GRE-MINA DHE NE

June 30, 2015 00:49

GRE-MINA DHE NE

Gjashtë muaj. Kaq i kanë mjaftuar Aleksis Ciprasit për të merituar një titull të tipit “Shkëlqimi dhe rënia e një politikani”. Nga janari i këtij viti kur kryetari i Syrizas mori detyrën paraprakisht tejet të vështirë të kryeministrit, e deri tani, në fund qershori, kur ai ftoi grekët në një referendum për të vendosur pro apo kundër marrëveshjes së borxhit me Trojkën evropiane, ngjarjet janë rrokullisur me shpejtësi. Dhe vendi fqinj, Greqia, duhet të ndajë mendjen nëse do dalë nga eurozona për të ringjallur edhe një herë dhrahminë, me të gjitha pasojat që kjo do të sjellë, apo të vazhdojë nën regjimin e ndihmës dhe masave ekonomiko-financiare të kërkuara nga BE. Sondazhet e para flasin për një “kthjellim” të mbi 57% të të anketuarve, që mbështesin propozimin e opozitës së Demokracisë së Re, për të mbetur brenda monedhës euro.

Kuptueshëm, shkëlqimi dhe rënia e një politikani të përveçëm është e papërfillshme përballë kësaj rrëshqitjeje në greminë që i avitet Greqisë. Deri në çastin e fundit, ndokush mund të ketë iluzione për asin nën mëngë që demek fsheh Cipras: Ndonjë fluks i befasishëm parash nga Kina, Rusia? Apo për bllofin e luajtur kaq bukur nga ministri Varufakis që do detyrojë BE-në të rikthehet kokulur, e trembur nga pasojat mbi euron nëse Greqia largohet: Okej, pranojmë propozimet e Athinës për lehtësim të masave shtrënguese…

Por deri tani duket se nuk ka asgjë nga këto. Në thelb, ajo që bëri Cipras ishte realizimi i kërkesës së ish kryeministrit Jorgo Papandreu, një referendum popullor që siç rezulton, e anuloi çastin e fundit, pas shantazhit që Brukseli i bëri me paratë e nënës së tij, të fshehura në llogari bankare zvicerane. Thënë ndryshe, Cipras zgjati agoninë e grekëve për gjashtë muaj, duke e përkeqësuar ndërkaq. Në një pikë ai është ballëhapur përpara votuesve: Erdha në pushtet me premtimin se nuk do lejoj vazhdimin e masave të turpshme imponuese të Trojkës, dhe atë po bëj. Por problemi është se çfarë vjen paskëtaj? Deri në ç’fund të greminës do shkojë vendi para se të adoptohet me dhrahminë e rigjetur? Disa pyetje të ashpra i drejton Ciprasit edhe e përditshmja Kathimerini.

Ndërkaq, nuk është sekret se vendi fqinj është në një krizë të thellë, e cila prek direkt edhe Shqipërinë. Së pari përmes një milion shqiptarëve emigrantë që po vuajnë pasojat e kësaj krize dhe së dyti, për shkak të pranisë së fortë bankare greke në Shqipëri. Edhe pse bankat e këtushme greke janë autonome dhe si njësi më vete, kanë qenë mjaft të shëndetshme, është fjala për 1.2 miliard eurot që shqiptarët kanë në bankat greke këtu. Dhe kjo sasi parash është sa 32% e gjithë kapitalit bankar në vend. Pra, kush “gëzohet” para kohe për vuajtjet e grekëve, të mendohet mirë. Kur fqinjët ishin mirë, edhe për ne u bë mirë; por tani e njëjta linjë komunikimi e ndikimi vlen edhe për krizën. Ajo që shpresojmë, është që ndikimi të jetë sa më i vogël./DITA

June 30, 2015 00:49
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*