Xhihadistë kërcënojnë Turqinë, frikë për sulme në Ankara e Stamboll

February 19, 2015 19:54

Xhihadistë kërcënojnë Turqinë, frikë për sulme në Ankara e Stamboll

Më shumë se  3000 xhihadistë të ardhur nga Siria dhe Iraku po tentojnë të hyjnë në Turqi, me synimin për të goditur objektivat diplomatike që janë kundër ISIS.

Shërbimet  e inteligjencës turke pohojnë se trupat janë të stërvitur ushtarakisht nga i vetshpalluri Kalifat. Sipas gazetës “Huriyet Daily Neës” , ky paralajmërim ishte dhënë që në datën 3 shkurt nga terroristët, por tani ata janë shumë pranë kufirit turk dhe tani janë në kërkim të mënyrave për të kaluar në anën tjetër të tij.

Brutaliteti: Djegia për së gjalli dhe rrëmbimi i organeve

Me kalimin e ditëve duket se ISIS po përshkallëzon egërsinë ekstreme. Të mërkurën dolën njoftime se xhihadistët kishin vrarë të paktën 40 oficerë policie dhe pjesëtarë fisesh në një qytet të sapopushtuar në provincën e Anbarit, në Irak. Shumica e viktimave u dogjën për së gjalli, siç konfirmon një zyrtar iraken. CNN nuk ka mundur ta konfirmojë lajmin, por Pentagoni ka nisur menjëherë hetimet. Ndërkohë, ambasadori i Irakut në Kombet e Bashkuara ka bërë të ditur se vendi i tij i ka kërkuar zyrtarisht OKB-së të nisë një tjetër hetim shokues: atë ndaj akuzave se ISIS po u rrëmben organet civilëve të vrarë, për t’i shitur më pas. Ambasadori britanik në OKB, Mark Lyall Grant, deklaroi se deri më tani nuk ka asnjë provë që vërteton diçka të tillë.

Kërcënimi dhe paralajmërimi i Turqisë

Agjencia e Kundërzbulimit në Turqi ka paralajmëruar policinë se anëtarë të grupit xhihadist ISIS mund të jenë duke planifikuar sulme terroriste në Ankara dhe Stamboll kundër misioneve diplomatike të vendeve perëndimore, veçanërisht ndaj atyre që marrin pjesë në koalicionin e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara. Lajmi është raportuar nga e përditshmja kombëtare, gazeta “Hurriyet”. Militantët kanë kaluar në Turqi pas tërheqjes nga qyteti sirian i Kobanit, bën të ditur Organizata Kombëtare e Inteligjencës. Edhe ky paralajmërim mbetet për t’u konfirmuar në mënyrë të pavarur.

Kundërofensiva, fundi i embargos së armëve dhe lista e objektivave

ISIS po ngul rrënjët me një shpejtësi të rrufeshme në Libi. Vrasja e 21 të krishterëve egjiptianë në Libi nënvizon faktin sesi grupi po përfiton nga mungesa e rendit dhe sigurisë në vendin afrikan të goditur nga lufta civile dhe përçarjet politike. Tashmë, Libia ka bërë kërkesë zyrtare në OKB për t’iu hequr embargoja e armëve, në mënyrë që ta luftojë më mirë kërcënimin që po u kanoset nga Shteti Islamik. Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara kanë hartuar një listë me mbi 20 operativë të lartë të ISIS në Irak dhe Siri, të cilët shpresojnë t’i godasin përmes sulmeve ajrore, tha një zyrtar i lartë i SHBA-ve. Numri një në atë listë është padyshim Abu Bakr al-Baghdadi.

Samiti në SHBA, legjitimiteti i kërkuar nga ISIS dhe lufta kundër përdhosjes së Islamit

Shtetet e Bashkuara nuk janë në luftë me Islamin, por me “njerëzit që po e përdhosin atë”, tha Obama gjatë së mërkurës, në çelje të samitit treditor kundër ekstremizmit të dhunshëm. Shtëpia e Bardhë ka shkuar edhe më tej, duke mos e quajtur ekstremizëm islamik, atë që është në fokus të samitit. Obama shpjegoi se përse… Grupe si ISIS – tha ai, – janë “të dëshpëruar për legjitimitet”.

Ashtu siç është vepruar ndaj “xhihadistit John”, komuniteti i kundërzbulimit është duke u përpjekur të identifikojë se kush është ekzekutuesi i ri anglishtfolës në videon që ISIS publikoi gjatë vrasjes së të krishterëve egjiptianë. Çështja më intriguese ekziston pikërisht te zëri i tij: aksenti duket të jetë amerikan ose kanadez.

February 19, 2015 19:54
Komento

1 Koment

  1. siciltechnoplus February 20, 10:06

    Kercenojne Turqine??!!! Tani po qe paskan vendosur ti bejne varrin vetes me patjeter!

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*