Çfarë përmbajnë përgjimet?

Alqi Koçiko September 30, 2014 14:02

Çfarë përmbajnë përgjimet?

Në datën 5 mars 2014, kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror Visho Ajazi Lika, ishte kërkuar nga komisioni parlamentar i Sigurisë, të raportonte me dyer të mbyllura për veprimtarinë e shërbimit. Raportimi nuk u realizua atë ditë, sepse rezultoi që Ajazit dhjetë ditë më parë, më 25 shkurt, i kishte skaduar certifikata e sigurisë, e domosdoshme për të marrë pjesë në mbledhje të kësaj natyre. Nisi një odise e shkurtër, e këndshme edhe për mediat që vinin bast se kur do ta pajiste Ajazin zyra e posaçme kryeministrore, me certifikatë të rinovuar. Kjo ndodhi më 1 prill. Datë interesante.

Po ç’lidhje ka kjo ngjarje dhe kjo periudhë me çështjen e përgjimeve të SHISH-it, prekur dy numrat e fundit në DITA? Lidhja dhe përkimi kohor është tejet domethënës: Pikërisht në mars 2014, kur shefi i vet ishte thirrur të raportojë para komisionit të Sigurisë, SHISH i ka ndërprerë përgjimet ndaj politikanëve kryesorë të së majtës dhe disa eksponentëve në zë të së djathtës.

Pas kësaj periudhe, shërbimi nuk ka kryer më veprime të kësaj natyre. Visho Ajazi Lika më në fund raportoi në komision, dhe ky i fundit caktoi një grup deputetësh anëtarë të tij për të inspektuar punën e SHISH-it.

Raporti i rezervuar i këtij grupi tashmë ka përfunduar dhe është dorëzuar në kryeministri dhe Kuvend. Rezulton se kreu i LSI-së dhe kryetari i Kuvendit Ilir Meta është përgjuar në 700 telefonata, kryeministri Rama në rreth 200 të tilla, janë përgjuar edhe deputetët socialistë Tahiri e Balla, por edhe demokratët Sokol Olldashi, Astrit Patozi e Ilir Rusmali.

Një pyetje nuk mund të mos bëhet: Çfarë përmbajnë këto përgjime, që janë kryer me porosi dhe logjikshëm tashmë janë edhe në dorë të ish-kryeministrit Sali Berisha?

Majtas

Kthimi në retrospektivë dhe udhëtimi kronologjik, paralel me disa zhvillime politike të kohëve të fundit, na mundësojnë të kuptojmë se çfarë meraqesh ka patur Berisha. Marrja e “kalasë” së SHISH-it nga Berisha, ka ndodhur më gusht 2012, pasi presidenti i sapozgjedhur Nishani shkarkoi pa shumë ceremoni që në ditët e para të presidencës shefin e shërbimit Bahri Shaqiri dhe emëroi Visho Ajazi Likën.

Pikërisht më 16 gusht 2012, për nder të një homazhi në kujtim të politikanit dhe mendimtarit Arbën Xhaferri, Edi Rama dhe Ilir Meta janë ndodhur në Tetovë. Në restorantin e hotel “Lirakut” në Tetovë, ata kanë ndenjur së bashku, në prani edhe të deputetëve të tjerë për gati një orë e gjysmë. Por siç raportuan gazetarë të Maqedonisë asokohe, rreth gjysma e kësaj kohe është shpenzuar në bisedë kokë më kokë. U vu re edhe një angazhim i stafit të PS-së dhe LSI-së që kuriozët të mos merrnin asnjë fotografi nga ky takim befasues.

Më i befasuari mund të ketë mbetur Sali Berisha, i cili nuhati se ky mund të ishte fillimi i fundit. Pikërisht nga ajo periudhë e më pas, përgjimet e SHISH kanë ardhur në rritje. Një muaj e pak më vonë, në fund të shtatorit 2012, Rama e Meta u takuan sërish në Bruksel, këtë herë në kuadër të së majtës evropiane, e sërish gjetën kohë për biseda kokë më kokë.

Duket se “Arkivistit” të madh të selisë blu i duheshin sa më shumë informacione, dhe sa më shpejt. Përgjimet shpeshtohen derisa pas konfirmimit të aleancës parazgjedhore të së majtës më prill 2013, arritën kulmin duke bërë që SHISH të mos e “hiqte aparatin nga priza”. Padyshim se jo gjithçka që është arritur në marrëveshje mes Ramës e Metës, është komunikuar përmes celularit. Dhe jo të gjitha bisedat mund të ishin me njëri-tjetrin. Por fakti që SHISH i ndërpreu përgjimet vetëm kur Kuvendi u kujtua të merrej me Visho Ajazi Likën, gati shtatë muaj pas ardhjes në pushtet të së majtës, nënkupton që informacionet, sensitive ose më pak të tilla, janë të shumta.

Djathtas

Linja paralele e përgjimit është ajo e eksponentëve të njohur demokratë. Grupimet dhe qejfmbetjet ishin krijuar ndërkohë në PD. Destini i ndritur i Lulzim Bashës ishte përcaktuar, ndërkohë që ribashkimi i së majtës bëri që shumëkush në parti ta ketë kuptuar se çfarë i priste në zgjedhjet e ardhshme, edhe pse përmasat e humbjes ndoshta ishin të paparashikueshme.

Olldashi e Patozi, të zëshëm deri në fund për mbrojtjen e “arritjeve të qeverisë”, por edhe Rusmali i spostuar ndërkaq (që mori mbi vete edhe koston e mërisë së të përndjekurve politikë në një protestë para parlamentit), gjithsesi kishin filluar grupimin e mbështetësve të tyre për t’i bërë ballë Bashës. Përgjimet ndaj tyre tregojnë se Berisha ishte i vendosur të mos lejonte asnjë devijim, asnjë rrymë apo “disidencë” në PD, sido që të shkonin zgjedhjet.

Dhe se si është ndjerë Sokol Olldashi kundrejt Berishës pas “mposhtjes” në garën brendapartiake nga Basha, e tregon fjalimi i tij në parlament me rastin e “skandalit të votave në Korçë”, vetëm 12 ditë para se të vdiste: “Problemi është shumë më i madh sesa 20.000 lekë që iu dhanë studentëve në Korçë! Problemi është kthyer në sistem dhe, në qoftë se ne duam të merremi seriozisht me te, duhet të kuptojmë dhe pranojmë atë çka realisht po ndodh… Dua t’u drejtohem shumë deputetëve, të djathtë dhe të majtë, gjithkujt që ka një grimcë përgjegjshmërie… a do të merremi ne me ketë problem? Apo do të bëjmë sikur nuk shikojmë? Kjo që po ndodh është e tmerrshme! Nëse kthehemi mbrapa, në vitin 1991 dhe 1992, kur janë bërë zgjedhjet e para pluraliste në këtë vend, nuk është paguar askush, nuk është harxhuar asnjë qindarkë e vetme, as nga kandidatët as nga komisionerët! Askush nuk ka paguar askënd. Pse? Sepse njerëzit kishin një zemër, kishin një moral dhe kishin një shpirt. Vinin dhe e bënin gjithçka me dëshirë. Si tanët, si tuajt”. Duket si një fjalim i kujtdo tjetër, veç deputeti të Berishës jo.

Sot

Si do t’u vejë filli këtyre përgjimeve të paligjshme, por edhe i zbatuesit të tyre? Urdhëruesi i shefit me dy mbiemra te SHISH-it zor se ka lënë diçka me shkrim. Por aty ka vërtet materiale delikate që ndodhen edhe në duar të “arkivistit”. Nuk ka dyshim që ish-kryeministri ndodhet në habitatin e vet natyral; ai prej 90-s ka tundur dosje e të dhëna shantazhuese. Por të përgjuarit kryesorë s’mund të bëjnë sikur nuk ka ndodhur gjë, edhe pse në agjendën e tyre mund të ketë probleme më akute për të ndjekur. Historia nuk duhet të mbyllet kështu, edhe nëse sensibiliteti i materialeve të përgjuara është i lartë, apo edhe nëse ka ndërhyrje diplomatike për t’i venë kësaj pune një kapak.

Ky përgjim masiv tregon se maxhoranca e para 23 qershorit, ka shfaqur vullnet të qartë për të përgjuar e frikësuar kundërshtarët politikë. I takon shumicës së sotme, e cila është përpjekur dhe ka luftuar gjatë, që këtë veprimtari minimalisht ta fusë në korsinë e ligjshmërisë dhe të respektimit të të drejtave themelore të njeriut. Shteti që përgjon kundërshtarët dhe qytetarët është abuziv. Ata që e vuajtën dje këtë të keqe, duhet të ndahen me të sot, kur kanë në dorë frenat e pushtetit.

Alqi Koçiko September 30, 2014 14:02
Komento

2 Komente

  1. Jorgo September 30, 20:33

    ik ore trap, e gjete ti, me data, gjeje edhe me ore. Do shohim cfare do kete komisioni, asgje nuk do kete. Sikur te jete burre Rama, nuk ndersen kelyshet por merret vete dhe e gjen te verteten.

    Reply to this comment
  2. nendetsja 105 October 1, 12:07

    O Zoti Alqi kujdes me Vishon se ne arkivin e Shikut, qe nga koha e vellait te Majlindes dhe te dashurit te Suekes( Bedenit), jane ca foto dhe ca filmime nga nje feste( party) ne “Chateaux Linza” ku djem te rinj ishin veshur me minifunde, me geta rrjete, kishin lyer buzet me te kuq e kishin vene bikutina ne koke. Festonin e c’te festuar se! Ka filmime edhe ne dhomat e katit te dyte te rezortit, more Alqi, keshtu qe kujdes me Vishon e Ollges! Ka zgjuaresi natyrore ( prej alpini), ka shkollim shkencash ekzakte d.m.th.inteligjent, ne mesin e viteve 90 eshte trajnuar per spiunlleqe ne Gjermani (BFV dhe MID) dhe Turqi (MIT) eshte edhe natyre krimineli, plus udhezimet nga ruset e VCR-se ( OLLGA). TE fala Vilajet Qyrkut me qe jemi ketu!

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*