“Në vend t’i vemë vetulla, i prishim sytë”, tre muaj më parë ish-kreu i Komisionit të Reformës paralajmëroi për prekjen e institucioneve të reja

May 22, 2020 11:35

“Në vend t’i vemë vetulla, i prishim sytë”, tre muaj më parë ish-kreu i Komisionit të Reformës paralajmëroi për prekjen e institucioneve të reja

Debatin e sotëm mes aktorëve politikë dhe ambasadores së SHBA-së Yuri Kim për të ndërhyrë në reformën në drejtësi e ka paralajmëruar ish kryetari i komisionit të reformës në drejtësi Fatmir Xhafaj.

Në fjalim e tij në 12 shkurt 2020 në parlament Xhafaj kërkoi përgjegjësi nga kuvendi për amendimet që janë paraqitur për organet e drejtësisë duke thënë se kur procesi ngec në zbatueshmëri, bëhen amendime për të kapërcyer pengesat.

Po ashtu ka kërkuar përgjegjshmëri dhe zbatim të kompetencave nga KLGJ dhe KLP.

Xhafaj u kërkoi kolegëve socialiste të bëjnë kujdes sa herë të tilla iniciativa të reja ligjore prekin reformën në drejtësi.

 

Fjala e Fatmir Xhafës në Kuvend në 12 shkurt

I nderuar zoti Kryetar !

Të nderuar kolegë deputetë !

Ka sot një shqetësim real. Disa prokurorë dhe gjyqtarë, të bindur se vetingu tashmë është një realitet dhe filtrat e vendosura i nxjerrin ata jashtë sistemit si të korruptuar, janë duke bërë atë që kanë bërë përherë me vendimmarrjet e tyre, por tashmë pa asnjë limit. Disa vendime janë me pasoja të rënda për rendin dhe sigurinë publike. Në rrethana të tilla çdo ndërhyrje për ta parandaluar e ndëshkuar këtë gjë është pozitive.

Nisma e nënshkruar nga kolegët deputetë synon të amendoj një ndër ligjet kyç të reformës në drejtësi. Qëllimi për të cilën u nis ishte një gjë pozitive. Synonte ndër të tjera të zgjidhte një ngërç të krijuar nga mungesa e ILD në strukturën e institucioneve të reformës në drejtësi. U deshën 4 – 5 muaj nga hapja e këtij debati për të ardhur deri këtu. Sot kemi një situatë të re. ILD ka nisur nga puna. Amendamenti që pritet të miratohet i jep ILD një instrument më të qartë dhe më efektiv. Shpresoj që ILD por dhe KLGJ e KLP të mund të reagojnë në kohë dhe në mënyrë eficente ndaj dukurive të tilla negative.

Vendimmarrje të tilla korruptive kemi pasur në vite. Kjo ishte një ndër arsyet thelbësore përse reforma në drejtësi ishte kaq e thellë, në zgjidhje institucionale, strukturore, por edhe në burime njerëzore përmes procesit të vetingut. Koha na dha të drejtë. Rezultatet e vetingut për një pjesë të mirë të atyre që janë larguar provojnë qartazi korrupsionin e jashtëzakonshëm brenda sistemit. Janë pikërisht individ të tillë që aktualisht kanë krijuar një situatë të tillë vendimmarrjesh jo thjesht korruptive, por edhe haptas në kundërshtim me ligjin. Besoj se qëllimi i një pjese prej tyre është edhe hakmarrje me reformën për të cenuar sadopak imazhin e saj të qytetarët, shpresën e tyre te drejtësia e re. Kjo edhe sepse qytetarët e thjeshtë jo gjithmonë arrijnë ta ndajnë veprimin e një gjyqtari të caktuar, pjesë e sistemit të vjetër, në raport me pritshmërinë që ata kanë pasur dhe kanë për reformën e re në drejtësi.

Natyrisht këtë situatë e favorizon në një farë mase edhe procesi tranzitor i gjatë në formatimin e institucioneve të reja të sistemit si edhe mungesa e një programimi të mirë të procesit të vetingut. E mbështet edhe klima e krijuar nga kundërshtarët e reformës që po përpiqen me çdo mënyrë ta delegjitimojnë procesin e reformës, ta paraqesin atë si të dështuar për tju dhënë shpresë dhe krah pikërisht individëve të tillë. Mendoj se fenomene te tilla janë rrjedhojë e reagimit të botës së krimit të cilët po synojnë ta shfrytëzojnë këtë moment dhe përmes presionit, dhunës apo korruptimit të disa prokurorëve e gjyqtarëve të blejnë lirinë e tyre.

Çështja shtrohet a e zgjidh kjo nismë shqetësimin tonë në të gjitha përmasat ? A është kjo qasja e duhur dhe eficente? A ka diçka tjetër që duhet bërë më mirë për të adresuar fenomenin sot, por edhe për të mos krijuar ndërhyrje apo precedentë që mund të rihapin probleme të reja.

Së pari sot kemi një realitet të ri me reformën në drejtësi që na imponon edhe një qasje të re, komunikim e marrëdhënie të re me sistemin.

Procesi i vetingut dëshmoj se brenda radhëve të sistemit kemi shumë gjyqtar e prokurorë me integritet dhe të vendosur për të zbatuar ligjin. Se është gjyqtare Enkelejda Hoxha në Krujë, por po në Krujë është edhe gjyqtarja Kolgjokaj që nuk pranoj ti nënshtrohet krimit dhe korrupsionit. Ashtu si gjyqtarja në Fier, ajo në Mat apo ajo në Tiranë që nuk lejoj vendimin e pushimit të prokurorit të Tiranës lidhur me dhunën e ushtruar ndaj familjes së gjyqtares së Krimeve të Rënda. Ndaj krahas qëndrimit kritik duhet të jemi të drejtë, motivues dhe mbështetës edhe me personat me integritet në sistem dhe kryesorja në kufijtë e pushteteve respektive.

Janë të shëndetshme debatet në publik për çështje të tilla, por në respekt të ndarjes së pushteteve, në respekt të institucioneve të reja të sistemit dhe pavarësisë së tyre. Nga ana tjetër kërkohet edhe më shumë koordinim e bashkëpunim me to përmes standardeve e zgjidhjeve kushtetuese, ligjore dhe institucionale.

Së dyti duhet të pranojmë se fenomeni nuk është i ri dhe i panjohur për shoqërinë tonë. Në 30 vjet korrupsioni e ka kalcifikuar në mentalitetin e një pjese të njerëzve në politikë, në qeverisje, në administratë dhe padyshim në sistemin e drejtësisë. Sot një pjesë e të rinjve nuk mendojnë se si të bëhen profesionistë të mirë, por se si të bëhen pjesë e politikës, administratës e gjyqësorit me qëllimin për të përfituar, me mentalitetin se atje Ke Çfarë të Kapësh. Ky është një problem i rëndë i shoqërisë sonë dhe i të ardhmes së saj.

Ka vetëm një rrugë për ta adresuar, zbatimi i reformës në drejtësi e cila ka në fokus të saj, goditjen e fenomenit të pandëshkueshmërisë. Jemi realisht në një moment delikat të reformës. Zbatimi i saj ka hyrë në një pikë kritike. Kërkohet një analizë e kujdesshme për të kuptuar problematikat e vrejtura dhe mënyrën se mund ti adresojmë ato dhe veçanërisht: rritjen e ritmit të procesit të vetingut dhe një prioritizim më të mirë të çështjeve në shqyrtim, nevojën për një rol më proaktiv të dy këshillave, funksionimin e shpejtë të ILD, një përshpejtim të procesit të funksionimit të GjL dhe GjK, rolin e shkollës së magjistraturës në plotësimin e boshllëkut të madh të krijuar në sistem etj. Ne jemi maxhoranca që e udhëhoqëm hartimin e reformës në drejtësi. Kemi përgjegjësinë historike për zbatimin e drejtë të saj. Kuvendi duhet të marri përgjegjësitë dhe të tregoj më shumë proaktivitet në këtë mision të rëndësishëm dhe aq të mirëpritur nga qytetarët. Sot jemi të vonuar nesër mund të jetë shumë vonë.

Së treti dëshiroj të nënvizoj një çështje të rëndësishme në vlerësimin tim. Konstatohet një përpjekje për të ndryshuar paksa me lehtësi ligjet e reformës në drejtësi. Natyrisht nuk ka tabu për këtë, sepse sic dihet nuk ka një ligj perfekt ashtu siç nuk ka edhe një ligj çudibërës. Për më tepër ne sot nuk vuajmë nga mungesa e ligjeve, por nga zbatimi i drejtë dhe proaktiv i tyre.

Shihni rastin konkret. Kjo dispozitë, neni 152 është ndryshuar në korrik të vitit që shkoj dhe sot vjen përsëri për amendim. Kur ndryshojmë ligjet duhet të jemi shumë të kujdesshëm pasi druaj që shpeshherë, problematikat që mund të kemi në zbatim kërkojmë t’i kapërcejmë me zgjidhjen më të lehtë, amendimin e ligjit.

Jo rrallë gjendemi edhe nën presionin e institucioneve ligjzbatuese, që e shohin këtë si një lloj komoditeti për punën e tyre. Mendoj se kjo është një qasje e gabuar. Ndaj e shoh një gjë shumë pozitive faktin që na u tha në komision se së bashku me misionet partnere (OPDAT dhe EURALIUS) është duke u bërë një analizë e thelluar për të kuptuar çfarë është pjesë e gabimeve tona dhe çfarë është pjesë e nevojave që ka për t’u mbështetur me ndryshime në ligjet përkatëse.

Sepse ndryshe ne mund të synojmë t’ju vëmë vetulla mekanizmave të caktuar apo institucioneve të sapo ngritura, por mund t’i prishim sytë reformës në drejtësi cka do të ishte me pasoja afatgjata.

Së katërti dua të nënvizoj një fakt tjetër. Sot kemi efektive dy këshillat e reja të qeverisjes së sistemit, KLGJ dhe KLP. Ato kanë bërë një punë të mirë, të lavdërueshme përgjithësisht duke mbajtur në konsideratë edhe kohën e shkurtër të funksionimit të tyre. Përtej kësaj, në vlerësimin tim ato ende nuk janë në rolin dhe përgjegjësinë e tyre. Në disa aspekte edhe jo eficente. Këshillat nuk janë dy organe burokratike, për të cilat disa në qeveri dhe këtu në kuvend duhet të kujdesen për t’ju bërë favoret e radhës legjislative apo buxhetore. Këshillat janë qeverisja e sistemit dhe duhet të sillen si të tilla me shumë përgjegjshmëri dhe transparencë në raport me vet sistemin dhe veçanërisht me qytetarët e këtij vendi.

Personalisht kam vlerësime maksimale për përbërjen që ka KLGJ, por dhe KLP, në rradhët e të cilave ka anëtarë me shumë integritet dhe me përkushtim për përgjegjësinë e madhe që kanë marrë. Përtej kësaj në vlerësimin tim le për të dëshiruar qasja e disa anëtarëve që vijnë nga radhët e botës akademike, shoqëria civile dhe avokatia. Mendoj se disa prej tyre nuk kanë një kuptim të drejtë mbi rolin e tyre në këto struktura, frymën e re që do duhej të përçonin në funksionimin e tyre për ta bërë veprimin e këshillave shumë më transparent dhe shumë më të përgjegjshëm përball opinionit publik.

Së pesti. Ka një fakt të prekshëm. Aktualisht kemi rreth 130 gjyqtarë e prokurorë të larguar ose të dorëhequr nga sistemi. Natyrisht nuk janë të njëjta shkaqet ku është bazuar shkarkimi, shkeljet e konstatuara. Një pjesë e tyre janë shkarkuar për afera të rënda korruptive, për pasuri të jashtëzakonshme abuzive produkt i vendimmarrjeve korruptive. A duhet mjaftuar vetëm me largimin e këtyre personave nga sistemi ? Një nga çështjet që duhet trajtuar shumë seriozisht është pikërisht fakti që këta persona do duhet të hetohen për pasuritë e tyre dhe për vendimmarrjet korruptive. Natyrisht kjo nuk bëhet me retorike politike, por me veprime konkrete ligjore e institucionale. Nëse ka nevojë për ndërhyrje legjislative le ti bëjmë, por nuk mund të heshtim para kësaj situate.

Natyrisht nuk është një gjë e lehtë. Shumica e tyre në vite kanë qenë e janë ende persona të lidhur fort me politikën ose me grupet që ndikojnë vendimmarrjen e saj. Nuk është rastësi fakti që disa nga gjyqtarët e prokurorët e ndëshkuar më rëndë nga vetingu janë individ të njohur për lidhjet e forta politike dhe janë ndër ata që kanë devijuar apo mbyllur pa hetuar e gjykuar çështje të mëdha në këtë vend në interes të politikës dhe grupeve të strukturuara kriminale.

Fatkeqësisht është një fenomen që po e shohim ende në sistem dhe kryesisht në prokurori. Lojra politike dhe korruptive me çështjet në hetim dhe gjykim. Një pjesë janë çështje shumë të nxehta, me impakt të madh publik. Shpresoj shumë që institucionet e reja të sistemit, ILD, Prokurori i Përgjithshëm dhe vet KLGJ e KLP ti evidentojnë dhe të reagojnë ndaj këtyre akteve që cenojnë rëndë figurën e magjistratit, por veçanërisht besimin e publikut te drejtësia.

Është momenti të distancohemi fort nga praktika të tilla dhe nga këta individ. Kjo do të ishte një gjë shumë e mirëpritur nga qytetarët, me efekt të drejtpërdrejt parandalues për fenomene të tilla brenda sistemit, por edhe një shprehje e vullnetit se ne e kemi seriozisht zbatimin e reformës në drejtësi, se jemi të vendosur realisht të ndërtojmë drejtësinë e re, drejtësi të barabartë për të gjithë.

Ju faleminderit!

 

e.k. / dita

May 22, 2020 11:35
Komento

13 Komente

  1. Zigur Qarri May 22, 16:50

    Mos u mundoni kot,ju edhe F.Xhafaj me memoaret e tij,se nuk rehabilitohet kurre ky person.Ky duhet te ishte ne burg tani nese kishte Shtet te se drejtes.Vellai i tij eshte marre me aktivitet kriminal kur ky ishte Minister i Brendeshem,kete e di Policia dhe e gjith Vlora.

    Reply to this comment
  2. mirel May 22, 16:56

    E ka me qef te madh Dita Xhafen, po cfare kuptimi ka kjo: do prishim syte,
    I ‘prisha” syte dhe e lexova dhe njehere, po nuk mora vesh kete: do i prishim syte.
    Shprehje alla Ramiste. Prishem Teatrin thuaj, dhe ja dhame 5522 m2 toke publike Fushes. Prishem vendin me Ramuter dhe harbuter dhe i nxorrem syte vetes. Kete po mund ta themi, po prishim syte….
    Une di kete nga Sanco Panca, vete per lesh e kthehesh i qethur psh, ose ne qe themi kerkon te vesh vetulla e vete e nxjerr syte., po jo prishim syte

    Reply to this comment
  3. xxx May 22, 17:17

    Reforma per drejtesi u reformua
    xhafaj ka mbetur i vetmi relike qe e desheron sic u ideua
    Ramuti s’ka me as interes per reformen ne drejtesi, as nevoje
    perse i duhet fundja, kush do e veje para pergjegjesise per premtimin kur erdh ne pushtet
    kane rrjedh ujera shume qe atehere dhe karrigen e cimentoi nderkohe
    se shpejti do kemi Erdogan zyrtar ne shqiperi
    quajeni Zog, njelloj

    Reply to this comment
  4. info analitike May 22, 17:34

    E po kur te flet Fatmir krimineli per drejtesi! Ore u hetua gje ajo vrasja e shoferit te tij brenda ne Garde? Po ato ndertimet dhe perfitimet e ketij derdimeni. Po ato te te vellait te tij me pikat e basteve qe e luajten nga fiqir kur ia permendi Luneda Sufali ne Komisionin Parlamentar qe kryesonte. Ky e ka inatin me kriekaqolin sepse e menjanoi dhe nuk e beri pjese te tortes se madhe te perfitimeve se per drejtesi ketij nuk i behet vone fare. Aq me teper qe ky pikerisht per te shkuaren enveriste nuk duhej te ishte fare pjese e reformes ne drejtesi e pjese e strukturave te shtetit.

    Reply to this comment
    • Merko May 22, 21:19

      Problemi i shqipetareve eshte se ekzitojne akoma njerez si puna jote i ” nderuar” info analitike. Nese do te punon dhe deshironin vertet reformat ne kete vend sa zotria i nderuar, ky vend do kishte drejtesi. Jam dakort me ty se Ram palla e ka menjanuar, kjo ka ndodhur se Fatmir Xhafaj nuk ka pare as majtas as djathtas kur ishte Minister i Brendshem dhe u prishi pazaret Lulit dhe Rames, ky i fundit donte policine e rendin e hashashit jo te drejtesis, sa per vellain e tij,nese do ishin te gjithe te lare, hajde ta kryqezojme. Ketej e akuzoni se eshte me kohen e enverit e ketej ju beni enveristat duke persekutuar njerezit per vellezerit e tyre. Shikoni e qartesohuni o pupull, thirrini mendjes e vleresoni njerzit qe duhet se ju ka mbytur politika me propagand e po ju shtypin!!!!

      Reply to this comment
  5. Nensi May 22, 21:42

    Sikur te ishin nje pjese e vogel, si Fatmir Xhafa, ky vend do kishte ec, por fatkeqesisht nuk ka. Dhe perveç se ti jepni ate qe i takon, per gjithe punen e tij aq te madhe, mos kini paturpesine qe te hidhni balte mbi punen e tij dhe mbi te. Mjaft me padrejtesine qe ti vishni gjera te paqena. Mesoni te vleresoni njerezit qe punojne.

    Reply to this comment
  6. Eri 20 May 22, 22:18

    Z. Xhafa ishte dhe eshte nder politikanet me te ndershem dhe jurist profesionist qe ka PS. Turp i atyre qe i shpiken babalen dhe te marrin denimin maksimal.

    Reply to this comment
  7. Vesel Ziguri May 22, 22:19

    Kur ishte MB ishte me i suksesshmi dhe se paraardhesi i tij dhe ky pasardhesi qe spo kuptojme pse nuk lufton bandat dhe krimin.

    Reply to this comment
  8. Jorid Bino May 22, 22:20

    Z. Xhafa duhet te flasesh me shume per reformen ne drejtesi dhe ta mbrosh ate

    Reply to this comment
  9. Ai djaloshi May 22, 22:23

    Po kjo eshte arsyeja pse Xhafaj duhej degjuar ne ate kohe, se i parapriu pikerisht kesaj marreveshje

    Reply to this comment
  10. Zgjuarsia May 22, 22:25

    Like floriri e ka si zakonisht zakon te kapi drejtesine dhe do tani te perfshihet publikisht dhe ligjerisht ne drejtesi qe te mbroj veten dhe MonikeN

    Reply to this comment
  11. Kolapsi May 22, 22:26

    E tha Xhafaj po kush e degjoi?! Keta njerez duhet te jene te çmendur se ku do e çojne kete vend!!! Po pse duhet te fusin hundet dhe atehere kur e bejne dhe e miratojne vete

    Reply to this comment
  12. Tori May 23, 08:05

    Shpiken apo nxorren ne drite me ane te Babales faktet per Fatmir Xhafen sepse e verteta qe menjehere pas Babales vellai i Fatmirit shkoi ne burg.Ky eshte realiteti.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim