësi loje.

 

Mira Kazhani: Media ka gëluar në Tiranë shumë me ngjarjen në stadiumin e Beogradit, dhe mendimet e opinionet kanë qenë të shumta. Nuk e di a i ke ndjekur të gjitha, por nëse ke lexuar një koment apo diçka që mund të të ketë lënduar?

Lorik Cana: Po, mbesa e Sali Berishës; nuk e kam lexuar plotësisht komentin, por pak a shumë sensin e saj. Nuk e di se çfarë moshe ka.

 

Mira Kazhani: Tek 19-20 vjeç?

Lorik Cana: Nuk paska pak! Unë me zonjën Liri kam bashkëpunuar jashtëzakonisht shumë për gjëra humanitare, për autizmin, për fondacionin e fëmijëve shqiptarë dhe kam respekt të veçantë për zonjën, por mbesa ka folur për budallallëqe sepse që të jepet një mendim për gjakftohtësi, për këmbë në tokë, për të mos hyrë në fanatizëm, mos të dukemi që ne nuk jemi ashtu korrektë, apo aq të edukuar ose aq të sjellshëm. Sepse është folur më shumë për sjellje. Aty besoj se 99 për qind e shqiptarëve e kanë parë se çfarë ka ndodhur dhe që ne kemi qenë në të drejtën tonë. Dhe absolutisht, kemi treguar vlera. Po flas nga aspekti cilësor i lojës sonë, atë për momentin askush nuk mund të na e heqë. Pastaj del një gocë që i është kushtuar rëndësi thjesht sepse është mbesa e ish-kryeministrit dhe të thotë gjëra rreth sjelljes së një përfaqësueseje të djemve që janë duke dhënë maksimumin për vendin e tyre për t’i bërë krenarë njerëzit e tyre. Dhe vjen e bën një koment për sjellje dhe mungesën e edukatës… është shumë e pavend për mendimin tim.

Mira Kazhani: Lorik, le ta pranojmë se ke qenë gjithmonë i famshëm, jo se je Kapiteni i Kombëtares kuq e zi, por dhe se vajzat të kanë pëlqyer gjithmonë, ke pasur imazhin atij djalit shumë simpatik. Tashmë, duke bërë edhe heroin, je dhe në zemër të adoleshentëve. A do kishe një këshillë për ata që duan të bëhen futbollistë, për të të mos të identifikuar me atë foton tënde historike të ndeshjes së Beogradit?

Lorik Cana: Nuk besoj se Loriku ka pritur ndeshjen e Serbisë për të dhënë disa mesazhe apo për të treguar disa gjëra. Aty besoj që kam qenë gjithmonë i njëjtë, siç kam qenë 20 vjeç apo 19 vjeç kur e kam filluar me Kombëtaren, edhe tani. E dua vendin tim, jam krenar për vendin tim dhe luaj, luftoj, bëj gjithçka për vendin tim brenda fushës. I shtyj të rinjtë që të shkojnë rreth sportit. Përveçse të bën mirë për shëndetin e nga shpirtërore, të ndihmon shumë në jetë. Pastaj për ata që arrijnë suksesin, sigurisht është një gjë e jashtëzakonshme, ndihmon veten, familjen tënde dhe kur e ke edhe fatin që të bëhesh edhe sportist më cilësor, për të ndihmuar pse jo edhe vendin tënd që të përfaqësohet sa më mirë, ajo pastaj është “qershia mbi tortë”.

Intervistën e plotë në video e gjeni KËTU

October 29, 2014 00:31
Komento

2 Komente

  1. raimond vlonjati October 29, 20:59

    Pse nuk e ke vene ne PDF moj Mira ..lol

    Reply to this comment
  2. Ericson October 30, 04:07

    He me ju lumte o djem!,… Lorik Cana e Etrit Berisha , shqiptare te pamshem e me trup atleti e trima si Sefe Kosharja qe i kujtuat botes “Koken e Shqipos” e njekohesisht me nje edukate tepke si te dale nga kolegjet e Harvardit e Oksfordit!

    Vini re , ju lutem, gjuhen e paster shqipe, (me nje theks krejt periferik e te parendesishem ) elokuente,te ketyre djemve tane futbolliste qe luajne ne klube te shquara europiane e beni nje krahasim me merhumin Salih Berisha e gjuhen e tij e te Topalles!

    Vetem dua t’i sjell ndermend kesaj majmunkes se “Dita” -s … (qe dite ja befte Perendia, jarebi o Zot!) , Mires, gazetare e re e fort e pelqyer e simpatike se nuk jemi nje vend kaq i vogel sic mendon kjo , pasi pervec Rumanise, ne gadishullin Ballkanik, Shqiperia eshte njelloj me Serbine e Greqine si komb! Forget about ,that problem….anyway ,only the Great God maybe solve this question!

    Nashti ,sic e kemi zakon ne shqiptaret le te thurrim do vargje poetike per djemte tane ;

    Lorik Cana o djale o i ri e ….
    Po ku shkon more zotni e…
    Me trimni e pa alltie….!

    Nashti nga Vlora:

    Po ku je….po ku je….
    Loriko trim e burre…
    Po ku je…po ku je…
    Mos te vdekte nami kurre….!

    Megjithse e di qe fale klases jashtezakonisht te qelbur e te poshter politike aktuale ,pasuese e Salahudinit ,pothuajse ka vdekur trimeria proverbiale shqiptare, por “Koka e Shqipos” nuk vdes kurre !

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*